Lajmet

REL: Disa studentë e profesorë protestojnë në veri kundër integrimit në sistemin kosovar të arsimit

Published

on

Disa studentë dhe profesorë të Universitetit në Mitrovicën e Veriut kanë protestuar të mërkurën kundër shkrirjes së sistemit të tyre të arsimit në atë kosovar.

Duke mbajtur pankarta me mbishkrime si “Pse po hesht Beogradi” dhe “Sipas cilit sistem të marrim frymë”, ata u mblodhën në qendër të qytetit për ta kundërshtuar synimin e autoriteteve kosovare për një sistem të vetëm arsimor.

Universiteti në Mitrovicën e Veriut punon në sistemin e Serbisë.

Studenti i Fakultetit Filologjik në këtë universitet, Lluka Peçenkoviq, tha se “jemi lënë në mëshirë të fatit”, dhe se autoritetet po heshtin sepse “kështu janë urdhëruar”.

Ai tha gjithashtu se protesta e së mërkurës u mbajt pa mbështetjen e rektoratit dhe se themeluesi i universitetit, pra Qeveria e Serbisë, “na e ka kthyer shpinën”.

“Profesorë, të tjerë që kanë frikë, që janë të shantazhuar, gjithsesi do të humbim. Ata që ju kërcënojnë me humbjen e vendit të punës, nuk do të mund ta zbatojnë atë kërcënim. Luftoni për interesin tuaj dhe tonin, interesin e përbashkët”, tha Peçenkoviq.

Profesoresha Mitra Reliq u bëri thirrje autoriteteve kosovare që t’u lëshojnë “vërtetim për jetë”, për arsimim dhe për ruajtjen e identitetit, ndërsa Beogradin zyrtar e ftoi të qëndrojë përkrah Universitetit që e ka themeluar.

Çështja e integrimit të shëndetësisë dhe arsimit serb në Kosovë u ngrit në shtator të vitit të kaluar, kur kryeministri Albin Kurti theksoi se sistemi i dyfishtë nuk është i qëndrueshëm dhe se është e nevojshme shkrirja e tyre në një.

Ai tha asokohe se për integrimin do të punohej së bashku me përfaqësuesit politikë të komunitetit serb, por edhe me bashkësinë ndërkombëtare, gjë që ua përcolli përsëri ambasadorëve të vendeve të QUINT-it (SHBA, Francë, Britani e Madhe, Gjermani dhe Itali) në dy raste që nga fillimi i vitit.

Megjithatë, deri më tani nuk është saktësuar qartë se cilat modele të integrimit po shqyrtohen.

Bashkimi Evropian, në një përgjigje më herët për Radion Evropa e Lirë, kishte deklaruar se statusi i strukturave dhe shërbimeve shëndetësore dhe arsimore që në Kosovë mbështeten nga Serbia do të zgjidhet në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe me ligjet e Kosovës.

Për integrimin e shëndetësisë dhe arsimit në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit ngul këmbë edhe Beogradi zyrtar, si dhe Lista Serbe si partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e pushtetit të tanishëm në Serbi.

Ndërkohë, Universiteti i Prishtinës më 10 shkurt i dha afat prej 30 ditësh Fakultetit të Shkencave Teknike të Universitetit në Mitrovicën e Veriut që të largohet nga hapësirat që përdor ose të fillojë të paguajë qira.

Serbët në Kosovë druhen nga integrimi i institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha më herët për Radio Evropa e Lirë se kërkesa për lirimin e pronës së “uzurpuar” është dërguar në bazë të ligjeve në fuqi dhe procedurave të Kosovës.

Ai tha gjithashtu se Universiteti i Prishtinës është i përkushtuar për vënien në përdorim të “të gjitha objekteve dhe hapësirave të tij, për të cilat ekziston nevojë e madhe, pa vonesa të mëtejshme”.

Nga ana tjetër, rektori i Universitetit në Mitrovicën e Veriut, Nebojsha Arsiq, kishte thënë për portalin Kossev se Fakulteti i Shkencave Teknike nuk funksionon në sistemin juridik të Kosovës dhe se nuk kishte mundësi t’i përgjigjej kërkesës në mënyrë institucionale, por se në lidhje me hapat e mëtejshëm “pret udhëzime”.  /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Ekspertja e Hollywood-it ligjëron para studentëve të studimeve të sigurisë në UBT

Published

on

By

Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT ka organizuar një ligjëratë tematike me një eksperte të industrisë së filmit në Hollywood, producente dhe skenariste, e njohur për kontributin e saj në realizimin e serialit të suksesshëm kriminal Mindhunter.

Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Kriminologji, nën udhëheqjen e profesorit Arian Kadriu, ku studentët patën mundësinë të ndërthurin njohuritë akademike me perspektivën praktike të analizës së krimit dhe profilizimit kriminal.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët prezantuan projektet e tyre grupore me temën “To Create a Monster”, përmes të cilave krijuan profile të vrasësve serialë, duke analizuar karakteristikat e tyre psikologjike dhe sjellore, motivet, arsyet dhe rrethanat që ndikojnë në formimin e personaliteteve kriminale.

Projektet u prezantuan para ekspertes, e cila ndau vlerësime dhe komente profesionale, duke u ofruar studentëve një perspektivë nga përvoja e saj në trajtimin e personazheve dhe ngjarjeve kriminale përmes skenaristikës dhe produksionit filmik.

Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të veçantë për studentët e Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT që të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej teorisë, të zhvillojnë aftësitë analitike dhe të kuptojnë më thellë mënyrën se si krimi, motivet dhe sjelljet kriminale trajtohen edhe në industrinë ndërkombëtare të filmit dhe televizionit.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave në Prizren, synonin marrjen e pasurisë prej 1 milion eurosh

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.K. për veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe ndaj të pandehurit A.K., i cili akuzohet për fajde në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, nga viti 2021 e tutje, i pandehuri E.K. ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., duke i dhënë para me kamata dukshëm jo proporcionale. Përmes kësaj skeme, vetëm në emër të kamatave, i pandehuri ka përfituar mbi 400,000 euro nga viktima.

Për më tepër, E.K. e ka detyruar viktimën të paguajë kamatat dhe të mos e denoncojë rastin në polici përmes kanosjeve serioze me vrasje ndaj tij dhe familjes së tij, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri të vazhdueshme.

Në pamundësi për të shlyer borxhin, në këtë marrëdhënie është përfshirë edhe viktima e dytë B.B., nga i cili të pandehurit E.K. dhe A.K. kanë kërkuar shumën prej 550,000 eurosh shkak të grumbullimit të kamatave.

Përpjekja për marrjen e pronave: I pandehuri i ka kërkuar viktimës t’i kalojë në pronësi lokale afariste dhe një shtëpi me vlerë prej rreth 1 milion eurosh për mbulimin e kamatave.

Arrestimi nga Policia: Më 11 mars 2026, gjatë kohës kur të pandehurit po shoqëronin viktimën te përmbaruesi privat dhe noteri për kalimin e pronave, Policia e Kosovës ka ndërhyrë përmes masave të veçanta hetimore dhe i ka arrestuar ata në vendngjarje.

Lidhur me rastin, Prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe për “Pastrim të parave”, ka ngrirë disa patundshmëri, si dhe ka propozuar konfiskimin e parave të gatshme, dy automjeteve dhe dokumenteve noteriale. Prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës shpalljen fajtore të të pandehurve dhe dënimin e tyre sipas ligjit. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

BE me udhëzime të reja për krizat: Familjet të sigurojnë rezerva ushqimore dhe ujë për të paktën 72 orë

Published

on

By

Komisioni Evropian ka publikuar një sërë udhëzimesh të reja për qytetarët e Bashkimit Evropian, duke u bërë thirrje që të përgatiten më mirë për situata emergjente dhe fatkeqësi të ndryshme, si ndërprerjet e energjisë elektrike, sulmet kibernetike apo krizat e tjera të mundshme.

Udhëzimet u prezantuan në Forumin Evropian për Mbrojtjen Civile në Bruksel nga komisionerja evropiane për gatishmëri dhe menaxhimin e krizave, Hadja Lahbib, e cila theksoi se orët e para të një emergjence janë vendimtare për mbrojtjen e familjeve dhe komunitetit.

Sipas rekomandimeve kryesore, çdo familje duhet të sigurojë rezerva ushqimore, ujë dhe artikuj bazë për të paktën 72 orët e para të një krize, si dhe të ketë të përgatitur një çantë emergjente për evakuim të shpejtë.

  • Edukimi dhe mbrojtja: Rekomandohet përfshirja e edukimit për krizat në kopshte e shkolla me aktivitete të përshtatura për fëmijët, si dhe masa të veçanta për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara.
  • Dita Evropiane e Gatishmërisë: Është propozuar që 23 tetori – data e themelimit të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile në vitin 2001 – të shpallet Dita Evropiane e Gatishmërisë duke filluar nga viti 2027.
  • Testimet e mbrojtjes civile: Shteteve anëtare u kërkohet të zhvillojnë teste të rregullta gatishmërie dhe të garantojnë që qendrat kombëtare të mbrojtjes civile të funksionojnë 24 orë në ditë, edhe gjatë rënies së rrjeteve apo sulmeve kibernetike.

Strategjia mbështetet në raportin e ish-presidentit finlandez Sauli Niinistö, i cili bën thirrje për ndërtimin e një me këtë kulturë gatishmërie për shkak të fatkeqësive klimatike dhe kërcënimeve gjeopolitike në Evropë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Jobe Bellingham ftohet për herë të parë te Kombëtarja e Anglisë

Published

on

By

Mesfushori i ri i Borussia Dortmundit, Jobe Bellingham, ka marrë ftesën e tij të parë zyrtare nga kombëtarja e Anglisë për ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare.

Kjo ftesë shënon një moment të veçantë për familjen Bellingham, pasi 21-vjeçari do të ketë mundësinë të luajë krah për krah në një ekip me vëllain e tij të madh, yllin e Real Madridit, Jude Bellingham.

Ngritja e tij në nivelin më të lartë ndërkombëtar vjen si rezultat i paraqitjeve të tij të shkëlqyera në Bundesliga me klubin gjerman Borussia Dortmund. Pas hapave të parë te Birmingham City dhe shkëlqimit me Sunderlandin në Angli, Jobe ndoqi pikërisht rrugën e vëllait të tij duke u transferuar te Dortmundi, ku tashmë është konsoliduar si një nga mesfushorët më premtues. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara