Lajmet

REL: Osmani merr pjesë në themelimin zyrtar të Bordit të Paqes në Uashington

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë të enjten në ceremoninë zyrtare të themelimit të Bordit të Paqes – nismës së presidentit amerikan, Donald Trump për dhënie fund të konflikteve në botë.

Pjesëmarrjen e Osmanit e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.

Vetë presidenti Trump ka bërë të ditur përmes disa postimeve në rrjete sociale se ceremonia do të zhvillohet më 19 shkurt në Institutin për Paqe të Trumpit në Uashington.

“Do të bëjmë të ditur se vendet anëtare janë zotuar për më shumë se pesë miliardë dollarë për përpjekjet për rindërtim dhe ndihmë humanitare për Gazën, dhe janë të përkushtuara për të angazhuar mijëra trupa në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për të garantuar sigurinë dhe paqen për banorët e Gazës”, ka shtuar mes tjerash presidenti Trump.

Nga Presidenca e Kosovës kanë konfirmuar më herët për Radion Evropa e Lirë se shtetit nuk i është kërkuar pagesa prej 1 miliard dollarësh.

Bordi i Paqes është themeluar më 22 janar në Davos të Zvicës, në prezencë të presidentit Trump. Kosova është përfaqësuar nga presidentja Osmani.

Bordi i Paqes i ka 27 anëtarë. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka autorizuar këtë trup që të mbikëqyrë zbatimin e armëpushimit në Gazë dhe të angazhohet në aspektin e qeverisjes dhe rindërtimit.

Themelimi i Bordit është paraparë në planin 20-pikësh të Trumpit për paqe në Gazë.

Ky plan është pranuar nga Izraeli dhe Hamasi – organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë tjera, në tetor të vitit 2025, për t’iu dhënë fund luftimeve dyvjeçare.

Rëndësia e pjesëmarrjes së Kosovës në Bordin e Paqes

Profesori i studimeve për paqe dhe konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, Gëzim Visoka, i ka thënë ditë më parë Radios Evropa e Lirë se pjesëmarrja e Kosovës në këtë bord mund t’i sjellë vendit përfitime të rëndësishme në politikën e jashtme, pavarësisht kostove të mundshme.

Sipas tij për sa kohë Kosova mbetet jashtë organizatave të mëdha ndërkombëtare si NATO-ja, Bashkimi Evropian dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, nisma të tilla mund t’i shërbejnë forcimit të pozicionit të saj diplomatik.

“Kjo platformë mund t’i ofrojë Kosovës një hapësirë për lobim dhe për të kërkuar njohje të reja nga shtete si Maroku apo vende të tjera që ende nuk e kanë njohur Kosovën…Deri më tani, sistemi i OKB-së nuk i ka ofruar Kosovës barazi, qasje të duhur, nuk ka qenë në shërbim të së drejtës së Kosovës për vetëvendosje, për anëtarësim në sistemin ndërkombëtar dhe për njohje ndërkombëtare. Në një farë mënyre, kjo është edhe një protestë ndaj rendit të OKB-së, i cili ka përfunduar duke u bërë vegël e fuqive të mëdha”, ka thënë mes tjerash ai.

Çfarë dihet për pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese?

Përveç Bordit, autoritetet në Kosovë kanë konfirmuar se janë në proces të shqyrtimit të formës dhe kapacitetit me të cilin do të mund të kontribuojnë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur më herët gjatë vitit se pjesëmarrja e FSK-së në këtë forcë vjen pas pjesëmarrjes në një konferencë në Doha të Katarit në dhjetorin e vitit paraprak, të organizuar nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci i ka thënë Radios Evropa e Lirë se konferenca në Katar ka pasur karakter informues lidhur me Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese dhe se Kosova është ftuar të marrë pjesë nga ushtria amerikane.

Hollësi për Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese, që ka mandat të Kombeve të Bashkuara, nuk janë bërë publike, por ajo besohet se do të ketë për detyrë ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjes së armëpushimit në Rripin e Gazës.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se komandat i Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese është emëruar gjeneralmajori i ushtrisë, Jasper Jeffer, komandant amerikan i operacioneve speciale.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi në tetor të vitit 2023, pasi Hamasi vrau mbi 1.200 njerëz në Izrael dhe mori qindra pengje.

Sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë shkaktuan mbi 60.000 njerëz të vrarë, krizë urie dhe dëme të mëdha infrastrukturore.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Shuhet ëndrra e Kosovës për Botëror, Turqia fiton minimalisht

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje me rezultat 0-1 ndaj Turqisë duke i dhënë fund shpresave për kualifikim në Kampionatin Botëror.

