Lajmet

Rashiq: Lista Serbe po i kërcënon dhe largon nga puna serbët që na përkrahin

Published

on

Ministri i Kosovës, Nenad Rashiq, ka deklaruar se serbët që mbështesin partinë e tij janë përballur me kërcënime dhe përjashtime nga puna. Sipas tij, këta individë janë duke u kërcënuar me letra dhe dëmtime të automjeteve, madje përjashtimet nga puna janë një praktikë e zakonshme për ata që bashkëpunojnë me të.

Një rast i tillë, sipas Rashiqit, është përjashtimi nga puna i gruas së zëvendësit të tij, Nenad Vukmiroviq, e cila punonte në sektorin publik në veriun e Kosovës. Po ashtu, ai përmendi edhe një tjetër rast ku një familje nga Novobërda është ndëshkuar për ndihmën që ka marrë nga institucionet e Kosovës për ndërtimin e një shtëpie.

Një tjetër incident që Rashiqi raportoi ishte një kërcënim ndaj një zyrtareje të Ranillugut, e cila u gjet me automjetin të cilin e kishte parkuar në një vend të gabuar, ku dikush kishte lënë një mesazh kërcënues, duke i thënë se herën tjetër mund të ndodhte diçka më serioze.

Ministri Rashiq shpjegoi gjithashtu se djali i tij, që studion në Serbi, përballohet me kontrolla të rrepta dhe ndalime gjatë udhëtimeve në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës.

Ai e krahasoi situatën politike të serbëve të Kosovës me regjimin e Koresë së Veriut, duke theksuar se ata po përdoren si mjet manipulimi nga autoritetet e Beogradit për të mbështetur retorikën e brendshme të Serbisë. Rashiq gjithashtu paralajmëroi se, nëse procesi i votimit nuk mbikëqyret rreptësisht, historia mund të përsëritet me një ndikim të madh për serbët e Kosovës./UBTNews/

Live

Universitetet britanike u konsultuan me kompaninë e armëve BAE Systems për protestat pro-Palestinës

Published

on

By

Së paku 13 universitete britanike kanë diskutuar me prodhuesin më të madh të armëve në Mbretërinë e Bashkuar, BAE Systems, se si t’i menaxhojnë protestat pro-palestineze në kampuset e tyre. Kjo përfshinte rritjen e masave të sigurisë në ngjarje zyrtare dhe koordinimin e përgjigjeve ndaj kritikave.

Korrespondenca mes universiteteve dhe kompanisë ushtarake u zbulua përmes email-eve dhe dokumenteve të brendshme nga një hetim i përbashkët i “Liberty Investigates” dhe “Al Jazeera”.

Sipas dokumenteve, universitete të tilla si ai i Manchesterit, Nottinghamit, Southamptonit, Birminghamit, Strathclyde dhe Cranfield konsiderohen “partnerë strategjikë” të BAE Systems dhe marrin së bashku deri në 15 milionë funte (rreth 20 milionë dollarë) në vit nga kjo kompani.

Në gusht të vitit 2024, BAE Systems duket se u ka kërkuar universiteteve të hartojnë mesazhe për të kundërshtuar atë që e quante “një narrativë shpesh të deformuar nga protestuesit”. Kjo periudhë përkonte me reagimet e mëdha studentore kundër bashkëpunimit me kompanitë që furnizojnë me armë ushtrinë izraelite gjatë luftës në Gazë.

Në një rast në Universitetin e Sheffieldit, zyrtarët e hetimit të brendshëm u konsultuan me BAE Systems përpara se të dënonin katër studentë që protestuan në një ngjarje online me slloganet “BAE vret fëmijë”. Studentëve u kërkua të paguanin një gjobë prej 75 funtesh ose të nënshkruanin një zotim se nuk do të merrnin pjesë në protesta të paautorizuara.

Ndërsa studentët e ndëshkuar e cilësuan këtë si ndikim të drejtpërdrejtë të kompanisë së armëve mbi drejtuesit e universitetit, zëdhënësi i Universitetit të Sheffieldit i hodhi poshtë pretendimet, duke deklaruar se procedurat disiplinore janë të pavarura dhe bazohen vetëm në rregulloren e sjelljes së studentëve. /Al Jazzera/

 

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi Komunal i Prishtinës shqyrton taksën 2-euroshe për trafikun në qendër

Published

on

By

Propozimi për vendosjen e një tarife prej 2 eurosh për automjetet që hyjnë në zonën qendrore të Prishtinës ka nxitur diskutime të ashpra në Kuvendin Komunal.

Drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Luftar Braha, e mbrojti idenë duke theksuar se masa të tilla përdoren në shumë qytete botërore si Ljubljana e Tirana për të menaxhuar trafikun. Sipas tij, drejtuesit e mjeteve mund të shfrytëzojnë parkingun te Pallati i Rinisë pa u nënshtruar kësaj takse.

Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje e kundërshtoi propozimin me arsyetimin se kufizimi do të mbingarkojë rrugët alternative dhe do të rrisë ndotjen e ajrit. Po ashtu, edhe nga Partia Demokratike e Kosovës u kërkua që të shqyrtohen përjashtime për banorët e Prishtinës, në mënyrë që tarifa të mos aplikohet njëtrajtshëm për të gjithë.

Zona e planifikuar e lëvizjes së kufizuar përfshin rrugët kryesore brenda unazës së brendshme të kryeqytetit, ndërsa vendimi përfundimtar mbetet në duart e asamblistëve të Kuvendit Komunal.

Continue Reading

Vendi

Shoqëria civile e akademikët i kërkojnë Avokatit të Popullit dërgimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në Kushtetuese

Published

on

By

Një grup prej 24 përfaqësuesish nga shoqëria civile, komuniteti akademik dhe organizata për të drejtat e njeriut i janë drejtuar me kërkesë zyrtare Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, që ta referojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Kërkesa në emër të grupit është dërguar nga Ramadan Ilazi, udhëheqës i hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS). Përmes këtij dokumenti kërkohet të sqarohet nëse mandati i Dhomave të Specializuara në Hagë është zgjeruar përtej autorizimit që garanton neni 162 i Kushtetutës së Kosovës.

Në kërkesë theksohet se Kushtetuta ka lejuar themelimin e një mekanizmi të specializuar vetëm për të përmbushur obligimet lidhur me Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, e jo për krijimin e një juridiksioni të përgjithshëm penal mbi strukturën, historinë apo veprimtarinë e UÇK-së. Nënshkruesit kërkojnë nga Avokati i Popullit të sqarojë nëse lidhja me këtë raport duhet të dëshmohet për krime dhe persona konkretë, si dhe nëse shtrirja e juridiksionit të Speciales po cenon parimet e sigurisë juridike dhe proporcionalitetit.

Grupi i ekspertëve sqaron se kjo nismë nuk synon shqyrtimin e provave apo përcaktimin e fajësisë individuale në rastet aktuale, por ka të bëjë me mbrojtjen e sovranitetit kushtetues të vendit. Ndër 24 nënshkruesit e kërkesës janë figura të njohura si Prof. Dr. Enver Hasani, Lulzim Peci, Ismet Kryeziu, Nevenka Tromp, Visar Ymeri, Naim Rashiti, Leonora Kryeziu, Robert Muharremi, Fisnik Korenica e të tjerë.

Continue Reading

Lajmet

Mali i Zi bllokon afërsisht 103 tonë mish viçi të destinuar për Kosovën

Published

on

By

Autoritetet e Malit të Zi kanë bllokuar një tjetër ngarkesë me mish të skaduar viçi në Portin e Tivarit, e cila kishte destinacion tregun e Kosovës dhe kompaninë “Apetiti SH.P.K.”. Me këtë rast të fundit, sasia e përgjithshme e mishit të ndaluar brenda vetëm 10 ditëve ka arritur në 102,491 kilogramë, apo gati 103 tonë.
Sipas njoftimit zyrtar nga Drejtoria e Doganave të Malit të Zi, në kontejnerin e ndaluar të enjten u gjetën 1,321 paketime me mish viçi të ngrirë, me peshë bruto prej 24,650 kilogramësh. Gjatë kontrollit u konstatua se afati i përdorimit të këtij mishi kishte skaduar më 14 maj 2026.
Kjo pasoi rastin e 15 shtatorit, kur autoritetet malazeze ndërprenë tranzitin për tre kontejnerë të tjerë me mbi 77.8 tonë mish viçi. Në atë rast u zbulua një skemë manipulimi ku deklaratat origjinale me afat të skaduar ishin hequr dhe ishin zëvendësuar me etiketa të falsifikuara për të fshehur datën e skadencës.
Dogana malazeze bëri të ditur se parregullsi me të njëjtën kompani kosovare janë evidentuar edhe në Portin e Durrësit pas shkëmbimit të informacioneve me administratat doganore të rajonit. Për këtë mënyrë të tentimit për shpërndarjen e mishit të skaduar është alarmuar edhe Organizata Botërore e Doganave.
Mishi i bllokuar nga rasti i parë pritet të asgjësohet sapo të përfundojnë formalitetet ligjore.

/E.A/

Continue Reading

Të kërkuara