Sport

Reagimet e yjeve pas vdekjes së legjendës Diego Maradona

Published

on

Ylli i futbollit, Diego Maradona, ka vdekur të mërkurën, në moshën 60-vjeçare, pas një sulmi në zemër. I gjithë komuniteti i futbollit është në zi pas ndarjes nga jeta të superyllit.

Kapiteni i Argjentinës dhe Barcelonës, Lionel Messi

“Një ditë e trishtë për argjentinasit dhe futbollin në përgjithësi. Ai na la, por s’do të shkojë askund, sepse Diego është i përjetshëm. Do t’i kujtojë momentet e veçanta që i kalova me të dhe i shprehu ngushëllime familjes dhe shokëve të tij. Prehu në paqe”, shkroi ai në Instagram.

Klubi italian, Napoli, ku Maradona luajti nga viti 1984-1991

“Të gjithë po presin nga ne të flasim, por çfarë fjalish mund t’i përdorim për ta shprehur një dhimbje kaq të madhe që po e përjetojmë? Tani është momenti për lotë. E më vonë do të jetë momenti për fjalë. Jemi në zi. Ndihem si një boksier që është nokautuar. Jemi të shokuar. Goditje si për qytetin ashtu edhe për klubin. Gjithmonë në zemrat tona, Diego”, thuhet në reagimin e klubit.

Futbollisti i Brazilit, Pele

“Lajm i hidhur humbja e shokut tonë. Zoti i dhashtë forcë familjes së tij”, deklaroi ai mes tjerash për Reuters.

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane

“Është një humbje e madhe për botën në përgjithësi, por mbi të gjitha për futbollin. Ajo që ai bëri në Kupën e Botës në vitin 1986 është gdhendur në mendjen time. Ndihemi keq për atë që ndodhi sot, ne jemi shumë të trishtuar”, deklaroi ai.

Futbollisti i Portugalisë dhe Juventusit, Cristiano Ronaldo

“Sot unë i thashë lamtumirë një shoku, e bota një gjenie të përjetshëm. Një nga më të mirët e të gjitha kohërave. Një magjistar i pashembullt. La një boshllëk që s’do të plotësohet kurrë. Prehu në paqe. Nuk do të të harrojmë kurrë”, tha ai./UBTNews

Sport

Xhaka dhe Embolo rikthehen te Zvicra, mesfushori shqiptar mbetet kapiten

Published

on

By

Granit Xhaka dhe Breel Embolo pritet të rikthehen në radhët e Kombëtares së Zvicrës gjatë muajit nëntor, pasi Federata Zvicerane e Futbollit (SFV) ka vendosur t’i japë fund pezullimit të tyre lidhur me çështjen e certifikatave të falsifikuara të COVID-19.

Federata njoftoi të martën se, pas shqyrtimit të plotë të të dy rasteve, nuk ekzistojnë më pengesa për rikthimin e futbollistëve në ekipin kombëtar.

Xhaka dhe Embolo kishin munguar në katër ndeshjet e Ligës së Kombeve gjatë muajve shtator dhe tetor, si pasojë e pezullimit.

“SFV i ka shqyrtuar tërësisht të dy rastet dhe ka arritur në përfundimin se rikthimi i lojtarëve është i arsyeshëm, pas përfundimit të procedurave ligjore dhe duke marrë parasysh pasojat sportive, përkatësisht mungesën në katër ndeshje ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e federatës.

Drejtori i Kombëtares së Zvicrës, Pierluigi Tami, ka sqaruar se vendimi është marrë duke vlerësuar rrethanat individuale të secilit futbollist, përfundimin e procedurave ligjore dhe pasojat sportive të pezullimit.

Një tjetër vendim i rëndësishëm lidhet me Granit Xhakën, i cili do të vazhdojë ta mbajë shiritin e kapitenit të Zvicrës.

Sipas federatës, përzgjedhësi, stafi teknik dhe këshilli i lojtarëve kanë vendosur njëzëri që mesfushori shqiptar të vazhdojë të udhëheqë ekipin kombëtar.

Me këtë vendim, Zvicra pritet të ketë sërish në dispozicion dy futbollistët e saj të rëndësishëm për ndeshjet ndërkombëtare të muajit nëntor.

D.L

Continue Reading

Sport

Mbappe kërkon falje publike pas polemikave në Kinë

Published

on

By

Ylli francez i Real Madridit, Kylian Mbappe, ka kërkuar falje publike pas reagimeve të shumta që shkaktuan komentet e tij lidhur me një imazh humoristik, në të cilin ai krahasohej me ish-udhëheqësin kinez Mao Ce Dun.

Polemikat nisën pas shpërndarjes së një videoje në rrjetet sociale, ku sulmuesi francez komentonte një imazh të montuar me fytyrën e tij mbi figurën e një personi që e përshkroi si diktator kinez.

Pas reagimeve të ashpra dhe ndërprerjes së bashkëpunimit nga disa kompani kineze, Mbappe reagoi përmes platformës X, duke pranuar se komentet e tij kishin qenë të pamenduara.

“Gjatë një interviste të fundit, reagova ndaj një imazhi tim. Komenti im ishte i pamenduar dhe tani e kuptoj se lëndoi shumë njerëz në Kinë dhe komunitetet kineze në mbarë botën”, shkroi Mbappe.

“U kërkoj falje të gjithë atyre që janë ndier të fyer nga fjalët e mia. Ky nuk ishte aspak qëllimi im. Kam respekt të thellë për popullin kinez dhe historinë e tij dhe më vjen sinqerisht keq”, shtoi ai.

Sipas raportimeve të Reuters, autenticiteti i videos që nxiti polemikat nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Ndërkohë, disa kompani të njohura kineze, përfshirë Mengniu, Shanghai Milkground Food Tech dhe Eastroc Beverage, kanë njoftuar ndërprerjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit me futbollistin francez.

Kompanitë kanë deklaruar se kundërshtojnë çdo veprim apo deklaratë që mund të cenojë ndjenjat e popullit kinez.

Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale kineze, ku disa përdorues kanë kërkuar masa më të ashpra ndaj Mbappes.

Sipas mediave kineze, televizioni shtetëror ka pezulluar transmetimin e përmbajtjeve që lidhen me La Ligën dhe sulmuesin francez, ndërsa disa reklama me imazhin e tij janë larguar.

Për situatën ka reaguar edhe presidenti i La Ligës, Javier Tebas, i cili ka shprehur keqardhje për polemikat dhe ka theksuar se organizata po bashkëpunon me partnerët kinezë për tejkalimin e tyre.

Ai ka nënvizuar se marrëdhëniet e ndërtuara ndër vite nuk duhet të cenohen nga një incident i vetëm.

Kjo ngjarje ka ngritur pikëpyetje mbi ndikimin që polemikat publike mund të kenë në marrëveshjet komerciale të futbollistëve, veçanërisht në tregun kinez, ku Mbappe gëzon popullaritet të madh.

D.L

Continue Reading

Sport

Ish-bashkëlojtari i Shaqirit: Ai mbetet lojtari më i mirë në Superligën e Zvicrës

Published

on

By

Ish-bashkëlojtari i Xherdan Shaqirit, Pascal Schürpf, ka vlerësuar lart paraqitjet e futbollistit shqiptar, duke e cilësuar atë si lojtarin më të mirë në Superligën e Zvicrës.

Schürpf, i cili aktualisht është i angazhuar si ekspert futbolli në mediumin zviceran “Blick”, ka theksuar se Shaqiri vazhdon të jetë një figurë kyçe për Baselin dhe se klubi duhet të shqyrtojë vazhdimin e kontratës së tij.

Sipas tij, kapiteni i Baselit ka ende shumë për t’i ofruar skuadrës, por për të shfrytëzuar maksimalisht cilësitë e tij, nevojitet mbështetja e bashkëlojtarëve që i kuptojnë idetë dhe stilin e lojës.

“Për mua, ai është ende lojtari më i mirë i ligës. Por edhe ai ka nevojë për lojtarë përreth vetes që i kuptojnë idetë e tij dhe dinë t’i shfrytëzojnë pasimet”, ka deklaruar Schürpf.

Shaqiri, tashmë 35-vjeçar, ka kontratë me Baselin deri në verën e vitit 2027, ndërsa e ardhmja e tij te klubi zviceran mbetet temë diskutimi.

Pavarësisht moshës, ish-reprezentuesi i Zvicrës vazhdon të vlerësohet për kreativitetin, përvojën dhe ndikimin e tij në repartin ofensiv të Baselit.

D.L

Continue Reading

Sport

Real Madrid TV ndërpret transmetimin pas triumfit të Harry Kane në “Topin e Artë”

Published

on

By

Televizioni zyrtar i Real Madridit ka tërhequr vëmendjen e mediave spanjolle pas ndërprerjes së transmetimit special kushtuar ceremonisë së “Topit të Artë 2026”, menjëherë pasi Harry Kane u shpall fitues i çmimit prestigjioz.

Real Madrid TV kishte ndryshuar programin e zakonshëm, duke shtyrë transmetimin e dy filmave për të ndjekur drejtpërdrejt momentet përfundimtare të ceremonisë në Londër.

Përmes emisionit special “Real Madrid Connect”, televizioni madrilen ndoqi shpalljen e fituesve, me shpresën se sulmuesi francez Kylian Mbappe do të triumfonte në garën për çmimin individual më të rëndësishëm në futboll.

Gjatë transmetimit, komentatorët theksuan se pritshmëritë e tifozëve madrilenë ishin të përqendruara te Mbappe. Megjithatë, në momentin kur Ronaldo Nazario shpalli Harry Kane fitues, reagimi i tyre ishte ndryshe nga ai që kishin shpresuar.

Komentatorët uruan sulmuesin anglez të Bayern Munichut për suksesin, por njëkohësisht shprehën bindjen se edhe Mbappe e kishte merituar çmimin.

“Urime lojtarit të Bayernit dhe futbollistit anglez. Presim mundësinë e radhës për Kylian Mbappen. Mendoj se edhe ai e meritonte të shpallej fitues, por kjo nuk do të thotë se triumfi i Kane ishte i pamerituar. Ai është një futbollist i shkëlqyer”, u shprehën komentatorët.

Ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte përfundimi i menjëhershëm i programit special pas shpalljes së fituesit.

“Faleminderit të gjithëve që na u bashkuat sonte. Reali fitoi në Barcelonë dhe Harry Kane është fituesi i Topit të Artë. Shihemi nesër”, ishte mesazhi përmbyllës i transmetimit.

Menjëherë pas kësaj, Real Madrid TV kaloi në transmetimin e filmit aksion “Sniper: Special Ops”, të vitit 2016, me aktorin Steven Seagal në rolin kryesor.

Ky veprim është komentuar nga mediat spanjolle, të cilat e kanë lidhur ndërprerjen e programit me faktin se Mbappe nuk arriti ta fitonte trofeun.

Megjithatë, nuk ka pasur ndonjë konfirmim zyrtar nga televizioni i klubit madrilen se përfundimi i transmetimit ishte pasojë e rezultatit të ceremonisë.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara