Lajmet

REL: Keqardhje që Serbia s’ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për sulmin në Banjskë

Published

on

Në përvjetorin e tretë të sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm ndaj të dyshuarve që gjenden në territorin e saj.

“BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe shpreh keqardhje që, deri më tani, Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arrestuar dhe ndjekur penalisht ata, me akuza përkatëse, të personave që gjenden në Serbi”, tha një zëdhënës i BE-së.

Tre vjet më parë, në Banjskë të Zveçanit një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë këmbimit të zjarrit, tre sulmues serbë u vranë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Radoiçiq ka adresë të regjistruar në Serbi, teksa Kosova vazhdimisht kërkon që ai të ekstradohet në mënyrë që të përballet me drejtësinë.

“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të krijuar për ndihmë të ndërsjellë juridike. Kjo çështje ka mbetur pezull për një kohë të gjatë dhe Serbia duhet ta trajtojë atë sa më shpejt”, tha zëdhënësi i BE-së.

Në deklaratën e BE-së tha se çështjen e Banjskës, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, e ka ngritur gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit në Nju Jork.

Po në Nju Jork, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ngriti çështjen e sulmit në Banjskë gjatë takimit me Kallasin.

Kuri tha se Radoiçiq dhe persona të tjerë që morën pjesë në sulm po “mbrohen nga presidenti i Serbisë”, duke shtuar se ka kërkuar përkrahjen e BE-së që t’i bëjë trysni Serbisë për këtë çështje.

Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht që të përfshirët në sulm të përballen me drejtësinë.

Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Radoiçiqit, për sulmin në Banjskë. Gjykimi është mbajtur vetëm ndaj tre personave, të cilët janë dënuar nga shkalla e parë e gjyqësorit: një me 30 vjet burgim dhe dy persona me burgim të përjetshëm.

Continue Reading

Vendi

Bashkim Jashari dekorohet me medaljen “Nderi i Forcave të Armatosura” në Shqipëri

Published

on

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, është dekoruar me medaljen “Nderi i Forcave të Armatosura” gjatë një vizite zyrtare në Republikën e Shqipërisë.

Gjatë qëndrimit atje, Jashari është pritur me nderime ushtarake nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji.

Në takimin mes dy gjeneralëve është diskutuar për situatën aktuale të sigurisë në rajon dhe më gjerë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Medalja iu nda Jasharit në shenjë vlerësimi për kontributin dhe angazhimin e tij në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy forcave.

Dekorimi vlerësohet si shprehje e marrëdhënieve të ngushta të bashkëpunimit ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë./A.K/

Continue Reading

lajme

Dështon zgjedhja e anëtarëve shqiptarë në Bordin e RTK-së, asnjë kandidat nuk paraqitet në intervistë

Published

on

By

Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka dështuar sërish për dy pozitat e rezervuara për komunitetin shqiptar, pasi asnjëri nga kandidatët nuk është paraqitur në fazën e intervistimit. Për rrjedhojë, konkursi për këto dy vende do të rishpallet, u bë e ditur gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës.

Kryesuesja e Komisionit ad hoc, Arbërie Nagavci, informoi deputetët se ndonëse gjashtë kandidatë shqiptarë i kishin plotësuar kriteret formale për të vazhduar garën, asnjëri prej tyre nuk kishte marrë pjesë në intervistim. Sipas saj, njëri kandidat kishte njoftuar se ndodhej jashtë vendit, ndërsa pesë të tjerët thjesht nuk ishin paraqitur.

Kjo situatë nxiti reagime të ashpra nga deputetët e partive opozitare. Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, theksoi se kandidatët nuk kishin dështuar në plotësimin e kritereve, por kishin zgjedhur të tërhiqeshin nga gara. Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, sqaroi se njëri prej kandidatëve kishte kërkuar që intervistimi të zhvillohej online, ndërsa pjesa tjetër ishin tërhequr.

Së bashku me deputeten e AAK-së, Time Kadrijaj, opozita kritikoi ashpër mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve në bordet publike, duke ngritur shqetësime serioze për ndikimin politik dhe mungesën e mundësive të barabarta për kandidatët.

Nga ana tjetër, Kuvendi arriti të plotësojë pozitat e rezervuara për komunitetet joshumicë. Anëtarë të Bordit të RTK-së u zgjodhën Ana Kostiq nga komuniteti serb dhe Aldin Shabani nga komunitetet e tjera joshumicë, të cilëve pas hedhjes së shortit iu caktua mandat dyvjeçar. /E.A/

 

 

Continue Reading

Vendi

Haxhiu kujton daljen e parë publike të UÇK-së dhe del në mbështetje të ish-krerëve në Hagë

Published

on

By

Në fillim të seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka përkujtuar daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila u shënua më 28 nëntor të vitit 1997 gjatë ceremonisë së varrimit të mësuesit Halit Geci në Llaushë të Skenderajt, i vrarë nga forcat serbe.

Haxhiu theksoi se në prag të këtij përvjetori, institucionet dhe qytetarët qëndrojnë pranë ish-krerëve të UÇK-së — Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi — të cilët po mbahen në Hagë dhe në shkallën e parë janë dënuar me 81 vjet burgim.

“Teksa kujtojmë këto ngjarje, jemi pranë krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), luftëtarëve të lirisë të cilët edhe këtë 28 nëntor po mbahen padrejtësisht në Hagë. Vendi i tyre është në Kosovë dhe ne vazhdojmë angazhimin tonë që drejtësia të vihet në vend dhe ata të lirohen sa më parë”, deklaroi Haxhiu.

Duke vlerësuar peshën historike të 28 nëntorit 1997, kryetarja e Kuvendit u shpreh se pikërisht nga varrimi i një mësuesi lindi besimi se liria mund të fitohej, duke e cilësuar këtë datë si nëntorin e tretë të madh të shqiptarëve, pas Krujës më 1443 dhe Vlorës më 1912.

“Për ne, 28 nëntori i vitit 1997 është nëntori i tretë, pas Krujës më 1443 dhe Vlorës më 1912. Ai u shkrua edhe në Llaushë, ku mijëra njerëz u mblodhën për ta përcjellë mësuesin e tyre. Aty para tyre dolën Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj me uniformën e UÇK-së. Ishte hera e parë që UÇK-ja, e cila deri atëherë vepronte në ilegalitet, doli hapur para qytetarëve, para popullit. Ajo liri u fitua me gjak, me sakrificë, me guxim dhe me përkushtimin e mijëra njerëzve, dhe atë liri e gëzojmë ne sot në shtetin tonë”, u shpreh Haxhiu.

Gjatë kësaj seance, në sallën e Kuvendit u shfaq edhe një video dokumentare nga dalja e parë publike e UÇK-së. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Arrestohen tre persona për mashtrim me investime të rreme, sekuestrohen 19 vetura dhe pasuri mbi një milion euro

Published

on

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar një operacion në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, ku janë arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje të parave.

Aksioni është realizuar të mërkurën, më 25 nëntor, në katër lokacione të ndryshme, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale. Në operacion kanë marrë pjesë hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, njësi të tjera policore, Njësia Speciale FIT dhe AKI.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 19 vetura, një motoçikletë, gjashtë telefona, pesë kompjuterë, gjashtë USB, si dhe 4 mijë e 95 euro para të gatshme. Po ashtu, është gjetur edhe 11.28 gramë substancë e dyshuar narkotike dhe dokumente që lidhen me rastin.

Sipas hetimeve, ekziston dyshimi se të arrestuarit, përmes sistemeve kompjuterike dhe komunikimeve elektronike e telefonike, kanë kontaktuar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj, duke i mashtruar dhe nxitur të investojnë në platforma të rreme investimi.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit.

Të dyshuarit po hetohen për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Mashtrimi” dhe “Shpëlarja e parave”./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara