Lajmet

REL: Maqedonasit në “turizëm farmaceutik” në Kosovë dhe në Serbi për barna më të lira

Published

on

“Deri në Han të Elezit për barna…”, është fjalia që e dëgjojnë rojtarët kufitarë në pikën kufitare të Bllacës mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, sidomos gjatë fundjavave, kur pyesin shtetas maqedonas se ku po shkojnë në shtetin fqinj.

Hani i Elezit është qyteti i parë në anën e Kosovës, vetëm pesë apo gjashtë kilometra larg kufirit maqedonas dhe është destinacion i shpeshtë për qytetarët maqedonas për barna më të lira, sipas dëshmive që disa qytetarë kanë ndarë me Radion Evropa e Lirë (REL).

Të tjerë udhëtojnë 35-40 kilometra deri në Ferizaj, për të bërë pazar dhe blerë barna njëkohësisht.

Nga ana tjetër, përmes pikës kufitare Tabanoc në kufirin me Serbinë, destinacioni për barna është qyteti i Vranjës.

Shteti nuk ka shifra zyrtare se sa maqedonas blejnë barna në shtete të tjera, cilat janë terapitë e tyre mujore dhe sa para “derdhen” nga shteti mbi këtë bazë.

Por, qytetarët dëshmojnë se praktika është e shpeshtë dhe se destinacionet kryesore janë Kosova dhe Serbia.

Bëhet fjalë për barna për zemrën, për trombozë, astmë, për të tilla që në Maqedoninë e Veriut ose nuk janë në listën pozitive dhe Fondi për Sigurim Shëndetësor (FSSH) nuk i subvencionon, ose janë të shtrenjta ose thjesht nuk gjenden nëpër farmaci. Pra, edhe pse barin e përshkruan mjeku, pacienti duhet ta blejë privatisht.

“Për barna shkoj më shpesh sesa do të doja. Dhe, kur më thonë sa kushton në muaj, më vjen të qaj. Në Serbi është më lirë”, thotë Millan S., 48 vjeç nga Shkupi, i cili është në terapi për shkak të sëmundjes kardiovaskulare.

Pacientë, farmacistë nëpër farmaci maqedonase dhe mjekë konfirmojnë se “turizmi farmaceutik” po bëhet përditshmëri për shumë qytetarë maqedonas.

I njëjti bar – dallim i dyfishtë në çmim

“Ksarelto” prej 15 miligramësh është barna që 60-vjeçari nga Shkupi, Dragan M., duhet ta pijë çdo ditë pas operacionit në këmbë për shkak të trombozës venoze. Përdoret për trajtim dhe parandalim të mpiksjes së gjakut.

Por, Dragan thotë se, megjithëse barin ia ka përshkruar mjeku, mund ta blejë vetëm privatisht sepse nuk është në listën pozitive të barnave. Çmimi në farmaci është 2.907 dinarë për një kuti (rreth 47 euro).

Me të njëjtat para, në Kosovë do të blinte 2.5 kuti të së njëjtit ilaç. Atje i ka blerë për 20 euro, përkatësisht nga 1.200 dinarë secilin.

Çmimi i "Xarelto" në Kosovë (majtas) dhe në Maqedoninë e Veriut (djathtas)
Çmimi i “Xarelto” në Kosovë (majtas) dhe në Maqedoninë e Veriut (djathtas)

Por, verifikimi i REL-it në farmaci në Kosovë tregoi se i njëjti ilaç mund të gjendet edhe për 13.58 euro për kuti.

“Herën e fundit mora katër kuti, m’i sollën nga Prishtina dhe më kushtuan rreth 5.000 dinarë [rreth 81 euro]. Në farmacitë tona, me të njëjtat para mund të merrja vetëm dy kuti”, thotë Dragani për REL.

Në Serbi, “ksarelto” prej 15 mg kushton nga 2.227 deri në 2.382 dinarë, varësisht nga farmacia. Pra, edhe në të dy shtetet fqinje është më lirë se në Maqedoninë e Veriut.

Marinës V. nga Shkupi, ndërkaq, mjeku i ka përshkruar “salofalk 500”, barna për kolit, sëmundje inflamatore e zorrëve. Duhet ta pijë gjithë jetën sepse terapia e mban inflamacionin nën kontroll. Ilaçi mbulohet nga FSSH, por në tri vjetët e fundit, furnizimi është problem i rregullt.

“Shpesh ka mungesa dhe rregullisht [disa herë në vit] kërkoj nga dikush nga Serbia të më sjellë sasi. E marr pa recetë. Për çudi, te ne është më lirë se në Serbi, por ka mungesa. Kot është në listën pozitive kur nuk gjendet”, thotë Marina për REL.

Në farmaci serbe, “salofalk 500” kushton nga 1.080 deri rreth 1.340 dinarë.

Pensionistja Dragica B. përdor sprej për inhalim “spiolorespimat” – terapi mirëmbajtjeje për pacientë me COPD. E blen privatisht, në farmaci në Ferizaj, për rreth 1.500 dinarë. Në Maqedoninë e Veriut është rreth 2.600 dinarë.

Llogaritja e Entit të Statistikave, e bërë për Radion Evropa e Lirë (REL), tregon se pjesëmarrja e shpenzimit për barna në shpenzimet totale vjetore të jetesës ka variuar në mënyrë të parëndësishme në katër vjetët e fundit.

Pra, shpenzimi për barna i një familjeje për vitin 2025 është rritur për 2.65 për qind krahasuar me vitin 2024, që është më pak krahasuar me rritjet e tri vjetëve paraprake.

Treg i vogël, kosto importi, norma të ndryshme tatimore

Por, ajo që shifrat nuk e tregojnë, e dëshmojnë mjekët dhe punonjësit në farmaci, të cilët janë kontakti i parë me pacientët që blejnë barna.

Një mjek nga një ordinancë internistike në Tetovë na tha se edhe nga pacientët e tij shpesh dëgjon se ilaçin që ua përshkruan, e blejnë në Kosovë.

“Jemi të vetëdijshëm se barnat që japim janë të shtrenjta, siç është ‘ksarelto’. Të tjerat madje nuk gjenden gjithmonë, e megjithatë i përshkruajmë, për shembull ‘entresto’ për dështim të zemrës. Ne i japim pacientit atë që është më e mira për të, ndërsa nga do ta sigurojë, është vendimi i tij. Por po, dëgjojmë nga pacientë se, nëse një bar këtu kushton 50 euro, në Kosovë mund të kushtojë 20 euro”, tha mjeku që kërkoi të mbetet anonim.

Vesna Stavrova, kryetare e Odës Farmaceutike të Maqedonisë, thotë se problemi me çmimet e larta është barrë serioze për qytetarët që çdo ditë vijnë në farmaci dhe reagojnë lidhur me çmimet më të larta të preparateve të caktuara.

“Kur ilaçi nuk është në listën pozitive, qytetarët e paguajnë me çmim tregu që shpesh është më i lartë sesa në vendet fqinje. Arsyeja është se jemi treg i vogël që e zvogëlon fuqinë negociuese të shtetit me gjigantët e mëdhenj farmaceutikë dhe për të gjitha barnat që importohen, kostot e importit si transporti, dogana dhe marzhat e rrisin çmimin”, thotë Stavrova për REL.

Ajo thotë se shpesh ndodh që i njëjti bar të jetë më i lirë në shtetet fqinje edhe për shkak të normave të ndryshme tatimore.

Mungesa e barnave të caktuara në tregun farmaceutik, sipas Stavrovës, vjen ndoshta nga mungesa e substancës aktive për prodhim, nga rritja e kostove doganore për barnat e importuara, ose nga pengesa administrative dhe tenderuese.

Ndonjëherë, prodhuesi nuk ka interes komercial të regjistrojë barna të caktuara në Maqedoninë e Veriut ose t’i mbajë në shitje vazhdimisht.

Si përcaktohen çmimet e barnave?

Politikën e çmimeve të barnave e përcakton Ministria e Shëndetësisë, mbi bazën e metodologjisë për formimin e çmimeve të barnave. Për disponueshmërinë e barnave është kompetente Agjencia për Barna dhe Pajisje Mjekësore (MALMED).

Ministria përcakton nivelin maksimal të çmimit të çdo ilaçi në tregtinë me shumicë, përmes analizës krahasuese të çmimit të ilaçeve në pesë vende referente nga rajoni – Sllovenia, Kroacia, Serbia, Bullgaria dhe Greqia.

Mesatarja e dy vendeve që në analizë tregojnë se kanë çmimin mesatar më të ulët për atë bar nga të gjithë prodhuesit e pranishëm në tregun e atij vendi, përcaktohet si çmimi maksimal në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë, për farmaci është e përcaktuar një marzhë fikse. Ajo është 20 për qind, 25 për qind ose 28 për qind, maksimalisht deri në 1.200 dinarë, varësisht nga lartësia e çmimit me shumicë të çdo brane.

Farmacitë nuk i përcaktojnë marzhat e barnave.

Barnat që mbulohen nga shteti kanë çmime të njëjta në të gjitha farmacitë.

Nga Ministria thonë se nuk janë rritur çmimet, as për barnat që mbulohen nga FSSH, as për ato që qytetarët i blejnë privatisht.

Por, shtojnë se “Maqedonia është vend me treg të vogël dhe ndodh që kompanitë të furnizojnë të njëjtin bar me çmim të ndryshëm në vende të ndryshme, varësisht nga sasitë vjetore të nevojshme, numri i pacientëve, kushtet që dikton tregu, por edhe mënyra e pagesës”.

Farmacistët në Beograd me të cilët bisedoi REL zyrtarisht nuk duan të flasin për praktikën e maqedonasve që blejnë barna në Serbi. Por, tashmë ka tekste gazetareske se për të njëjtën arsye, në Serbi vijnë edhe shtetas të Bosnje e Hercegovinës.

Arsyeja kryesore mund të jetë se Serbia është treg më i madh, marzhat dhe tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) janë më të ulëta, për shkak të së cilave barnat shpesh janë 30 deri në 50 për qind më të lira se në vendet përreth.

Si treg më i madh, Serbia ka edhe distributorë të mëdhenj që mundësojnë çmime më të ulëta, ndërsa shteti në raste të caktuara subvencionon çmimet e disa barnave bazë.

Pritet zgjerim i ri i listës pozitive

Lista pozitive e barnave për herë të fundit u zgjerua në shtator 2024, dhe kjo pas dhjetë vjetësh nga përditësimi i fundit i listës në vitin 2014 kur u pasurua vetëm me një bar të ri.

SashoKlekovski, drejtor i FSSH-së, paralajmëroi se në vitin 2026 tri herë do të zgjerohet lista pozitive e barnave – me fokus në barna për sëmundje kardiovaskulare, të cilat janë shkak për rreth 60 për qind të vdekjeve në vend.

Një prej tyre është pikërisht “ksarelto”, që maqedonasit e blejnë në Kosovë dyfish më lirë sesa tek ne. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se ky bar është një nga prioritetet për t’u vendosur në listën pozitive të barnave në vitin 2026. Por, vendimin përfundimtar duhet ta marrë bordi drejtues i FSSH-së.

Vendimi, megjithatë, varet “nga mjetet e disponueshme të destinuara për barna të reja në listën pozitive farmaceutike, në mënyrë që për të siguruarit të sigurohet bar i disponueshëm me kompensim të përcaktuar nga shteti, ndërsa pacienti të ketë të drejtë zgjedhjeje të barit”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Edhe nga FSSH thonë se ky bar është objekt i procedurës sipas rregullave të parashikuara dhe pritet të shqyrtohet për përfshirje, nëse plotësohen kushtet dhe procedura përfundon.

“Fondi, si financues i shërbimeve shëndetësore, mbështet fuqishëm masa dhe reforma për disponueshmëri më të madhe të barnave me çmime të drejta dhe kosto më të ulëta për pacientët”, thuhet në përgjigjen e Fondit për REL.

Barrë e madhe për familjet

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në një raport të publikuar në vitin 2022, me titull “Sistemet shëndetësore në veprim: Maqedonia e Veriut”, ka theksuar se në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të ketë kosto të larta për kujdesin shëndetësor, kryesisht për shkak të pagesave private për barna.

“Ekziston një varësi e madhe nga pagesat nga xhepi, që përbënin 40.4% të shpenzimeve totale për shëndetësi në vitin 2019, një nga përqindjet më të larta në Evropën Juglindore. Si pasojë, shpenzimet katastrofike për shëndetësi mbeten problem, veçanërisht për familjet më të varfra, dhe në masë të madhe nxiten nga pagesat nga xhepi për barna ambulatore”, thuhet në raport.

raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut, thuhet se shpenzimet për kujdes shëndetësor që njerëzit i paguajnë vetë janë 41.7 për qind e shpenzimeve totale të lidhura me shëndetësinë, gjë që paraqet pengesë për qasje të barabartë në kujdesin shëndetësor. Theksohet gjithashtu se “janë planifikuar më shumë mjete buxhetore dhe barna të reja për trajtimin e sëmundjeve të rralla, por ato mbeten të mjaftueshme vetëm për rreth një të tretën e pacientëve të regjistruar”./Radio Evropa e Lirë/

Continue Reading

Vendi

United Hospital, në kujdes të zemrës së qytetarëve – Ekspertiza e Dr. Edis Demirit sjell siguri dhe shpresë për pacientët kardiakë

Published

on

Kur bëhet fjalë për shëndetin e zemrës, përvoja, profesionalizmi dhe vendimmarrja e saktë klinike janë faktorë përcaktues për jetën e pacientit. Në United Hospital, Dr. Edis Demiri, kardiolog invaziv me përvojë të konsoliduar në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare, përfaqëson një nga emrat më të spikatur të këtij specialiteti.

Në një kohë kur sëmundjet kardiovaskulare vazhdojnë të jenë ndër shkaktarët kryesorë të problemeve shëndetësore, United Hospital po forcon angazhimin e tij për mbrojtjen e shëndetit të zemrës së qytetarëve, duke ofruar diagnostikim të avancuar, trajtime moderne dhe kujdes profesional në Departamentin e Kardiologjisë.

Kur bëhet fjalë për shëndetin e zemrës, përvoja, profesionalizmi dhe vendimmarrja e saktë klinike janë faktorë përcaktues për jetën e pacientit. Në United Hospital, Dr. Edis Demiri, kardiolog invaziv me përvojë të konsoliduar në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare, përfaqëson një nga emrat më të spikatur të këtij specialiteti.

Me ekspertizë në procedurat invazive të zemrës dhe përdorimin e teknologjive bashkëkohore, ai ofron diagnostikim të hershëm, trajtim të personalizuar dhe ndërhyrje të avancuara që synojnë rikthimin e shëndetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve. Përkushtimi ndaj standardeve më të larta profesionale, përditësimi i vazhdueshëm me zhvillimet më të fundit në kardiologji dhe qasja njerëzore ndaj çdo pacienti e kanë bërë Dr. Demirin një figurë të besueshme për qindra qytetarë që zgjedhin United Hospital për kujdesin ndaj zemrës së tyre.

Nën udhëheqjen e Dr. Edis Demirit, kardiolog invaziv me përvojë të gjatë, pacientët përfitojnë shërbime të standardeve bashkëkohore, duke filluar nga vizitat dhe diagnostikimi i detajuar e deri te ndërhyrjet më komplekse invazive. Ekokardiografia, EKG-ja, Holteri 24/48/72-orësh, Stres Testi, koronarografia, vendosja e stenteve, angioplastika, si dhe trajtimet për çrregullimet e ritmit të zemrës përmes pacemakerëve, ICD dhe CRT, janë vetëm një pjesë e shërbimeve që ofrohen në këtë institucion.

Me moton se kujdesi për zemrën nuk pret, United Hospital u bën thirrje qytetarëve të mos e neglizhojnë kontrollin kardiologjik, pasi diagnostikimi i hershëm mbetet arma më e fuqishme në parandalimin e komplikimeve serioze.

Në kuadër të promovimit të kujdesit parandalues, spitali ka prezantuar edhe oferta të veçanta për pacientët. Pakoja e Plotë e Zemrës, me vlerë vetëm 69 euro, ofron një vlerësim të detajuar të shëndetit kardiovaskular, ndërsa paketa e avancuar për diagnostikimin e aterosklerozës premature, që përfshin ekzaminime kardiologjike dhe analiza specifike laboratorike, ofrohet me çmimin promocional prej 99 euro, nga vlera e rregullt prej 228 euro.

Përfaqësues të spitalit theksojnë se investimet në teknologji moderne dhe në staf profesional kanë një qëllim të vetëm: të ofrojnë kujdes cilësor, të sigurt dhe të besueshëm për çdo pacient.

United Hospital po konsolidon çdo ditë e më shumë pozicionin e tij si një institucion modern shëndetësor, falë vizionit strategjik dhe përkushtimit të vazhdueshëm të udhëheqësit të tij, Edmond Hajrizi. Duke ndërtuar bashkëpunime dhe shkëmbyer përvoja me institucione prestigjioze shëndetësore ndërkombëtare, ai po orienton zhvillimin e spitalit drejt standardeve më të avancuara të mjekësisë bashkëkohore.

Ky vizion reflektohet në investimet e vazhdueshme në teknologji moderne, fuqizimin e kapaciteteve profesionale të stafit, zgjerimin e gamës së shërbimeve dhe krijimin e modeleve të kujdesit të bazuara në cilësi, siguri dhe efikasitet. Paralelisht, United Hospital po synon ta bëjë kujdesin shëndetësor më të qasshëm për qytetarët, përmes paketave dhe çmimeve konkurruese, duke dëshmuar se ekselenca klinike mund të shoqërohet edhe me përgjegjësi sociale dhe qasje të orientuar ndaj pacientit.

Qytetarët që dëshirojnë të rezervojnë një konsultë ose kontroll kardiologjik mund të kontaktojnë në numrat 038 60 70 70 dhe 046 60 70 70, ose të vizitojnë United Hospital, në aksin M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7.

Sepse një zemër e shëndetshme është themeli i një jete të gjatë dhe me cilësi./rajonipress/

Continue Reading

Vendi

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 27 qershor 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 Foto: Zëdhënësi i dr. Rugovës, Xhemail Mustafa

 27 qershor 1994

Represioni në Kosovë

Ferizaj: – Më 14 qershor, rreth orës 22:00, në kafenenë “Paris” në Ferizaj, derisa ishin duke qëndruar Myrtë Shehu, Basri Topalli dhe Sami Omuri, në lokalet e kësaj kafeneje hyri polici serb Zllatko nga Zaskoku, i njohur për dhunë kundër shqiptarëve dhe kërkoi nga Sami Omuri dhe Basri Topalli që t’i dërgoi me automjet deri në kafenenë “Mani”. Meqë personat e lartëshënuar nuk kishin automjet, ndërsa Myrtë Shehu atij i thotë se i mungon benzina, polici Zllatko e urdhëroi me dhunë që ta dërgoi në kafenenë “Mani”. Më pas nga kafeneja e lartpërmendur, polici Zllatko doli së bashku me tre shokë të tij dhe e urdhëruan me dhunë Myrtë Shehun që t’i dërgoi në fshatin Firajë.

Polici dhe tre shokët e tij në fshatin Firajë shkuan në shtëpinë e Gafurr Xhaferit nën pretekst se ia kanë borxh 2.300 DM. Gjatë kësaj kohe fshatarët e Firajës u grumbulluan para automjetit, si dhe njoftuan organet e policisë së Shtërpcës. Pas ardhjes së policisë së lartëshënuar, polici Zllatko i thotë Myrtë Shehut se duhet patjetër të deklarosh se nuk kemi ardhur për borxh, por për të kërkuar armë. Në stacionin e policisë në Shtërpcë, polici Zllatko deklaroi para kolegëve të tij se kinse njërit nga bashkëpunëtorit e tij Gafurr Xhaferi ia ka borxh 2.300 DM.

Pasi Myrtë Shehu lirohet, polici Zllatko i kërcënohet atij se nëse nuk deklaron se atje ishim për armë e jo për borxh do të kesh pasoja, njofton Kryesia e Aktivit III të LDK-së së Nëndegës së Gremes së Ferizajt.

Më 23 dhe 24 qershor, inspektorët serbë morën në pyetje dr.Asllan Bajramin, kryetar i Kryqit të Kuq të Ferizajt, për shkak të një letre, e cila ditë më parë nëpërmes postës i kishte arritur nga Partia Transnacionale Radikale nga Sofja e Bullgarisë, në të cilën bëhej fjalë rreth Gjyqit ndërkombëtar dhe kriminelëve të luftës së Jugosllavisë së vetëshpallur.

Më 24 qershor, rreth orës 13:00, inspektorët serbë ndërhynë tek shitësit e cigareve dhe rrahën rëndë Hasim Rifatin nga Ferizaj, i cili mori lëndime të rënda trupore.

Më 20 qershor, rreth orës 14:00, nën pretekst të kërkimit të armëve, policia mori Rrahman Ramadanin në fshatin Kosinë të Ferizajt, i cili u dërgua në postkomandën e Nerodimes. Bëhet me dije se Rrahman Ramadani u rrah rëndë, ndaj të cilit u përdor edhe elektroshoku. Rrahman Ramadani u lirua me kusht që të paraqitet sërish në polici.

Skënderaj: – Më 24 qershor rreth orës 22, një ekspeditë e policisë, nën pretekst të kërkimit të armëve arrestoi në shtëpinë e tij Nezir Nebihun nga fshati Vojnikë i Skënderajt. Së bashku me Nezirin, polici e mori me vete edhe bashkëshorten e tij, e cila në polici u mbajt deri të nesërmen në orën 9 të mëngjesit.

Nezir Nebihu po mbahet ende në arrest, ndërsa këtë bastisje e bëri policia serbe e Klinës.

Gllogovc: – Më 23 qershor, rreth orës 23:00, policia bastisi shtëpinë e Ismail Bytyçit në Arllat të Gllogovcit.Gjatë bastisjes policia u soll brutalisht, me ç’rast në prani të anëtarëve të familjes rrahu djemtë e Ismailit, Shefqet e Xhevdet Bytyçin, të cilët edhe i morën me vete në stacionin e policisë në Gllogovc dhe i mbajtën deri rreth orës 23:00.

Të lartëshënuarit u morën sërish të nesërmen në polici, nën pretekst se prindi i tyre ka bërë një faj. Policia të lartëshënuarit i liroi me kusht që Shefqet Bytyçi të lajmërohet sërish të nesërmen në polici.

Deçan: – Sot rreth orës 7 të mëngjesit, policia serbe hyri në shtëpinë e Haxhi Përgjegjajt nga Lumbardhi i Deçanit, të cilin policia e rrahu në prani të anëtarëve të familjes. Pas bastisjes policia mori me vete Haxhi Përgjegjajn, i cili pas një orë qëndrimi u lirua me kusht që të paraqitet sërish.

 

27 qershor 1995

U arrestua gazetari Ramadan Muçolli

Sot, rreth orës 9:00, në Prishtinë, u arrestua gazetari Ramadan Muçolli. Anëtarët e familjes thanë se tre policë me rroba civile ia bastisën banesën, ku ai jeton me qira, dhe e arrestuan.

Bashkëshortja e Ramadanit tregoi se policët u interesuan gjatë bastisjes për punën e tij si gazetar. Ajo tha se policët kërkonin shënime gazetareske dhe kaseta të magnetofonit. Pas bastisjes, atij iu mor kasetofoni dhe pasaporta.

Ramadan Muçolli ishte gazetar dhe redaktor në Radio Prishtinë. Pas pushtimit të RTVP-së, ai punonte si gazetar i lirë dhe ka bashkëpunuar me radiostacione e gazeta shqipe. Ramadan Muçolli, si edhe shumë gazetarë të tjerë shqiptarë, ka qenë në shenjestër të policisë serbe.

Ai një herë u mbajt disa orë në stacionin e policisë në Ferizaj, ndërsa gjatë aksionit të forcave serbe të pushtimit të ndërtesës së Institutit Albanologjik vitin e kaluar, bashkë me punëtorët shkencorë, ishte keqtrajtuar edhe zoti Muçolli.

Ramadan Muçolli, deri në mbylljen e këtij Informatori, në orën 15:00, nuk është liruar.

Lidhja e Gazetarëve të Kosovës (LGK) sot i njoftoi asociacionet ndërkombëtare lidhur me këtë arrestim.

LGK kërkoi lirimin e menjëhershëm të Ramadan Muçollit dhe ndërprerjen e shtypjes serbe ndaj gazetarëve shqiptarë në Kosovë.

 

27 qershor 1997

Xh. Mustafa: Ardhja e Millosheviqit – si e çdo ardhacaku antishqiptar

 

Këshilltari për informim i kryetarit Rugova, Xhemail Mustafa, në një deklaratë dhënë “Bujkut”, e cilësoi ardhjen e pardjshme të kryetarit serb në Kosovë, si ardhje të çdo ardhacaku tjetër antishqiptar dhe si një provokim të rëndë për popullin e Kosovës, veçmas për shqiptarët.

– Arsyet e ardhjes së Millosheviqit në Kosovë padyshim duhet kërkuar në përpjekjet e tij për ta ringjallur nacionalizmin më ekstrem serb pikërisht nëpërmjet Kosovës dhe për t’ia zgjatur kështu edhe për një mandat eventual jetën regjimit të tij antishqiptar e antidemokratik. I vetëdijshëm se serbët e Kosovës dhe jo vetëm ata, tashmë i ka bërë viktimë të një politike të dështuar, Millosheviqi po përpiqet që me ta të manipulojë mbase për herë të fundit. Ai nuk e ka guximin e as moralin e njeriut e të politikanit që me serbët e Kosovës, me viktimat e regjimit të tij, të ballafaqohet në Beograd, aty ku po protestojnë e po bëjnë grevë urie me javë për mashtrimet që ua bëri pikërisht Millosheviqi dhe regjimi i tij gjatë kësaj dekade. Në vend që me ta të përballet e t’u japë llogari atje ku e kanë vendin edhe ata, edhe vetë Millosheviqi, kryetari serb, po përpiqet që serbëve në Kosovë t’u çojë sinjale dhe t’u japë kurajo për mashtrimet, për keqpërdorimet dhe për dështimet e reja që po ua përgatit përmes fjalimeve boshe nëpër qytete të Kosovës dhe nëpërmjet zgjedhjeve të ardhshme. Mashtrimin më të madh që u përpoq t’ua bëjë serbëve sot në Prishtinë Millosheviqi ishte premtimi se regjimi i tij nuk do të përkulet para presioneve ndërkombëtare për Kosovës. Premtime të këtilla ai u jepte me bollëk edhe serbëve në Kroaci e në Bosnjë, kurse fatin dhe fatkeqësinë e tyre e dinë të gjithë, besojmë edhe serbët e Kosovës.

Por, me ardhjen e tij në Kosovë, Millosheviqi jo vetëm që i bën një provokim të rëndë popullit të Kosovës, por me vetë aktin e pranisë këtu, shqiptarëve u çon indirekt disa sinjale po aq të rënda. Ai don që para popullit të Kosovës të demonstrojë jo forcën politike, sepse për shqiptarët ai është politikan i një shteti të huaj, por forcën fizike, brutalitetin e aparatit të tij represiv, që po vepron tash disa vjet në Kosovë kundër shqiptarëve. Nuk di a është momenti të thuhet, por me praninë e tij në Kosovë, Millosheviqi paradoksalisht ua tërheq vërejtjen të gjithë atyre politikanëve dhe njërëzve tanë publik, të cilët po e dëmtojnë unitetin politik në Kosovë, rendin që e kemi krijuar, bashkëpunimin mes institucioneve dhe mirëkuptimin mes forcave politike e shqiptarëve përgjithësisht, qoftë me mospunën e tyre, qoftë me prirjen për ngatërresa e për konfrontime rrënuese brendashqiptare. Për të gjithë shqiptarët bashkarisht, për rezistencën paqësore për pavarësinë e Kosovës, ndërkaq, ardhja e kryetarit serb në Prishtinë dhe në disa qytete të tjera të Kosovës është edhe një sinjal se për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës, veç deklarimeve radikale verbale, kërkohet punë shumë më e madhe dhe veprime konkrete.

Le të përkujtojmë me këtë rast se Millosheviqi në Prishtinë ishte edhe para tetë vjetësh, në kohën e grevës së minatorëve në Stan-tërg, të histerisë antishqiptare, të rrënimit me dhunë të mëvetësisë së atëhershme politike e shtetërore të Kosovës dhe të ngritjes së tij në krye të regjimit serb. Ardhja e tij e tashme në Prishtinë, ndërkaq, shënon fillimin e rënies së këtij regjimi diktatorial, të paktën në Kosovë dhe për shqiptarët. Këtë krizë dhe rënie të pashmangshme Millosheviqi e paralajmëroi indirekt sot në Prishtinë, tek ua shpjegoi serbëve presionin e madh rreth çështjes së Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare, tha në fund të deklaratës së tij z. Mustafa.

 

27 qershor 1998

Forca të mëdha ushtarake në Sllatinë të Madhe

Në Sllatinë të Madhe të Fushë Kosovës sot në mëngjes u stacionuan forca të mëdha të ushtrisë serbe.

KI i Degës së LDK-së në Fushë Kosovë njofton se rreth orës 5 mbi këtë fshat fluturoi një aeroplan i forcave serbe ndërsa më vonë erdhi një konvoj i madh i forcave serbe i cili u vendos në pishat e Sllatinës së Madhe, ndërsa fshati pothuaj në tërësi është i rrethuar nga këto forca.

Konvoji përbëhej prej më shumë se 100 mjete motorike, prej të cilave 58 tankse, 30 kamionë me ushtar si dhe një numër i autoblindave ushtarake. Konvoji kishte me vete edhe ura të improvizuara dhe eskavatorë.

Një pjesë e mjeteve luftarake të ushtrisë i ka kthyer tytat në drejtim të fshatit Bardh i Madh, ku gjendet mihja sipërfaqësore, e cila nga fillimi i kësaj jave kontrollohet nga forcat e UÇK-së.

Njoftohet se mbrëmë rreth orës 18, derisa sa kalonin disa kamionë ushatarakë në drejtim të pishave të Sllatinës, 6 ushtarë malazezë ikën nga kamionët. Edhe pse oficerët shtinë me revole në drejtim të tyre, ushtarët ikën në drejtim të panjohur.

Gjendje e rëndë është edhe në vetë qytezën e Fushë Kosovës. Në mëngjes pizgauerët e policisë serbe morën në rrugë vullnetarët serbë, të cilët para dy ditësh janë veshur me uniforma të policisë, dhe i dërgoi në drejtim të Drenicës.

Continue Reading

Aktualitet

Të hënën, UBT do të organizojë forum akademik të veçantë në Kosovë në nder të 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Published

on

By

Projekti “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”, njofton se UBT, Partneri Kryesor Akademik i projektit, do të organizojë një forum akademik të veçantë më 29 qershor 2026 në Prishtinë, si pjesë e programimit zyrtar ndërkombëtar që shënon 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Forumi, me titull “Nga Çlirimi te Lidershipi: Edukimi i Gjeneratës së Ardhshme përmes Partneritetit Kosovë–SHBA”, do të mbledhë studiues të njohur amerikanë, ekspertë të politikave publike, përfaqësues të komunitetit të veteranëve, studentë, profesorë universitarë dhe zyrtarë publikë për të diskutuar marrëdhënien e qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe rolin e arsimit në formësimin e lidershipit demokratik për gjeneratat e ardhshme.

Ky aktivitet është pjesë e projektit më të gjerë “America Inspires Freedom: The Kosovo Story”, i cili u njoh zyrtarisht më herët gjatë këtij viti përmes Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet Fondacionit Shqiptaro-Amerikan dhe America250, Komisionit Amerikan për Shënimin e Çerek-shekullit të Pavarësisë së Amerikës. Përmes kësaj marrëveshjeje, Kosova u bë vendi i parë dhe i vetëm jashtë Shteteve të Bashkuara i përfshirë zyrtarisht në programimin ndërkombëtar të America250.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mirëpriti partneritetin dhe mundësinë për të organizuar këtë forum në UBT.

“UBT-ja është e nderuar të shërbejë si Partneri Kryesor Akademik i Projektit për Shënimin e 250-vjetorit të Amerikës në Kosovë dhe të organizojë këtë forum akademik të veçantë. Marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është ndër partneritetet më të rëndësishme në historinë moderne të vendit tonë, ndërsa institucionet e arsimit të lartë kanë përgjegjësi të veçantë për të ruajtur dhe avancuar vlerat mbi të cilat është ndërtuar ky partneritet. Ne jemi krenarë që UBT do të kontribuojë në këtë iniciativë historike dhe do të ndihmojë në forcimin e themeleve intelektuale të partneritetit Kosovë–SHBA për vitet që vijnë”.

Faton Bislimi, Themelues dhe Drejtor i Projektit “America Inspires Freedom: The Kosovo Story”, theksoi rëndësinë e aktivitetit dhe rolin udhëheqës të UBT-së.

“250-vjetori i Amerikës ofron një mundësi të jashtëzakonshme jo vetëm për të festuar historinë amerikane, por edhe për të reflektuar mbi ndikimin e thellë që lidershipi, vlerat dhe miqësia amerikane kanë pasur për popullin e Kosovës. Pak kombe në botë mund të flasin për rolin e Amerikës në historinë e tyre me aq shumë mirënjohje dhe respekt sa Kosova. Jemi thellësisht të nderuar që kemi UBT-në si Partnerin tonë Kryesor Akademik në këtë iniciativë historike. Duke sjellë së bashku folës të shquar amerikanë dhe pjesëmarrës të tjerë të rëndësishëm, ky forum do të ndihmojë që gjeneratat e reja të kuptojnë si sakrificat që siguruan lirinë e Kosovës, ashtu edhe vlerat demokratike që duhet të udhëheqin të ardhmen e saj”.

Si partner i projektit, UBT do të organizojë një nga aktivitetet më të rëndësishme intelektuale dhe edukative të kësaj nisme, duke riafirmuar përkushtimin e kahershëm të universitetit ndaj inovacionit, vlerave demokratike, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ekselencës akademike.

Forumi do të trajtojë tema që lidhen me lirinë, demokracinë, lidershipin, përgjegjësinë qytetare, partneritetin transatlantik dhe mësimet që përvoja e Kosovës mund t’u ofrojë gjeneratave të ardhshme.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 26 qershor 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 Foto: Takimi Rugova-Hollbruk

 26 qershor 1993

Policia serbe vazhdon me arrestimin e arsimtarëve shqiptarë

Edhe gjatë ditës së djeshme, policia serbe vazhdoi me bastisjet dhe arrestimet e disa drejtorëve dhe arsimtarëve shqiptarë në Kosovë. Kështu dje, rreth orës 5 të mëngjesit, një ekspeditë e policisë serbe e përbërë prej 15 vetash, me qëllim të kërkimit të vulave të shkollës dhe dëftesave të nxënësve, bastisën shtëpinë e Kadrush Nezirit në Viti. Policët serbë gjatë bastisjes, thyen dhe demoluan të gjitha orenditë e shtëpisë. Gjatë bastisjes, policët serbë konfiskuan dy ditarë pune për nxënës të arsimtares Hana Neziri, bashkëshorte e Kadrushit, si dhe disa numra të revistave që botohen në Kosovë. Policia serbe e mori me vete Kadrushin në organet e sigurimit, me ç’rast u interesuan për vulat e shkollës dhe dëftesat e nxënësve.

Pas qëndrimit katër orësh në organet e policisë, Kadrush Neziri u lirua.

Po ashtu dje, rreth orës 8 të mëngjesit, organet e policisë serbe në Prizren, ftuan në të ashtuquajturën bisedë informative, Ridvan Hoxhajn, drejtor i Shkollës fillore “Dëshmorët e Zhurit” në Zhur. Inspektorët serbë u interesuan lidhur me shpërndarjen e dëftesave, aktivitetin e të drejtorëve të shkollave shqipe në këtë komunë, pastaj rreth Këshillit pë finacim në Zhur, për LASH “Naim Frashëri” në Prizren etj.

Pas “bisedës informative”, Ridvan Hoxhaj u lirua.

Dje po ashtu në orët e hershme të mëngjesit, policia serbe arrestoi edhe Shaban Myrtajn, drejtor i Shkollës së mesme “Arbëria” në Gjilan. Merret vesh se gjatë kohës së arrestimit të Shaban Myrtajt, policia konfiskoi vulën e shkollës, librat amzë të nxënësve, 241 ditarë pune, 232 dëftesa, 15 libra, si dhe një dëftesë të të ardhurave personale të profesorëve.

Ndaj Shaban Myrtajt, policia serbe përdori edhe dhunën.

 

26 qershor 1995

Fushatë e gjerë e dhunës me pretekst të kërkimit të armëve në Mitrovicë e rrethinë

Njoftimet e Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Mitrovicë, bëjnë me dije se, sipas urdhërit, në stacionin e policisë në Stantërg, më 19 qershor, u paraqit Musli B. Ibishi nga Tërstena e Mitrovicës. Me këtë rast, me pretekst se duhet të dorëzojë një revole, ai u keqtrajtua rëndë fizikisht, ndërsa më 21 qershor, kur sipas urdhërit, në polici u paraqitën edhe djemtë e tij, Rrahmani e Nimani, policët rrahën deri në alivanosje Nimanin. Pas dy orësh ata u liruan, por me kusht që në polici të paraqiten sot dhe gjithsesi me vete të sjellin revolen e cila kërkohet prej tyre.

Me pretekst se duhet të dorëzojnë armët që i kërkohen, më 20 qershor, policët bastisën shtëpinë e Beqir L. Mehajt në lagjen “Ura e gjakut” në Mitrovicë, me ç’rast me vete morën dy djemtë e tij Rrahmanin dhe Sabriun. Policia i keqtrajtoi ata rëndë fizikisht gjatë rrugës deri në stacionin e policisë dhe në stacion, ku Rrahmani u mbajt disa orë lidhur për një kalorifer.

Më shumë se 20 policë, rrethuan dhe bastisën shtëpinë e Bashkim J. Hazirit, në lagjen “Ura e gjakut” në Mitrovicë, më 22 qershor, me preteskt të kërkimit të një pushkëmitralozi. Meqë nuk gjetën armën që kërkonin e as armë tjerët, policët me vete morën Bashkimin, vëllaun e tij Naimin dhe djalin e axhës së tij Muratin, të cilët në polici u mbajtën më shumë se tetë orë. Me këtë rast, Bashkim Haziri u keqtrajtua fizikisht dhe u urdhërua që në polici të paraqitet sot në orën 8:00.

Pasi edhe më parë kishin shkuar në shtëpitë e Shaban e Sahit Xhemajlit në fshatin Vërnicë për të kërkuar armë, policët shkuan në shtëpinë e Shabanit edhe më 23 qershor dhe e urdhëruan atë që ta paraqitet në polici më 24 qershor.

Pasi më 22 qershor, policët ia bastisën shëpinë dhe e rrahën brutalisht, më 24 qershor sipas thirrjes së lënë, në polici u paraqit Muharrem R. Hajdini (58) nga lagja “Tavnik” e Mitrovicës. Edhe pse është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe më parë mjekët nuk e kishin pranuar në spitalin e Mitrovicës dhe po mjekohej në shtëpi, ai u detyrua të paraqitet në polici, ku prej tij kërkojnë të dorëzojë një revole, një autotmobil të tipit “Golf”, të cilin gjoja e paska sjell djali i tij nga Gjermania dhe kasetën e dasmës së djalit të tij nga viti 1989. Pasi u tregoi policëve plagët e pashëruara, ai u lirua më kusht që në polici të paraqitet më 28 qershor dhe të dorëzojë gjithsesi gjërat që nga ai kërkohen.

Në shtëpinë e Xhevat Jusufit, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Bare, më 23 qershor policët e kërkuan, për arsye tash për tash të panjohura, vëllaun e tij Abdyl Jusufin.

Iliaz Rexhës, mësimdhënës në SHME “Hasan Prishtina” në Mitrovicë, i cili për shkak të mbajtjes së mësimit në punktin privat, në tetor të vitit të kaluar, qe dënuar më 10 ditë burg, dënim ky të cilin shkalla e dytë ia kishte kthyer në dënim në të holla, me lartësi prej 200 dinarësh, pas ankesës së shtruar në këtë vendim, këtyre ditëve mori vendimin, sipas të cilit rtefuzohet ankesa e tij dhe ai detyrohet të paguaj 200 dinarë gjobë.

 

26 qershor 1997

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë ndaloi përdorimin e flamurit shqiptar edhe në Tetovë

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë dje vendosi për heqjen e përkohshme nga përdorimi të flamujve të nacionaliteteve, përkatësisht atij shqiptar nga Kuvendi i Komunës së Tetovës.

Në arsyetim thuhet se kjo iniciativë e kësaj gjykate është ngritë nga Partia Demokratike Maqedonase dhe Qeveria e Maqedonisë. Kjo gjykatë për vendimin e Komunës së Tetovës për përdorimin e flamurit shqiptar thotë se është në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë. Pritet që ky vendim sot t’u dërgohet kompetentëve të Komunës së Tetovës.

Qeveria maqedonase kohë më parë ka hartuar dy ligje për përdorimin e flamujve. Fjala është për Ligjin për përdorimin e flamurit shtetëror dhe ligjin për përdorimin e flamujve të nacionaliteteve për të cilët do të debatojë Parlamenti i Maqedonisë në mbledhjen e ardhshme.

 

 

26 qershor 1998

Kryetari Rugova bisedoi me ambasadorin Hollbruk

Kryetari i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova bisedoi sot në Prishtinë me ambasadorin e SHBA-ve pranë OKB-së, Riçard Hollbruk dhe bashëpunëtorët.

Në takim ishin të pranishëm edhe Kristofer Hill, ambasadori i SHBA-ve në Shkup dhe ndërmjetësues në bisedimet mes Prishtinës e Beogradit, si dhe shefi i Misionit të SHBA-ve në Beograd, Riçard Majls.

Në takimin u bisedua për zhvillimet më të reja në Kosovë dhe për mundësitë e ndërmarrjes së hapave konkretë për krijimin e klimës së përshatatshme për vendosjen sa më të shpejt të negociatave mes Prishtinës e Beogradit. Situata në Kosovë u vlerësua tepër e rëndë dhe u kërkuan veprime të menjëhershme e konkrete me qëllim të shtendosjes së gjendjes e të evitimit të shkallëzimit të mëtejshëm të dhunës e të konflikteve dhe të parandalimit të spastrimit etnik të Kosovës.

Në këtë takim merrnin pjesë edhe anëtarët e ekipit negociator me Beogradin, dr. Fehmi Agani, Veton Surroi dhe Blerim Shala.

Continue Reading

Të kërkuara