Lajmet

REL: Merz propozon: Ballkani Perëndimor si vëzhgues në BE, Ukraina si anëtare e asociuar

Published

on

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, propozoi që vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u jepet statusi i vëzhguesit në Bashkimin Evropian, ndërsa Ukrainës statusi i së ashtuquajturës anëtare e asociuar pa të drejtë vote.

Në një letër që Merz ua dërgoi liderëve të BE-së – presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, si dhe presidentit qipriot, Nikos Christodoulides, aktualisht kryesues i BE-së – ai vlerëson se nevojitet një dinamikë e re për Ukrainën, Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë.

Në letrën që Radio Evropa e Lirë e pa, Merz thekson se procesi i zgjerimit të BE-së është duke zgjatur shumë dhe, sipas tij, kjo shkakton zemërim të kuptueshëm si te vendet kandidate, ashtu edhe te shtetet anëtare.

Ballkani Perëndimor – vëzhgues në institucionet e BE-së

Për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë, Merz propozon shqyrtimin e “zgjidhjeve inovative” për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të tyre në BE.

Ai sugjeron, mes tjerash, qasje të privilegjuar në tregun e vetëm evropian dhe lidhje më të ngushta me institucionet e BE-së në procesin e përditshëm të vendimmarrjes.

Ai, po ashtu, propozon dhënien e statusit të vëzhguesit për vendet e Ballkanit Perëndimor në të gjitha institucionet relevante të Bashkimit Evropian, si dhe mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta të Komisionit Evropian ose Parlamentit Evropian me përfaqësues të rajonit, për çështje që lidhen drejtpërdrejt me të.

“Integrimi gradual mund të realizohet përmes ndërtimit të blloqeve që do të shërbenin si bazë për zbatimin e plotë të fushave përkatëse të politikave, dhe më pas do të shoqërohej me mbështetje më të madhe në zbatimin e ligjeve të BE-së. Përveç kësaj, mund ta avancojmë edhe integrimin institucional mbi bazën e progresit real. E gjithë kjo mund t’i afrojë ndjeshëm vendet kandidate me ne dhe të nxisë një ambicie të re për reforma të mëtejshme drejt anëtarësimit të plotë”, thuhet në letrën e kancelarit gjerman.

“Të qëndrojmë fort të përkushtuar ndaj premtimit se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia mund t’i bashkohen Bashkimit Evropian, siç është përcaktuar në Kriteret e Kopenhagës dhe në Agjendën e Selanikut të vitit 2003. Qëllimi ynë nuk ka ndryshuar: kompletimi i Bashkimit Evropian përmes përfshirjes së të gjitha vendeve kandidate”, theksohet në letër.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Bosnje dhe Hercgovina dhe Maqedonia e Veriut janë kandidate për anëtarësim, ndërsa Kosova jo.

Ukraina si anëtare e asociuar

Kreu i Qeverisë gjermane propozon që Ukrainës menjëherë t’i mundësohet të afrohet më shumë me Bashkimin Evropian dhe institucionet e tij kryesore, “pa ndikuar në negociatat e vazhdueshme të pranimit, por duke inkurajuar dhe mbështetur atë proces”.

Sipas tij, statusi i “shtetit anëtar të asociuar” mund të përfshijë, ndër të tjera, pjesëmarrjen në takimet e udhëheqësve ose ministrave të Bashkimit Evropian pa të drejtë vote, statusin e një anëtari të asociuar të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, gjithashtu pa të drejtë vote, si dhe zbatimin gradual të ligjeve të Bashkimit Evropian në përputhje me përparimin e Ukrainës në negociatat e pranimit – “jo automatikisht, por pas miratimit të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe me klauzolat e përshtatshme mbrojtëse”.

Merz, gjithashtu, propozon një mekanizëm automatik kthimi, në rast të kthimit prapa në vlerat themelore të Bashkimit Evropian, veçanërisht kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit ose hapa prapa strukturorë në negociatat e pranimit.

“Ukraina është anëtare e familjes evropiane dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore dhe të begatë brenda Bashkimit Evropian. Me këtë qasje, Ukraina do të bënte një hap të madh përpara, duke iu afruar menjëherë anëtarësimit të plotë. Ne do t’i ofronim Ukrainës një ekuivalent të rëndësishëm të anëtarësimit, që tejkalon shumë atë që do të mund ta arrinim në afat të mesëm përmes metodologjisë sonë të pranimit, veçanërisht duke marrë parasysh procesin e ratifikimit”, thuhet në letën e kancelarit gjerman.

Ai nënvizon, po ashtu, se propozimi për Ukrainën pasqyron situatën specifike të këtij vendi.

Paralelisht, thuhet në letër, Bashkimi Evropian do të vazhdojë me procedurën e rregullt të pranimit, për të siguruar që pranimi formal të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Kreu i Qeverisë gjermane beson se këto propozime nuk kërkojnë ndryshime në kuadrin institucional dhe ligjor të Bashkimit Evropian, por vetëm një “marrëveshje të fortë politike”.

Ai shton se këto çështje mund të zgjidhen nëse evropianët marrin një qasje konstruktive ndaj këtij statusi të veçantë, sepse do të ishte një sinjal i fortë politik, për të cilin Ukraina dhe qytetarët e saj kanë nevojë në kohën e luftës së vazhdueshme të tyre kundër agresionit rus./REL/

 

Continue Reading

Lajmet

REL: Keqardhje që Serbia s’ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për sulmin në Banjskë

Published

on

Në përvjetorin e tretë të sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm ndaj të dyshuarve që gjenden në territorin e saj.

“BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe shpreh keqardhje që, deri më tani, Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arrestuar dhe ndjekur penalisht ata, me akuza përkatëse, të personave që gjenden në Serbi”, tha një zëdhënës i BE-së.

Tre vjet më parë, në Banjskë të Zveçanit një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë këmbimit të zjarrit, tre sulmues serbë u vranë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Radoiçiq ka adresë të regjistruar në Serbi, teksa Kosova vazhdimisht kërkon që ai të ekstradohet në mënyrë që të përballet me drejtësinë.

“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të krijuar për ndihmë të ndërsjellë juridike. Kjo çështje ka mbetur pezull për një kohë të gjatë dhe Serbia duhet ta trajtojë atë sa më shpejt”, tha zëdhënësi i BE-së.

Në deklaratën e BE-së tha se çështjen e Banjskës, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, e ka ngritur gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit në Nju Jork.

Po në Nju Jork, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ngriti çështjen e sulmit në Banjskë gjatë takimit me Kallasin.

Kuri tha se Radoiçiq dhe persona të tjerë që morën pjesë në sulm po “mbrohen nga presidenti i Serbisë”, duke shtuar se ka kërkuar përkrahjen e BE-së që t’i bëjë trysni Serbisë për këtë çështje.

Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht që të përfshirët në sulm të përballen me drejtësinë.

Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Radoiçiqit, për sulmin në Banjskë. Gjykimi është mbajtur vetëm ndaj tre personave, të cilët janë dënuar nga shkalla e parë e gjyqësorit: një me 30 vjet burgim dhe dy persona me burgim të përjetshëm.

Continue Reading

Lajmet

Nora Gjakova diplomon në UBT, xhudistja përmbyll me sukses studimet në Shkencat e Sportit

Published

on

Xhudistja kosovare dhe kampionia olimpike, Nora Gjakova, ka diplomuar në UBT, në Fakultetin e Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes, në programin “Shëndeti dhe Aktiviteti Fizik”.
Gjakova, e cila ndër vite ka përfaqësuar Kosovën në garat më të rëndësishme ndërkombëtare të xhudos, ka përfunduar studimet me një temë diplome që lidhet drejtpërdrejt me sportin që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së saj.
Tema e punimit të saj ishte “Monitorimi i shkallës së lodhjes akute dhe rikuperimit pas një ndeshjeje të simuluar të xhudos përmes metodës indirekte (two-point velocity), të bazuar në shpejtësi në teknikën Bench Press”.
Punimi është realizuar nën mentorimin e Asoc. Prof. Dr. Milaim Berishës.
Me këtë arritje akademike, Nora Gjakova i shton një tjetër sukses rrugëtimit të saj, kësaj radhe në fushën e arsimit dhe shkencës sportive.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një zyrtar që dyshohet se mori ryshfet nga pronarë biznesesh

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Rahovec, i dyshuar për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Sipas Policisë, i dyshuari, mashkull kosovar, në periudha dhe lokacione të ndryshme në zonën e Rahovecit, dyshohet se kishte kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të bizneseve, në këmbim të moskryerjes së kontrolleve apo mosndëshkimit për shkeljet e ligjit.

Gjatë hetimeve, të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, janë siguruar dëshmi se i dyshuari dyshohet se kishte pranuar në disa raste shuma prej 300 deri në 500 euro nga pronarë të ndryshëm biznesesh.

Me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjakovë, më 24 shtator janë kontrolluar ambienti i punës dhe veturat që i dyshuari kishte në shfrytëzim. Gjatë kontrollit është sekuestruar edhe një telefon celular.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ish-kreu i SHISH, Vlora Hyseni del nga GJKKO, iu komunikua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”

Published

on

Ish-kreu i SHISH, Vlora Hyseni sapo ka dalë nga GJKKO pas më shumë se 2 orësh.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se Hysenit i është komunikuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Ajo u pyet nga gazetarët në lidhje me përgjimet e SPAK, por ka refuzuar të flasë.

Ndryshe, para se të hynte në gjykatë gjatë kalimit nga rruga drejt godinës, Hyseni është shprehur shkurtimisht ndaj pyetjes së gazetarëve nëse Agasit i janë kaluar nga ana e saj dokumente të klasifikuara, duke u shprehur: “Si kalon ti në takime me agjentët serb në dhomat e hotelit Rogner”. /Tch/

Continue Reading

Të kërkuara