Lajmet

REL: Pse po rrënohen shtëpitë në zonën e Liqenit të Ujmanit?

Published

on

Ekskavatorë, nën asistimin e Policisë së Kosovës, nisën më 21 korrik rrënimin e njëmbëdhjetë shtëpive në bregun e Liqenit të Ujmanit, në komunën e Zubin Potokut.

Aksioni rihapi debatin për të drejtat pronësore dhe kompetencat e institucioneve.

Autoritetet e Kosovës thonë se objektet janë ndërtuar pa leje në tokën që administrohet nga Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, ndërsa pronarët pretendojnë se prona është subjekt i një procesi gjyqësor dhe se rrënimi i objekteve nuk është dashur të nisë para përfundimit të procedurave.

Rrënohen shtëpi buzë Liqenit të Ujmanit

Rrënimi i shtëpive të para, të cilat Kosova i konsideron të paligjshme, nisi në fund të qershorit.

Ndërkohë, organizata joqeveritare Aktiv, me seli në Mitrovicë të Veriut, organizoi një diskutim publik për të nxitur dialogun dhe për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

Në diskutim morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, të ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, ekspertë ligjorë, përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe qytetarë të prekur drejtpërdrejt nga çështja e pronësisë, por jo edhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Sipas organizatës Aktiv, pjesëmarrësit vlerësuan se çështjet pronësore në zonën e Liqenit të Ujmanit kërkojnë “një qasje institucionale transparente dhe gjithëpërfshirëse, zbatim të qëndrueshëm të ligjit dhe dialog të vazhdueshëm mes të gjithë aktorëve përkatës”.

Çfarë thotë “Ibër-Lepenci”?

Drejtori i ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, tha për Radion Evropa e Lirë se pronarëve u ishte kërkuar më 3 korrik që t’i lironin objektet, dhe pas skadimit të afatit, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, urdhëroi rrënimin e tyre.

“Ne po e kthejmë pronën tonë. Po rrënohen 11 shtëpitë e ndërtuara ilegalisht në pronën e ndërmarrjes”, tha Mujka.

Ai shtoi se, sipas të dhënave të mbledhura, shumica e këtyre shtëpive janë ndërtuar gjatë viteve 2019-2020.

Në mes të korrikut, gjatë diskutimit publik, Mujka deklaroi se “Ibër-Lepenci” e ka detyrim ligjor të mbrojë pronën që administron dhe që është me interes publik.

Ai theksoi se ndërmarrja nuk merr vendime për rrënimin e objekteve, por vetëm njofton institucionet kompetente për shkeljet që konstaton, ndërsa ato veprojnë sipas kompetencave të tyre ligjore.

Më herët, “Ibër-Lepenci” mori nën kontroll kampin Rezalla, një nga pronarët e të cilit është aktivisti serb i shoqërisë civile, Dragisha Mijaçiq.

Sipas Mujkës, edhe ky kamp ishte ndërtuar pa lejet e nevojshme dhe u mor në administrim për t’u sistemuar.

Ai rikujtoi, gjithashtu, rëndësinë strategjike të Liqenit të Ujmanit për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë elektrike dhe nevoja të tjera publike në Kosovë.

Në vitin 2025, Qeveria e Kosovës shpalli zonën e Liqenit të Ujmanit dhe Malin Mokna, pranë Zubin Potokut, si “zona të pasurisë natyrore me rëndësi të veçantë”.

Çfarë thonë pronarët?

Branimir Mihajlloviq, banor i Mitrovicës së Veriut dhe pronar i një shtëpie në Ujman, thotë për Radion Evropa e Lirë se tokën e kishte marrë në shfrytëzim për 99 vjet në vitin 2006 nga ndërmarrja serbe “Srbija Shume”, së cilës i kishte paguar qira.

Objekti i tij ishte planifikuar të rrënohej më 21 korrik.

Ai thotë se, zakonisht, qëndron në atë shtëpi nga marsi deri në nëntor dhe se mëngjesin e 21 korrikut u zgjua nga policia, e cila i kërkoi të largohej nga objekti.

Më pas, sipas tij, nuk iu lejua më t’i afrohej.

Ai thotë se, vitin e kaluar, kishte paraqitur kërkesë për legalizimin e pronës në sistemin e Kosovës dhe ishte i gatshëm të paguante qiranë ndaj institucioneve të Kosovës.

Kosova, përndryshe, që nga viti 2024 ka nisur mbylljen e institucioneve serbe, duke i cilësuar ato si paralele dhe të paligjshme.

“Unë i kam të gjitha dokumentet. Papritur si pronar u paraqit ‘Ibër-Lepenci’. Ne nuk ndodhemi fare në brezin ujor. Edhe nëse do të ishim, do të paguaja qira dhe tatime. Kam paguar edhe energjinë elektrike. Sipas ligjit, toka mund të jepet me qira dhe pikërisht këtë kemi kërkuar”, thotë Mihajlloviq.

Ai tregon se, së bashku me pronarët e tjerë të shtëpive, kryesisht serbë nga veriu i Kosovës, kanë paraqitur ankesë tek Avokati i Popullit dhe në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

“S’është mbajtur asnjë seancë. Kërkuam pezullim të përkohshëm të rrënimit, por ende nuk ka vendim”, thotë Mihajlloviq.

A ka vendim gjykate?

Avokati i pronarëve, Predrag Millkoviq, thotë se nuk ekziston bazë ligjore për rrënimin e shtëpive, pasi çështja e pronësisë ende nuk është zgjidhur nga gjykata.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Gjykatës Themelore në Mitrovicë për ta pyetur nëse ka lëshuar urdhër për rrënimin e objekteve, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Millosh Peroviq, deklaroi gjatë diskutimit të organizuar nga Aktiv se autoritetet lokale nuk kanë dhënë pëlqim për rrënimin e shtëpive në zonën e Ujmanit dhe bëri thirrje për një zgjidhje kompromisi.

Drejtori i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, këmbënguli se urdhri për rrënim është dhënë nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Reagimi i Serbisë

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e cilësoi rrënimin e objekteve, në një reagim më 21 korrik, si “akt të paligjshëm dhe terrori nga [kryeministri në detyrë i Kosovës] Albin Kurti”, duke pretenduar se ai është duke u zhvilluar “pa asnjë vendim gjyqësor” dhe “me qëllim hakmarrjen ndaj serbëve”.

Sipas saj, pronarët e shtëpive kishin mësuar për rrënimin e objekteve vetëm përmes njoftimeve të vendosura në to.

Pse është i rëndësishëm Liqeni i Ujmanit?

Liqeni i Ujmanit ndodhet në komunën e Zubin Potokut, në veri të Kosovës – e banuar me shumicë serbe – ndërsa një pjesë më e vogël shtrihet në territorin e komunës së Tutinit në Serbi.

Ai konsiderohet infrastrukturë strategjike për Kosovën, pasi shërben për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë elektrike dhe ujitjen.

Nga Ujmani furnizohet edhe kanali Ibër-Lepenc, i cili u hodh në erë në vitin 2024.

Për këtë rast, para organeve të drejtësisë në Kosovë janë ngritur akuza ndaj Dragisha dhe Jovan Viqentijeviqit, si dhe Igor Dimoviqit, nën dyshimin se “kanë rrezikuar rendin kushtetues, duke shkatërruar ose dëmtuar instalime dhe pajisje publike”.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë disa qytete të Kosovës, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termocentraleve.

Menaxhimi i Liqenit të Ujmanit është gjithashtu pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit, të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në shtator të vitit 2020, në Shtëpinë e Bardhë, gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, Donald Trump.

Në qershor të vitit 2021, Shtetet e Bashkuara hartuan një studim fizibiliteti, në të cilin propozohej menaxhimi i përbashkët i liqenit sipas të ashtuquajturit “model kolumbian”, me synim zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me furnizimin me ujë, energjinë dhe mbrojtjen nga përmbytjet. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Riktheni lëvizshmërinë, fuqinë dhe cilësinë e jetës me fizioterapi të avancuar në United Hospital

Published

on

By

United Hospital zgjeron kujdesin e specializuar rehabilitues me shërbime të avancuara të fizioterapisë, të dedikuara për pacientët që përballen me dhimbje, dëmtime muskulo-skeletore, probleme të shtyllës kurrizore apo nevojë për rikuperim pas ndërhyrjeve kirurgjikale.

Nën kujdesin profesional të fizioterapistes Nida Qono, pacientët mund të përfitojnë programe të personalizuara rehabilitimi, të fokusuara në rikthimin gradual të lëvizshmërisë, funksionalitetit dhe pavarësisë në aktivitetet e përditshme.

Shërbimet përfshijnë rehabilitimin fizioterapeutik të problemeve të shtyllës kurrizore, përfshirë rastet me hernie diskale cervikale, torakale dhe lumbale, si dhe menaxhimin e dhimbjeve dhe dëmtimeve muskulore, tendosjeve, spazmave dhe mbingarkesave funksionale.

Një tjetër komponent i rëndësishëm është korrigjimi i çrregullimeve posturale, i shoqëruar me edukimin e pacientit për ndryshime të qëndrueshme në mënyrën e përdorimit dhe pozicionimit të trupit.

Rehabilitim ortopedik dhe post-operativ

Programet e fizioterapisë adresojnë gjithashtu nevojat e pacientëve pas dëmtimeve apo ndërhyrjeve ortopedike, duke përfshirë:

Rikthimin pas ndërhyrjeve në ligamentin e kryqëzuar anterior (ACL)

Rehabilitimin pas dëmtimeve të ligamenteve dhe meniskut, konservativ ose post-operativ

Rehabilitimin pas vendosjes së proteza të gjurit

Rehabilitimin pas vendosjes së proteza të kërdhokullës

Rehabilitimin pas traumave, përfshirë frakturat, dëmtimet sportive dhe aksidentet

Rehabilitimin e të sëmurëve ambulatorë

Qasja e fizioterapisë synon të përshtatet me gjendjen dhe objektivat individuale të secilit pacient, duke e bërë procesin e rehabilitimit një rrugëtim të strukturuar drejt rikthimit në aktivitetet e përditshme.

Kur dhimbja kufizon lëvizjen, rehabilitimi i specializuar mund të jetë një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të funksionalitetit.

📞 Caktoni terminin tuaj: 046 60 70 70
📍 United Hospital – M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë, Kosovë

United Hospital – Knowledge and Solution
Nida Qono – Fizioterapiste./rajonipress/

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Plenkoviq nga OKB-ja kritikon Serbinë: Glorifikimi institucional i Mlladiqit, fyerje ndaj viktimave

Published

on

By

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ka dënuar ashpër nderimet zyrtare që Serbia po i bën të dënuarit për krime lufte, Ratko Mlladiq. Plenkoviq i cilësoi këto veprime si fyerje të drejtpërdrejtë ndaj viktimave dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, duke nënvizuar se pajtimi në Evropë kërkon përballje reale me të kaluarën dhe ndaljen e lartësimit të kriminelëve nga ana e institucioneve.

“Pajtimi në Evropë kërkon përballjen me krimet e së kaluarës, respektimin e viktimave dhe refuzimin e glorifikimit institucional të autorëve të krimeve”, deklaroi Plenkoviq para përfaqësuesve botërorë.

Kreu i qeverisë kroate rikujtoi sulmet e urdhëruara nga Mlladiqi mbi qytetet kroate, vrasjet e civilëve dhe shkatërrimin e infrastrukturës e trashëgimisë kulturore, duke theksuar se këto mizori kulmuan me gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995. Mlladiq u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Hagës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit në Bosnje-Hercegovinë.

Gjatë fjalimit të tij në Nju Jork, Plenkoviq u ndal edhe te situata në Lindjen e Mesme, ku bëri thirrje për zbatimin e standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e civilëve dhe garantimin e ndihmës humanitare në Gaza. Ai ritheksoi mbështetjen e Kroacisë për një zgjidhje të negociuar me dy shtete, me qëllim që izraelitët dhe palestinezët të jetojnë pranë njëri-tjetrit në paqe dhe siguri.

 

Continue Reading

Lajmet

Hyseni u dorëzohet autoriteteve në Vërmicë: Ish-shefja e SHISH në arrest shtëpie pas shkarkimit nga Rama

Published

on

By

Kreu i Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, u është dorëzuar autoriteteve shqiptare në pikën kufitare Vërmicë-Morinë, pasi gjatë ditës ka qëndruar në territorin e Kosovës.

Paraqitja e saj në pikën kufitare erdhi menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), e cila me kërkesë të SPAK-ut ka caktuar ndaj saj masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimin e menjëhershëm nga detyra. Hyseni po hetohet nga Struktura e Posaçme për veprat penale “përkrahje e autorit të krimit” dhe “nxjerrje e sekretit hetimor”.

Ekzekutimi i masës së sigurisë nuk arriti të kryhej gjatë orëve të mëngjesit, pasi zyrtarja e lartë ndodhej në Baku të Azerbajxhanit, ku po merrte pjesë në një konferencë ndërkombëtare të drejtuesve të shërbimeve informative.

Në vijim të këtyre zhvillimeve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar zyrtarisht shkarkimin e saj nga detyra e drejtueses së SHISH-it.

Continue Reading

Lajmet

Godet këmbësoren me veturë, arrestohet i dyshuari në Prishtinë

Published

on

Një person është arrestuar në Prishtinë pasi dyshohet se, gjatë drejtimit të veturës nga pakujdesia, ka goditur një këmbësore.

Rasti ka ndodhur më 22 shtator, rreth orës 12:50. Si pasojë e aksidentit, këmbësorja ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara