Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka mirëpritur në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, të parin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Në këtë takim, rektori Hajrizi së bashku me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, kanë diskutuar për mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të mëtutjeshëm të dy institucioneve, në sfera të ndryshme të jetës me interes për të dyja palët.
Rektori Hajrizi ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Komunën e Gjilanit me të gjitha resurset që ka në dispozicion UBT, për të zhvilluar edhe më tutje në sferat ku ka nevojë qyteti i Gjilanit.
Me këtë rast, rektori Hajrizi ka thënë se si UBT janë shumë të interesuar për të krijuar konceptin e zhvillimit regjional me një qasje inovative të quajtur “Place based Innovation Ecosystem”.
“Jemi shumë të lumtur që kemi një lidership të hapur të qeverisjes lokale, në këtë rast me Gjilanin që të vazhdojmë bashkëpunimin dhe të kemi mundësi të krijojmë projekte konkrete. Natyrisht koncepti jonë është përkrahja në kapacitete, qoftë testuese, simuluese, analiza, edhe në përkrahje intelektuale dhe të ekspertizës, ku vendimmarrja të jetë më e shpejtë, më e lehtë, më e qartë dhe më e matshme tek problemet komplekse”, ka thënë rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se komuna që ai drejton është duke e vazhduar bashkëpunimin me UBT-në, përderisa ka shtjelluar edhe vizionin e tij për zhvillimin e Komunës së Gjilanit, ku kontribut do të jap edhe UBT.
“Ajo çfarë kemi kërkuar bashkëpunim konkret me UBT-në ka të bëj me zonën ekonomike dhe me pjesën e planifikimit dhe pjesën infrastrukturore. Sa i përket zonës ekonomike ne e kemi bërë një lloj identifikimi të parcelave, ndërkaq tash na mbetet që bashkë me stafin e UBT-së të bëjmë një lloj fizibiliteti, një lloj studimi për arsyeshmërinë, për pikat e forta që ka komuna jonë, për sferat dhe fushat e operimit të bizneseve, një lloj dizajnimi/modelimi të vet zonës ekonomike dhe një lloj qëndrueshmërie në kohë të saj, në mënyrë që të garantohet edhe zhvillimi ekonomik edhe zhvillimi i bizneseve, por në të njëjtën kohë këto dyja bashkë të ndikojnë drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve në Gjilan”, ka thënë i pari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
UBT dhe Komuna e Gjilanit vazhdojnë të bashkëpunojnë në projekte të përbashkëta me interes të të dyja palëve, me theks në zhvillimin e Komunës së Gjilanit përmes resurseve që posedon UBT.
Në kuadër të lëndës Studio e Planifikimit Urban, studentët e vitit të dytë nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT kanë zhvilluar një vizitë studimore në lagjen Kalabria në Prishtinë, së bashku me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska.
Vizita në terren kishte për qëllim mbledhjen e të dhënave dhe vëzhgimin e drejtpërdrejtë të hapësirës urbane, si hap fillestar drejt analizës së gjendjes ekzistuese. Kjo analizë do të shërbejë si bazë për zhvillimin e detyrave semestrale të studentëve në këtë lëndë.
Përmes kësaj përvoje praktike, studentët patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre duke lidhur aspektet teorike me realitetin urban, si dhe të zhvillojnë një qasje kritike ndaj organizimit dhe funksionimit të hapësirës në qytet.
Vizita u realizua në bashkëpunim me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska dhe asistentët Gazmend Uka dhe Agnesa Thaqi, të cilët udhëhoqën studentët gjatë procesit të vëzhgimit dhe analizës në terren.
Misioni i Fakultetit të Turizmit në UBT është përqendruar në aplikimin e përsosmërisë në mësimdhënie dhe kërkime shkencore, duke krijuar një mjedis gjithëpërfshirës ku studenti është në qendër të vëmendjes për t’u përgatitur si udhëheqës i ardhshëm në biznes, shërbime publike dhe industri.
Ky program studimi ofron njohuritë më të avancuara në të gjitha dimensionet e turizmit, duke ndërthurur ekspertizën ndërkombëtare me nevojat e tregut lokal për të rritur bashkëpunimin midis studentëve, stafit akademik dhe komunitetit.
UBT, gjithashtu ka marrëveshje bashkëpunimi për Diplomë të Dyfishtë (Double Degree) me IMC Krems – University of Applied Sciences në Austri, një nga modelet më të suksesshme evropiane në arsimin për turizëm.
Përmes një natyre të fokusuar aplikative, programi synon formimin e specialistëve të mirëfilltë të cilët pajisen me aftësi të thelluara zbatuese për të garantuar një karrierë të suksesshme profesionale në një mjedis ekonomik gjithnjë e më kompleks.
Gjatë rrugëtimit akademik, studentët zhvillojnë kuptim kritik mbi teoritë ekonomike, mësojnë të përdorin teknologjinë e informacionit në dizajnimin e organizatave turistike dhe fitojnë aftësi inovative për zgjidhjen e problemeve të paparashikuara në këtë fushë.
Një nga pikat më të forta të këtij programi është lidhja e ngushtë me sektorin e industrisë, përfshirë hotelierinë, gastronominë dhe agjencitë turistike, çka siguron që kurrikula t’u përgjigjet plotësisht nevojave reale të tregut të punës.
Studentët përgatiten të menaxhojnë projekte komplekse, të kuptojnë pozicionin financiar të bizneseve turistike dhe të zbatojnë procedurat e menaxhimit të rreziqeve në operacionet e përditshme.
Për të mbështetur zhvillimin e gjeneratave të reja, UBT ofron mundësi të shkëlqyera financiare, duke përfshirë një bursë prej 20% për tre vitet e studimit për studentët e rinj që regjistrohen në këtë fakultet.
Kjo mbështetje, e kombinuar me transferimin e njohurive dhe nxitjen e krijimtarisë, bën që të diplomuarit në Turizëm të jenë të gatshëm të marrin role udhëheqëse dhe të kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin arsimor, kulturor dhe ekonomik të vendit dhe rajonit.
Aplikimet e hershme kanë filluar, këtu gjeni linkun për me shumë informata.
Fakulteti i Inxhinierisë së Mekatronikës në UBT vazhdon të dëshmojë qasjen e tij moderne dhe të orientuar drejt praktikës, duke organizuar aktivitete që i lidhin studentët drejtpërdrejt me industrinë dhe teknologjitë më të avancuara.
Në këtë kuadër, studentët e vitit të tretë realizuan një vizitë studimore në qendrën ITP në Prizren, të udhëhequr nga Prof. Ass. Dr. Betim Shabani dhe Ass. Ylli Rexhaj, MSc Cand., ku patën mundësinë të njihen nga afër me proceset më të reja të prodhimit dhe inovacionit teknologjik.
Gjatë vizitës, studentët u njohën në mënyrë të detajuar me teknologjinë e printimit 3D, duke ndjekur të gjithë ciklin e zhvillimit, nga skanimi dhe modelimi digjital i objekteve, deri te realizimi i tyre fizik dhe procesi i post-procesimit si fazë përfundimtare.
Kjo eksperiencë praktike përfaqëson një nga elementet kyçe të programit të Mekatronikës në UBT, i cili është i ndërtuar mbi ndërthurjen e teorisë me praktikën, duke përgatitur studentët për sfidat reale të industrisë moderne.
Përmes aktiviteteve të tilla, UBT synon të zhvillojë te studentët aftësi konkrete profesionale, mendim inovativ dhe gatishmëri për tregun e punës, duke e bërë programin e Mekatronikës një nga drejtimet më atraktive dhe të kërkuara për të rinjtë që synojnë të ndërtojnë karrierë në teknologji, automatizim dhe industri të avancuara.
Vizita në ITP Prizren është vetëm një nga shumë aktivitetet praktike që organizohen në kuadër të këtij programi, duke e pozicionuar UBT-në si një institucion lider në përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes në fushën e mekatronikës dhe teknologjisë.
Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe ndërgjegjësuese, studentet e programit master në psikologji, Shqipe Shala dhe Drenusha Krasniqi, mbajtën një ligjëratë tematike mbi çrregullimin e spektrit të autizmit.
Ligjërata u fokusua në prezantimin e koncepteve bazë mbi autizmin, duke përfshirë karakteristikat kryesore, shenjat e hershme të identifikimit dhe sfidat që shoqërojnë këtë çrregullim në aspektin e zhvillimit dhe ndërveprimit social. Një rëndësi e veçantë iu kushtua ndërhyrjes së hershme dhe rolit të saj në përmirësimin e cilësisë së jetës për personat në spektrin e autizmit.
Gjatë prezantimit u trajtuan gjithashtu aspektet praktike të mbështetjes, duke përfshirë qasjet bashkëkohore në punën me fëmijët me autizëm, si dhe roli i familjes, institucioneve arsimore dhe profesionistëve në krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës.
Ky aktivitet synoi të kontribuojë në rritjen e vetëdijes dhe njohurive profesionale mbi autizmin, si dhe të nxisë një qasje më të ndjeshme dhe mbështetëse ndaj personave me këtë çrregullim në shoqëri.
Ligjërata u vlerësua pozitivisht nga pjesëmarrësit, duke reflektuar interesin dhe rëndësinë e trajtimit të temave të tilla në kuadër të formimit akademik dhe profesional.