Lajmet

REL: Çfarë e pret Kosovën ndërsa BE-ja nis heqjen e masave?

Published

on

Bashkimi Evropian ka njoftuar se në muajin janar do të nisë heqjen graduale të sanksioneve ndaj Kosovës. Sanksionet janë vendosur në verën e vitit 2023, pasi Prishtina zyrtare ka zbatuar rezultatet e zgjedhjeve të kontestuara në veriun e banuar me shumicë serbe, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli.

Ky hap mund t’i ringjallë shpresat evropiane të Kosovës, pasi 2026-ta mund të jetë viti kur aplikimi për anëtarësim në BE, i dorëzuar në fund të vitit 2022, do të shqyrtohet për herë të parë nga Komisioni Evropian.

Po ashtu, ekziston mundësia që dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Brukseli, të rifillojë pas një ndërprerjeje dyvjeçare.

Sanksionet kanë qenë të diskutueshme dhe pa precedent në raportet e BE-së me një vend aspirant për anëtarësim.

Ato nuk kanë qenë sanksione në kuptimin e plotë politik dhe procedural, ndaj në qarqet e Brukselit janë konsideruar më tepër si “masa”.

Sanksionet e BE-së duhet t’u paraqiten 27 shteteve anëtare përmes një akti formal ligjor dhe të miratohen njëzëri. Kjo ka ndodhur, për shembull, në vitin 2019, kur Brukseli ka ngrirë asetet dhe ka ndaluar vizat për individë nga Turqia – vend kandidat për anëtarësim në BE – për shkak të shpimeve të paautorizuara për gaz në Mesdheun Lindor.

Në rastin e Kosovës, një procedurë e tillë nuk është ndjekur. Në vend të saj, shefi i atëhershëm i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, u ka dërguar një letër shteteve anëtare, ku i ka përshkruar masat dhe u ka rekomanduar kryeqyteteve që t’i zbatojnë ato, ndonëse nuk ka pasur ndonjë detyrim formal.

Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerim – departament i BE-së që merret me vendet që synojnë anëtarësimin në bllok – e ka njoftuar më pas Kosovën për masat që do të ndërmerren kundër saj.

Këto masa kanë qenë kryesisht të natyrës së brendshme të BE-së; ato kanë përfshirë ngrirjen e fondeve për Kosovën nga buxheti i përbashkët i BE-së, pezullimin e vizitave të nivelit të lartë dhe mosmbajtjen e mbledhjeve të Këshillit të Stabilizim-Asociimit – mekanizmit kryesor politik të marrëdhënieve Bruksel-Prishtinë – deri në një njoftim të dytë.

Ndonëse për vendosjen e masave nuk ka pasur unanimitet formal të shteteve anëtare të BE-së, për heqjen e tyre është kërkuar.

Kur Borrell – në njërin nga veprimet e tij të fundit para largimit nga detyra në vitin 2024 – ka kërkuar heqjen e masave, nuk ka pasur konsensus dhe vendimi fillestar ka mbetur në fuqi.

Një dinamikë e re në favor të Kosovës është krijuar me nisjen e punës së përbërjes së re të Komisionit Evropian në fund të vitit 2024, kur disa diplomatë evropianë kanë vlerësuar se komisionari në largim për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili vinte nga Hungaria, ka pasur “një simpati të veçantë” për Serbinë dhe ka penguar çdo lëvizje reale në favor të Kosovës.

Më pas është paralajmëruar “heqja graduale” e masave, por nuk është shpjeguar qartë se cilat masa do të hiqeshin dhe në çfarë afati.

Gjatë vitit 2025, Kosovën e kanë vizituar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, duke hedhur poshtë idenë se ekzistonte ndalesa për vizita të nivelit të lartë.

Megjithatë, gjatë vitit të kaluar, asnjë politikan i lartë kosovar nuk ka realizuar ndonjë vizitë dypalëshe në Bruksel.

Një përparim i madh politik ka ndodhur pastaj në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, i cili është mbajtur në Bruksel, më 17 dhjetor. Atë ditë, von der Leyen ka njoftuar se masat ndaj Kosovës do të hiqen.

Ky vendim ka pasuar zgjedhjet lokale të tetorit në veri të Kosovës, të cilat Brukseli i ka vlerësuar si “të qeta dhe paqësore”, duke përmbysur kështu qasjen që ka ndërmarrë në vitin 2023.

Megjithatë, kjo nuk ka shënuar fundin e rrëfimit.

Para samitit, Franca, Hungaria, Italia, Sllovakia dhe Spanja kanë propozuar që heqja e masave të bëhej në dy faza.

Sipas këtij plani, gjysma e parave të ngrira, rreth 216 milionë euro, do të lëshohej menjëherë për Prishtinën, ndërsa gjysma tjetër, 205 milionë euro, do të shpërndahej pas zgjedhjeve parlamentare më 28 dhjetor.

Arsyeja ishte se lëshimi i menjëhershëm i të gjitha parave, do t’i jepte avantazh të madh politik kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gjatë fushatës zgjedhore.

Kushti i ri është vendosur nga pothuajse të njëjtat shtete që në vitin 2023 kanë luajtur rol kyç në shmangien e masave të ngjashme të BE-së ndaj Serbisë, pasi militantë serbë – me mbështetje të dyshuar nga Beogradi zyrtar – kanë sulmuar Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, duke lënë një oficer të vrarë.

Disa shtete të tjera anëtare të BE-së janë ankuar se vendet proserbe po nxisnin sërish veprime kundër Kosovës, por më pas kanë rënë dakord, duke dëshiruar të shmangnin një tjetër ngërç politik.

Në fund, Kurti ka rritur numrin e votave dhe BE-ja ka njoftuar menjëherë se gjysma e dytë e parave të ngrira do të lirohet në fillim të vitit 2026.

Problemi tani është se, edhe pse janë marrë vendimet politike për heqjen e të gjitha masave, puna teknike nuk ka filluar ende.

Granti i parë është “programuar”, që do të thotë se është caktuar për përfitues të ndryshëm në Kosovë, por paratë ende nuk janë transferuar.

Sipas zyrtarëve të BE-së, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, as hapi formal për të “programuar” grantin e dytë nuk është bërë akoma, edhe pse pritet të kryhet si formalitet gjatë janarit.

Pasi këto masa janë vendosur në mënyrë të paprecedentë në vitin 2023, në Bruksel është duke u diskutuar edhe për atë se çfarë duhet bërë teknikisht për t’i hequr ato.

Për shembull, a duhet që shtetet anëtare të BE-së të konsultohen sërish me shkrim apo përmes ndonjë grupi pune apo komiteti të Këshillit, apo Komisioni mund të vazhdojë pa marrë miratimin e tyre?

Ajo që dihet me siguri është se Komisioni Evropian dëshiron të rifillojë të angazhohet me Kosovën.

Pak njerëz në Bruksel besojnë se Kosova dhe Serbia do të jenë të gatshme të angazhohen së shpejti në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, por të dërguarit të Brukselit për këto bisedime, diplomatit danez, Peter Sorensen, së fundmi i është rinovuar mandati edhe për dy vjet.

Besohet se Kaja Kallas, e cila ende nuk ka ndërmjetësuar ndonjë rund dialogu në nivelin më të lartë politik, do të përpiqet të arrijë diçka në Ballkanin Perëndimor, pas një fillimi të vështirë që ka pasur si diplomate kryesore e BE-së.

Marrë parasysh se Brukseli është anashkaluar shpesh në çështje si: bisedimet për paqe për Ukrainën, lufta në Gazë dhe situata në Iran, zyrtarët e BE-së thonë me shaka se arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë “fryti më i lehtë” që mund ta arrijë blloku në këtë moment.

Ekziston gjithashtu mundësia që shtetet anëtare të BE-së të bien dakord për ta dërguar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE te Komisioni Evropian, në mënyrë që ekzekutivi i BE-së të vlerësojë nëse Prishtina mund të bashkohet me bllokun në të ardhmen.

Çekia, e cila ka pranuar aplikimin e Kosovës gjatë kryesimit të saj me BE-në më 2022, ka qenë vendi i fundit që ka bërë përpjekje reale për ta trajtuar këtë çështje.

Pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën – Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – kanë bllokuar çdo përparim dhe ua kanë bërë të qartë vendeve të tjera anëtare që kanë pasur presidencën e radhës, se nuk do ta trajtojnë këtë çështje.

Pritjet janë që gjërat të mos lëvizin gjatë gjysmës së parë të këtij viti, ndërsa ndryshime mund të ketë kur Irlanda ta marrë presidencën në muajin korrik.

Dublini e ka bërë të qartë se po punon për t’i përfunduar negociatat për anëtarësimin e Malit të Zi në BE deri në fund të vitit dhe se synon të afrojë edhe Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën me bllokun.

Me zgjerimin e BE-së si një nga prioritetet kryesore, Irlanda mund të nisë gjithashtu edhe një vlerësim për Kosovën.

Sipas thashethemeve në Bruksel, Spanja – shpesh më e vështira mes pesëshes që s’e njeh Kosovën – mund të lejojë që Komisioni ta bëjë një vlerësim, për aq kohë sa një gjë e tillë nuk i detyron shtetet anëtare ta diskutojnë menjëherë çështjen e njohjes së Kosovës./REL

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Aktualitet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

lajme

“Jo në emrin tim” para Ministrisë së Drejtësisë “Voto Ligjin”, kërkohet miratimi i ligjit për mbrojtjen e UÇK-së

Published

on

By

Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” kanë zhvilluar sot një aksion simbolik para Ministrisë së Drejtësisë, ku kanë vendosur një baner me mbishkrimin “Voto Ligjin”, duke kërkuar procedimin dhe miratimin e ligjit për mbrojtjen e UÇK-së.

Aktivisti Rron Kafegjolli deklaroi se qytetarët prej 17 ditësh po kërkojnë miratimin e këtij ligji, duke e cilësuar vonesën si të papranueshme.

Sipas Kafegjollit, bazuar në deklarimet e kryeministrit Albin Kurti, ligji po mbahet i bllokuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave.

“Ky nuk është një udhëzim çfarëdo që mund ta kaloni lart e poshtë nëpër zyra. Sepse bëhet fjalë për ligjin që mbron të vërtetën e UÇK-së dhe ne nuk do të lejojmë zvarritjen e tij”, u shpreh ai.

Kafegjolli kritikoi ministren Donika Gërvalla dhe ministrin Hekuran Murati, duke kërkuar nga institucionet që të veprojnë në përputhje me kërkesat e qytetarëve.

“Institucionet e këtij shteti nuk mund të mbeten peng i inateve apo bindjeve personale të ministres Gërvalla dhe ministrit Murati. Shteti nuk është pronë private e dikujt”, tha Kafegjolli.

Duke iu referuar afatit për zgjedhjen e presidentit, i cili skadon më 6 tetor, ai i bëri thirrje Qeverisë që të mos e zvarrisë më tej procesin e miratimit të ligjit.

“Qeveria duhet ta dijë se rinia po ju vëzhgon dhe 6 tetori po afron me shpejtësi. Mos e provokoni durimin tonë”, deklaroi ai.

Kafegjolli e përmbylli fjalimin duke i bërë thirrje Qeverisë që ta dëgjojë zërin e protestuesve dhe të veprojë lidhur me kërkesën për miratimin e ligjit.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim në UBT: Formimi profesional për liderët e së ardhmes

Published

on

By

Në një epokë ku media dhe komunikimi po transformohen me ritme të shpejta, profesionistët e së ardhmes kanë nevojë për njohuri të avancuara, mendim kritik dhe aftësi praktike.

Pikërisht për këtë, UBT ofron programin Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim, të konceptuar për të përgatitur profesionistë të aftë për të udhëhequr në sektorin e medias, komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun.

Programi Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim ndërthur në mënyrë strategjike shkencat sociale, teknologjinë e informacionit, gazetarinë, Marrëdhëniet me Publikun (PR) dhe krijimin e përmbajtjes digjitale.

Përmes kombinimit të njohurive teorike me përvojën praktike dhe hulumtimin shkencor, studentët zhvillojnë kompetenca të avancuara për t’u përballur me kërkesat e tregut modern të punës, si në Kosovë ashtu edhe në tregun global.

Një rëndësi e veçantë i kushtohet etikës profesionale, mendimit kritik dhe aftësisë për të analizuar, interpretuar dhe menaxhuar komunikimin dhe imazhin e institucioneve dhe organizatave.

Kjo e bën programin një mundësi të përshtatshme për të gjithë ata që synojnë të avancojnë profesionalisht në media, gazetari, komunikim strategjik, PR, marketing dhe përmbajtje digjitale.

Përveç mundësisë për të ndjekur një program Master të orientuar drejt zhvillimit profesional, UBT ofron edhe një mbështetje të rëndësishme financiare për studentët. Përmes bursës Engaged Scholarship, studentet që janë pjesë e kësaj fushe përfitojnë 20% zbritje në tarifën e studimeve gjatë gjithë periudhës së programit Master.

Kjo bursë përfaqëson një mundësi konkrete për studentët që duan të investojnë në arsimimin e tyre të avancuar, duke pasur njëkohësisht mbështetje financiare gjatë gjithë rrugëtimit akademik.

Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim në UBT është një mundësi për të zgjeruar njohuritë, për të zhvilluar kompetenca profesionale dhe për të ndërtuar bazat e një karriere të suksesshme në një sektor që ndryshon vazhdimisht.

Apliko në programin Gjuhë, Media dhe Komunikim -Master dhe përfito 20% bursë përmes Engaged Scholarship.

Continue Reading

Të kërkuara