Për herë të parë, Kosova mirëpret një nga ngjarjet e rëndësishme të komunitetit evropian të cilësisë, duke e vendosur Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në qendër të takimit të rëndësishëm ndërkombëtar të ekspertizës, inovacionit dhe vizionit për të ardhmen.
Me hapjen zyrtare të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi, UBT shënon një moment të rëndësishëm për Kosovën dhe bashkëpunimin e saj evropian.
Hapjen e kërtij Kongresi, Presidenti dhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, njëherësh president i Quality Kosova dhe Zëvendëspresident i Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), i cili vlerësoi se cilësia në epokën moderne duhet të tejkalojë konceptin tradicional të standardeve dhe certifikimeve, duke u shndërruar në një forcë strategjike për zhvillim, inovacion dhe transformim shoqëror.
“Cilësia nuk mund të kuptohet më vetëm si përputhje me standardet, procedurat ose kërkesat e certifikimit. Cilësia duhet të bëhet një kapacitet strategjik për më tepër, cilësia duhet të mbetet thellësisht e lidhur me vlerat njerëzore, sepse përparimi teknologjik pa besim është i brishtë, dhe inovacioni pa përgjegjësi është i paplotë”, theksoi Rektori Hajrizi.
Duke u ndalur te rëndësia historike e këtij organizimi për Kosovën dhe UBT-në, Rektori Hajrizi vuri në pah se pritja e Kongresit të EOQ-së për herë të parë në Kosovë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve me komunitetin evropian dhe ndërkombëtar të cilësisë, si dhe një mundësi për prezantimin e potencialit të vendit në arenën ndërkombëtare.
“Për Kosovën, pritja e Kongresit të EOQ-së për herë të parë është veçanërisht domethënëse. Ajo përfaqëson një mundësi për të lidhur institucionet, profesionistët dhe të rinjtë tanë më ngushtë me komunitetin evropian dhe ndërkombëtar të cilësisë, duke paraqitur një Kosovë ambicioze, të hapur nga jashtë dhe të përkushtuar ndaj inovacionit dhe bashkëpunimit evropian”, u shpreh Rektori Hajrizi.
Në këtë frymë, kongresi shërben si një platformë e rëndësishme për bashkimin e ekspertizës akademike, përvojës profesionale dhe vizionit institucional, duke krijuar hapësira të reja për bashkëpunim, shkëmbim të praktikave më të mira dhe avancim të standardeve të cilësisë në Kosovë dhe më gjerë.

Në hapjen zyrtare të kongresit mori fjalën edhe Presidenti i EOQ, Prof. Dr. Paulo Sampaio, i cili e vendosi këtë ngjarje në kontekstin e 70-vjetorit të EOQ-së, duke theksuar se ky përvjetor shënon jo vetëm një histori të gjatë të udhëheqjes në fushën e cilësisë, por edhe një thirrje për angazhim të përbashkët drejt së ardhmes.
“Është kënaqësi t’ju bashkohem ketu, në 70-vjetorin e Organizatës Evropiane për Cilësi dhe të uroj organizatën, si dhe UBT për bashkimin tonë në këtë ngjarje të përshtatshme dhe të rëndësishme. Ky përvjetor është një kremtim i shtatë dekadave të udhëheqjes në cilësi, por është gjithashtu një thirrje për veprim për Evropën dhe për Kosovën”, theksoi Prof. Dr. Paulo Sampaio.
Duke folur për rolin e njerëzve në zhvillimin e organizatave dhe në krijimin e vlerave të qëndrueshme, presidenti i EOQ-së nënvizoi se suksesi nuk mund të ndërtohet vetëm mbi strategji dhe plane, por mbi marrëdhënie të forta, besim dhe angazhim të përbashkët.
“Pasuria më e madhe e organizatës është te njerëzit e saj, te anëtarët e saj. Asnjë strategji nuk mund të zbatohet pa njerëz, dhe asnjë organizatë nuk mund të krijojë vlerë afatgjatë pa marrëdhënie”, u shpreh Sampaio.
Ai theksoi gjithashtu se e ardhmja e organizatave dhe e institucioneve varet nga aftësia për të bashkëpunuar dhe për të ndërtuar një vizion të përbashkët.
“E ardhmja nuk do të përcaktohet nga ajo që mund të arrijë një president, një bord apo një organizatë e vetme, por nga ajo që mund të arrihet bashkërisht përmes besimit dhe qëllimit të përbashkët”, deklaroi presidenti i EOQ-së.



Lajmi në përditësim