Lajmet
Rashiti: Java e ardhshme vendimtare për dialogun Kosovë-Serbi
Naim Rashiti: Dallimet në qëndrime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dihen.
Published
5 years agoon
By
Betim GashiPara takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel më 15 qershor, analisti politik, Naim Rashiti për DW flet mbi shanset që mund të krijohen në raundin e ri, por edhe rreziqet që paraqet për Kosovën shtyrja e vazhdueshme e dialogut.
DW. Z. Rashiti, si e shihni dinamikën e re në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët aktualisht kanë qëndrime diametralisht të kundërta dhe me pozicione mjaft larg?
Naim Rashiti: Dallimet në qëndrime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dihen. Por e reja e këtij procesi është se kemi një qeveri të re dhe një subjekt politik që tash qeveris dhe i cili në parim ka kundërshtuar proceset politike rreth dialogut me Serbinë, dhe po futet në këtë proces si qeveri e re dhe këtu janë dallimet e mëdha nga e kaluara dhe në veçanti dallimet nga pritjet e procesit. Prandaj javën e ardhshme do të shohim se çfarë dinamike e re do të rivendoset në procesin e dialogut, me çfarë termash do të fillojnë takimet e nivelit të lartë dhe çfarë kornize, qoftë kohore apo edhe materiale në përmbajtje, do të përcaktohen e të shtyhen përpara liderët.
DW: Kryeministri Kurti ka thënë se takimin me Vuçiq nuk është vazhdim i dialogut, por takim për të ardhmen e dialogut. Si e shihni Ju këtë deklaratë të Kurtit?
Naim Rashiti: Çdo qeveri e ka ridefinuar në një farë forme kornizën, palët e ridefinojnë, por esenca është që a do të ketë pajtim. Edhe qeveria e shkuar Hoti ka rivendosur një kornizë, fillimisht me Samitin e Parisit dhe me presidentin e Serbisë dhe fazat nëpër të cilat ka kaluar procesi nga kryeministri Mustafa, sidomos nga presidenti Thaçi ka pasur një material në vetvete, pra një mirëkuptim ndërmjet palëve se në cilin aspekt po shkojmë. Pra BE-ja i ka edhe temat e kaluara, edhe temat e reja edhe agjendën e hapur për tema çfarë palët pajtohen për dialog të mëtutjeshëm. Pra do të mund të ketë ndërhyrje në kornizë, por BE-ja do të kërkojë vazhdimësinë e asaj dhe të marrëveshjeve të kaluara që do të jenë në tavolinë.
DW: Pala kosovare ka kërkuar përfshirjen e drejtpërdrejt amerikane në dialog. Palmer tha, se SHBA është hisedarë në dialog, por ndërmjetësimin e lë në duart e BE-së?
Naim Rashiti: Po, është një qëndrim i ri pas shumë viteve që SHBA-ja do të qëndrojë prapa proceseve të Brukselit, fuqishëm në mbështetje të dialogut dhe njëkohësisht duke punuar në mënyrë bilaterale me Kosovën dhe Serbinë dhe të ruaj marrëdhëniet e mira me Kosovën. Në fund të fundit ka një logjikë, SHBA-ja nuk është ndërmjetësuese në dialog por vetëm mbështetëse, sepse, partneri yt strategjik nuk duhet të jetë ndërmjetësues, por duhet të jetë mbështetës. E dyta, ky proces nëse duhet të shkojë drejt mbylljes duhet të ketë legjitimitetin e BE-së, për të siguruar njohjen e vendeve anëtare dhe për ta kthyer rezolutën në OKB për ta përmbyllur procesin. Dhe ndërkohë, administrata Biden, nuk dëshiron që të bëjë diçka ngjashëm si ka ndodhur në të kaluarën në procesin me Richard Grenell.
DW: Instituti Juaj në një farë forme ka ndërmjetësuar apo është ndërmjetësues ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe gjetjes së grupit të ekspertëve apo këshilltarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, çfarë është ky projekt?
Naim Rashiti: Ky është një ndër komponentët e institutit tonë Grupi për Ballkanin, i themeluar më herët dhe i materializuar vitin e kaluar, sepse natyrisht është dashur bashkëfinancim, dhe koordinim me qeverinë e Kosovës. Pra kjo gamë, këto komponentë të mbeten të gatshme për qeverinë për të angazhuar ekspertë të fushave të ndryshme në mbështetje të përgatitjes së qeverisë për dialog.
DW: Kemi parë disa dokumente, që u publikuan në medie, disa koncept-ide apo strategji, që në gjuhën mediale u njohën si non-paper ku u fol rreth ndryshimit të kufijve në Ballkan. Askush nuk po e merr përgjegjësinë e autorësisë. Si i keni parë Ju, propozimet në ato dokumente për ndryshim kufijsh?
Naim Rashiti
Naim Rashiti: Non-paper-at përdoren shumë nga diplomacitë e ndryshme pra janë të përdorshme nga diplomacitë, sepse ka të natyrave të ndryshme, kështu që nuk duhet të brengosemi nga non-paper-at. Këto dokumente çfarë i kemi parë kohët e fundit që kanë të bëjnë me ndryshimin e kufijve, por kanë të bëjnë edhe me shtyrjen e agjendave të Bashkimit Evropian. Pra viteve të fundit kemi non-paper nga shumë aktorë, austriak, hungarez, francez, gjerman që duan ta shtyjnë BE-në drejt vendimmarrjes për Ballkanin Perëndimor dhe këto non-paper janë instrument i tyre për të mobilizuar mbështetjen brenda BE-së. Tash këto dokumentat e tjera që kanë dalë për ndryshime kufijsh, është vështirë ta themi saktë se nga vijnë dhe ka shumë dyshime, ka shumë versione. Ka dyshime që ka involvime përtej Ballkanit Perëndimor, sidomos përmes Bosnjës, Republikës Srpska, dhe Rusisë. Sidoqoftë, koncept-dokumente të tilla do të shohim vazhdimisht derisa çështja e dialogut Kosovë-Serbi nuk zgjidhet, deri sa çështja e Bosnjes nuk zgjidhet.
Nuk mund Ballkani Perëndimor të jetojë me këtë status-quo dhe do të ketë presione të mëdha për të kërkuar zgjidhje në favor të secilit varësisht nga ai ku buron qëllimi dhe natyrisht shembull një prej qëllimeve madhore të Rusisë është që ta pengojë zgjidhjen për Bosnjen dhe ta ruaj ndikimin në Serbi dhe ta zgjerojë ndikimin në Republikën Srpska. Pra realiteti është që çështja e Bosnjës të mbetet e hapur, dhe nëse ndodh ndryshimi i kufijve të ndodhë nga Bosnja, pastaj do të jetë çështja e hapur dhe ka zëra në Ballkanin Perëndimor që e duan hapjen e kufijve në Ballkan dhe kjo për fajin edhe të BE-së që nuk gjen zgjidhje për Ballkanin. Jam i bindur që bllokada ndaj Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë, hapja e negociatave me Shqipërinë do të mbetet peng, dialogu Kosovë-Serbi do të mbajë peng çështjen e liberalizimit të vizave dhe mbështetjen e BE-së për Kosovën.
DW: Cila është zgjidhja për Kosovën pa ndryshim kufijsh dhe pa ndryshim kushtetutash?
Naim Rashiti: Shiko problemi kryesor i Kosovës dhe Bosnjes është që kanë kaluar 20-25 vite dhe jemi në status-quon e ngjashme. Jo që Kosova si shtet është në gjendjen e para 20 viteve, por në raport me zgjidhjen e konflikteve, pra konflikti nuk është zgjidhur. Konflikti ndërkombëtarisht është një nocion i konfliktit të ngrirë, një status-quo dhe ky është rreziku, që Kosova dhe Bosnja mbeten në situata të pazgjidhura dhe nuk duhet të lejohet që të mbetet Kosova në situatë të pazgjidhur. Dhe përderisa të zgjasë kjo situatë e pazgjidhur do të kemi ide të ndryshme dhe koncept-dokumente të ndryshme dhe kështu me radhë. Sa më shumë po shtyhet dialogu, aq më i vështirë po bëhet procesi i dialogut që çon Kosovën drejt anëtarësimit në OKB.
Sepse në këtë moment, po qe se e merr edhe njohjen e Serbisë, do të jetë e pamundur të kalojë në Këshillin e Sigurimit për shkak të Rusisë dhe Kinës. Mirë do të kishte qenë të merret njohja nga Serbia, megjithatë fakti që Rusia dhe Kina bllokojnë Kosovën, i ka dhënë Serbisë mundësi të manipulojë me këtë proces, pra të maksimizojë kërkesat e saj dhe në këtë situatë Kosova duhet o të hyjë në dialog për një kompromis, herët a vonë, o të gjej zgjidhje që çojnë drejt njohjes nga Serbia duke mos hyrë në kompromise të mëdha, qoftë kushtetuese, sepse territoriale nuk ka konsensus në Kosovë. Pra Kosova duhet të gjej një zgjidhje të hapit të parë drejt hapit final, së paku ta mobilizojë spektrin ndërkombëtar aty ku është e mundur të gjendet zgjidhja dhe zgjidhja momentale që është duke u zhvilluar është zgjidhja në kuadër të BE-së që të gjendet një zgjidhje gjithëpërfshirëse për normalizim të plotë.
You may like
Lajmet
Raporti i PE 2025: Kosova me “vit të humbur” nga bllokada politike
Published
14 minutes agoon
March 11, 2026By
UBTNews
Raporti i fundit i Parlamentit Evropian për vitin 2025, i përgatitur nga raportuesi Riho Terras, pasqyron një situatë komplekse për Kosovën, duke e cilësuar periudhën e kaluar si një “vit të humbur” për shkak të ngërçit të gjatë politik që paralizoi reformat kyçe.
Sipas dokumentit që pritet të votohet si rezolutë, dështimi për të krijuar institucionet pas zgjedhjeve dhe vonesat në zgjedhjen e Presidentit kanë penguar zbatimin e projekteve strategjike, përfshirë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, pavarësisht se proceset zgjedhore u vlerësuan si paqësore dhe demokratike.
Në rrafshin e sundimit të ligjit, raporti shpreh shqetësim serioz për rënien e Kosovës në Indeksin Global të Korrupsionit dhe veçanërisht për lirinë e medias, ku vendi ka pësuar një rënie drastike prej 24 pozitash në rangimin botëror.
Eurodeputetët bëjnë thirrje për mbrojtjen e pavarësisë së institucioneve dhe ndaljen e presioneve ndaj gazetarëve, ndërkohë që kërkojnë progres më të shpejtë në reformën e drejtësisë dhe kompletimin e këshillave gjyqësorë e prokurorialë.
Kritika të veçanta janë drejtuar edhe ndaj varësisë së lartë nga energjia me qymyr dhe nivelit të ulët të digjitalizimit të shërbimeve publike, që mbetet në shifrën prej 10 për qind.
Pavarësisht këtyre sfidave, Parlamenti Evropian vlerëson lart rreshtimin e palëkundur të Kosovës me politikat e jashtme të Bashkimit Evropian, duke përfshirë sanksionet ndaj Rusisë. Si rrjedhojë, raporti kërkon heqjen e menjëhershme të të gjitha masave ndëshkuese të mbetura ndaj Kosovës, me arsyetimin se ato nuk janë më të justifikuara dhe po dëmtojnë direkt shoqërinë civile e bizneset e vogla.
Njëkohësisht, pesë shteteve mosnjohëse të BE-së u kërkohet të lëvizin drejt njohjes së pavarësisë, për të siguruar trajtim të barabartë të Kosovës në procesin e integrimit.
Sa i përket marrëdhënieve me fqinjët, dokumenti thekson se dialogu me Serbinë ka mbetur pothuajse i pezulluar gjatë vitit 2025 dhe kërkon angazhim konstruktiv për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit.
Raporti rithekson domosdoshmërinë e sjelljes para drejtësisë të autorëve të sulmit në Banjska, duke kritikuar Serbinë për mungesë të ndjekjes penale ndaj përgjegjësve kryesorë.
Në mbyllje, theksohet se ardhmëria e Kosovës mbetet brenda familjes evropiane, por kjo kërkon një vrull të ri reformash dhe një stabilitet të qëndrueshëm politik për të rikuperuar kohën e humbur.
Lajmet
REL: Kuvendi i Shqipërisë thotë se është goditur nga një sulm kibernetik
Published
54 minutes agoon
March 11, 2026By
UBTNews
Kuvendi i Shqipërisë njoftoi të martën vonë se është goditur nga një sulm kibernetik, si pasojë e të cilit janë fshirë një pjesë e të dhënave në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës.
“Vlerësimi paraprak teknik tregon se mund të bëhet fjalë për një sulm të sofistikuar kibernetik, i cili ka pasur si synim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Kuvendi nuk bëri të ditur se nga ka ardhur sulmi, por më herët gjatë ditës një grup hakerësh, i identifikuar si Homeland Justice, e mori përgjegjësinë për sulmin dhe theksoi në llogarinë e tij në Telegram se “nuk do t’i lëmë mbështetësit e terroristëve të MEK të flenë të qetë asnjë çast”.
MEK, apo Mojahedin-e-Khalq, është grup opozitar iranian që njihet edhe si Organizata Popullore Muxhahedine e Iranit dhe është strehuar në Shqipëri kamotshëm.
Homeland Justice është faqe e internetit me shtrirje ruse që u shfaq para sulmeve kibernetike në portalin shtetëror e-Albania, në mes të korrikut 2022.
Sipas analizës së Microsoft, pas faqes së internetit qëndron një grup i lidhur me Qeverinë iraniane, i cili është përgjegjës për sulmin në internet.
Ky grup hakerësh edhe më herët ka kryer sulme ka kryer disa sulme kibernetike ndaj disa institucioneve në Shqipëri.
Sulmi kibernetik i së hënës vjen në një kohë kur në Shqipëri u rritën shqetësimet rreth sigurisë pasi Irani nisi sulme hakmarrëse në vendet ku ekzistojnë baza ushtarake amerikane menjëherë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i filluan bombardimet ndaj Teheranit më 28 dhjetor.
Në të kaluarën, Homeland Justice ka publikuar të dhëna personale të shtetasve shqiptarë dhe ka deklaruar se shkaku i sulmeve kibernetike lidhet me vendimin e Shqipërisë për të strehuar opozitën iraniane, në kampin e Manzës.
Ndërkohë, hetimet e para rreth sulmit të 10 marsit kanë treguar se infrastruktura kryesore e punës së këtij institucioni nuk është prekur, tha ai.
Bëhet e ditur gjithashtu se faqja zyrtare e Kuvendit dhe sistemet e tjera që mbështesin veprimtarinë e institucionit vijojnë të punojnë normalisht.
Pasi është vërejtur incidenti janë marrë masa për neutralizimin e sulmit, ndërsa ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira në llogaritë e përdoruesve, theksoi Kuvendi.
Grupi i hakerëve i publikoi disa prej dokumenteve të hakeruar më 10 mars.
Kuvendi i tha se pas sulmit “është ofruar mbështetje teknike edhe nga partnerët ndërkombëtarë, me të cilët po vijon komunikimi për vlerësimin e situatës dhe hapat e mëtejshëm”.
Ai gjithashtu ka ngritur një ekip i përbashkët teknik dhe hetimor për të zbuluar burimin e sulmit dhe për të rikthyer të dhënat e prekura./REL/
Lajmet
UBT hap dyert për gjeneratën e re: Bursa 20% për studentët e shkëlqyeshëm në 10 programet më të kërkuara
Published
1 hour agoon
March 11, 2026By
UBTNews
Institucioni lider në arsimin e lartë, UBT, ka shpallur zyrtarisht hapjen e fazës së regjistrimeve të hershme, duke u ofruar një mundësi unike maturantëve që synojnë të ndërtojnë karrierën e tyre në programet më inovative në vend.
Në kuadër të shënimit të një çerek shekulli suksesi, UBT ka vendosur të mbështesë gjeneratat e reja të suksesshmee reja përmes një skeme të veçantë bursash.
Të gjithë kandidatët me sukses të shkëlqyeshëm që aplikojnë gjatë kësaj periudhe, do të përfitojnë automatikisht 20% bursë në dhjetë programet më të kërkuara të studimit gjatë tri viteve të studimit në UBT.
Ky njoftim vjen si një ftesë për të gjithë ata që duan të sigurojnë vendin e tyre në programin që kanë ëndërruar, duke u bërë pjesë e një komuniteti akademik që po transformon tregun e punës.
Të gjithë të interesuarit mund ta bëjnë aplikimin e tyre brenda pak minutash përmes platformës online, duke ndjekur vegëzën zyrtare: Aplikoni Këtu.
Lajmet
52 vjet burgim për pesë të akuzuarit në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë
Published
18 hours agoon
March 10, 2026By
UBTNews
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë verdiktin dënues për pesë persona të përfshirë në rastin e dhunimit të 11-vjeçares. Trupi gjykues e dënoi të akuzuarin B.Rr. me 12 vite burgim, kurse katër të akuzuarit e tjerë, D.Rr., F.S., M.S. dhe M.R., morën nga 10 vite burgim secili. Koha e qëndrimit në paraburgim dhe në arrest shtëpiak do t’iu llogaritet të gjithëve si pjesë e dënimit final.
Përveç dënimit me burg, të dënuarit janë të detyruar të paguajnë nga 500 euro për shpenzimet e procesit gjyqësor dhe nga 50 euro shtesë për Fondin e Kompensimit të Viktimave.
Sa i përket dëmshpërblimit, pala e dëmtuar është udhëzuar që kërkesën pasurore-juridike ta kërkojë përmes një kontesti të rregullt civil. Ky vendim nuk është përfundimtar, pasi palët kanë të drejtën e ankimimit në Gjykatën e Apelit.
Ky proces gjyqësor rrodhi nga aktakuza e ngritur në fund të vitit 2022 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila fillimisht shënjestroi tetë persona për ngjarjen e qershorit të po atij viti. Në këtë grup, B.Rr. u ngarkua me veprën penale të dhunimit, ndërsa mbi të pandehurin D.Rr. rëndojnë akuzat për dhunim si dhe për trafikim me njerëz.
Raporti i PE 2025: Kosova me “vit të humbur” nga bllokada politike
REL: Kuvendi i Shqipërisë thotë se është goditur nga një sulm kibernetik
Sulme me dronë ndaj bazave amerikane në Irak
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 11 mars, nga viti 1993-1999
UBT hap dyert për gjeneratën e re: Bursa 20% për studentët e shkëlqyeshëm në 10 programet më të kërkuara
Astronomët kapin imazhin më të detajuar deri më tani të qendrës së galaktikës sonë
Madrid – Siti, finale para finales në Ligën e Kampionëve
11 mars 1981 – Kur zëri i studentëve tronditi Kosovën
Bie numri i rasteve të dhunës në familje në 24 orët e fundit
Të kërkuara
-
Vendi3 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Aktualitet3 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
-
Lajmet2 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet3 months agoProfesori Lulzim Beqiri përfaqëson UBT-në në mobilitetin akademik në Technische Hochschule Lübeck
