Lajmet

REL: Kush e kontrollon përdorimin e parasë publike në kohë zgjedhjesh?

Published

on

Në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, Qeveria në detyrë e Kosovës shpërndau miliona euro në mbështetje sociale dhe subvencione, duke nxitur akuza nga opozita dhe shoqëria civile për përdorim elektoral të parasë publike. Kush mund t’ia ndalojë pushtetit veprimet e tilla në periudha zgjedhore?

Kur një qeveri shpërndan para publike në prag të zgjedhjeve, kufiri mes politikës sociale dhe ndikimit elektoral bëhet i paqartë.

Në Kosovë, ky kufi u sprovua sërish pas vendimeve të fundit të Qeverisë në detyrë të Albin Kurtit për një sërë masash të mbështetjes sociale, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Në ditët para hapjes së fushatës zgjedhore më 28 maj, ajo ndau nga 100 euro si përkrahje të njëhershme për pensionistët, studentët, fëmijët dhe punëtorët; e rriti në 500 euro mbështetjen për lehonat; dhe ndau dy milionë euro subvencionim për kompanitë ajrore, për t’ua lehtësuar fluturimin mërgimtarëve gjatë verës.

Mbështetje e tillë ad hoc ishte dhënë edhe në prag të zgjedhjeve të kaluara, më 2025.

Vendimet nxitën kritika nga shoqëria civile dhe opozita, e cila i cilësoi veprimet e Qeverisë në detyrë si përpjekje për “blerje votash”.

Ligjet e tanishme në Kosovë nuk ia ndalojnë qartazi një qeverie ndarjen e ndihmave sociale apo subvencioneve në kohë parafushate apo në prag të zgjedhjeve.

Çfarë ndryshimesh mund të bëhen?

Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë për Radion Evropa e Lirë se do të duhej të përcaktohej qartë me ligj se, pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, Qeveria në detyrë nuk duhet dhe nuk mund të marrë vendime për ndarjen e pakove të reja financiare për kategori të caktuara shoqërore.

Qeveria në detyrë, sipas parimit të kufizimit të veprimeve të saj, duhet të ushtrojë vetëm funksione të domosdoshme, dhe të vazhdojë zbatimin e politikave të nisura apo të planifikuara paraprakisht, vlerëson ai.

Jakaj thotë se “ajo nuk duhet të ketë hapësirë që, përmes vendimeve të veçanta, të transferojë mjete publike për kategori të caktuara, nëse këto mjete nuk janë të planifikuara qartë dhe nëse vendimi mund të prodhojë efekt elektoral”.

Për këtë arsye, nënvizon ai, është e nevojshme të krijohet një periudhë “fiskale neutrale” para zgjedhjeve, gjatë të cilës një qeveri nuk mund të shpallë masa të reja financiare apo subvencione, pasi çdo ndërhyrje e tillë krijon pabarazi në garën zgjedhore dhe rrezikon që buxheti publik të përdoret për ndikim zgjedhor.

Po ashtu, këshillon ai, nevojitet një kod i sjelljes për Qeverinë gjatë periudhës zgjedhore, veçanërisht për përdorimin e resurseve shtetërore, si automjetet zyrtare, derivatet e të tjera, në mënyrë që partia që qeveris të mos ketë përparësi ndaj partive të tjera.

Ligji i tanishëm për Zgjedhjet nuk specifikon nëse vendime si këto të Qeverisë në detyrë, në prag të fillimit të fushatës zgjedhore, janë të kundërligjshme.

Meqë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka rol të drejtpërdrejtë në kontrollin e shpenzimeve publike të Qeverisë, pasi mandati i saj lidhet kryesisht me administrimin e procesit zgjedhor, Jakaj thotë se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit duhet të ketë rol më aktiv në vlerësimin e konfliktit të interesit dhe të keqpërdorimit të resurseve shtetërore gjatë fushatës.

Gjithashtu, sipas tij, Zyra Kombëtare e Auditimit duhet të bëjë inspektim të veçantë për shpenzimet publike në periudhën parazgjedhore dhe zgjedhore, sidomos për subvencionet dhe vendimet ad hoc të qeverisë.

Në prill, IKD-ja e dorëzoi në Kuvend një nismë legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal, ku njëra nga fushat kryesore lidhet pikërisht me kriminalizimin e keqpërdorimit të parasë publike për përfitim elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore.

Kur ndihmat lidhen me zgjedhjet

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës thanë më 2016, përmes një udhëzuesi, se ligjet shtetërore duhet të garantojnë ndalesa të qarta dhe të zbatueshme kundër përdorimit të buxhetit dhe infrastrukturës shtetërore për përfitime zgjedhore.

Sipas udhëzuesit, keqpërdorimi i mjeteve publike është fenomen i konsoliduar dhe i përhapur në shumë vende evropiane, dhe keqpërdorimet ndodhin gjatë gjithë procesit zgjedhor, dhe jo vetëm gjatë periudhës zyrtare të fushatës zgjedhore.

Për shembull, në një raport më 2022, misioni vëzhgues i OSBE-së gjeti se Qeveria në detyrë në Serbi paraqiti një sërë skemash financiare për të joshur demografi specifike votuesish pak para zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të atij viti.

Ajo ndau pagesa të njëhershme prej 100 eurosh për të rinjtë, dhe pagesë prej 2.500 eurosh për të sapolindurit.

OSBE-ja tha se, derisa shteti pretendoi se këto ishin masa për mirëqenie publike, koha dhe shpërndarja e tyre në mënyrë të paplanifikuar dhe të jashtëzakonshme ishin në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Si i ka arsyetuar Kurti vendimet?

Kryeministri në detyrë i Kosovës i ka hedhur poshtë kritikat se vendimet për mbështetje financiare nga Qeveria në kohë zgjedhjesh janë “blerje votash”.

Duke reaguar në veçanti për subvencionimin prej 2 milionë eurosh për linjat ajrore, Kurti tha më 27 maj se këtë e bëri për ta shmangur anulimin e mundshëm të fluturimeve në muajt gusht dhe korrik për shkak të rritjes së kostos së karburantit, por pa ofruar dëshmi.

Mbështetja për mërgatën përfshihet në Pakon e Ringjalljes Ekonomike, të miratuar fillimisht më 2021, por ajo nuk specifikon subvencionim për kompanitë e fluturimeve.

Ministria e Financave nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse subvencionimi i linjave ajrore ishte parashikuar më herët, apo nëse do të jetë përkrahje afatgjatë.

Qeveria në detyrë i ekzekutoi shtesat për lehonat me vlerën e re, të rritur, prej 500 eurosh më 24 maj, më shumë se një muaj para se paga minimale prej 500 eurosh të hynte në fuqi.

Kurti nuk tregoi arsyen pse e shmangu pritjen deri në korrik./REL/

 

Continue Reading

Lajmet

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia kërcënon NATO-n me armë bërthamore për rajonin e Kaliningradit

Published

on

By

Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.

Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”

Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”

Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.

Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

 

Continue Reading

Lajmet

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT zhvillon sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e AI-së

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së është mbajtur dje një sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku studentë dhe të interesuar të tjerë u njohën nga afër me programin, mundësitë profesionale dhe infrastrukturën moderne që ofron UBT.

Studentët u mirëpritën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, dhe Drejtori i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, ku prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ambientet e laboratorëve dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe teknologjitë moderne që do të përdoren gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe punës praktike.

Programi i mbështetur nga Regional Challenge Fund, synon zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve, duke e integruar Inteligjencën Artificiale në procesin e të nxënit dhe praktikës profesionale. Kualifikimi Profesional Zhvillues i Aplikacioneve është e orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve për role në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe zhvillohet në katër semestra.

Përmes këtij programi, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim dhe Inteligjencë Artificiale, krahas studimeve të tyre, në një mjedis të pajisur me infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore.

Continue Reading

Të kërkuara