Lajmet

Reformë apo revolucion në shëndetin global?

Iinfrastruktura aktuale shëndetësore globale, nuk është në lartësinë e detyrës për të menaxhuar.

Published

on

Nga Precious Matsoso, Paulo Buss & Leigh Kamore Haynes

Trupa drejtuese e Organizatës Botërore të Shëndetësisë i ministrave të shëndetësisë i është përgjigjur thirrjes së dhjetëra udhëheqësve botërorë për hartimin dhe miratimin e një traktati të ri ndërkombëtar për gatishmërinë dhe reagimin ndaj pandemive.

Ajo do të organizojë një samit të posaçëm në nëntor të këtij viti, pikërisht për të diskutuar dhe miratuar një dokument të tillë. Ky është një hap vërtet pozitiv. Por reagimi global ndaj pandemisë së Covid-19, dhe përgatitja e duhur për pandemitë e ardhshme, kërkon shumë më tepër.

Siç e ka treguar edhe kriza e Covid-19, infrastruktura aktuale shëndetësore globale, nuk është në lartësinë e detyrës për të menaxhuar – dhe lëre më të parandalojë- një pandemi. Por pandemia ka treguar gjithashtu,se nuk duhet të fokusohemi vetëm tek shpërthimet epidemike të sëmundjeve infektive.

Ne duhet të reagojmë gjithashtu edhe ndaj pandemisë së pabarazisë, të cilën e ka nxjerrë më në pah kriza aktuale. Çdo vit, më shumë se 16 milionë njerëz në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme vdesin nga shkaqe të parandalueshme.

Shumica dërrmuese e tyre janë relativisht të varfër, kanë qasje të kufizuar në sistemin arsimor, janë të margjinalizuar ose jetojnë në vende me të ardhura të ulëta. Pra siç e theksoi Komisioni i OBSH-së për Përcaktuesit Socialë të Shëndetit, më shumë se 12 vjet më parë, “padrejtësia sociale po vret njerëzit në një shkallë të gjerë”.

“Vaksina” e vetme kundër kësaj pandemie është një infrastrukturë globale shëndetësore, e ndërtuar mbi parimet e barazisë dhe të drejtave të njeriut. Përveç zvogëlimit dramatik të vdekjeve të parandalueshme, një qasje e tillë do të plotësonte në mënyrë jetësore traktatin e propozuar për të forcuar gatishmërinë dhe reagimin global të pandemisë.

Kjo është arsyeja pse ne mbështesim miratimin e Konventës në Kuadër të Shëndetit Global (FCGH), një tjetër traktat i propozuar, i bazuar mbi të drejtën për shëndetin. E drejta për shëndetin shkon përtej reagimit ndaj emergjencave si pandemia e koronavirusit, për të përfshirë përgjegjësinë për sigurimin e qasjes universale në elementët themelorë të shëndetit si produktet me vlera ushqimore të larta dhe kujdesin shëndetësor parandalues.

Për sa kohë që nuk merren parasysh këta faktorë, popullatat e varfra dhe të margjinalizuara do të vazhdojnë të vuajnë në mënyrë disproporcionale nga sëmundje si diabeti dhe hipertensioni, të cilat rrisin rrezikun e komplikimeve dhe vdekjes nga sëmundje të tjera siç është dhe Covid-19.

E drejta për shëndetin kërkon ndërkohë përgjegjshmëri, përfshirë monitorimin e pavarur, korrigjimin e shkeljeve dhe zgjidhen e politikave të duhura për të parandaluar përsëritjen e tyre. Kjo gjë do të zvogëlonte korrupsionin, dhe do të çonte në sisteme më të forta shëndetësore që mbrojnë si punonjësit e sistemit të shëndetësisë ashtu edhe publikun, që i përdorin financimet në mënyrë efikase dhe që ndajnë në mënyrë të barabartë shërbimet dhe burimet.

Pika e fundit është thelbësore. Popullatat e margjinalizuara, siç janë emigrantët, ka të ngjarë të mbështeten tek sistemet e kujdesit shëndetësor publik. Por këto të fundit janë shpesh të papërgjegjshme ose kanë pak burime në dispozicion. Në një sistem të bazuar në të drejtën për të pasur një shëndet të mirë, burimet do të alokohen sipas nevojës, dhe jo sipas pasurisë apo lidhjeve, duke çuar në rezultate më të drejta shëndetësore.

Drejtësia dhe përgjegjshmëria janë thelbësore për besimin e publikut, që nga ana tjetër është jetik për të zvogëluar hezitimin e publikut ndaj vaksinave, dhe për të siguruar një pajtueshmëri të gjerë të popullatës mbi masat e shëndetit publik, si mbajtja e maskave dhe distancimi social gjatë shpërthimeve epidemike.

Vendimmarrja gjithëpërfshirëse dhe ndjenja e pronësisë publike mbi sistemet shëndetësore, do të forcojmë akoma më shumë besimin. FCGH do të mbështeste krijimin e sistemeve të tilla shëndetësore, duke vendosur standarde të qarta dhe kuptimplota, dhe përfshirjen e plotë të popullatave të lëna pas dore.

Ai do t’u siguronte gjithashtu vendeve mjete dhe udhëzime të dobishme, përfshirë programe kombëtare të veprimit dhe vlerësime të ndikimit. Dhe do të përfshinte ndërkaq edhe angazhime konkrete që vendet të shënojnë përparim në ndërtimin e sistemeve shëndetësore bazuar në të drejtën për shëndetin.

Këto angazhime do të llogarisnin gjithashtu angazhimin e sektorit privat. Për shembull, FCGH mund t’i detyrojë qeveritë të nënshkruajnë kontrata me subjekte private që sigurojnë qasje universale në teknologjitë mjekësore (të tilla si vaksinat) që ato zhvillojnë.

Kjo mund të arrihet përmes çmimeve të përballueshme, ndarjes së teknologjisë së të dhënave dhe licencimit. Një kornizë ligjore për financimin kombëtar dhe ndërkombëtar, e përshtatur në kontekstin kombëtar përmes proceseve pjesëmarrëse, do të ndihmonte në sigurimin e burimeve të mjaftueshme.

Një traktat i tillë do të forcohej nga një regjim gjithëpërfshirës i llogaridhënies, duke përfshirë monitorimin dhe raportimin e pavarur, strategjitë për të kapërcyer mangësitë e zbatimit dhe stimuj kreativë si favorizimi i shtetasve të vendeve me performancë të lartë duke u dhënë mundësinë që të kenë pozicione drejtuese globale në këtë sektor.

Gjithashtu do të ishin të nevojshme Sanksionet reale – përfshirë devijimin e ndihmës ndërkombëtare shëndetësore nga qeveritë tek OJQ-të që janë më aktive. Një traktat i përqendruar enkas në gatishmërinë dhe reagimin ndaj pandemisë, mund të përmirësojë sigurinë globale të shëndetit, madje edhe barazinë.

Për shembull në qasjen ndaj vaksinave. Pra, është një lajm i mirë që bashkësia ndërkombëtare po lëviz në këtë drejtim. Por kriza e Covid-19 ekspozoi më shumë sesa vetëm mungesën tonë të gatishmërisë ndaj pandemisë. Ajo nxori në pah edhe shkallën e pabarazive sistematike shëndetësore, dhe mënyrën sesi këto pabarazi mund ta përkeqësojnë një krizë të shëndetit publik, duke i vendosur të gjithë në rrezik.

Duke forcuar bashkëpunimin, llogaridhënien dhe barazinë, FCGH do të përmirësonte sigurinë globale të shëndetit, dhe jo vetëm duke ndihmuar në parandalimin e kërcënimeve të reja të shëndetit publik. Kjo është arsyeja pse udhëheqësit botërorë duhet të fillojnë urgjentisht përpjekjet për krijimin e FCGH.Siç e theksoi në mars edhe kreu i OBSH TedrosAdhanom Ghebreyesus, një traktat mbi reagimin ndaj pandemive do të forconte infrastrukturën ndërkombëtare të shëndetit. Por FCGH do ta transformonte tërësisht atë.

Shënim: Precious Matsoso, ish-drejtor i përgjithshëm i Departamentit të Shëndetit në Afrikën e Jugut dhe ish-kryetar i Bordit Ekzekutiv të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, është anëtar i Panelit të Pavarur për Përgatitjen dhe Reagimin Pandemik. Paulo Buss, drejtori i Qendrës për Shëndetin Global në Fundação Oswaldo Cruz (Fiocruz), Brazil). Leigh Kamore Haynes, profesor në Universitetin Simmons, dhe drejtues i Konventës Kuadër të Aleancës Globale të Shëndetit. /

“Project Syndicate”

Lajmet

UBT organizon Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë

Published

on

By

Më 23 deri më 25 tetor 2026, UBT do të organizojë Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, në kuadër të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare të UBT-së. Ngjarja pritet të mbledhë mbi 155 pjesëmarrës dhe do të prezantojë më shumë se 50 punime shkencore me fokus në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Programi shkencor mbulon tema të avancuara si inteligjenca artificiale, mësimi makinerik, siguria kibernetike, inxhinieria softuerike, IoT, blockchain dhe zbatimi i teknologjive inteligjente në arsim e shëndetësi.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në UBT, Besnik Qehaja, theksoi rolin e veçantë që kanë studentët në këtë ngjarje shkencore.

“Rreth 70% e pjesëmarrësve pritet të jenë studentë të niveleve Bachelor dhe Master, duke dëshmuar rëndësinë që UBT i kushton përfshirjes së studentëve në kërkimin shkencor, zhvillimit të tyre akademik dhe krijimit të mundësive për prezantimin e rezultateve të hulumtimeve të tyre”, ka thënë Qehaja.

Duke folur për synimet kryesore të këtij organizimi, dekani Qehaja nënvizoi se kjo platformë shërben për të lidhur arsimin me inovacionin e ardhshëm:

“Përmes kësaj konference, UBT synon të forcojë lidhjen ndërmjet kërkimit shkencor, arsimit universitar dhe inovacionit teknologjik, duke krijuar një platformë për prezantimin e ideve të reja dhe avancimin e shkencave kompjuterike dhe inxhinierisë”, shprehet Qehaja.

Konferenca do të shërbejë si një udhëkryq i rëndësishëm bashkëpunimi mes akademikëve, hulumtuesve dhe studentëve vendorë e ndërkombëtarë për shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta shkencore.

 

Continue Reading

Lajmet

Presidenti i FIMS-it, Prof. Dr. Fabio Pigozzi, pjesë e Konferencës së Mjekësisë Sportive në UBT

Published

on

By

Nesër, më 21 tetor, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së do të mbahet Konferenca e Dytë Ndërkombëtare e Mjekësisë Sportive (ICSM 2026), e organizuar nga Instituti për Mjekësi Sportive i UBT-së, nën temën “Innovation and Resilience in Sport Medicine”.

Në mesin e pjesëmarrësve të kësaj konference do të jetë edhe Prof. Dr. Fabio Pigozzi, President i Federatës Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS) dhe një nga figurat e njohura ndërkombëtarisht në mjekësinë sportive dhe shëndetin olimpik.

Pjesëmarrja e tij i jep konferencës një dimension të veçantë ndërkombëtar, duke krijuar mundësi për shkëmbim të përvojave dhe diskutim të zhvillimeve më të fundit në këtë fushë.

Në kuadër të programit të konferencës, si ligjerues kryesor do të jenë:

Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Themelues dhe President i UBT-së, me fokus në inovacionin në arsim, teknologji dhe zhvillimin e shoqërisë inteligjente.

Prof. Dr. Fabio Pigozzi, Prof. Dr. Norbert Bachl, Zëvendëspresident i FIMS-it dhe specialist i fiziologjisë së ushtrimeve dhe mjekësisë sportive,

Prof. Dr. Ilir Ahmetgjekaj, profesor dhe specialist i radiologjisë;

Christian Stammel, Drejtor Ekzekutiv i Wearable Technologies;

Dr. Arian Bujupi, specialist i ortopedisë dhe traumatologjisë.

Konferenca do të trajtojë tema kyçe që ndërlidhin mjekësinë sportive me shëndetin funksional, radiologjinë, ortopedinë, teknologjitë e veshshme (wearable technologies), inteligjencën artificiale dhe rolin e inovacionit në praktikën klinike dhe sportive. Aktiviteti është i akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP). Regjistrimi bëhet përmes Platformës Digjitale të OMK-së, ndërsa detajet e plota të konferencës gjenden në ueb-faqen zyrtare: icsm.ubt-uni.net/2026/.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Nisin përplasjet në protestën në Tiranë

Published

on

By

Përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë nisur në Tiranë, pas përshkallëzimit të situatës gjatë marshimit drejt Ministrisë së Arsimit.

Protesta fillimisht ishte e qetë, me studentët dhe mësimdhënësit që marshuan në mënyrë paqësore nga Kryeministria drejt Ministrisë së Arsimit. Megjithatë, situata u tensionua kur protestuesit hodhën gurë në drejtim të ndërtesës së ministrisë.

Policia reagoi duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, por protestuesit nuk u larguan nga Rruga e Durrësit. Ata vazhduan të qëndronin pranë efektivëve të policisë, duke kërkuar rikthimin para Ministrisë së Arsimit.

Tensionet vijnë pas disa ditësh protestash në Shqipëri, gjatë të cilave janë përdorur gaz lotsjellës, ujë, gurë dhe, në disa raste, edhe plumba gome.

Foto: REL

D.L

Continue Reading

Lajmet

Konferenca e MBE-së në UBT: Fokusi në transformimin digjital

Published

on

By

Këtë fundjavë më 24 tetor, do të mbahet Konferenca e Fakultetit të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë (MBE), në kuadër të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare të UBT-së. Ngjarja pritet të bëjë bashkë hulumtues, akademikë dhe ekspertë nga Kosova dhe bota për të diskutuar prirjet e reja ekonomike, financiare dhe menaxheriale.

Dekani i Fakultetit të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT, Muhamet Gërvalla, njoftoi se përgatitjet janë në fazën përfundimtare dhe se programi sjell një larmi tematike.

“Për ne është e rëndësishme që konferenca të jetë jo vetëm një mundësi për prezantimin e rezultateve shkencore, por edhe një hapësirë për diskutim, shkëmbim përvojash dhe krijim të bashkëpunimeve të reja akademike. Temat kryesore përfshijnë transformimin digjital dhe inteligjencën artificiale, zhvillimin ekonomik, financat, inovacionin dhe ndërmarrësinë”, ka thënë Gervalla.

Hulumtimet e prezantuara nga akademikët vendorë u kushtojnë vëmendje të veçantë sfidave konkrete të tregut vendas, si përdorimi i inteligjencës artificiale në biznese, zhvillimi i NMM-ve, turizmi, politikat tatimore dhe pjesëmarrja e grave në menaxhment.

Lidhur me dobinë e kërkimeve vendore, dekani Gërvalla nënvizoi se këto punime lidhen me sfidat konkrete të Kosovës dhe përpjekja për të ofruar analiza që mund të ndihmojnë në përmirësimin e vendimmarrjes.

Përveç studiuesve kosovarë, konferenca ka tërhequr edhe pjesëmarrës ndërkombëtarë nga vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Maroku, Kameruni, India, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shtete të ndryshme evropiane, të cilët do të trajtojnë tema të tregjeve financiare, rritjes së gjelbër dhe teknologjisë.

Dekani Muhamet Gërvalla e vlerësoi lart këtë ndërthurje përvojash ndërkombëtare:

“Konferenca e MBE-së synon të lidhë hulumtimet që trajtojnë sfidat konkrete të Kosovës me perspektiva dhe përvoja ndërkombëtare, duke kontribuar në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe në forcimin e bashkëpunimit akademik”, shprehet Gervalla.

 

 

 

Continue Reading

Të kërkuara