Golin e vetëm të ndeshjes e realizoi Kerem Aktürkoğlu në minutën e 53-të, një gol që rezultoi vendimtar për fatin e takimit.

Kosova pati përpjekje gjatë gjithë ndeshjes për të barazuar rezultatin, por pa arritur të konkretizojë rastet e krijuara. Në minutat shtesë, loja u tensionua edhe më shumë, ku pati kartonë të verdhë dhe ndërhyrje të shumta nga të dyja skuadrat.

Kjo humbje zyrtarizon eliminimin e Kosovës nga gara për një vend në Botëror, duke shuar kështu një tjetër ëndërr për përfaqësuesen.

Continue Reading

Lajmet

Policia e Kosovës shpall masat e shtuara të sigurisë dhe bllokimet e rrugëve për finalen Kosovë-Turqi

Published

on

By

Sot, më 31 mars 2026, Prishtina është qendra e vëmendjes sportive botërore, pasi Stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë nikoqir i ndeshjes finale të play-off-it për Kampionatin Botëror “FIFA World Cup 2026” ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Dueli, i cili fillon në orën 20:45, konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e futbollit kosovar, çka ka shtyrë Policinë e Kosovës të ndërmarrë një plan gjithëpërfshirës për rendin dhe sigurinë publike.

Për të garantuar mbarëvajtjen e kësaj feste sportive, Policia ka njoftuar se do të ketë prani të shtuar të zyrtarëve në stadium, në të gjithë qytetin dhe në tri “Fan Zona” të krijuara enkas për tifozët.

Si pasojë e fluksit të madh dhe lëvizjes së delegacioneve zyrtare, do të ketë bllokime të përkohshme dhe kufizime të qarkullimit në rrugët kryesore të kryeqytetit.

Segmentet më të prekura përfshijnë rrugët “Tring Ismajli”, “Agim Ramadani”, “Eqrem Çabej”, zonën te semaforët kryesorë, Bulevardin “Bill Clinton”, rrethin te Stacioni i Autobusëve, si dhe rrugët “Hekurudhat” e “Tirana” që çojnë drejt stadiumit.

Gjithashtu, kufizime do të ketë në perimetrin rreth stadiumit, përfshirë rrugën “Luan Haradinaj” deri te Ministria e Drejtësisë dhe rrugën “Fehmi Agani”.

Pas përfundimit të ndeshjes, vëmendja do të përqendrohet në rrugët që dërgojnë drejt aeroportit, duke përfshirë lagjen “Arbëria” dhe rrugën “Ahmet Krasniqi”. Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve në terren, të shfrytëzojnë rrugë alternative sa më shumë që të jetë e mundur dhe të kontribuojnë në ruajtjen e qetësisë, duke e cilësuar sigurinë si një përgjegjësi të përbashkët për këtë ngjarje madhore.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu priti në takim Shefin e EULEX-it

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Shefin e EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano.

Në këtë takimit u diskutuan zhvillimet aktuale në Kosovë, me theks të veçantë në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve dhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it.

Në këtë takim u rikonfirmua përkushtimi i përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës dhe për avancimin e proceseve që kontribuojnë në stabilitetin institucional dhe në rritjen e besimit të qytetarëve, sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës

Continue Reading

Lajmet

Ambasada e SHBA-së mbështet “Dardanët” para finales me Turqinë në “Fadil Vokrri”

Published

on

By

Atmosfera para përballjes vendimtare mes Kosovës dhe Turqisë është ndezur, madje kësaj ngjarje vëmendje i ka kushtuar edhe Ambasada e Amerikës në Kosovë

Përmes një postimi në rrjetet sociale, përfaqësia diplomatike amerikane ka rreshtuar veten përkrah tifozëve dardanë në këtë natë historike, duke dhënë një mesazh të qartë mbështetjeje: “Nga të gjithë ne në Ambasadën e SHBA-së, ne po ju mbështesim – luani fort dhe bëjeni Kosovën krenare”.

Kjo ndeshje, e cila konsiderohet si një finale e vërtetë për fatet e kualifikimit në Kampionatin Botëror, pritet të fillojë në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Interesimi për këtë takim është i jashtëzakonshëm dhe shkallët e stadiumit pritet të jenë të stërmbushura me tifozë që kërkojnë fitoren historike.

Përfaqësuesja e Kosovës zbret në fushë me moral të lartë dhe me përkrahjen e plotë të partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa vëmendja e gjithë opinionit publik është përqendruar në Prishtinë për këtë sfidë vendimtare që përcakton rrugëtimin drejt botërorit.

Continue Reading

Të kërkuara