Lajmet

REL: Katër vjet pas largimit të prokurorëve serbë, Kosova përgatit konkurs të ri

Published

on

Gati katër vjet pasi dhjetëra gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë serbë u larguan nga institucionet e drejtësisë në veri të Kosovës, autoritetet po përgatiten të nisin një proces të ri për plotësimin e vendeve të mbetura bosh.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) konfirmon për Radion Evropa e Lirë se është duke përgatitur konkursin për rekrutimin e prokurorëve nga radhët e komunitetit serb, pasi ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dekretoi lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.

Në konkurs do të mund të aplikojnë të gjithë kandidatët që i plotësojnë kushtet ligjore, përfshirë edhe ish-prokurorët, të cilëve iu refuzua kërkesa për tërheqjen e dorëheqjeve.

Vendimi shënon një kthesë në një çështje që kishte mbetur pezull për gati katër vjet, por, njëkohësisht, ka nxitur kritika nga Bashkimi Evropian dhe dilema mes njohësve të drejtësisë nëse është marrë në momentin e duhur dhe nëse do ta ndihmojë apo do ta vështirësojë riintegrimin e juristëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës.

Pse u hap rruga për konkursin?

Më 21 korrik, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, nënshkroi dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në fund të vitit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës.

Dekreti u nënshkrua një ditë pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi kërkesën e pesë prokurorëve serbë dhe 15 punonjësve administrativë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për të tërhequr dorëheqjet e tyre.

Prokurorët dhe gjyqtarët serbë kishin dhënë dorëheqje në fund të nëntorit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Ky veprim – i nxitur nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që mbështetet nga Beogradi – erdhi në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia dhe për t’i zëvendësuar ato me targa të Kosovës.

Bashkimi Evropian reagoi duke thënë se vendimi i Haxhiut “nuk duket të jetë në përputhje me ligjin”, pasi prokurorët kishin njoftuar më herët se dëshironin të riktheheshin në detyrë.

Brukseli u bëri thirrje institucioneve të Kosovës të shmangin veprimet që mund të pengojnë riintegrimin e personelit gjyqësor serb.

Ambasada amerikane në Prishtinë nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment, por në një reagim për mediat në Prishtinë, ajo rikujtoi se Kushtetuta e Kosovës garanton përfaqësimin e komunitetit serb në institucione dhe tha se pret që Qeveria e Kosovës të sigurojë mundësi të barabarta për pjesëtarët e këtij komuniteti.

KPK: Ish-prokurorët mund të aplikojnë sërish

Zëdhënësi i KPK-së, Bedri Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se procesi i rekrutimit do të zhvillohet sipas legjislacionit në fuqi dhe se konkursi do të jetë i hapur për të gjithë kandidatët që plotësojnë kushtet ligjore.

Ai konfirmon se kjo përfshin edhe ish-prokurorët, të cilëve iu refuzua kërkesa për tërheqjen e dorëheqjeve.

“Procesi i rekrutimit do të zhvillohet përmes procedurave të përcaktuara me legjislacionin në fuqi dhe në përputhje me kriteret ligjore përkatëse”, thotë Gashi.

KPK-ja nuk bëri të ditur se kur do të shpallet konkursi, duke thënë se afatet do të përcaktohen gjatë procedurës.

Çfarë do të ndodhë me gjyqtarët?

Ndryshe nga Këshilli Prokurorial, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ende nuk ka marrë vendim për kërkesat e gjyqtarëve serbë që kanë kërkuar të tërheqin dorëheqjet e tyre.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, KGJK-ja thotë se kërkesat do të shqyrtohen me kujdes dhe se publiku do të njoftohet pasi Këshilli të marrë vendim.

Institucioni nuk bën të ditur se sa gjyqtarë kanë kërkuar rikthimin në sistem, duke thënë se është ende në proces të mbledhjes së të dhënave.

Bugaqku: Vendimi është ligjor, por vjen shumë vonë

Vullnet Bugaqku, njohës i çështjeve juridike nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, nuk ka bërë shkelje ligjore me dekretimin e lirimit nga detyra të prokurorëve serbë.

Sipas tij, ajo vetëm ka formalizuar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili, në aspektin procedural, është marrë në përputhje me ligjin.

Megjithatë, ai vë në pikëpyetje legjitimitetin e vendimit, për shkak të kohës kur është marrë.

“Në aspektin e legjitimitetit – se sa është marrë ky vendim në kohën e duhur dhe në një moment të përshtatshëm – lë shumë hapësirë për diskutim, për faktin se po merret pas katër vjetësh”, thotë Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, kjo zvarritje lidhet si me zhvillimet politike në Kosovë, ashtu edhe me problemet e vetë KPK-së, e cila për një periudhë kishte vështirësi funksionimi për shkak të mungesës së kuorumit.

“Unë mendoj se përbërja e mëparshme e KPK-së nuk e pati as vullnetin dhe as guximin ta trajtonte këtë çështje. Me gjasë, ajo u pa si një temë politike që kërkonte koordinim më të gjerë ndërmjet institucioneve qendrore dhe institucioneve të drejtësisë – në këtë rast KPK-së dhe KGJK-së”, shton Bugaqku.

Milliqeviq: Vendimi mund ta thellojë mosbesimin

Për Miodrag Milliqeviqin nga organizata joqeveritare Aktiv në Mitrovicë të Veriut, refuzimi i kërkesës së prokurorëve serbë për t’u rikthyer në detyrë, si dhe dekretimi i këtij vendimi nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, erdhën me vonesë dhe në një moment politikisht të ndjeshëm.

Sipas tij, ky veprim bie ndesh me sinjalet që, muajt e fundit, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare kishte dhënë për të inkurajuar rikthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në institucionet e drejtësisë në Kosovë.

“Ky është një vendim politik, i cili padyshim do ta thellojë jo vetëm jostabilitetin, por edhe mosbesimin e lartë të serbëve ndaj institucioneve qendrore të Kosovës”, thotë Milliqeviq për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, ai vlerëson se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi institucionet e Kosovës.

Sipas tij, largimi kolektiv i zyrtarëve serbë nga institucionet në vitin 2022 ishte vetë një vendim i gabuar politik, i marrë nën drejtimin e Listës Serbe.

“Komuniteti serb nuk është më ai që vendos i vetëm nëse do të rikthehet apo jo në institucione”, thotë ai, duke nënvizuar se procesi tashmë është bërë shumë më kompleks.

Milliqeviq beson se mënyra se si do të zgjidhet çështja e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë do të ndikojë jo vetëm në funksionimin e sistemit të drejtësisë, por edhe në marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.

Sipas tij, ajo mund të ndikojë edhe në qasjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – një proces që ai e cilëson si të bllokuar.

“Tashmë është pyetje e hapur se deri në çfarë mase mund të mbështetemi te marrëveshjet e arritura në dialog, nëse palët janë të gatshme t’i zbatojnë ato dhe nëse ekziston ende vullnet politik për t’i respektuar”, thotë Milliqeviq.

Një proces i lidhur me Marrëveshjen e Brukselit

Integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës nuk është vetëm një çështje e funksionimit të institucioneve.

Ai buron si nga Kushtetuta e Kosovës, e cila kërkon që përbërja e gjykatave dhe prokurorive të pasqyrojë përbërjen etnike të zonave ku ushtrojnë juridiksionin, ashtu edhe nga marrëveshjet e arritura në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 vendosi parimin e integrimit të sistemit të drejtësisë në veri të Kosovës. Dy vjet më vonë, Marrëveshja për Drejtësinë përcaktoi modalitetet për integrimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ serb në institucionet e drejtësisë së Kosovës.

Zbatimi i këtij procesi nisi në tetor të vitit 2017, kur dhjetëra gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë serbë u integruan në sistemin e drejtësisë së Kosovës, në atë që u konsiderua si një nga rezultatet më konkrete të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Dorëheqjet kolektive të zyrtarëve serbë në fund të vitit 2022 e ndërprenë këtë proces.

Tash, me lirimin përfundimtar nga detyra të prokurorëve që dhanë dorëheqje dhe paralajmërimin për një konkurs të ri, institucionet synojnë t’i plotësojnë vendet vakante duke ruajtur përfaqësimin e komunitetit serb në sistemin e drejtësisë.

Konkursi mund të jetë zgjidhja ligjore, por jo edhe praktike

Për Bugaqkun, hapja e konkursit për plotësimin e vendeve vakante është rruga që parashikon ligji, por procesi duhet të garantojë përfaqësimin e komunitetit serb në sistemin e drejtësisë, në përputhje me Kushtetutën dhe marrëveshjet e arritura në dialogun Kosovë-Serbi.

“Nuk ka asnjë pengesë ligjore që të njëjtit prokurorë, të cilët kanë shërbyer më parë dhe kanë dhënë dorëheqje, t’i nënshtrohen sërish konkursit. Natyrisht, procedura përfshin verifikimin e kritereve ligjore, kontrollin e integritetit, testimet dhe intervistat”, thotë Bugaqku.

Sipas Milliqeviqit, sfida kryesore nuk do të jetë organizimi i konkursit, por gatishmëria e juristëve serbë për t’u bërë pjesë e tij.

Ai beson se, në rrethana normale, plotësimi i vendeve vakante do të ishte një procedurë e zakonshme administrative. Por, në kushtet aktuale, çështja është bërë shumë më tepër politike sesa juridike.

“Në këtë moment është vështirë të thuhet se sa persona do të aplikojnë. Më pas shtrohet pyetja nëse kandidatët do t’i plotësojnë kriteret e nevojshme për integrim në sistem dhe si do të zhvillohet i gjithë procesi”, thotë ai.

Milliqeviq mbetet skeptik se prokurorët që u liruan nga detyra do të jenë të gatshëm të rikthehen në sistem përmes një konkursi të ri.

Nëse kjo ndodh, institucionet e Kosovës do të duhet të gjejnë kandidatë të rinj për të plotësuar vendet vakante, duke u përballur me sfidën e ruajtjes së karakterit multietnik të sistemit të drejtësisë dhe njëkohësisht me nevojën për të rikthyer besimin e komunitetit serb në institucionet e vendit.

 

Continue Reading

Lajmet

KESCO apelon për kursim të energjisë elektrike, paralajmëron rritje të konsumit

Published

on

By

Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) u ka bërë thirrje konsumatorëve që të shfrytëzojnë me kujdes energjinë elektrike gjatë muajve të dimrit, pas rritjes së ndjeshme të konsumit.

Sipas të dhënave të publikuara nga KESCO, gjatë periudhës 1 shtator – 31 tetor, konsumi i energjisë elektrike është rritur për 4.1 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, ditët e para të nëntorit kanë shënuar një rritje edhe më të madhe, me afro 25 për qind më shumë konsum krahasuar me muajin paraprak.

KESCO thekson se kursimi i energjisë nuk nënkupton heqjen dorë nga ngrohja apo rehatia në shtëpi, por shmangien e shpenzimeve të panevojshme dhe përdorimin më racional të pajisjeve elektrike.

“Mbajtja e temperaturave të arsyeshme në ambientet e banimit, ngrohja e hapësirave që përdorim, shfrytëzimi efikas i pajisjeve elektrike dhe fikja e tyre kur nuk nevojiten janë veprime të thjeshta që mund të sjellin ndryshim”, thuhet në komunikatën e KESCO-s.

Sipas kompanisë, përdorimi i kujdesshëm i energjisë ndihmon në uljen e shpenzimeve familjare, zvogëlimin e ngarkesës në rrjet gjatë periudhave të konsumit të lartë dhe shfrytëzimin më efikas të burimeve energjetike.

Në fund, KESCO u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që gjatë këtij dimri të tregojnë kujdes në përdorimin e energjisë elektrike, duke shmangur shpenzimet e panevojshme.

D.L

Continue Reading

Lajmet

United Hospital, standard i ri në shërbimet shëndetësore në Kosovë – teknologji e avancuar dhe trajtim modern i sëmundjeve vaskulare

Published

on

By

United Hospital, tashmë një nga spitalet private më të mëdha në Kosovë, po fuqizon vazhdimisht ofertën e shërbimeve shëndetësore përmes teknologjisë së avancuar, pajisjeve moderne diagnostikuese dhe trajtimit bashkëkohor në fusha të ndryshme të mjekësisë.

Një ndër fushat ku ky institucion shëndetësor ofron zgjidhje të specializuara është edhe mjekësia vaskulare, e cila merret me diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të enëve të gjakut, nga koka deri te këmbët.

Përmes ekspertizës profesionale të Dr. Halil, pacientët informohen për mundësitë moderne të trajtimit të problemeve vaskulare, duke përfshirë metodat kirurgjike të hapura, intervenimet minimale invazive dhe procedurat endovaskulare.

Në United Hospital trajtohen një sërë patologjish vaskulare, ndër të cilat:

Stenoza e arteries karotide, me rëndësi të veçantë në parandalimin e goditjes në tru.

Aneurizmat e aortës, torakale dhe abdominale.

Ngushtimet e arterieve të veshkave, pelvikut dhe gjymtyrëve të poshtme.

Sëmundjet e venave dhe variçet, përmes metodave moderne të trajtimit, përfshirë përdorimin e ngjitësit biologjik, një alternativë ndaj operacionit klasik për pacientët e përshtatshëm.

Përparësia e këtyre metodave qëndron në mundësinë e trajtimit më pak invaziv, reduktimin e shqetësimeve pas procedurës dhe rikthimin më të shpejtë në aktivitetet e përditshme, varësisht nga gjendja shëndetësore dhe metoda e aplikuar.

Me investimet në teknologji, zgjerimin e shërbimeve dhe angazhimin e profesionistëve shëndetësorë, United Hospital synon të ofrojë standarde bashkëkohore të kujdesit mjekësor, duke krijuar më shumë mundësi për pacientët që kërkojnë diagnostikim dhe trajtim të specializuar brenda Kosovës.

United Hospital – kujdes shëndetësor, teknologji dhe profesionalizëm në shërbim të shëndetit tuaj!

046 60 70 70

M2, Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë – Kosovë

Për informacione dhe konsultime, kontaktoni United Hospital. Përshtatshmëria për secilën procedurë përcaktohet pas vlerësimit nga mjeku specialist.
gazeta speciale./rajonipress/

Continue Reading

Lajmet

Lëvizjet me çmimet e derivateve: Kusari-Lila paralajmëron rikthimin e çmimit tavan nëse nafta nuk pocheapërohet në Kosovë

Published

on

By

Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar se Qeveria do të rikthejë çmimin tavan për naftën nëse rënia e çmimeve të derivateve në tregun botëror nuk reflektohet në tregun kosovar brenda pak ditëve.

Duke iu përgjigjur pyetjes parlamentare të deputetes së AAK-së, Albana Bytyqi, e cila ngriti shqetësimin për ndikimin e shtrenjtimit të naftës në çmimet e produkteve të tjera, ministrja Kusari-Lila sqaroi se dy ditët e fundit ka filluar një rënie e çmimeve në tregun ndërkombëtar.

“Arsyeja e çmimit 1.90 ose 1.89, që është sot, e evidentuar, ka të bëjë me rritjen e çmimit në tregun botëror. Megjithatë, pozitive në këto dy ditët e fundit është një fillim i rënies dhe që nga nesër, nëse nuk ka rënie apo reflektim në çmimin në tregun në Kosovë, atëherë ne e rikthejmë çmimin tavan, i cili tashmë kemi edhe bazën ligjore për ta bërë atë”, deklaroi Kusari-Lila.

Ministrja shpjegoi se vendimi për heqjen e çmimit tavan ishte marrë më 8 shtator pas përfundimit të afatit 180-ditor, ndërsa institucionet kanë vazhduar monitorimin e marzhës tregtare në baza ditore.

“Çka kemi bërë? Kemi shqyrtuar gjendjen e inspektimeve, por gjithashtu edhe kemi pasur skadim të afatit bazuar në këtë udhëzim administrativ… Megjithatë, pas heqjes së këtij vendimi, që nga data 8 shtator deri më sot, më 5 nëntor, në baza ditore kemi bërë dhe bëjmë, vazhdojmë të bëjmë monitorimin e çmimit dhe përcaktimin e marzhës sipas çmimeve të tregut… Të dhënat zyrtare të importit tregojnë se marzha që nga heqja e çmimit tavan nuk e ka kaluar 12 centin, i cili është i përcaktuar me udhëzimin administrativ. Ka qenë 11.5 cent”, shtoi ajo.

Ajo po ashtu nënvizoi se Kosova mbetet mjaft e ekspozuar ndaj luhatjeve globale për shkak të shkallës së lartë të importit, por siguroi se ekzekutivi nuk do të qëndrojë pasiv.

“Kosova, siç e dini, nuk është e izoluar dhe nuk ka qenë e izoluar nga këto zhvillime. Në të kundërt, është shumë e ekspozuar për shkak të nivelit të madh të importit. Megjithatë, qeveria nuk ka qëndruar dhe nuk do të qëndrojë pasive përballë këtij çrregullimi të tregut. Ne ndërhyjmë aty ku i kemi kushtet ligjore”, përfundoi Kusari-Lila, duke cituar udhëzimet administrative përkatëse që lehtësojnë ndërhyrjen e shtetit. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Cassis nga Prishtina vlerëson lart diasporën: Rreth 500 mijë kosovarë jetojnë në Zvicër, lidhja jonë është e jashtëzakonshme

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme i Zvicrës, Ignazio Cassis, ka deklaruar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës janë të shkëlqyera dhe të bazuara në një histori të gjatë e të fuqishme bashkëpunimi.

Pas takimit me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, Cassis theksoi se kjo është vizita e tij e parë zyrtare në Prishtinë si pjesëtar i Qeverisë zvicerane, ndonëse takimet mes diplomacive të të dyja vendeve kanë qenë të vazhdueshme.

“Zvicra dhe Kosova kanë një histori të gjatë të marrëdhënieve intensive dhe të shkëlqyera. Ne ishim ndër vendet e para që e njohëm pavarësinë e Kosovës, që në orët e para, dhe lidhjet tona janë bërë kaq të forta sepse kemi qenë të hapur për t’i hapur kufijtë për shumë njerëz nga Kosova, të cilët kanë ardhur në Zvicër për të punuar e jetuar”, u shpreh Cassis.Diplomati zviceran vuri theksin te roli i jashtëzakonshëm i diasporës kosovare në Zvicër, duke saktësuar numrin e qytetarëve me prejardhje nga Kosova që jetojnë atje.

“Bëhet fjalë për rreth 500 mijë njerëz, gra, burra dhe fëmijë, që jetojnë në Zvicër dhe që kanë ose pasaportë kosovare, ose vijnë nga kjo trevë. Kjo përbën pothuajse 10 për qind të të gjithë popullsisë sonë, gjë që natyrshëm krijon një lidhje njerëzore jashtëzakonisht të fortë. Përveç kësaj, ata janë edhe heronj të futbollit në vendin tonë”, shtoi ai.

Cassis po ashtu kujtoi vizitën shtetërore të ish-presidentes Vjosa Osmani në Zvicër në mars të vitit të kaluar, duke e cilësuar atë si një moment me rëndësi të veçantë për thellimin e partneritetit dypalësh. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara