Lajmet

Raporti 24 orësh nga Policia e Kosovës

Published

on

Në raportin e fundit 24 orësh nga Policia e Kosovës, në disa qytete të Kosovës ka pasur incidente kriminale dhe shifra të larta të gjobave të shqiptuara në kundërvajtje.

AKSIDENTE TRAFIKU DHE GJOBA

Gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 2239 tiketa trafiku, janë shkaktuar 72 aksidente me dëme materiale dhe 19 aksidente me të lënduar. Zyra e Informimit nga PK ka njoftuar se 20 persona janë arrestuar, kurse 15 janë dërguar në mbajtje.

INCIDENTET KRIMINALE-PRISHTINË

POSEDIM I PAAUTORIZUAR I NARKOTIKËVE

Rr. Ahmet Krasniqi, Prishtinë 19.08.2025 – 00:20. Njësiti policor ka ndaluar një automjet, gjatë kontrollit tek një pasagjer është gjetur dhe konfiskuar një sasi me substancë narkotike dyshohet marihuanë me peshë rreth 11.6 gram. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Rr. Aziz Kelmendi, Prishtinë 19.08.2025-11:00. Raportohet se me vendim të prokurorit është bastis shtëpia e të dyshuarit mashkull kosovar, ku janë gjet dhe sekuestruar 99.4 gr marihuanë dhe një peshore. Me vendim të prokurorit pas intervistimit rasti shkon në procedurë të rregullt.

LËNDIM I LEHTË TRUPOR

Fsh. Tërstenik, Gllogoc 18.08.2025-18:40. Raportohet se datë 19.08.2025 janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj, pasi që të njëjtit kishin sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në QKUK. Me vendim të prokurorit të dyshuarit dërgohen në mbajtje.

DHUNË NË FAMILJE

Prishtinë,19.08.2025-20:00. Është raportuar se viktima femër kosovare, është kanosur nga i dyshuari mashkull bashkëshorti i saj dhe e njëjta ndjehet e frikësuar dhe e rrezikuar prej tij. Lidhur me rasti nuk është intervistuar i dyshuari për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe mbetet që në ditët në vijim të intervistohet. Ankuesja pas përfundimit të procedurave është vendosur në një vend ku ndihet e sigurt.

VJEDHJE

Rr. Hysen Gjakolli-Fushë Kosovë,19.08.2025-10:59. Ankuesi mashkull kosovar ka lajmëruar se nga vetura e tij i është vjedhur një çantë me dokumente personale si dhe para. Lidhur me rastin është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari i mitur që dyshohet se ka kryer vjedhjen. Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit kujdestar i dyshuari dërgohet në qendrën e mbajtjes për 24 orë.

PERSON I ZHDUKUR

Rr. Dardania Fushë Kosovë 18.08.2025 – 21:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se djali i tij ka dalë nga shtëpia dhe ende nuk dihet vendndodhja e tij. Rasti është duke u hetuar.

Rr.Lidhja e Prizrenit-Prishtinë,19.08.2025-21:20. Ankuesja femër kosovare ka lajmëruar se më datën 19.08.2025, vajza e saj e mitur është larguar nga shtëpia dhe deri me tani nuk është kthyer në shtëpi.

 INCIDENTET KRIMINALE-GJILAN

 ASGJËSIMI, DËMTIMI OSE HEQJA E PAJISJEVE MBROJTËSE DHE RREZIKIMI I SIGURISË NË VENDIN E PUNËS

Rr. Metush Krasniqi, Gjilan 18.08.2025 – 12:00. Me 19.08.2025 lidhur me rastin është raportuar se viktima i cili ka qenë i lënduar dhe duke u trajtuar në QKUK, ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion.

INCIDENTET KRIMINALE-FERIZAJ

SULM NDAJ PERSONIT ZYRTAR

Rr. Gjon Sereqi-Ferizaj,19.08.2025-21:15. Deri sa njësia policore e biçikletave ka tentuar të ndalojë një motoçiklistë, i njëjti nuk kishte përfillur shenjat e ndalimit. Ai kishte rritur shpejtësinë dhe kishte goditur dy zyrtarët policorë duke u shkaktuar lëndime trupore dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Dy zyrtarët policorë të lënduar janë dërguar në Emergjencën e Spitalit në Ferizaj për tretman mjekësor. Lidhur me rastin është identifikuar i dyshuari pasi në vendin e ngjarjes i kishte rënë telefoni celular dhe i dyshuari së bashku me prindin e tij janë paraqitur në stacion të policisë. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt.

Rr. Gjon Sereqi-Ferizaj,19.08.2025-21:20. Deri sa njësia e trafiku të qytetit ka tentuar që të ndalojë një grup të rinjsh me motoçikleta drejtuesi i një motoçiklete ka goditur zyrtarin policor, i cili ka pësuar lëndime trupore. Dy personat të cilët kanë qenë ne këtë motoçikletë janë arrestuar. Në lidhje me rastet është njoftuar prokurori kujdestar. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

POSEDIM I PAAUTORIZUAR I NARKOTIKËVE

Rr. Enver Topalli, Ferizaj 19.08.2025 – 00:05. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që gjatë kontrollit u është gjetur një sasi prej 4.9 gr dyshohet kokainë. Gjatë arrestimit njëri nga të dyshuarit dhe një zyrtar policor kanë pësuar lëndime të lehta trupore për të cilat kanë marrë raport mjekësor. Me vendim të prokurorit njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.

SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM & ARMËMBAJTJE PA LEJE & LËNDIM I LEHTË TRUPOR

Rr. Rexhep Bislimi-Viti,19.08.2025-23:20. Janë arrestuar dy te dyshuar meshkuj kosovarë pasi që pas një mosmarrëveshje në mes vete janë përleshur fizikisht dhe njëri prej të dyshuarave kishte shtënë me armë zjarri një herë në ajër dhe ishte larguar prej vendit të ngjarjes. Njësia policore kishte hasur dhe konfiskuar një gëzhojë në vendin e ngjarjes si dhe në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve kishte sekuestruar një armë revole me dy fishekë si dhe lejen e posedimit të armës. Pas intervistimit të dyshuarve, me urdhër të prokurorit kujdestar njëri i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa i dyshuari tjetër është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.

INCIDENTET KRIMINALE-PRIZREN

ORGANIZIMI I SKEMAVE PIRAMIDALE DHE BIXHOZIT TË PALIGJSHËM

Rr. Haxhi Zeka-Prizren,19.08.2025-20:00. Pas një pune hetimore njësitë policore kanë kryer urdhër kontroll në disa lokacione ku dyshohej se pronarët dhe punëtorët e disa lokaleve mundësojnë zhvillimin e lojërave të fatit. Gjatë kontrollit janë gjetur dëshmi dhe fakte mbi kryerjen e këtyre veprave penale të cilat janë sekuestruar përkohësisht. Lidhur me rastin prokurori kujdestar ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin për dy të dyshuar meshkuj kosovarë, ndërsa tre të dyshuar të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

 ARMBAJTJE PA LEJE

Rr. Transiti i Vjetër, Prizren 16.08.2025-00:30. Njësiti i hetuesisë ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin mashkull kosovar, i cili kishte shtënë në një sall dasmash me armë zjarrit në ajër. Nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit dërgohet në mbajtje.

INCIDENTET KRIMINALE-PEJË

NXITJA E PËRQARJES DHE MOS DURIMIT

Pejë ,16.08.2025 NN. Viktima mashkull kosovar, ka njoftuar se një person në rrjetin social Facebook i kishte komentuar me disa shkrime duke nxitur përçarje dhe mos durim e më pas ka pasur edhe komente të tjera nga disa persona të tjerë të cilët kanë përdorë fjalë fyese dhe denigruese duke e mbështetur komentin e personit të dyshuar. Rasti duke u hetuar.

DHUNË NË FAMILJE

Istog,19.08.2025-21:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit kishte shkuar te viktima motra e tij dhe pas një mosmarrëveshje kishte dëmtuar derën e banesës së saj. Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit kujdestar i dyshuari dërgohet në qendrën e mbajtjes për 48 orë.

INCIDENTET KRIMINALE-GJAKOVË

HETIM I VDEKJES

Rr. Avdyl Krasniqi, Malishevë 19.08.2025-14:10. Raportohet se viktima mashkull kosovar, është gjetur pa shenja jete. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në obduksion.

DHUNË NË FAMILJE

Rahovec,19.08.2025-19:40. Është raportuar se viktima femër kosovare ka pësuar dhunë nga i dyshuari mashkull kosovar (vjehrri i saj). Lidhur me rastin, viktimës i është ofruar ndihmë mjekësore dhe e njëjta është vendosur në shtëpinë e prindërve të saj dhe nuk ka dëshiruar urdhër mbrojtës. Ndërsa i dyshuari është intervistuar dhe me urdhër të prokurorit kujdestar është liruar në procedurë të rregullt.

INCIDENTET KRIMINALE-MITROVICË VERI

SHANTAZH

Fsh.Korilë, Zveqan 18.08.2025-20:59. Ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar se e dyshuara femër kosovare e kishte shantazhuar se do t’i publikonte video intime nëse nuk i paguan shuma të caktura parash. Rasti duke u hetuar.

VJEDHJE

Rr. Kolashini-Mitrovicë Veri,23.07.2025-08:30. Lidhur me rastin e lajmëruar më datën e lartcekur, më datë 19.08.2025 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe pas intervistimit me aktvendim të prokurorit kujdestar është dërguar në qendrën e mbajtje për 48 orë.

INCIDENTET KRIMINALE-DEPARTAMENTI I POLICISË KUFITARE

VJEDHJE E PYLLIT

Fshati Kashicë-Istog,19.08.2025-20:00. Njësia patrullues gjatë patrullimit kanë ndaluar një kamionetë me targa vendore të cilën e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar dhe gjatë kontrollimit të dokumenteve dhe ngarkesës është vërejtur se në automjet kishte ngarkuar dru për djegie rreth 4m kub për të cilat i dyshuari nuk posedonte dokument si dhe drunjtë nuk ishin të damkosura. Me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

 

Continue Reading

Kujtesë

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

7 nëntor 1992

Katër të vrarë e shumë të plagosur nga policia maqedonase

Bilanci tragjik i ndërhyrjes së policisë maqedonase në lagjen e banuar me shqiptarë Bit Bazar të Shkupit, është së paku dy persona të vrarë e me dhjetëra të plagosur.

Shërbimi për Informim i Partisë për Prosperitet Demokratik na njoftoi se dje pasdite, rreth orës l6, policia maqedonase ndërhyri kundër qytetarëve shqiptarë në Bit Pazar, që është qendër tregtare e shqiptarëve. Me këtë rast, policia maqedonase rrahu brutalisht një fëmijë, rreth 14 vjeç.

Ky veprim shkaktoi indinjatë, dhe pastaj reagime të shqiptarëve. Në mesin e qytetarëve të tubuar në Bit Pazar, u përhapën fjalë se fëmiu shqiptar kishte vdekur në spital. Duket se kjo u bë me qëllim që të rritet zemërimi i qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkonin informata të sakta për gjendjen e fëmiut të rrahur dhe sqarime nga autoritetet maqedonase.

Ndërkohë, rreth orës 20, pa kurrfarë paralajmërimi policia maqedonase e cila kishte vënë gjendje të plotë shtetrrethimi në këtë lagje të banuar kryesisht me shqiptarë, ndërhyri egërsisht, duke përdorur bomba lotsjellësi, shkopinj gome, e, edhe armët e zjarrit. Sipas disa mjeteve të informimit, policia kishte për qëllim shpërndarjen e masës së madhe në grupe të vogla. Siç informojnë zyrtarët e Partisë për Prosperitet Demokratik, nga të shtënat e policisë u vra Safet Sejfullahu, 25 vjeçar. Mjetet e informimit pohojnë se janë vrarë dy persona. Me dhjetëra janë të plagosur nga armët e zjarrit, ose të lënduar nga intervenimi brutal i policisë. Mbi 85 qytetarë shqiptarë janë arrestuar mbrëmë dhe po mbahen ende në polici. Bëhet me dije se janë demoluar vetura e lokale të shumta në këtë lagje.

Ndërkaq, sot RadioShkupi, në emisionet e veta informative në gjuhën maqedonase, duke u mbështetur në informatat zyrtare, njofton se gjatë mbrëmë në Bit Pazar, janë vrarë dy shqiptarë, një grua maqedonase dhe një person i paidentifikuar ende.

Informata të hollësishme për këtë intervenim të policisë kundër popullësisë shqiptare nuk dhanë as organet zyrtare të Maqedonisë, e as partitë politike shqiptare në Maqedoni, ose degët e tyre në Shkup.

Gjatë natës të gjitha lidhjet telefonike me Shkupin ishin të bllokuara.

Kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik, Nevzat Halili, i deklaroi Qendrës për Informim se tërë kjo që ndodhi në orët e pasditës dhe të mbrëmjes në Bit Pazar ishte një skenar për destabilizimin e gjendjes në Maqedoni, përkatësisht në territoret ku jetojnë shqiptarët.Me këtë akt, policia maqedonase deshi të provokonte pakënaqësinë e grumbulluar për shkak të gjendjes së rëndë politike, ekonomike, kulturore në mesin e popullatës shqiptare. Ne do të insistojmë, tha ai më tutje, që e vërteta për tërë ngjarjen të dalë në shesh dhe që shkaktarët të mirren në përgjegjësi. Ai theksoi se momentalisht situata nuk është dramatike si mbrëmë. Veprimtarët e kësaj partie janë në kontakt me qytetarët shqiptarë dhe po bëjnë përpjekje që të ndërprerjnë daljen e situatës nga kontrolli. Gjendja e të plagosurve dhe e të lënduarëve nuk është në rrezik. Z. Halili shpreson se do të lirohen së shpejti të arrestuarit.

Nga burime të ndryshme, sidomos nga qytetarët shqiptarë që udhëtuan mbrëmë e sot nga Shkupi për në Kosovë, mirret vesh se policia maqedonase po bën një kontroll shumë të rreptë, sidomos në Shkup.

Brenda ditës së sotme pritet që me vlerësime e qëndrime zyrtare të dalin partitë politike shqiptare dhe organet maqedonase.

Qeveria e Maqedonisë, në të cilën shqiptarët kanë pesë ministra, dhe përfaqësuesit e popullit shqiptar në Maqedoni, që përbën rreth 40% të popullsisë, deri më tash nuk kanë arritur marrëveshje për rregullimin e shtetit maqedon dhe statusin e shqiptarëve. Në janar të vitit l992 shqiptarët organizuan një referendum, në të cilin u deklaruan par autonomi politikoterritoriale. Në bisedimet e drejtëpërdrejta me autoritetet maqedonase, si edhe në bisedimet që janë bërë me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Konferencës së Hagës e të Gjenevës, përfaqësuesit e shqiptarëve kanë kërkuar për shqiptarët statusin e kombit shtetformues. Mirëpo, deri më tash këto kërkesa nuk janë përfillur dhe bisedimet nuk kanë dhënë rezultat. Incidenti i djeshëm mund t’ i rëndojë këto marrëdhënie.

 

7 nëntor 1994

Represioni gjatë nëntë muajve në Istog

Gjatë nëntë muajve të kaluar në komunën e Istogut u bastisën 77 familje, u bënë pesë intervenime në institucionet legale, u morën në pyetje 96 shqiptarë, u shënuan dy raste plaçkitjeje ndërsa katër personave u janë marrë pasaportat.

Në raportin periodik të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Istog thuhet se janë maltretuar 54 persona, 10 të tjerë janë mbajtur në stacionet e policisë deri në 3 ditë, procedura për ndëshkim është inicuar kundër 7 personave, 71 janë rrahur, 2 shqiptarë janë dënuar, ndërsa jtanë kthyer 13 refugjatë.

 

7 nëntor 1995 

Në qendër të Prishtinës u dogjën disa lokale

Dje në qendër të Prishtinës në një ndërtesë dykatëshe shpërtheu një zjarr, i cili u lokalizua pas tri orëve, por stihia e zjarrit dogji tri lokalet e një ndërmarrjeje private. Pas intervenimit të zjarrfikësve u pengua përhapja e zjarrit, i cili kishte përfshirë edhe lokalet e tjera përdhese dhe katin e sipërm të ndërtesës, ku banojnë familje. Sipas njoftimeve të shtypit serb, zjarri shpërtheu për shkak të instalimeve të dobëta të rrymës.

 

 7 nëntor 1996

Dhuna e përditshme në Kosovë

Viti: – Dje, rreth orës 6:00 të mëngjesit, policia serbe ia la thirrjen Musa Misinit, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Viti që të paraqitet në stacionin e policisë serbe në Viti.

  1. Misini u paraqit në polici, kur për rreth gjashtë orë u mor në pyetje për aktivitetin e tij politik.

Kamenicë: – Më 4 nëntor, policia serbe me pretekst të dorëzimit të armëve, thirri Muharrem Avdylin (66) nga Kromenata, i cili edhe u keqtrajtua fizikisht. Ai u urdhërua që të paraqitet sërish dje në polici, ndërsa bëhet e ditur se nga keqtrajtimi fizik i është lënduar syri.

 

7 nëntor 1997

Mitrovicë: Policia mori në pyetje dhe plaçkiti një të ri shqiptar

Dje, rreth orës 12:00 në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, policia serbe mori Berat R. Rrahmanin (18) nga Mitrovica, i cili u dërgua në stacionin e policisë serbe në Mitrovicë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Njoftohet se Berat Rrahmani merret me shitjen e cigareve dhe ai gjatë një ore sa u mbajt në polici, u pyet se kush ka armë në lagjen e tij në “Tavnik”, ndërsa policët edhe i plaçkitën cigare në vlerë prej 320 dinarësh.

Sot, nga ora 8:00 deri në orën 12:00, policia serbe në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, legjitimuan dhjetëra të rinj shqiptarë.

 

7 nëntor 1998

Njoftohen emrat e 5 shqiptarëve të vrarë dje në Opterushë të Rahovecit

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Prizren bëti sot të ditur emrat e pesë të rinjve shqiptarë, të vrarë dje nga forcat serbe në Opterushë të Rahovecit.

Të vrarit janë Xhelal Hajda (31) e Selajdin Mullaabazi (30) nga Rahoveci, Bektesh Halili nga Gllavatini i Vushtrrisë, Hamdi Hajrizi nga Strofci i po kësaj komune dhe Nezir Ymeri nga Jezerci i Ferizajt, të gjithë pjesëtarë të UÇK-së. 

Foto: Shkupi

Continue Reading

Vendi

Ekspertja e Hollywood-it ligjëron para studentëve të studimeve të sigurisë në UBT

Published

on

By

Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT ka organizuar një ligjëratë tematike me një eksperte të industrisë së filmit në Hollywood, producente dhe skenariste, e njohur për kontributin e saj në realizimin e serialit të suksesshëm kriminal Mindhunter.

Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Kriminologji, nën udhëheqjen e profesorit Arian Kadriu, ku studentët patën mundësinë të ndërthurin njohuritë akademike me perspektivën praktike të analizës së krimit dhe profilizimit kriminal.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët prezantuan projektet e tyre grupore me temën “To Create a Monster”, përmes të cilave krijuan profile të vrasësve serialë, duke analizuar karakteristikat e tyre psikologjike dhe sjellore, motivet, arsyet dhe rrethanat që ndikojnë në formimin e personaliteteve kriminale.

Projektet u prezantuan para ekspertes, e cila ndau vlerësime dhe komente profesionale, duke u ofruar studentëve një perspektivë nga përvoja e saj në trajtimin e personazheve dhe ngjarjeve kriminale përmes skenaristikës dhe produksionit filmik.

Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të veçantë për studentët e Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT që të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej teorisë, të zhvillojnë aftësitë analitike dhe të kuptojnë më thellë mënyrën se si krimi, motivet dhe sjelljet kriminale trajtohen edhe në industrinë ndërkombëtare të filmit dhe televizionit.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave në Prizren, synonin marrjen e pasurisë prej 1 milion eurosh

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.K. për veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe ndaj të pandehurit A.K., i cili akuzohet për fajde në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, nga viti 2021 e tutje, i pandehuri E.K. ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., duke i dhënë para me kamata dukshëm jo proporcionale. Përmes kësaj skeme, vetëm në emër të kamatave, i pandehuri ka përfituar mbi 400,000 euro nga viktima.

Për më tepër, E.K. e ka detyruar viktimën të paguajë kamatat dhe të mos e denoncojë rastin në polici përmes kanosjeve serioze me vrasje ndaj tij dhe familjes së tij, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri të vazhdueshme.

Në pamundësi për të shlyer borxhin, në këtë marrëdhënie është përfshirë edhe viktima e dytë B.B., nga i cili të pandehurit E.K. dhe A.K. kanë kërkuar shumën prej 550,000 eurosh shkak të grumbullimit të kamatave.

Përpjekja për marrjen e pronave: I pandehuri i ka kërkuar viktimës t’i kalojë në pronësi lokale afariste dhe një shtëpi me vlerë prej rreth 1 milion eurosh për mbulimin e kamatave.

Arrestimi nga Policia: Më 11 mars 2026, gjatë kohës kur të pandehurit po shoqëronin viktimën te përmbaruesi privat dhe noteri për kalimin e pronave, Policia e Kosovës ka ndërhyrë përmes masave të veçanta hetimore dhe i ka arrestuar ata në vendngjarje.

Lidhur me rastin, Prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe për “Pastrim të parave”, ka ngrirë disa patundshmëri, si dhe ka propozuar konfiskimin e parave të gatshme, dy automjeteve dhe dokumenteve noteriale. Prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës shpalljen fajtore të të pandehurve dhe dënimin e tyre sipas ligjit. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

BE me udhëzime të reja për krizat: Familjet të sigurojnë rezerva ushqimore dhe ujë për të paktën 72 orë

Published

on

By

Komisioni Evropian ka publikuar një sërë udhëzimesh të reja për qytetarët e Bashkimit Evropian, duke u bërë thirrje që të përgatiten më mirë për situata emergjente dhe fatkeqësi të ndryshme, si ndërprerjet e energjisë elektrike, sulmet kibernetike apo krizat e tjera të mundshme.

Udhëzimet u prezantuan në Forumin Evropian për Mbrojtjen Civile në Bruksel nga komisionerja evropiane për gatishmëri dhe menaxhimin e krizave, Hadja Lahbib, e cila theksoi se orët e para të një emergjence janë vendimtare për mbrojtjen e familjeve dhe komunitetit.

Sipas rekomandimeve kryesore, çdo familje duhet të sigurojë rezerva ushqimore, ujë dhe artikuj bazë për të paktën 72 orët e para të një krize, si dhe të ketë të përgatitur një çantë emergjente për evakuim të shpejtë.

  • Edukimi dhe mbrojtja: Rekomandohet përfshirja e edukimit për krizat në kopshte e shkolla me aktivitete të përshtatura për fëmijët, si dhe masa të veçanta për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara.
  • Dita Evropiane e Gatishmërisë: Është propozuar që 23 tetori – data e themelimit të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile në vitin 2001 – të shpallet Dita Evropiane e Gatishmërisë duke filluar nga viti 2027.
  • Testimet e mbrojtjes civile: Shteteve anëtare u kërkohet të zhvillojnë teste të rregullta gatishmërie dhe të garantojnë që qendrat kombëtare të mbrojtjes civile të funksionojnë 24 orë në ditë, edhe gjatë rënies së rrjeteve apo sulmeve kibernetike.

Strategjia mbështetet në raportin e ish-presidentit finlandez Sauli Niinistö, i cili bën thirrje për ndërtimin e një me këtë kulturë gatishmërie për shkak të fatkeqësive klimatike dhe kërcënimeve gjeopolitike në Evropë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara