Lajmet

REL: Kurti: Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet

Published

on

Kosova dhe Serbia duhet t’i “normalizojnë” marrëdhëniet mes vete, tha kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për agjencinë e lajmeve AFP, disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Megjithatë, ai tha se ky proces është i vështirë.

Kurti është në pushtet që nga viti 2021 dhe dy vjet pasi mori pushtetin, arriti Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin e zbatimit të saj, por marrëveshja ende nuk është zbatuar.

“Ne duhet t’i normalizojmë raportet me Serbinë”, tha Kurti. “Por, normalizimi i raporteve me një fqinj që ka regjim autoritar dhe që nuk të njeh, dhe po ashtu nuk i pranon krimet e kryera gjatë luftës, është shumë i vështirë”, shtoi ai.

Tensionet mes dy vendeve vazhdimisht janë të larta dhe një rikthim i trazirave do t’i ofronte Rusisë mjete për ta destabilizuar Kosovën.

“Ne kemi një marrëveshje për normalizim”, tha Kurti duke iu referuar marrëveshjes së vitit 2023, të arritur nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Ne duhet ta zbatojmë, që nënkupton njohje të ndërsjellë mes shteteve, të paktën njohje de facto”.

Kjo marrëveshje, me 11 nene, veç tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Por, për të rinisur dialogu, Serbia “duhet ta dorëzojë Millan Radoiçiqin”, tha Kurti, duke iu referuar ish-nënkryetarit të Listës Serbe, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë më 2023.

Kurti tha se shpreson që “BE-ja, Franca dhe Gjermania do t’i bëjnë presion” Serbisë që ta dorëzojë Radoiçiqin, ndaj të cilit dhe disa personave të tjerë Kosova ka ngritur aktakuzë për sulmin në Banjskë.

Që nga shtatori i vitit 2023, disa ditë para sulmit të armatosur në Banjskë, nuk është mbajtur asnjë rund i nivelit të lartë në Bruksel, teksa bisedimet në nivel kryenegociatorësh kanë vazhduar, por nuk kanë prodhuar ndonjë marrëveshje.

Serbia po ashtu nuk ka ndërprerë raportet me Rusinë, pavarësisht luftës në Ukrainë, dhe Beogradi varet nga energjia ruse.

“Ka shumë lidhje” mes dy shteteve, tha Kurti, dhe nëse Rusia vendos ta destabilizojë rajonin, “në marshin e saj drejt Evropës Perëndimore, mund të llogarisë në Serbinë si aleat. Dhe, kjo është shqetësuese për shtetin tonë. Por, ne po punojmë me partnerët tanë për të parandaluar një gjë të tillë”.

Kosova, që shpreson t’i bashkohet NATO-s, së voni ka hequr tarifat ndaj produkteve amerikane dhe është pajtuar që të pranojë deri në 50 migrantë nga shtetet e treta që do të dëbohen nga SHBA-ja. Deri më tani, në Kosovë ka arritur vetëm një migrant.

“Nuk po kërkojmë asnjë ndihmë financiare në këmbim”, tha Kurti. “Ne po e bëjmë këtë për të ndihmuar SHBA-në, që është partnerja, aleatja dhe mikja jonë”, shtoi Kurti, i cili nuk e përjashtoi mundësinë e arritjeve të marrëveshjeve të ngjashme edhe me vendet evropiane.

Continue Reading

Lajmet

Policia gjen armë AK-47 në veturën e një të aksidentuari në Gllogoc

Published

on

Policia e Kosovës ka konfiskuar një armë zjarri të tipit AK-47 me 20 fishekë, pasi ndërhyri në një aksident trafiku në Gllogoc.

Sipas policisë, i dyshuari, një mashkull kosovar, ishte vetaksidentuar, ndërsa gjatë intervenimit në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë gjetën armën brenda veturës së tij.

Arma dhe municioni janë konfiskuar, ndërsa i dyshuari, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt me urdhër të prokurorit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Motoçiklisti humb jetën pas aksidentit me veturë në Gjakovë

Published

on

Një motoçiklist ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur në Gjakovë.

Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur mes një motoçiklete dhe një veture, të cilat drejtoheshin nga dy meshkuj kosovarë.

Si pasojë e përplasjes, motoçiklisti pësoi lëndime të rënda dhe u dërgua në Emergjencë, ku më vonë ndërroi jetë.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa drejtuesi i veturës është ndaluar për 48 orë. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Aksident me fatalitet në Vërmicë, humb jetën një këmbësor

Published

on

Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.

Sipas Policisë së Kosovës, viktima është goditur nga një veturë që drejtohej nga një shtetas i Shqipërisë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse, ndërsa mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa drejtuesi i automjetit është ndaluar për 48 orë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

REL: Kosova në qendër të protestës antiqeveritare në Kralevë të Serbisë

Published

on

By

Nën sloganin “Gjithçka shihet në Vidovdan”, të dielën në Kralevë – pjesa qendrore e Serbisë – u mbajt një protestë e organizuar nga studentët që po udhëheqin bllokadat e fakulteteve në këtë vend.

Mijëra qytetarë u mblodhën në Sheshin e Luftëtarëve Serbë në qendër të qytetit.

Pavarësisht temperaturave të larta, disa protestues përshkuan në këmbë rreth 50 kilometra për të marrë pjesë në tubim.

Ai u zhvillua vetëm një ditë pas mitingut të organizuar nga Partia Pëparimtare Serbe në pushtet, në qendër të Beogradit.

Ai ishte njëri në vazhdën e disa protestave të organizuara nga lëvizja studentore qysh në nëntor të vitit 2024, kur nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit humbën jetën 16 persona.

Fillimisht, studentët kërkuan përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë, duke argumentuar se shembja ishte pasojë e korrupsionit në projektin e rindërtimit të stacionit.

Pas disa muajsh protesta, ata shtuan edhe kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Megjithatë, në protestën e së dielës në Kralevë dominuan mesazhet për Kosovën, pavarësinë e së cilës Beogradi nuk e njeh.

Ajo u zhvillua në Ditën e Vidovdanit – festë fetare dhe shtetërore në Serbi – që përkujton Betejën e Kosovës të vitit 1389 kundër Perandorisë Osmane.

 

Çfarë u tha për Kosovën?

Duke iu drejtuar protestuesve, Millena Petroviq, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Matematikës të Universitetit të Prishtinës, që vepron brenda sistemit të Serbisë në Mitrovicën e Veriut, tha se qendrat e pushtetit në Beograd dhe në Prishtinë po veprojnë në mënyrë të koordinuar për të mbrojtur interesat e tyre, në dëm të qytetarëve të zakonshëm që jetojnë në Kosovë.

“Një qasje e tillë nuk kontribuon në respektin, mirëkuptimin dhe pranimin e ndërsjellë mes popullsisë serbe dhe shqiptare, që është parakusht për paqe të qëndrueshme në Kosovë”, tha Petroviq.

Në protestë foli edhe Vlladan Vesellinoviq, veteran i luftës nga Brigada e 63-të Parashutiste, i cili tha se “represioni i pushtetit” është shtrirë edhe ndaj veteranëve që kanë mbështetur protestat studentore.

“Na kanë arrestuar, kontrolluar, ndaluar për intervistim, na kanë linçuar në media, na kanë dërguar inspektorate dhe disa prej nesh, madje, kanë humbur vendet e punës”, tha ai.

Brigada e 63-të Parashutiste e Ushtrisë së Serbisë është shoqëruar me polemika për rolin e saj gjatë luftës në Kosovë.

Ato lidhen veçanërisht me praninë e saj në vendin ku është kryer një nga krimet më të mëdha të forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë, në komunën e Gjakovës.

Para të pranishmëve foli edhe Llazar Stevanoviq, student i Fakultetit të Bujqësisë në Universitetin e Beogradit, i cili tha se studentët nuk janë armiq të shtetit.

“Në një vend ku korrupsioni dhe dhuna janë bërë pjesë e përditshmërisë, kërcënimi më i madh bëhen ata që kërkojnë përgjigje”, tha ai.

 

Në pritje të datës së zgjedhjeve

Ndërsa protestuesit antiqeveritarë vazhdojnë të kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 27 qershor, gjatë një tubimi të Partisë Pëparimtare Serbe, se brenda disa javësh do të japë dorëheqje.

Në përgjigje të kërkesave të studentëve, Vuçiq ka paralajmëruar disa herë deri më tani mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Sipas deklaratave të tij të fundit, ato pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti. /REL/ /E.A/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara