Lajmet nga UBT

Rektori i UBT-së uron qytetarët për Festën e Kurban Bajramit

Publikuar

Me rastin e Festës së Kurban Bajramit, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka uruar besimtarët e fesë islame, duke u dëshiruar harmoni, respekt të ndërsjellët dhe solidaritet.

“Në emër të UBT-së dhe timin personal, gjithë besimtarëve myslimanë, ju uroj Kurban Bajramin, këtë festë të mirëkuptimit, harmonisë në familje dhe solidaritetit ndërmjet njerëzve. Uroj që Kurban Bajramin ta festoni me familjet tuaja në lumturi dhe shëndet. Le të shërbejë kjo festë si mesazh i paqes, lirisë dhe përpjekjes së përbashkët në realizimin e synimeve tona”, thuhet mes tjerash në urimin e Rektorit Hajrizi.

Kulturë, Lifestyle

Gazetarët që dokumentuan historinë e Kosovës: Ferid Selimi, Safet Zejnullahu dhe Musa Sabedini vlerësohen për kontributin në gazetari në kohën e okupimit

Publikuar

nga

Në një ceremoni solemne të organizuar në Prishtinë për të nderuar 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka ndarë mirënjohje të veçanta për më shumë se 400 profesionistë të medias nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si dhe për gazetarë ndërkombëtarë të cilët kontribuan në raportimin nga Kosova gjatë periudhës së okupimit dhe luftës në vitet 1998-1999.

Mirënjohjet u ndanë për të njohur dhe vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të këtyre individëve në rrugën drejt lirisë së shtypit dhe të informimit gjatë kohës kur Kosova përballej me sfidat më të mëdha historike. Çdo mirënjohje u shoqërua me fjalë falenderimi dhe përshëndetje për të gjithë ata që me profesionalizmin dhe vendosmërinë e tyre, kontribuan në dokumentimin dhe shpërndarjen e lajmeve në një kohë të vështirë për vendin.

Ferid Selimi, dekan i Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, u nderua me një nga mirënjohjet për kontributin e tij në fushën e gazetarisë gjatë kësaj periudhe të vështirë. Ai ka shprehur emocionin e tij për këtë vlerësim dhe ka falënderuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës për vlerësimin dhe për njohjen e punës së tij dhe të të gjithë atyre që bashkëpunuan me të.

“Ishte fund korriku a fillim gushti i vitit 1983, (asokohe, unë 20 vjeçar) kur së bashku me Qani Mehmedin (Redaktor i atëhershëm në revistën javore “Zëri i Rinisë”, Qaniu tashmë i ndjerë) zhvilluam intervistën e parë me Nerimane Kamberin (aso kohe 16 vjeçare) që sapo kishte botuar romanin e saj të parë në gjuhën frënge në Belgjikë. Për kohën ishte sensacion, sepse Nerimanja 16 vjeçare ishte bërë autorja më e re shqiptare që kishte botuar roman.  Intervista me titull: “Vasha e ambicieve të mëdha” u botua në Zëri i Rinisë. Ishte ky shkrimi i parë imi më serioz në gazetari, e që më hapi udhë për gazetar.  Pas 41 viteve angazhim në gazetari, në fillim si ndjekës dhe shkrues i ngjarjeve, e më pas edhe në edukimin e brezave të rinj, në vitin 2024, AGK më ndan Mirënjohje me motivin: “Për kontribut të jashtëzakonshëm në gazetari dhe media, në rrethana të okupimit, para dhe gjatë luftës në Kosovë 1998-99” Faleminderit!”, shkruan Selimi.

Safet Zejnullahu, ligjërues në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT, është një nga ata gazetarë që kontribuoi gjatë periudhës së okupimit dhe luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Ai është nderuar me çmimin për “kontributin e jashtëzakonshëm në gazetari dhe media, në rrethana të okupimit, para dhe gjatë luftës në Kosovë”.

Përveç kontributit në fushën e gazetarisë, Zejnullahu vlerëson dhe përmend me respekt dhe mirënjohje kolegët dhe udhëheqësit e tjerë të QIK-ut dhe të zyrave të Kosovës nëpër botë, që ndihmuan në shpërndarjen e lajmeve dhe mundën terrin informativ.

“1990-1999 – koha kur gazetarët shqiptarë e fituan betejën e tyre kundër Serbisë. Më erdhi sot mirënjohja nga AGK për kontribut në gazetarinë e Kosovës në rrethana okupimi, aparteidi e lufte.  Faleminderit AGK! Kontributin më të madh në këtë periudhë (edhe jetësor, sepse nuk besoj se do ta kaloj asnjëherë atë angazhim, përkushtim e, mbi të gjitha, sukses e arritje kulmore si media) e kam dhënë në Qendrën për Informim të Kosovës (QIK). Bashkë me kolegët e medieve të tjera, atyre vendore e atyre ndërkombëtare, e mundëm terrin informative të imponuar nga Serbia. Një luftë e fituar edhe në fushën e medias, një detyrë e kryer me nder nga të gjitha gazetarët”, shkruan Zejnullahu.

Zejnullahu duke falënderuar AGK-në, kujton edhe bashkëpunëtorët e asaj kohe të cilëve me emër e mbiemër ia rikujtoi dhe vlerësoi kontributin.

“Ndjej për borxh (për gjeneratat e reja) të sjell këtu emrat e të gjithë atyre që dhanë kontribut në QIK: Nismëtarët: Ibrahim Berisha, Mehmet Kraja, Avni Spahiu, Lindita Aliu. Ekipi që barti barrën më të madhe në kohën më të vështirë: Enver Maloku, Xhemail Mustafa, Sabedin Haliti, Muhamet Hamiti, Skender Hyseni, Hilmi Zogiani, Shefki Ukaj, Bajram Mjeku, Safet Zejnullahu, Vjosa Sadriu, Refki Morina, Nazim Lleshi, Ibrahim Gashi, Ramadan Muçolli, Sanije Berisha, Fatmir Hadri, Adnan Ruhani, Remzi Ademi, Edmond Hajrullaaga, Mujë Ferati, Behram Krasniqi, Ismet Berisha”, shkruan ligjëruesi Zejnullahu në rrjetin e tij social në Facebook. Pa harruar asnjëherë kontributin e udhëheqësve dhe personelit të zyrave të Kosovës anekënd globit, të cilët i shpërndanë lajmet tona (në shqip, anglisht, gjermanisht e frëngjisht). Kontribut i veçantë: të gjithë kryetarët e Komisioneve për Informim nëpër të gjitha vendbanimet e Kosovës. Pa ta, informatat nuk do të arrinin me kohë dhe do të duhej kohë për t’i verifikuar. Shënim: Le të mos harrojmë se, në krye me Enver Malokun, QIK-u nxori gazetën e parë të mbrëmjes në Kosovë”, shkruan Zejnullahu.

Musa Sabedini, ligjërues në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT, u nderua po ashtu me çmimin për “kontributin e jashtëzakonshëm në gazetari dhe media, në rrethana të okupimit, para dhe gjatë luftës në Kosovë”. Sabedini shprehet se ky vlerësim i jep vlerë dhe kuptim punës sfiduese të të bërit gazetari në Kosovë.

“Kjo është një mirënjohje e dhënë nga AGPK-ja, një falënderim nga zemra. Realisht ditën kur janë ndarë mirënjohjet isha në Tiranë dhe nuk kisha mundësi të isha prezent edhe pse realisht nuk më kanë informuar që do të marrë mirënjohje. Megjithatë pas katër çmimeve të fituara për gazetari hulumtuese dhe shumë mirënjohje e shpërblime tjera, që ndërlidhën me punën time profesionale në gazetari, edhe kjo mirënjohje i jep vlerë dhe kuptim punës sonë shumë sfiduese, e të dobishme për shoqërinë dhe vet ngritjen e cilësisë, në të bërit gazetari në Kosovë”, shkruan Sabedini në rrjetin e tij social.

Në këtë ceremoni, me mirënjohje u nderuan mbi 400 gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, si dhe ata ndërkombëtarë që kanë raportuar në atë kohë nga Kosova./UBTNews/

D.E

Vazhdo të lexosh

Lajmet nga UBT

UBT vazhdon të zgjerojë bashkëpunimin me bashkitë e Shqipërisë, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi edhe me Bashkinë e Kukësit

Publikuar

nga

UBT ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë e Kukësit. Kjo marrëveshje siguron programe të përbashkëta bashkëpunimi në zhvillimin dhe implementimin e programeve për zhvillim ekonomik, urban dhe industrial të Bashkisë Kukës dhe aktiviteteve të tjera në interes të përbashkët.

Bashkëpunimi mes UBT-së dhe Bashkisë së Kukësit parasheh zhvillimin e qëndrueshëm lokal duke përpiluar strategji, plane dhe projekte zhvillimore, urbane dhe sektorë të ndryshëm të jetës, përkrahjen e të rinjve në ngritjen e kapaciteteve profesionale, në punësim, ndërmarrësi dhe aktivitete të tjera inovative, organizimin e përbashkët të eventeve me interes për komunitetin, përgatitjen dhe pjesëmarrjen e përbashkët në projekte zhvillimore në kontekst lokal, rajonal, evropian dhe ndërkombëtar.

Kjo marrëveshje përforcon përpjekjet e UBT-së për të kontribuar në zhvillimin e komuniteteve lokale dhe për të krijuar mundësi të reja për të rinjtë dhe profesionistët në rajonin e Kukësit.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Kryetari i Bashkisë së Portos, Rui Moreira, nderohet nga UBT me çmimin “Leadership Excellence Award”

Publikuar

nga

Në një ceremoni të mbajtur me rastin e ndarjes së Çmimit Tradicional të UBT-së “Leadership Excellence Award”, kryetari i Bashkisë së Portos, Rui Moreira, u nderua për kontributin e tij të shquar në zhvillimin dhe udhëheqjen e qytetit të Portos.

Vendimi për të ndarë këtë çmim u mor nën patronatin e Presidentit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dhe u bë i ditur nga Këshilli Akademik i Universitetit.

Rektori Hajrizi u përqendrua në rëndësinë e roli të liderëve në përmirësimin e jetës shoqërore dhe zhvillimin e komuniteteve gjatë një deklarate të tij të fundit. Ai vlerësoi kontributin themelor të kryetarit Rui Moreira në avancimin dhe transformimin e qytetit të Portos, duke e cilësuar atë si një model frymëzimi për liderët e tjerë në Evropë dhe më gjerë.

Hajrizi theksoi se kryetari Moreira ka shërbyer si një shembull i mirë për të treguar se si një lider mund të ndikojë në zhvillimin e qytetit dhe të kontribuojë në rritjen e cilësisë së jetës për banorët e tij. Ai gjithashtu e përshkroi kryetarin si një person frymëzues për të tjerët, duke inkurajuar liderët e tjerë të marrin masa dhe të promovojnë inovacionin dhe përparimin në komunitetet e tyre.

Në këtë kontekst, rektori Hajrizi theksoi se bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave me liderë të suksesshëm si Rui Moreira ka qenë një nga elementët kyç për suksesin dhe avancimin e UBT-së si një universiteti i inovacionit dhe arsimit të lartë në Kosovë dhe rajon.

Në anën tjetër, kryetari Rui Moreira, duke pranuar këtë çmim të lartë, shprehu mirënjohjen e tij për njohjen e dhënë dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve akademike dhe autoriteteve lokale.

Rui Moreira theksoi se UBT është një institucion i arsimit të lartë që ndihmon në promovimin e një shoqërie të bazuar në dije dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor për të krijuar prosperitet dhe cilësi të jetës për popullatën. Ai vlerësoi rolin e UBT-së si një nga institucionet më inovative jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajonin e gjerë.

UBT, sipas kryetarit Moreira, është një universitet prestigjioz që ka një rol kyç në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe në zhvillimin e një mjedisi të përshtatshëm për rritjen e aftësive akademike dhe profesionale të studentëve të saj. Ky institucion është konsideruar si një shembull i suksesshëm për inovacionin dhe përparimin e arsimit të lartë në rajon.

“UBT është padyshim një nga institucionet më inovative të arsimit të lartë, jo vetëm në Kosovë por në rajon. Është një universitet prestigjioz me rëndësi qendrore për rajonin, domethënë për promovimin e një shoqërie të bazuar në njohuri dhe trajnimin e kapitalit njerëzor të aftë për të gjeneruar prosperitet, qëndrueshmëri dhe cilësi të jetës për popullatën”, u shpreh Moreira, kryetari i Portos.

Ky akt nderi tregon për respektin dhe vlerësimin e shfaqur ndaj kontributit të kryetarit Moreira në përmirësimin e jetës urbane dhe si model tek qytetarët për zhvillim të qëndrueshëm dhe frymëzim të tjerëve në fushën e udhëheqjes./UBTNews/

 

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Forumi Ekonomik Kosovë – Portugali në UBT: Vizioni për inovacion dhe zhvillim ekonomik  

Publikuar

nga

Forumi Ekonomik Kosovë – Portugali me temë “Roli i arsimit në rritjen dhe zhvillimin ekonomik”, u mbajt më 20 qershor në Kampusin Inovativ të UBT-së në Lipjan. Ky forum mblodhi figura të shquara nga fusha e arsimit dhe zhvillimit ekonomik, të cilët diskutuan mbi rëndësinë e arsimit në promovimin e rritjes dhe zhvillimit ekonomik.

Folësit kryesorë ishin Elvira Fortunato, Prorektore e Universitetit NOVA, Edmond Hajrizi, Rektor i UBT-së, Rodrigo Martins, President i Akademisë Evropiane të Shkencave, Nelson Fernandes, Komisioner nga Dhoma Ekonomike Evropiane EEIGCham dhe Rui Vinhas da Silva, Drejtor për Zgjerimin Global, Studime Ekzekutive ISCTE.

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, foli për rëndësinë e inteligjencës artificiale në përdorimin e njohurive ekzistuese dhe nevojën për të vazhduar kërkimet dhe testet në fusha të ndryshme për të përparuar teknologjinë. Ai theksoi se teknologjia është e domosdoshme për të përshpejtuar proceset dhe për të rritur volumet, por theksoi gjithashtu se arsimimi dhe kompetenca e njerëzve janë kyçe për rritje dhe zhvillim.

Rektori Hajrizi gjithashtu foli për rëndësinë e revolucioneve konvergjente, ku bashkimi i njohurive ekzistuese krijon njohuri të reja, dhe për rolin e uljes së kostos së teknologjisë në nxitjen e kreativitetit dhe përfshirjen e vendeve të vogla në zhvillimin global. Hajrizi thekson gjithashtu rëndësinë e sistemit dhe kompleksitetit të ri në zhvillim, e që sipas tij kjo nuk mund të ndodh nëse nuk i çojmë përpara gjërat.

“Zhvillimi nuk mund të ndodhë nëse nuk i çojmë përpara gjërat. Niveli i përparimeve ka nevojë për sisteme të reja dhe kompleksitet të ri, dhe kjo është diçka me të cilën duhet të merremi. Nuk është e lehtë. Njerëzit sot po jetojnë më mirë dhe nuk duan të punojnë në punë fizike. Kjo është një sfidë. Jetojmë më mirë, duam të rritemi dhe të kemi një cilësi më të mirë jete, por ndonjëherë kemi ende nevoja bazë që duhen përmbushur. Ky është një kompleks interesant për t’u zgjidhur dhe për të gjetur se si do ta bëjmë këtë”, theksoi rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi.

Elvira Fortunato, Prorektore e Universitetit NOVA, theksoi se mentaliteti dhe pjesa e problemit qëndrojnë brenda nesh, jo brenda industrive apo shoqërive. Ajo nënvizoi nevojën që universitetet dhe institucionet politeknike të angazhohen më shumë me botën reale dhe të lënë pas kulla e fildishtë. Një pjesë e madhe e problemit, sipas saj, është mungesa e komunikimit efektiv.

“Sigurisht, jemi këtu për të zgjidhur problemet. Për shembull, kemi një problem të madh sepse nuk komunikojmë siç duhet. Ne thjesht informojmë. Problemi është se jemi të dobët në komunikim. Në dy vitet e fundit, në funksionin tim të mëparshëm, kam pasur privilegjin të udhëtoj shumë, për shembull, në Portugali. Kam zbuluar shumë gjëra të reja, shumë kompani të reja dhe startup-e. Këto gjëra nuk janë të njohura. Duhet të diskutojmë më shumë dhe të promovojmë këto ambiente, jo vetëm brenda universiteteve, por edhe brenda rajoneve dhe komuniteteve. Duhet të jemi më të angazhuar dhe të përfshirë. Ky është mesazhi im kryesor”, u shpreh Fortunato.

Rodrigo Martins, President i Akademisë Evropiane të Shkencave, vuri në dukje se për të realizuar çdo projekt, nevojiten fonde. Ai është krenar për kontributin e tij në hartimin e strategjive që lejojnë universitetet të angazhohen në mësim dhe kongrese. Ndërsa strategjitë dhe kurset tradicionale janë të rëndësishme, kreativiteti dhe inovacioni shpesh mungojnë dhe kërkojnë rrjetëzim.

“Ideja është të identifikohen fushat strategjike dhe të krijohen rrjete bashkëpunimi. Ky është një pilot-projekt dhe është i hapur tani për të aplikuar. Mendoj se Kosova mund të përfitojë nga kjo. Qëllimi nuk është të jemi të izoluar, por të krijojmë rrjete në katër fusha që Europa i konsideron kritike: ndërtimi, lëvizshmëria, energjia dhe elektronika. Këto fusha janë të rëndësishme për zhvillimin dhe përmirësimin e teknologjisë. Projekti është i hapur për aplikime dhe mund të gjeni strategjitë dhe mundësitë e rrjetëzimit në fushën e materialeve të avancuara. Qëllimi nuk është të jemi të izoluar, por të përziejmë dhe të zhvillojmë bashkëpunime efektive, duke respektuar fondet dhe duke u përqendruar në krijimin e vlerës”, vlerësoi Martins.

Në fund të Forumit Ekonomik Kosovë – Portugali mbi temën “Roli i arsimit në rritjen dhe zhvillimin ekonomik”, u zhvillua një sesion i pyetjeve dhe përgjigjeve me pjesëmarrësit.

Diskutimet u përqendruan në çështje të ndryshme si: “Roli i inteligjencës artificiale në arsim dhe zhvillim ekonomik, Nevoja për bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve akademike dhe sektorit privat, Rrjetëzimi dhe inovacioni në fushën e materialeve të avancuara dhe teknologjisë. Mënyrat për të përmirësuar komunikimin dhe përfshirjen e komunitetit në inovacione dhe startup-e”.

Pyetjet dhe diskutimet ofruan një platformë për të theksuar sfidat dhe mundësitë për të ardhmen e arsimit dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë dhe më gjerë./UBTNews/

DIONESA EBIBI

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara