Lajmet

Raporti 24 orësh nga Policia e Kosovës

Published

on

Në raportin e fundit 24 orësh nga Policia e Kosovës, në disa qytete të Kosovës ka pasur incidente kriminale dhe shifra të larta të gjobave të shqiptuara në kundërvajtje.

AKSIDENTE TRAFIKU DHE GJOBA

Gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 1942 tiketa trafiku, janë shkaktuar 45 aksidente me dëme materiale dhe 48 aksidente me të lënduar. Zyra e Informimit nga PK ka njoftuar se 40 persona janë arrestuar, kurse 28 janë dërguar në mbajtje.

INCIDENTET KRIMINALE- PRISHTINË

VDEKJE AKSIDENTALE

Lipjan / 17.08.2025-10:45– Është raportuar se viktima mashkull kosovar ka mbetur pa shenja jete pasi që dyshohet se i njëjti nga pakujdesia e ka ndezur traktorin në mënyrë të parregullt derisa ishte në shpejtësi, dhe si pasojë traktori ka lëvizur në mënyrë të pakontrolluar duke e goditur viktimën mashkull kosovar. Lidhur me rastin vdekja e viktimës është konstatuar në emergjencën e qytetit, ndërsa njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

DHUNË NË FAMILJE

Fushë Kosovë/17.08.2025, 14:45- Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje dyshohet se kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

GRABITJE

Prishtinë / 17.08.2025-03:01- Janë arrestuar dy të dyshuar kosovarë pasi që dyshohet se duke kanosur viktimën mashkull kosovar i kanë grabitur para të gatshme dhe janë larguar. Lidhur me rastin njësitet policore kanë ndaluar të dyshuarit dhe tek të njëjtit kanë gjetur motoçikletën dhe mjetet tjera të cilat dyshohet se janë përdorur për të kryer veprën, si dhe kanë gjetur paratë e grabitura. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

POSEDIM I PAAUTORIZUAR I NARKOTIKËVE

Rr. Mujë Krasniqi, Prishtinë / 17.08.2025-00:20.  Njësitet policore gjatë patrullimit në bodrumin e një ndërtese kanë hasur dy çanta krahu, në të cilat gjatë kontrollit kanë gjetur dhe konfiskuar disa qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë në peshë të përgjithshme 535.8 gramë,  një peshore digjitale, një palë dorëza dhe dhjetëra qese të thata për paketim të substancave narkotike. Lidhur me rastin, është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.

Rr.Bekim Lushaku, Podujevë 17.08.2025 21:30 Njësitet policore gjatë patrullimit kanë vërejtur një veturë të  dyshuar, në të cilin ishin dy persona dhe gjatë kontrollit tek të njëjtit është gjetur dhe sekuestruar  substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë rreth 64.27 gr. Të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim te prokurorit janë dërguar ne mbajtje.

Rr. Fontana, Prishtinë 17.08.2025, 23:50. Janë shoqëruar në stacionin policor dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që gjatë kontrollit tek të njëjtit  është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë rreth 8.01 gram. Me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt.

 

ARMËMBAJTJE PA LEJE

Rr. Mursel Dabinovci, Podujevë  17.08.2025, 22:54. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi  që tek i njëjti është gjetur dhe sekuestruar një armë dhe një karikator pa fishekë. Në konsultim me prokurorin është bërë bastisja në shtëpinë e të dyshuarit ku në oborrin e tij janë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

INCIDENTET KRIMINALE- GJILAN

ZJARRVËNIE

Gjilan / 17.08.2025-14:20.  Në rrethana të panjohura është përfshirë nga zjarri lokali pronë e ankuesit kosovar. Njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes për të fikur zjarrin.  Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa janë shkaktuar dëme materiale. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori dhe eksperti i zjarreve, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.

Viti 17.08.2025, 09:53. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti është vërejtur përmes video incizimeve duke ndezur zjarr në afërsi të varrezave. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësia e zjarrfikësve të cilët kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

INCIDENTET KRIMINALE-FERIZAJ

POSEDIM I NARKOTIKËVE

Ferizaj /17.08.2025-05:50 –Është arrestuar i dyshuari kosovar pasi njësitet policore te i njëjti gjatë kontrollit në çantën e krahut i kanë gjetur dhe konfiskuar një pako me 13-qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, në peshë totale 7.34 gramë. Në konsultim me prokurorin, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Rr. Skenderbeu, Kaçanik /17.08.2025, 18:40- Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që gjatë kontrollit tek të njëjtit janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

LËNDIM I LEHTË TRUPOR&ARMËMBAJTJE PA LEJE

Fsh. Dardani, Ferizaj  17.08.2025, 11:00- Është raportuar se pas një mosmarrëveshje ankuesja femër kosovare është sulmuar fizikisht nga të dyshuarit një mashkull dhe një femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit është bërë kontrolli në shtëpinë e të dyshuarit ku është gjetur dhe sekuestruar një armë automatike AK-47 me dy karikatorë. Të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt.

INCIDENTET KRIMINALE-PRIZREN

DHUNË NË FAMILJE

Dragash / 17.08.2025-13:15- Është arrestuar i dyshuari kosovarë nën dyshimin se i njëjti ka sulmuar fizikisht dy viktimat një mashkull dhe një femër kosovare. Viktimave u është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas tretmanit mjekësor, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

ARMËMBAJTJE PA LEJE

Fsh. Mazrek, Prizren  17.08.2025, 17:00– Është raportuar se një person i dyshuar ka shtënë me armë zjarri dhe ka ikur në drejtim të panjohur. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar 36 gëzhoja dhe 4 predha. Rasti nën hetime.

AKSIDENT TRAFIKU ME DËME MATERIALE

PKK-Vërmicë / 17.08.2025-06:23- Ka ndodhur një aksident trafiku në mes një automjeti-kamioni dhe një veture. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale. Rasti në procedurë të rregullt.

INCIDENTET KRIMINALE-PEJË

ORGANIZIM I SKEMAVE PIRAMIDALE & ARMËMBAJTJE PA LEJE

Decan / 17.08.2025-01:05-Njësitet policore në koordinim me gjykatën kompetente dhe prokurorinë themelore, kanë arrestuar trembëdhjetë (13) të dyshuar kosovarë, pasi të njëjtit në një lokal janë kapur në flagrancë duke luajtur bixhoz. Gjatë kontrollit, tek të dyshuarit janë konfiskuar vlera monetare të ndryshme, ndërsa tek njëri nga të dyshuarit, gjatë kontrollit në veturë i është gjetur dhe konfiskuar edhe një pistoletë me 8-fishekë. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

DHUNË NË FAMILJE

Istog / 17.08.2025-02:30- Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti pas një mosmarrëveshje  ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregull

Peje 17.08.2025, 22:50 -Është shoqëruar në stacionin policor e dyshuara femër kosovare pasi që e njëjta pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht dy viktimat femra kosovare. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas intervistimit me vendim të prokurorit e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.

ARMËMBAJTJE PA LEJE

Pejë  17.08.2025, 16:05- Është raportuar se në një aheng familjar ka të shtëna me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar dhjetë gëzhoja të armës me gas. Gjatë kontrollit të veturës pronë e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një armë dhe një karikator.

DËMTIM PRONE

Rr. Ereniku, Junik 17.08.2025, 15:10-Është raportuar se persona të panjohur kanë thyer xhamat e disa  autobusëve që kanë qenë në parking. Rasti në procedurë hetimore.

INCIDENTET KRIMINALE-GJAKOVË

 KANOSJE NDAJ PERSONIT ZYRTAR

Rr. Avdullah Bablija, Gjakovë / 17.08.2025-12:23-Është arrestuar i dyshuari kosovar pasi i njëjti ka kanosur zyrtarin policor derisa ishte duke kryer detyrën zyrtare. Në konsultim me prokurorin, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

DHUNË NË FAMILJE

Gjakovë / 17.08.2025-13:10-Është arrestuar e dyshuara kosovare nën dyshimin se e njëjta pas një mosmarrëveshje, me veturë e ka goditur veturën e viktimës mashkull kosovar. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa palët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM

Gjakovë / 17.08.2025-01:30- Njësitet policore pas pranimit të informatës për të shtëna me armë zjarri kanë dalë në vendin e ngjarjes ku në një aheng familjar janë gjetur dhe konfiskuar 49-gëzhoja kalibër i ndryshëm të cilat dyshohet se janë shkrepur nga gjatë ahengut. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.

 

INCIDENTET KRIMINALE-MITROVICË JUG

 POSEDIM & PËRDORIM I PAAUTORIZUAR I ARMËS

Vushtrri / 17.08.2025-14:45- Është  arrestuar i dyshuari  mashkull kosovar për shkak se në një aheng kishte shtënë me armë zjarri. Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka gjete dhe konfiskuar një gëzhojë fisheku, kurse nga i dyshuari ka konfiskuar një pistoletë me gas. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Skenderaj 17.08.2025  23:45-Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit në veturën e tij janë gjetur dhe sekuestruar një armë pistoletë me gas me një karikator të zbrazët si dhe një mjet i mprehtë (thikë). Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM

Fsh. Polac, Skenderaj  17.08.2025, 17:30- Është raportuar se ankuesi mashkull kosovar derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij, një plumb qorr e kishte goditur veturën e cila është dëmtuar nga predha. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një predhë. Rasti nën hetime.

INCIDENTET KRIMINALE- MITROVICË VERI

VJEDHJE E RËNDË

Fsh. Prelez, Zubin Potok / 16.08.2025-22:15- Është arrestuar i dyshuari kosovar, nën dyshimin se i njëjti edhe me dy të dyshuar tjerë kanë dëmtuar një kabllo të ndriçimit të rrugës. Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur e konfiskuar edhe darët-danat  dhe dy pajisje metalike për ngjitje në shtylla, të cilat dyshohet se i kanë përdorur të dyshuarit. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.

SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM

Fsh. Uglar, Zubin Potok / 17.08.2025-03:30- Në rrethana të panjohura është përfshirë nga zjarri objekti pronë e ankuesit kosovar. Njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar dhe fikur zjarrin. Të lënduar nuk ka, lidhur me rastin, është informuar edhe eksperti i zjarreve, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.

INCIDENTET KRIMINALE

DEPARTAMENTI I POLICISË KUFITARE

 ARMËMBAJTJE PA LEJE

PKK. Vermicë 17.08.2025, 20:30- Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit të veturës së tij janë gjetur dhe sekuestruar  një pushke automatike, me 3 karikatorë me 68 copa municion, një pistoletë me karikator me 20 fishekë, një pushke ajrore me 10 fishekë, dy thika, një palë rroba ushtarake pa shenja(emblema), nje maskë ushtarake, një çantë ushtarake. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari dërgohet ne mbajtje.

KALIM I PAAUTORIZUAR I KUFIRIT

Fsh. Dimcë, Hani i Elezit / 17.08.2025-14:25- Njësitet policore gjatë patrullimit kanë ndaluar të dyshuarin shtetas i RMV-së, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën e cekur. Në konsultim me prokurorin, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

ARMËMBAJTJE PA LEJE

PKK. Glloboqicë  17.08.2025, 17:15- Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull shtetas i Maqedonisë së Veriut pasi që gjatë kontrollit të veturës së tij janë gjetur dhe sekuestruar shtatë fishekë, një sprej dhe një radio lidhje. Me vendim të prokurorit pas intervistimit rasti procedohet në procedurë të rregullt.

Continue Reading

Lajmet

REL: Kosova përballë një prove politike: kompromis apo krizë e re?

Published

on

By

Kosova duket se po rrëshqet sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme – jo si rezultat i një domosdoshmërie demokratike, por si pasojë e një dështimi të vazhdueshëm politik për të ndërtuar konsensus dhe për të funksionalizuar institucionet.

Edhe pse procesi mbetet teknikisht i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, sinjalet politike janë të qarta: vendi po hyn në një tjetër cikël zgjedhor që rrezikon të prodhojë të njëjtin rezultat – bllokadë.

Analistët paralajmërojnë se, pavarësisht vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, zgjedhjet e reja janë pothuajse të pashmangshme.

“Të gjitha indikacionet tregojnë që, pas përfundimit të afateve kushtetuese – cilatdo qofshin ato – Kosovën e pret një proces i ri zgjedhor”, thotë analisti Artan Muhaxhiri.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars, duke pezulluar efektet e dekretit të presidentes.

Kjo nënkupton që, deri atëherë, nuk mund të shpallet data e zgjedhjeve të reja, por as të vazhdohet seanca për zgjedhjen e presidentit, e nisur më 5 mars.

Kërkesa për vlerësim të kushtetutshmërisë së dekretit të Osmanit u dorëzua nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, me argumentin se procesi për zgjedhjen e presidentit ka një afat 60-ditor për t’u përmbyllur.

Një rrugë e trasuar drejt zgjedhjeve

Sipas Donika Eminit, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë – BiEPAG, edhe nëse Gjykata vendos në favor të interpretimit të afatit 60-ditor, realiteti politik mbetet i pandryshuar: mungesa e konsensusit e ka bërë zgjedhjen e presidentit pothuajse të pamundur.

“Aktualisht, nuk ka asnjë sinjal për konsensus ndërmjet partive politike për zgjedhjen e presidentit”, thekson ajo për Radion Evropa e Lirë.

Mandati i Osmanit skadon në më pak se dy javë.

Zgjedhja e presidentit në Kosovë bëhet nga Kuvendi dhe kërkon shumicë të kualifikuar votash – gjë që e bën procesin të varur nga kompromisi ndërpartiak. Në rast të dështimit, vendi shkon në zgjedhje.

Disa parti politike po e trajtojnë tashmë skenarin e zgjedhjeve si të kryer.

Kryeministri Albin Kurti shprehet skeptik se zgjedhjet do të sjellin ndryshim real, duke paralajmëruar një “vazhdim të agonisë legjislative dhe institucionale”.

Në anën tjetër, opozita e sheh përgjegjësinë pikërisht te pushteti.

Sipas kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, mungesa e vullnetit nga shumica parlamentare, po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve, në një kohë kur, sipas tij, “Kosova ka nevojë për stabilitet, përgjegjësi dhe zhvillim”.

Gjatë një paraqitje në televizionin Klan Kosova, ditë më parë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partitë politike kanë nisur “ngërçin e ri institucional”.

“Në rrethanat e tanishme, të sigurta janë zgjedhjet e reja. Të sigurta”, tha ai.

E, më pesimist u shpreh Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili paralajmëroi mundësinë e dy palë zgjedhjeve brenda vitit, nëse edhe pas zgjedhjeve të reja nuk arrihet marrëveshje për presidentin.

“Ushtruesi i detyrës mund të qëndrojë vetëm gjashtë muaj, që nënkupton afatin deri më 5 tetor. Nëse deri atëherë nuk kemi as president dhe as qeveri, vendi nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveçse të shkojë në zgjedhje”, theksoi Gjini për mediat në Kosovë.

Në këto rrethana, pyetja thelbësore që mbetet, është: çfarë kuptimi kanë zgjedhjet?

Zgjedhje pa ndryshim?

Sipas Eminit, përvoja e viteve të fundit tregon se ciklet e përsëritura zgjedhore nuk kanë sjellë ndryshim substancial në funksionimin e skenës politike.

Edhe zgjedhjet e fundit – të mbajtura më 28 dhjetor, rreth 10 muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 – konfirmuan dominimin e Lëvizjes Vetëvendosje, pa garantuar një kapacitet real për konsensus institucional.

“Zgjedhjet e reja ka shumë gjasa të japin rezultate të ngjashme me ato të mëparshmet. Mund të ketë vetëm lëvizje të vogla në përqindjen që mund të fitojnë partitë politike”, thotë ajo.

Një faktor potencialisht i ri mund të jetë rikthimi eventual i Vjosa Osmanit në skenën partiake, por edhe kjo, sipas Eminit, do të sillte një rikonfigurim të pjesshëm, e jo transformim thelbësor të skenës politike.

Sipas saj, problemi nuk qëndron te vota, por te mungesa e kulturës së kompromisit.

“Nëse situata vazhdon në këtë drejtim, hapësira ku qytetarët përfitojnë nga sistemi politik, mbetet shumë e kufizuar. Kjo mbetet ndoshta pasoja më shqetësuese e gjithë krizës aktuale”, thotë Emini.

Rreziku i një cikli të pafund krizash

Të dy analistët paralajmërojnë se Kosova po hyn në një rreth vicioz, ku zgjedhjet nuk zgjidhin krizën, por e riciklojnë atë.

Muhaxhiri vlerëson se, në teori, do të ishte logjike një rënie e mbështetjes për Lëvizjen Vetëvendosje, për shkak të mungesës së bashkëpunimit politik, por përvoja e fundit tregon të kundërtën.

“Nuk pres ndryshim të madh. Kështu u mendua edhe vitin e kaluar – dhe ja ku jemi sot”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, ndryshimi i vetëm real do të vinte nga një reagim ndëshkues i elektoratit – një “votim transformues” që do t’i jepte fund “çoroditjes politike”.

“Përndryshe, rrethi vicioz do të vazhdojë patrazueshëm”, thotë ai.

Pasojat nuk janë vetëm të brendshme.

Një krizë e vazhdueshme institucionale, paralajmëron Muhaxhiri, rrezikon ta largojë Kosovën edhe nga agjendat integruese të Bashkimit Evropian dhe t’i demotivojë aleatët ndërkombëtarë.

“Zmbrapsja nga projektet evropiane e zvogëlon rëndësinë gjeopolitike të Kosovës dhe e nxjerr atë nga radari i bashkëpunimit”, thekson ai.

Çfarë do të duhej të bënin partitë politike?

“Në një skenar ideal, zgjedhjet e reja do të duhej të shmangeshin”, thotë Emini, duke theksuar se ende ekziston një dritare për kompromis, por vetëm nëse ka angazhim serioz për tejkalimin e ngërçit.

E, nëse vendi shkon në zgjedhje, ato do të kenë kuptim vetëm nëse shoqërohen me një ndryshim të qasjes politike, sipas saj.

“Partitë duhet të hyjnë në procesin zgjedhor me një qëllim të qartë: të punojnë për interesin afatgjatë të vendit, jo për dominim politik apo përfitime të ngushta. Kjo nënkupton gatishmëri për dialog, negociata mbi baza programore dhe fokus në nevojat reale të qytetarëve”, thotë Emini.

Në të njëjtën linjë skeptike është edhe analisti Artan Muhaxhiri, i cili nuk pret ndryshim të qasjes nga Lëvizja Vetëvendosje, por as një alternativë të qartë nga opozita.

Sipas tij, as PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk kanë dëshmuar deri më tani se posedojnë një strategji bindëse për ta sfiduar dominimin politik të Vetëvendosjes.

“Nëse partitë opozitare arrijnë të rrisin mbështetjen dhe të sigurojnë shumicën prej 61 deputetësh, atëherë përgjegjësia minimale politike do të ishte harmonizimi i qëndrimeve dhe bashkëqeverisja në përputhje me fuqinë elektorale”, thekson Muhaxhiri, ndonëse nuk beson se një skenar i tillë është i arritshëm.

Sipas tij, ndalja e ciklit të krizave të njëpasnjëshme institucionale mbetet alternativa e vetme racionale – dhe një detyrim i drejtpërdrejtë për klasën politike.

“Në të kundërtën, çdo opsion tjetër përbën investim në gërryerjen e shtetit dhe përshpejtim të rrugës drejt pashtetësisë”, përfundon ai. /REL/

Continue Reading

Lajmet

Shiten të gjitha biletat për ndeshjen e 31 marsit

Published

on

By

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar përmes faqes zyrtare se janë shitur tashmë të gjitha biletat për ndeshjen e radhës që do të luhet më 31 mars.

Megjithëse kundërshtari dhe rëndësia e vërtetë e këtij takimi do të përcaktohen vetëm pas sfidës së kësaj të enjteje kundër Sllovakisë, tifozët kanë treguar një interesim të jashtëzakonshëm duke zbrazur sportelet virtuale.

Biletat u shitën me çmime që varionin nga 10 deri në 30 euro, ndërsa për zonën VIP çmimi i një bilete arriti në 100 euro.

Ky entuziazëm i madh lidhet drejtpërdrejt me rrugëtimin e Kosovës drejt ëndrrës botërore.

Nëse ekipi ynë arrin të shënojë fitore në Bratislavë ndaj Sllovakisë, atëherë data 31 mars do të shënojë finalen e madhe të plejofit për kualifikim në Botëror, ku kundërshtar i mundshëm do të jetë Turqia ose Rumania.

Në rast të një rezultati negativ të enjten, kjo ndeshje do të marrë karakter miqësor, por kjo nuk i ka ndaluar aspak mbështetësit besnikë që të sigurojnë praninë e tyre në shkallët e stadiumit për të përkrahur përfaqësuesen në çdo skenar.

 

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 nis kualifikimet për Euro 2027 me barazim ndaj Armenisë

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës U19 ka ndarë pikët me Armeninë në ndeshjen hapëse të Grupit 2 (Liga B), të vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2027.

Ndeshja e zhvilluar në Turqi përfundoi me rezultatin 1-1.

Të përzgjedhurit e Albert Bunjakut kaluan të parët në avantazh në minutën e 19-të përmes Lorik Mehmetit, por pavarësisht dominimit në pjesën e parë, nuk arritën ta gjenin golin e dytë për të siguruar fitoren.

 

 

Continue Reading

Lajmet

REL: Presidentja i kërkon sqarim Kushtetueses për emërimin e anëtarëve të KQZ-së

Published

on

By

Presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës sqarime lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke thënë se partitë parlamentare kanë propozuar më shumë kandidatë seç parashikohet me Kushtetutën e vendit.

Osmani, të cilës i mbaron mandati më 4 prill, nuk i ka emëruar ende anëtarët e rinj të KQZ-së, pavarësisht se afati ligjor po kalon, paralajmërojnë ekspertët.

Kabineti i Osmanit i tha Radios Evropa e Lirë të martën se ajo do t’i emërojë ata “sapo të marrë përgjigje” nga Kushtetuesja.

“Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje”, thuhet në përgjigje.

Kabineti nuk deshi të tregojë se cilat parti kanë bërë më shumë propozime seç lejohet.

Si emërohen anëtarët e KQZ-së?

KQZ-ja është një organ i përhershëm i pavarur dhe është përgjegjës për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve në Kosovë. Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë, pra kryetari dhe 10 anëtarë të tjerë.

Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare, ndërsa një anëtar emërohet nga deputetët të cilët mbajnë vende e garantuara për komunitetin Serb, dhe tre anëtarë nga deputetët të cilët mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera joshumicë.

Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë, sipas Kushtetutës.

Derisa kabineti i presidentes nuk tregoi se kush sa kandidatë ia ka propozuar asaj, raportohet se partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, i ka propozuar tre.

Partia kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha për REL-in se i ka propozuar dy kandidatë, ndërsa partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tha se e ka propozuar një kandidat.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se partia e Kurtit nuk mund t’i propozojë më shumë se dy kandidatë.

“Tash, sa i përket përbërjes së KQZ-së, modeli që aplikon Kosova është strikt, e jo proporcional, që nënkupton se grupet parlamentare me të drejtë përfaqësimi propozojnë nga një anëtar, pavarësisht fuqisë politike apo numrit të deputetëve. Edhe në situata kur numri i grupeve parlamentare është më i vogël, nuk kalohet në ndarje proporcionale, sepse formula mbetet e njëjtë dhe duhet të zbatohet në mënyrë konsistente”, shkroi Cakolli në Facebook ditë më parë.

Sipas tij, bazuar në përbërjen e tanishme të Kuvendit të Kosovës, “ndarja është e qartë: LVV duhet t’i ketë dy anëtarë, PDK-ja gjithashtu dy, ndërsa LDK dhe AAK nga një anëtar”.

Ai përmendi edhe rastet e mëparshme kur Gjykata Kushtetuese ka sqaruar këtë çështje, duke thënë se në secilën prej dy rasteve për situata shumë të ngjashme, ajo ka konfirmuar zbatimin e modelit të rreptë të përfaqësimit në përbërjen e KQZ-së.

“Madje, rasti i vitit 2021 është veçanërisht ilustrues, kur LVV kishte mbi 50% të votave, por kishte të drejtë propozimi vetëm për dy anëtarë”, shtoi ai.

Osmani u kishte kërkuar partive parlamentare më 9 mars t’i propozonin kandidatët për anëtarë të KQZ-së.

Ato kishin kohë deri më 16 mars që t’i përgjigjen kërkesës së saj, duke i dhënë presidentes pesë ditë kohë për t’i emëruar apo jo të propozuarit.

Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, emërimi i anëtarëve të KQZ-së duhet të bëhet jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve.

Rezultatet e zgjedhjeve të dhjetorit u certifikuan më 9 shkurt.

Në fillim të muajit, koalicioni i organizatave që monitoron procesin zgjedhor në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), i kishte bërë thirrje presidentes të përshpejtojë me emërimin e anëtarëve të rinj brenda afatit ligjor. /REL/

 

Continue Reading

Të kërkuara