Lajmet

Rastet me Covid bien, vaksinimi askund

Published

on

Situatë e qetë pandemike në Kosovë; kritikohet procesi i vaksinimit.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë thanë se situata me pandeminë e koronavirusit në Kosovë është e qetë dhe se numri i rasteve të reja me sëmundjen që e shkakton ai, COVID-19, gjatë dy javëve të fundit, ka shënuar rënie.

Krahasuar me muajin mars, kur regjistroheshin mesatarisht mbi 800 raste në ditë, të martën janë regjistruar 49 raste me COVID-19.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi, tha se kjo situatë e qetë u mundëson autoriteteve shëndetësore të riorganizojnë situatën, në rast të rritjes së numrit në të ardhmen.

“Në nivel vendi kemi 426 pacientë të hospitalizuar, prej tyre 179 janë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërkaq, të tjerët në spitalet e përgjithshme. Nga këta të hospitalizuar, 320 janë me oksigjeno-terapi të vazhdueshme. Ndërkohë, 36 pacientë janë në gjendje të rëndë, duke u trajtuar në repartet e kujdesit intensiv”, tha Krasniqi, pas një takimi që pati me Komisionin Parlamentar për Shëndetësi.

Kryetarja e këtij Komisioni, Fatmire Kollqaku, tha se situata epidemiologjike është inkurajuese, pasi që edhe numri i të hospitalizuarve dhe i rasteve me COVID-19 është përgjysmuar.

“Ky është treguesi më i mirë që situata epidemiologjike është e mirë. Por, ne nuk do të ndalemi me masat parandaluese. Qytetarët duhet t’i respektojnë masat, krahas vaksinimit që do të ndodhë, derisa të arrihet synimi i vaksinimit të popullatës”, tha Kollqaku.

Sipas planit shtetëror të imunizimit, deri në fund të vitit, Qeveria e Kosovës planifikon që të vaksinojë deri në 70 për qind të popullatës.

Kritikohet vaksinimi

Bekim Haxhiu, anëtar në Komisionin për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se situata është e rëndë në aspektin e vaksinave.

Kosova, shtoi ai, është i vetmi vend në Evropë që nuk ka kontratë për furnizim me vaksina dhe se çdo dozë e siguruar deri më tash është donacion ose nga Bashkimi Evropian, ose nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Brengosëse është se ritmi i vaksinimit është i ngadalshëm. Me këtë ritëm na duhen 10.5 vjet që të përfundohet vaksinimi i popullatës”, tha Haxhiu.

Në Kosovë, deri më datën 11 maj, në nivel vendi janë vaksinuar 29 mijë persona, tha të martën koordinatori për vaksinim në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi.

Në këtë numër përfshihen punonjësit shëndetësorë, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit në fund të muajit mars, me 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca, të siguruara nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Këtë javë dhe javën e kaluar, Kosova ka pranuar edhe dy kontingjente vaksinash Pfizer/BioNTech, me mbi 7,000 doza në total, si donacion nga Bashkimi Evropian.

BE-ja ka ndarë gjithsej 95,000 doza të vaksinave për Kosovën, në kuadër të mbështetjes së vaksinimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ato do të shpërndahen gradualisht.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi të hënën se më 12 maj do të pranojë edhe 38,400 vaksina të tjera përmes programit Covax.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka arritur të martën në 106,538, i viktimave në 2,213 dhe i të shëruarve në 98,223.

Raste aktive aktualisht janë 6,102.

Continue Reading

lajme

Skandali me spiunazh kinez: Shefi i Nvidia-s, Jensen Huang, pranon aferën jashtëmartesore

Published

on

By

Jensen Huang, bashkëthemeluesi dhe drejtori ekzekutiv i gjigantit të inteligjencës artificiale Nvidia, është përfshirë në një skandal të madh personal dhe gjeopolitik pas raportimeve se ka pasur një marrëdhënësi jashtëmartesore me një grua të dyshuar si spiune e inteligjencës kineze.

Raportimet e New York Times bëjnë të ditur se shërbimet amerikane të inteligjencës kishin identifikuar Alice Huang (e njohur edhe si Huang Le), ish-ekzekutive në kompaninë e qendrave të të dhënave Megaspeed me seli në Singapor, si person të rekrutuar nga agjencitë kineze të zbulimit. Përgjimet e inteligjencës zbuluan komunikimet e saj me Huang, duke ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë kombëtare.

Lidhur me ngjarjen, 63-vjeçari Huang ka reaguar me anë të një deklarate publike ku pranoi tradhtinë bashkëshortore, duke shprehur keqardhje të thellë ndaj bashkëshortes së tij Lori dhe dy fëmijëve të tyre:

“I kam qenë i pabesë gruas sime. Veprimet e mia e kanë lënduar atë dhe fëmijët tanë. Nuk ka asnjë arsyetim për atë që kam bërë. Më vjen thellësisht keq.”

Bordi i drejtuesve të Nvidia-s ka njoftuar nisjen e një hetimi të brendshëm, por për momentin ka konfirmuar besimin te udhëheqja e Huang, duke pasur parasysh edhe peshën financiare të kompanisë e cila kap vlerën e rreth 4.5 trilonë dollarëve. Skandali vjen në një periudhë delikate të rivalitetit teknologjik mes SHBA-së dhe Kinës, ku Nvidia luan një rol kyç në furnizimin e tregut global me çipa të avancuar të inteligjencës artificiale. /BBC/

Continue Reading

lajme

Moti sot në Kosovë: Reshje shiu, vranësira dhe mjegull në mëngjes

Published

on

By

Moti sot në Kosovë do të jetë kryesisht i vranët dhe i shoqëruar me riga të lokalizuara shiu.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), në orët e hershme të mëngjesit në shumë zona të vendit parashihet të ketë prani të mjegullës, e cila mund të vështirësojë dukshmërinë në komunikacion.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1 dhe 4 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale të ditës parashikohet të arrijnë nga 6 deri në 11 gradë Celsius. /E.A/

Continue Reading

lajme

Ndërpritet qarkullimi i trenave në Kosovë: Sindikata e Infrakos hyn në grevë, pezullohen të gjitha linjat

Published

on

By

Qarkullimi i trenave në Kosovë është ndërprerë sot, më 9 nëntor, si pasojë e grevës së paralajmëruar nga organizatat sindikale të Infrakos.

Ndërmarrja Trainkos ka njoftuar se treni me numër 4201, i nisur nga Prishtina në orën 07:50, është ndalur në Fushë-Kosovë pasi Infrakos ka ndërprerë ofrimin e shërbimeve infrastrukturore në orën 08:00.

Pas këtij treni, të gjitha linjat e tjera hekurudhore janë pezulluar deri në normalizimin e plotë të situatës.

Trainkos ka kërkuar mirëkuptim nga udhëtarët, duke theksuar se shërbimet e transportit do të rikthehen sapo të krijohen kushtet e nevojshme, ndërsa qytetarët do të njoftohen me kohë për çdo ndryshim. Punëtorët e Infrakos kishin paralajmëruar këtë grevë qysh gjatë protestës së mbajtur më 26 tetor para stacionit hekurudhor në Fushë-Kosovë.

Kërkesat e tyre kryesore përfshijnë indeksimin e pagave, përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e sigurisë, duke drejtuar akuza ndaj bordit dhe menaxhmentit për mosplotësimin e tyre. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosovari Rexhep Rexhepi fiton çmimin kryesor “Aiguille d’Or” që njihet si “Oscari” i orëndreqjes

Published

on

By

Orëndreqësi me origjinë nga Kosova që jeton dhe vepron në Zvicër, Rexhep Rexhepi, ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm duke fituar çmimin prestigjioz “Aiguille d’Or” gjatë ceremonisë madhështore të Grand Prix d’Horlogerie de Genève (GPHG).

Ky çmim, i cili konsiderohet si “Oscari” i industrisë së prodhimit të orëve, ishte i hapur për të gjitha kategoritë. Rexhepi triumfoi me modelin e tij “Chronograph Flyback”, duke pasuar gjigantin e industrisë Breguet që e kishte fituar atë një vit më parë.

Ora fituese dallon për përmasat elegante dhe fushën në ngjyrë blu të errët të punuar me teknikën tradicionale Grand Feu, e frymëzuar nga kronografët e vjetër të orëve të xhepit. Çmimi zyrtar i orës fituese është 150 mijë franga zvicerane, rreth 160 mijë euro, mirëpo vlera e saj në tregun e koleksionistëve pritet të jetë dukshëm më e lartë. Rexhepi e nisi karrierën e tij si praktikant 15-vjeçar te kompania e njohur Patek Philippe, ndërsa sot udhëheq markën e tij të pavarur në Gjenevë.

 

Në këtë edicion të GPHG-së garuan 84 orë dhe mekanizma kohorë në 14 kategori të ndryshme. Fituesit u përzgjodhën nga një juri ndërkombëtare ekspertësh, ku për herë të parë organizatorët hoqën ndarjet gjinore duke prezantuar kategori të reja teknike si Essential Watch dhe Complication Watch.

Continue Reading

Të kërkuara