Lajmet

Rektori Hajrizi nderohet me mirënjohje si personalitet i shquar nga Universiteti i Korçës

Mirënjohja i është ndarë si personalitet i shquar shqiptar në fushën e arsimit.

Published

on


Rektori i UBT-së, prof.dr.Edmond Hajrizi, është nderuar me mirënjohje nga Universiteti i Korçës “Fan S. Noli” në 50 vjetorin e themelimit të këtij institucioni.
Në një ceremoni solemne të shënimit të këtij përvjetori jubilar, të mbajtur në Korçë, në praninë e drejtuesve më të lartë të shkencës dhe arsimit në Shqipëri, të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Bashkisë së Korçës, rektori i Universitetit “Fan S.Noli”, prof.dr. Dhimiri Bello, i ka ndarë rektorit të UBT-së, prof.dr.Edmond Hajrizi, mirënjohje për arritjet e tij dhe të institucionit që drejton.
Mirënjohja i është ndarë si personalitet i shquar shqiptar në fushën e arsimit dhe si drejtus mendjehapur i UBT-së.
“Personalitet i shquar në hapësirën shqiptare dhe europiane të arsimit të lartë, drejtues mendjehapur i UBT-së, që është një shembull i madh për mësimdhënien bashkëkohore dhe infrastrukturën modern, duke realizuar projekte konkrete të teknologjisë së informacionit me nxënës dhe studentë në qytetin e Korçës dhe në Universitetin “Fan S. Noli”. Me rastin e 50 vjetorit të krijimit të Universitetit “Fan S. Noli”, në shenjë mirënjohje nga drejtuesit, stafi akademik dhe studentët për ndihmesat e vyera që i ka dhënë këtij institucioni”, thuhet në motivacionin e mërënjohjes.
Rektori Hajrizi ka falënderuar drejtuesit e Universitetit “Fan S.Noli” për vlerësimin duke zgjatur dorën e bashkëpunimit për projekte të përbashkëta në arsim dhe shkencë në mes të dy universiteteve dhe vendeve tona.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që jam sot këtu mes jush për të kremtuar bashkë 50 vjetorin e themelimit të Universitetit të Korçës, i cili mban me krenari emrin e atdhetarit me ndërgjegje të lartë qytetare e politike, patriotit e demokratit të shquar, udhëheqësit politik e kompozitorit, Fan S.Noli”, u shpreh Hajrizi.
“Sa herë vij në Korçë unë ndjehem si në shtëpinë time. Në fakt, ky qytet i bukur e me plot trashëgimi kulturore, prej më shumë se një viti është shndërruar në shtëpinë e dytë të UBT-së. Kjo pasi ne bashkë me Bashkinë e Korçës kemi hapur në bibliotekën “Thimi Mitko”, qendren më të madhe te teknologjisë dhe inovacionit – Korça Innovation and Technology Hub, rezultatet e para të së cilës janë shpresëdhënëse e shumë inkurajuese e motivuese për ne si institucion që brenda pak ditësh do të shënojmë po ashtu 20 vjetorin e themelimit”, shtoi ai .
Rektori Hajrizi tha se sot, si popuj e si shtete përballemi çdo ditë me sfida të pashembullta politike, të sigurisë, sfida të paimagjinueshme shëndetësore, krahas sfidave  sociale, ekonomike, mjedisore e teknologjike.
“Me gjithë arritjet teknologjike e shkencore, e arritjet e mëdha njerëzore ne shpeshherë nuk arrijmë që të parashikojmë atë se çfarë na pret, se çfarë mund të ndodhë me ne e përreth nesh. Por ajo që ne mund ta bëjmë me siguri të plotë është që të jemi të përgatitur për secilën sfidë. E ky është edhe roli i Universiteteve –  për të përgatitur kuadrot më të mira e profesionistët më të zot për secilën sfidë. Krahas edukimit, në kohën e sotme universitetet e kanë për detyrë që me ekspertizën e tyre akademike e shkencore të ofrojnë zgjidhje për problemet e shoqërisë”.
Tani, sips tij, është imperativ i kohës që secili universitet të kombinojë mësimdhënien dhe kërkimin në një mënyrë unike, për të ofruar zgjidhje të cilat avancojnë progresin shoqëror në tërësi.
“Krahas pasionit për punë e edukim, ne si bartës të universiteteve duhet të punojmë shumë në krijimin e strategjive të cilat na ndihmojnë e mundësojnë që të mos mbesim vetëm në rolin e ndërgjegjësuesit por që na shtyjnë edhe të veprojmë”.
Hajrizi tha se në kohën e sotme suksesi i universiteteve është vendimtar edhe për suksesin e shteteve.
“Në fjalimin e tij të rrallë në Asamblenë e Lidhjes së Kombëve, me 10 shtator 1924, Fan Noli është shprehur se ‘Paqja nuk do të vijë prej trakteve. Këto janë të destinuara të hidhen shpejt a vonë në shportë. Paqja do të vijë nga edukimi shkollor’. Ky duhet të jetë edhe synimi ynë. Për të avancuar si shoqëri përmes edukimit, për të forcuar shtetet tona përballë sidave që na vijnë, për të mbetur si shqiptarë ashtu siç na porositë Noli, citoj: ‘Ne jemi shqiptarë dhe e kemi për detyrë të mbetemi siç qemë prej kohe stoli e maleve të larta dhe të qiellit’.
Në vijim të vizitës në Korçë Hajrizi zhvilloi disa takime me përfaqësues të institucioneve lokale, pro edhe të universiteteve të ndryshme që morën pjesë në këtë ceremoni.

Lajmet

Ndalohet një person pas vdekjes së punëtorit në vendpunishten në Veternik

Published

on

Një punëtor ka humbur jetën pasi dyshohet se ka rënë nga lartësia gjatë punimeve në një objekt banesor në ndërtim në lagjen Veternik të Prishtinës.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, aksidenti ka ndodhur më 24 gusht, rreth orës 10:30. Viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe nuk ka mundur t’u mbijetojë atyre.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Policisë së Kosovës, Inspektorati i Punës, eksperti i sigurisë në vendin e punës, Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Drejtoria e Inspektimit e Komunës së Prishtinës.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë një person me inicialet Xh.Sh., nën dyshimin për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Në vendin e ngjarjes janë intervistuar edhe dëshmitarë okularë, ndërsa po vazhdon grumbullimi dhe administrimi i provave për të sqaruar rrethanat e aksidentit.

Prokurori i çështjes pritet të shqyrtojë, brenda afatit ligjor, mundësinë e kërkimit të ndonjërës prej masave të sigurisë ndaj të dyshuarit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Paralajmërohet grevë e punëtorëve teknikë të shkollave në Prishtinë më 1 shtator

Published

on

Punëtorët teknikë të shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Prishtinës kanë paralajmëruar grevë më 1 shtator 2026, nëse deri më 31 gusht nuk u paguhen pagat për punën e kryer gjatë muajit korrik.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.

Sipas njoftimit të sindikatës, punëtorëve ende nuk u është realizuar pagesa për punën e kryer në muajin korrik.

“Pas diskutimit, të gjithë kryetarët e shoqatave u dakorduan që, nëse pagat e punëtorëve nuk janë në llogaritë e tyre bankare deri më 31.08.2026, nga data 1 shtator 2026 do të fillojë grevë e punëtorëve teknikë në shkollat fillore dhe të mesme të Komunës së Prishtinës”, thuhet në njoftimin e sindikatës.

Sindikata ka theksuar se kërkesa e punëtorëve është e qartë: “Puna e kryer duhet të paguhet.”/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dua Lipa: “Ndihem në shtëpi kudo që është Callum”

Published

on

Dy muaj pas martesës me aktorin Callum Turner, Dua Lipa ka folur hapur për dashurinë, jetën e saj dhe kapitullin e ri personal, në një intervistë për Vogue Italia.

Në intervistën e publikuar më 24 gusht, këngëtarja tregon se dita e martesës ishte magjike dhe se ajo dhe Turner vendosën të ndiqnin vetëm dy këshilla: ta përjetonin ditën sikur të ishin edhe vetë të ftuar, me më pak ankth e më shumë argëtim, dhe të kërkonin vazhdimisht njëri-tjetrin mes të pranishmëve. Festimet u zhvilluan në Sicili, pas ceremonisë civile në Londër.

Dua Lipa ka treguar edhe për lidhjen e saj të veçantë me Italinë, ku thotë se gjen qetësi dhe mirëqenie. Për të, prania e bashkëshortit tashmë lidhet drejtpërdrejt me ndjenjën e shtëpisë.

“Ndihem në shtëpi kudo që është Callum”, është shprehur ajo.

Këngëtarja ka folur edhe për mënyrën se si ka ndryshuar këndvështrimi i saj ndaj dashurisë. Ndërsa në këngët e mëparshme shpesh trajtonte kërkimin e dashurisë, tash ajo dëshiron të eksplorojë se çfarë ndodh kur dashuria e vërtetë tashmë është gjetur.

“Tani dua të zbuloj çfarë ndodh kur e gjen vërtet dashurinë”, ka thënë Lipa, duke theksuar se e tërheqin më shumë kompleksitetet dhe detajet e vogla të një marrëdhënieje.

“Duhet të kem kujdes me atë që dëshiroj”

Lipa ka folur edhe për manifestimin, praktikë për të cilën ka treguar prej kohësh interes. Në “Training Season”, kënga e publikuar në fillim të vitit 2024, ajo këndonte për dëshirën për të gjetur dashurinë e vërtetë. Më vonë ajo konfirmoi lidhjen me Turner, ndërsa në vitin 2026 çifti u martua.

“Duhet të kem kujdes me atë që shpresoj, sepse pothuajse gjithmonë më realizohet”, ka thënë ajo.

Përtej karrierës, këngëtarja thotë se tash nuk e mat më suksesin vetëm me arritjet profesionale. Ajo dëshiron një jetë “full but not busy”, pra të pasur, por jo të mbushur me angazhime të pafundme.

Leximi mbetet një tjetër pjesë e rëndësishme e jetës së saj. Përmes Service95, ajo ka krijuar edhe një platformë ku kultura, udhëtimet, ushqimi dhe çështjet sociale ndërthuren me përmbajtje të ndryshme, ndërsa klubi i saj i leximit e ka afruar me autorë dhe lexues nga vende të ndryshme.

Nga Prishtina në Londër dhe në skenën botërore

Dua Lipa ka folur edhe për prejardhjen e saj dhe rrugëtimin drejt suksesit. E lindur në Londër nga prindër kosovarë, ajo u kthye me familjen në Prishtinë dhe më vonë u rikthye në Londër në moshën 15-vjeçare, me synimin për të ndjekur ëndrrën e saj muzikore.

Sot, pas një karriere ndërkombëtare dhe tash si e sapomartuar, Lipa thotë se është më pak perfeksioniste dhe më e gatshme ta pranojë paparashikueshmërinë e jetës.

“Me kalimin e kohës kam mësuar ta fal veten dhe të jem më e butë me veten”, ka thënë ajo.

Për Dua Lipën, kapitulli i ri duket se ka një temë të qartë: nga kërkimi i dashurisë te përjetimi i saj.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar mirëpret gjetjen e mbetjeve mortore në Zubin Potok

Published

on

By

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka mirëpritur punën e autoriteteve vendore për gjetjen e mbetjeve mortore në komunën e Zubin Potokut, si dhe procesin e ekzaminimeve mjeko-ligjore e testimeve të ADN-së për identifikimin e tyre.

Përmes një deklarate zyrtare, ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka shprehur mbështetjen e saj të plotë për familjet e personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur që nga konflikti i viteve 1998-1999 në Kosovë.

“Ne mirëpresim punën e autoriteteve të Kosovës për gjetjen e mbetjeve njerëzore në komunën e Zubin-Potokut dhe për të kryer ekzaminime mjeko-ligjore dhe teste të ADN-së për të identifikuar mbetjet”, thuhet në njoftim.

Nga ambasada theksuan se Mbretëria e Bashkuar mbështet të gjitha përpjekjet që synojnë t’u ofrojnë përgjigje dhe mbështetje familjarëve pas shumë vitesh pritjeje. /A.M/

Continue Reading

Të kërkuara