Lajmet

Raporti 24 orësh nga Policia e Kosovës

Published

on

Në raportin e fundit 24 orësh nga Policia e Kosovës, në disa qytete të Kosovës ka pasur incidente kriminale dhe shifra të larta të gjobave të shqiptuara në kundërvajtje.

AKSIDENTE TRAFIKU DHE GJOBA

Gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 2551 tiketa trafiku, janë shkaktuar 50 aksidente me dëme materiale dhe 19 aksidente me të lënduar. Zyra e Informimit nga PK ka njoftuar se 11 persona janë arrestuar, kurse 9 janë dërguar në mbajtje.

INCIDENTET KRIMINALE-PRISHTINË

NGACMIM

Fushë Kosovë / 26.08.2025 – 20:38. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se dyshohet se kishte kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

NGACMIM SEKSUAL

Prishtinë / 25.08.2025 – 20:45. Viktima femer kosovare ka raportuar se derisa kishte qenë duke ecur në rrugë, është ngacmuar nga dy të dyshuar. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti po hetohet nga ekipet relevante.

SULM NDAJ PERSONIT ZYRTAR

Prishtinë / 26.08.2025 – 00:55. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se i njëjti ka kryer vepren e lartcekur ndaj personave zyrtarë. Katër zyrtarë policorë kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje

DHUNË NË FAMILJE

Graqanicë / 26.08.2025 – 14:30. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se në vazhdimësi është duke e shqetësuar i dyshuari mashkull kosovar. Rasti në procedurë hetimore.

Prishtinë / 26.08.2025 – 17:30. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se pas një mosmarrëveshje verbale në banesën e tij ishte sulmuar nga e dyshuara femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, kurse e dyshuara pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedur të rregullt.

Lipjan / 26.08.2025 – 22:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë ndaj saj. Si pasojë e dhunës viktima ka pranuar tretman mjekësor kurse i dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.

POSEDIM I PAAUTORIZUAR I NARKOTIKËVE & ARMËS

Podujevë / 26.08.2025 – 22:20. Njësitet policore pasi kanë ndaluar të dyshuarin mashkull kosovar i cili ishte duke drejtuar veturën, gjatë kontrollit tek i njëjti kanë gjetur dhe konfiskuar një sasi të substancave narkotike të llojit marihuanë në peshë 0.90 gramë dhe një mjet të mprehtë-thikë. Në konsultim me prokurorin, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

INCIDENTE KRIMINALE-GJILAN

LËNDIM I LEHTË TRUPOR

Gjilan / 25.08.2025 – 18:00.  Më 26.08.2025 është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se një ditë më parë ishte përleshur fizikisht me viktimën mashkull kosovar dhe si pasojë viktima kishte pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

INCIDENTE KRIMINALE-FERIZAJ

LËNDIM I RËNDË TRUPOR

Kaçanik / 26.08.2025 – 20:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë fizike në familje ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

INCIDENTE KRIMINALE-PRIZREN

GJETJE E MUNICIONIT

Prizren / 26.08.2025 – 10:15. Raportohet se nga njësia patrulluese e kufirit janë gjetur në afërsi të kufirit 59 fishekë të armës automatike AK 47 që janë sekuestruar nga njësia e forenzikës. Në konsultim me prokurorin është inicuar rasti dhe mbetet në hetime.

INCIDENTET KRIMINALE-MITROVICË VERI

VDEKJE E DYSHUAR

Mitrovicë Veri / 26.08.2025 – 14:25. Është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vend të ngjarjes. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion.

EKSPOZIMI I MATERIALIT TË TURPSHËM DHE OFENDUES

Leposaviq / 26.08.2025 – 18:30. Raportohet se njësiti policor derisa kishte qenë duke u furnizuar me derivate, aty  afër veturës së tyre kishte shkuar i dyshuari mashkull shtetas serb i cili kishte pasur të veshur një bluzë me mbishkrime ofenduese apo provokuese. I dyshuari është dërguar në stacion policor, në konsultim me prokurorin është inicuar lënda e rastit, kurse i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

“Ukraina nuk po humb, Rusia nuk po fiton”: Situata në frontin e luftës

Published

on

By

Në juglindje të qytetit të sulmuar ukrainas, Kupjansk, gjendet qyteza e vogël, Kupjansk-Vuzlovi.

Në nëntor të vitit 2025, komandanti më i lartë i ushtrisë ruse pretendoi se Kupjansku ka rënë në duart e tyre.

Nuk ishte e vërtetë.

Në fakt, trupat ushtarake ukrainase kishin punuar në kundërofensivë dhe tani duket se po i largojnë edhe ushtarët e fundit rusë nga qyteti.

Javën që lamë pas, komandanti i njëjtë, gjenerali Valery Gerasimov, ka thënë se forcat ruse e kanë marrë kontrollin e Kupjansk-Vuzlovit.

Sipas vëzhguesve rusë dhe ukrainas të fushëbetejës, situata reale ishte kështu: forcat ruse ishin larg fshatit – rreth 10 kilometra – dhe as afër kontrollimit të tij.

Disa javë pas hyrjes së luftës në vitin e pestë, Rusia është duke goditur me sukses rrjetin energjetik të Ukrainës dhe shumë qendra të ngrohjes, duke i lënë qytetarët ukrainas nën temperatura të ulëta atmosferike. Por, Moska nuk është duke shënuar ndonjë fitore bindëse në fushëbetejë.

Forcat ushtarake të Moskës po e luftojnë mbrojtjen ukrainase në disa zona në frontin e luftës në gjatësi prej 1.100 kilometrash. Mirëpo, lëvizja e tyre është shumë e ngadalshme, ndoshta më e ngadalshmja në ndonjë lufte moderne, sipas një studimi. Dhe një realitet i tillë e ka koston e vet.

“Fronti i luftës përshkruhet më së miri si ‘stagnim dinamik’ që nënkupton luftime intensive me ndryshime gjeografike margjinale”, ka thënë Ivan Torres, major i pensionuar i ushtrisë amerikane, i cili tani punon si analist i lartë i ushtrisë ruse në grupin politik kërkimor Rochan Consulting.

Lodhja e Ukrainës u atribuohet edhe bisedimeve për paqe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë shënuar përparim, mirëpo mospajtimet për një mori çështjesh vazhdojnë të jenë pengesë.

“Ukraina nuk po humb dhe Rusia nuk po fiton”, ka vlerësuar Instiuti Royal United Services, me seli në Londër.

Më poshtë i kemi renditur rajonet kryesore që meritojnë vëmendje:

KUPJANSKU

Qyteti njihet për një kryqëzim të rëndësishëm hekurudhor dhe deri më tani është përballur disa herë me luftë: Rusia e ka pushtuar atë pas nisjes së luftës në shkurt të vitit 2022. Më pas, forcat ukrainase i kanë marrë nën kontroll pozicionet ruse në shtator, dhe kanë arritur deri në Oskil.

Mirëpo, për më shumë se një vit, forcat ruse – më shumë në numër, me më shumë armë – i janë afruar sërish Kupjanskut.

Në shtator, njësitet ruse kanë depërtuar përmes gazsjellësve të papërdorur nëntokësorë të Oskilit dhe kanë arritur në paralagjet e Kupjanskut në veri. Kështu, ata kanë infiltruar grupe të vogla ushtarësh në brendësi të qytetit.

Autoritetet lokale më pas kanë ngritur alarmin dhe komandantët ukrainas i kanë angazhuar kompanitë e specializuara për dronë, dhe para Vitit të Ri, njësitet ukrainase i kanë shtyrë tutje pozicionet ruse.

Megjithatë, moti i keq në tetë javët e fundit ka ndikuar në performancën e ushtarëve ukrainas për t’i larguar të gjithë ushtarët rusë nga ato zona.

Forcat ruse, në anën tjetër, nuk dorëzohen, ato tentojnë vazhdimisht t’i thyejnë bllokadat ukrainase dhe të rimarrin qytetin.

“Pastrimi i plotë i Kupjanskut duket i vështirë, por rusët e kanë humbur momentumin”, ka thënë Emil Kastehelmi, analist ushtarak në organizatën për kërkime, Black Bird Group.

“Nuk pres ndryshime të mëdha në të ardhmen në atë zonë”, i ka thënë ai Radios Evropa e Lirë.

“Është e mundshme që Ukraina të humbë pozicionet në lindje të lumit Oskil në një pikë, mirëpo kjo nuk do të thotë që rusët do të avancojnë shumë në brendësi”.

KOSTIANTINIVKA

Një tjetër qytet me rëndësi për kryqëzime hekurudhore dhe furnizim të ushtrisë, Kostiantinivka, ka qenë shumë e rrezikuar prej kur ushtarët rusë arritën t’i largonin forcat ukrainase prej Çasiv Jar-it vitin e kaluar.

Ky rezultat u dha përparim rusëve. Çasiv Jar-i gjendet në lartësi më të madhe, duke u dhënë mundësi rusëve që të bombardojnë mbrojtjen ukrainase prej lartësisë.

Duke bërë presion prej jugut dhe jugperëndimit, ushtarët rusë tani synojnë disa lidhje të rëndësishme rrugore që shtihen drejt Kramtorskut. Ky qytet, bashkë me Sllovianskun, janë dy pika të rëndësishme përmes së cilave ukrainasit i mbrojnë pjesët e rajonit të Donjeckut që i kanë ende në duar.

“Kostiantinivka mund të jetë në listën e operacioneve kryesore të rusëve”, ka thënë Torres.

“Këto zona janë shumë problematike për Ukrainën. Forcat ruse kanë kaluar muaj duke tentuar të krijojnë qendra logjistike. Luftimet aty karakterizohen nga sulme të shpejta të këmbësorisë që synojnë t’i lodhin mbrojtësit ukrainas, në vend të një depërtimi të thellë”.

POKROVSKU DHE MIRNOHRADI

Dikur një qendër e rëndësishme logjistike për mbrojtjen ukrainase në rajonin e Donjeckut, Pokrovsku ka muaj është dërmuar, pasi njësite të vogla ukrainase janë infiltruar gradualisht në qytet. Strategjia ka funksionuar dhe tani ushtarët rusë kontrollojnë rreth 80-90 për qind të qytetit. Komandantët ukrainas po i mbajnë me vështirësi vijat e kontrollit në veriperëndim.

Rënia e Pokrovskut në duart e rusëve do t’i rrezikojë edhe pozicionet tjera ukrainase, përfshirë ato rreth qytezës së Mirnohradit, e cila është kryesisht nën kontrollin rus.

Ushtarët ukrainas kanë thënë se njësitet ruse kanë zhvendosur pajisje të rënda në qytezë dhe e kanë tashmë një zonë komanduese.

“Forcat ruse kontrollojnë pjesën më të madhe të të dyja qyteteve, ndonëse rezistenca ukrainase mund të jetë ende e vërejtshme në disa vende, qytetet mund të konsiderohen të humbura”, ka thënë Kastehelmi, i cili sapo është kthyer nga një udhëtim në Ukrainë.

HULJAPOLE DHE ORIHIVI

Në Hulyaypole, jugperëndim të Pokrovskut, kapacitetet e mbrojtjes ukrainase varen nga lumi Hajçur, i cili ndan qytetin në zona. Ekspertët kanë paralajmëruar që forcat ruse i kanë tejkaluar disa zona përtej lumit dhe i kanë konsoliduar pozicionet e tyre, dhe që ukrainasit po përpiqen t’i pengojnë përparimet e mëtejme.

Disa ekspertë kanë thënë se mbrojtja ukrainase mund të jetë dobësuar për shkak të forcave të dërmuara dhe vendimeve të komandantëve për t’i zhvendosur të gjitha resurset për ta zotëruar Kupjanskun në veri.

“Rënia e Hujlapoles ishte një ngjarje fatkeqe, mirëpo rusët nuk kanë avancuar shumë përtej saj”, ka thënë Kastehelmi.

Humbja e Huljaypoles është problematike sepse në zonën perëndimore është një stepë relativisht e hapur që nuk ka vija mbrojtëse dhe mund të kalohet lehtësisht nga automjete të blinduara. Kjo do t’ua hapte derën njësiteve ruse për të rritur presionin në perëndim drejt Orikhivit, qytet më i madh, rreth 70 kilometra larg.

“Kapja e këtij qyteti dhe thyerja e mbrojtjes ukrainase përgjatë lumit Hajçur kërcënojnë qëndrueshmërinë e mbrojtjes së Orikhivit nga Ukraina”, vlerëson Torres.

KAMJANSKE DHE ZAPORIZHJA

Vëmendje shumë më e vogël – ukrainase apo ruse – i është dhënë avancimit gradual të ushtarëve rusë në brigjet e atij që dikur ishte rezervuar i Kahovkas në lumin Dnjepër. Diga e Kahovkas është shkatërruar sa ka qenë në kontrollin rus në qershor të vitit 2023.

Në fund të dhjetorit të vitit 2025, trupat ruse kanë arritur të depërtojnë në qytezën Kamjanske, në drejtim të kryeqytetit rajonal, Zaporizhjas.

“Ata mund të shkaktojnë më shumë probleme në muajt në vijim, nëse arrijnë ta marrin qytetin në copëza të vogla”, vlerëson Kastehelmi.

“Në periudhë afatmesme dhe afatgjatë, situata në Zaporizhja mund të shkojë në drejtim shqetësues, por disa pengesa lokale dhe taktike tani, nuk nënkuptojnë se situata e përgjithshme po shkon drejt një krize të madhe”.

Përgatiti: Krenare Cubolli /REL/

Continue Reading

Lajmet

36 vjet nga nisma për pajtimin e gjaqeve

Published

on

By

Më 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çettës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit.

Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë.

Nuk kishte kaluar shumë kohë nga formimi i Lëvizjes Gjithëkombëtare si përgjigje ndaj Sllobodan Millosheviqit për vetë emërimin si ‘kral’ i të gjithë serbëve në Fushë-Kosovë, mbylljes së shkollave, helmimit, mbylljen e universitetit, gazetave e mjeteve tjera të informimit, zgjimi i vetëdijes kombëtare ishte i paevitueshëm.

Kjo lëvizje u emërua si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetar u zgjodh Ibrahim Rugova. Rugova kishte pranë vetes edhe njerëz të njohur si atdhetar. Askush nuk luftonte për bajraktarizëm, por për atdheun, shkruan KosovaPress.

Kjo rini e shëndoshë, pa hezitim, timonin e pajtimit ia dhuroi Anton Çettës dhe profesorëve tjerë nga Instituti Albanologjik, intelektualëve kudo që gjendeshin, akademikëve, punëtorëve e fshatarëve, aktivistëve nga mbarë trojet tona etnike.

Njerëzit në atë kohë në krye me Anton Çettën, marshonin para qindra ekipe profesorësh, studentësh, aktivistësh, këngëtarësh e poetësh…pajtonin popullin, pajtonin ata që deri dje ishin armiq, për t’u bërë miq e vëllezër. Heronjtë e këtij aksioni kombëtar, padyshim ishin ata që falnin.

Faleshin për hatrin e atdheut. Në këto tubime madhështore që organizoheshin anembanë Kosovës e trojeve tjera etnike, si në Kaçanik e Lug të Drinit, Rrafsh të Dukagjinit e n´Verra të Llukës, në Shalë e në Karadak, në Llap, Drenicë e Gollak, në Has, Rekë, Podrime, Lapushë, Podgur e Rugovë, Rrafsh i Kosovës dhe kudo, e kudo në viset tjera, tregonte se për popullin tonë e atdheun kishte krisur ora e madhe e historisë sonë. Fryma e faljes dhe e pajtimit të gjaqeve, e nisur atëherë, mbetet e gjallë edhe sot, në disa raste. /Kosovapress/

Continue Reading

Lajmet

Borxhi në banka, mbi 600 milionë euro mbitërheqje nga qytetarët dhe bizneset

Published

on

By

Mbitërheqjet bankare (overdraft) të qytetarëve e bizneseve në Kosovë gjatë vitit 2025 kanë arritur vlerën 655 milionë euro.

Sipas të dhënave të reviduara (verifikuara) nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), stoku i mbitërheqjeve apo overdrafteve në fund të vitit 2025 ka arritur vlerën prej 655 milionë eurove, një rritje prej 11.4 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024, të publikuara nga Instituti GAP, raporton KosovaPress.

Pjesën më të madhe të kësaj vlere e përbëjnë overdraftet e bizneseve, të cilat në vitin 2025 janë rritur për rreth 49 milionë euro apo 10 për qind.

Sipas një publikimi nga Instituti GAP, norma mesatare efektive (e ponderuar) e interesit e aplikuar në këto overdrafte gjatë vitit 2025 ishte 7 për qind.

“Ndërkaq, overdraftet e ekonomive familjare kapin vlerën prej 115.9 milionë euro, që përbën një rritje rreth 18 milionë euro apo 19% krahasuar me vitin paraprak. Norma mesatare efektive e interesit (e ponderuar) e aplikuar në overdraftet e ekonomive familjare gjatë vitit 2025 ishte 12.3 për qind”, thuhet në njoftimin e Institutit GAP, transmeton KosovaPress.

Grafika për mbitërheqjet bankare në Kosovë, 2015-2025:

 

Continue Reading

Lajmet

KQZ pritet që sot ta përmbyllë rinumërimin e votave

Published

on

By

Sot pritet të përmbyllet procesi i rinumërimit të gjithsej 2 mijë e 557 vendvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Ai bëri me dije se deri më tani janë rinumëruar rreth 95% e tyre.

“Nga fillimi i këtij procesi (13 janar) dhe deri në përfundimin e ditës së enjte (29 janar) janë rinumëruar rreth 95% apo 2,414 nga 2,557 vendvotime. Pra, kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 143 vendvotime që i takojnë 4 komuave të fundit nga ky proces, si Prishtinë, Podujevë, Suharekë dhe Shtërpcë”, deklaroi ai.

Continue Reading

Të kërkuara