Lajmet

Rama: Shqipëria në rrugën e duhur për mbylljen e negociatave brenda vitit 2027

Published

on

Kryeministri Edi Rama deklaroi se progresraporti i publikuar dje nga Komisioni Evropian për vitin 2025 thotë shumë gjëra, por mbi të gjitha thotë që Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbyllur teknikisht negociatat brenda 2027-ës.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ambasadorin e Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, i cili i dorëzoi progresraportin e Komisionit Evropian, Rama tha se patjetër në këtë rrugë të duhur ka sfida në çdo hap, sfida dhe çështje për t’u adresuar jo vetëm në mënyrë sasiore, por edhe në mënyrë cilësore, shkruan ATSH.

Kryeministri vuri në dukje se raporti i progresit është një gotë e mbushur përgjysmë.

“Ajo që ne kemi bërë gjithmonë dhe do të bëjmë përsëri është që duke marrë të gjithë energjinë e nevojshme nga gjysma e plotë të fokusohemi me të gjithë energjinë e nevojshme tek gjysma bosh, në mënyrë që brenda 2027 ta përmbyllim këtë proces dhe në mënyrë që raporti i vitit 2027 të shkruajë: rekomandojmë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se ndjehet krenar që tanimë askush nuk harron të thotë që Shqipëria është në pararojë të këtij procesi së bashku me Malin e Zi dhe që më në fund Shqipëria është shembulli pozitiv që iu jepet edhe të tjerëve që duan të bëhen pjesë e familjes evropiane.

Ky është raporti për mua, vijoi Rama, të tjerat janë të gjitha pjesë të detajuara të një procesi ku ne i kemi kryer në një kohë rekord hapjen e 5 grup-kapitujve.

Kryeministri shprehu besimin se Shqipëria do të kryejë edhe hapjen e grup-kapitullit të gjashtë.

“Do ta mbyllim vitin me të gjithë grup-kapitujt e hapur”, tha Rama.

Kjo, shtoi Kryeministri, ka ardhur si rezultat i një fakti që e risolli në vëmendjen e të gjithëve.

“Në ‘vitet e poshtërimit’, siç unë i quaj dhe do t’i quaj gjithmonë ato vitet kur na e jepte Kadiu, por na e refuzonte Aliu, kur Komisioni rekomandonte hapjen e negociatave dhe për shkak të një, dy apo tre vendeve Këshilli nuk arrinte t’i hapte negociatat me Shqipërinë, ne jemi përgatitur për ditën kur negociatat do të hapeshin, kemi punuar njësoj sikur të ishin hapur”, nënvizoi Rama.

Për këtë arsye, theksoi Kryeministri, grupi ynë negociator ka shkëlqyer në këtë proces sepse nuk ka vajtur në tryezën e negociatave për të mësuar aty se çfarë duhet të bëjë, por ka qenë i mirëstërvitur gjatë periudhës 3-vjeçare të poshtërimit të Shqipërisë./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​KB Bora emëron trajnerin e ri

Published

on

Klubi i basketbollit Bora ka njoftuar zyrtarisht se trajneri malazez Zoran Kašćelan është emëruar në krye të ekipit.

Në njoftimin e klubit thuhet se Kašćelan sjell me vete një përvojë të gjerë në basketbollin rajonal, një filozofi moderne loje dhe qasje profesionale që pritet të sjellin energji të re në skuadër.

Gjatë karrierës së tij, trajneri Kašćelan ka udhëhequr disa ekipe të njohura si Podgorica, Spars Sarajevo dhe Borac, ndërsa në sezonin 2024/2025 ai ishte pjesë e klubit Bosna Sarajevo, pjesëmarrës në ABA Ligë.

“Welcome Zoran Kašćelan!”, përfundon komunikata e klubit Bora Basketball./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Pritet takim i nivelit të lartë në dialog “sapo të krijohen kushtet”

Published

on

By

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Peter Sorensen, ka bërë thirrje për zbatim të plotë të marrëveshjeve të dala nga dialogu, në takimin që ka pasur me presidentin serb. 

Ai dhe Aleksandër Vuçiq u takuan në Bruksel ku diskutuan Marrëveshjen e Ohrit dhe hapat konkretë në një sërë  çështjesh teknike të dialogut. Nga BE-ja thanë për KOHËN se përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, do të thërrasë takim të nivelit të lartë në dialog.

Sorensen bëri thirrje për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të dialogut dhe përsëriti pritshmërinë e Bashkimit Evropian për angazhim konstruktiv nga të dyja palët – Kosova dhe Serbia – në procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Përfaqësuesja e lartë Kallas do të thërrasë një takim të nivelit të lartë të dialogut sapo të krijohen kushtet e përshtatshme për këtë”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Vuçiq pas takimit kishte shprehur gatishmëri për zbatim të plotë dhe konsistent të marrëveshjeve. Megjithëqë Serbia pati refuzuar ta nënshkruante dhe zbatonte Marrëveshjen bazë për normalizim të raporteve me Kosovën, Vuçiqi ka njoftuar se në takimin me Sorensenin ka shprehur interesimin për të bërë hapa konkretë në zbatimin e marrëveshjeve dhe se ka gatishmëri për kompromise.

Që nga shtatori i vitit 2023 nuk ka pasur takim të nivelit të lartë në dialog./EO

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Gazetarja Vjosa Çerkini ligjëron në UBT për propagandën dhe rreziqet ndaj sigurisë kombëtare

Published

on

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe profesionale të Fakultetit të Shkencave Politike dhe të Studimeve të Sigurisë, gazetarja investigative me renome ndërkombëtare dhe fituese e disa çmimeve prestigjioze të gazetarisë, Vjosa Çerkini, mbajti një ligjëratë tematike para studentëve të programit Siguri dhe Mbrojtje, me temën: “Propaganda dhe rreziqet që paraqet për sigurinë kombëtare”.

E ftuar nga Prodekani i Fakultetit, Dr. Arian Kadriu, gazetarja Çerkini ndau përvojën e saj shumëvjeçare në terren, duke analizuar mënyrat se si propaganda, dezinformimi dhe lufta mediatike mund të ndikojnë në stabilitetin politik, sigurinë publike dhe perceptimin e qytetarëve.

Gjatë ligjëratës, ajo solli shembuj konkretë nga rajoni dhe skena ndërkombëtare, duke shpjeguar se si aktorë të ndryshëm përdorin propagandën si mjet për të ndikuar në opinionin publik, për të manipuluar narrativat dhe për të cenuar sigurinë kombëtare.

Në diskutim u theksua rëndësia e gazetarisë së përgjegjshme dhe të bazuar në fakte, si një nga mburojat kryesore kundër manipulimeve mediatike dhe ndikimeve të jashtme.

Prodekani Dr. Arian Kadriu vlerësoi pjesëmarrjen e gazetares Çerkini, duke theksuar se takime të tilla u japin studentëve perspektiva reale mbi lidhjen midis komunikimit, medias dhe sigurisë kombëtare, si dhe i ndihmojnë ata të zhvillojnë mendim kritik dhe profesionalizëm në fushën e sigurisë.

Ky aktivitet përbën një shembull të përkushtimit të UBT-së për të afruar ekspertë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, duke pasuruar përvojën akademike të studentëve përmes praktikës, debatit dhe dijes bashkëkohore.

Continue Reading

Kronikë e zezë

Ngjarje e rëndë në Malishevë: Vriten dy vëllezër

Published

on

By

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Glluboc të Malishevës ku për pasojë kanë mbetur të vrarë dy vëllezër.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30, teksa pas plagëve të marra viktimat janë dërguar në QMF-në e Kijevës ku është konstatuar vdekja e tyre.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Sheremet Elezaj i cili tha se është identifikuar edhe personi i dyshuar për veprën.

Rreth orës 11:30, jemi njoftuar se dy persona të gjinisë mashkullore, të moshës madhore (vllezër), janë dërguar në QMF-në e Kijevës si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në fshatin Golluboc të Malishevës. Personeli mjekësor në QMF ka konstatuar vdekjen e viktimave. Njësitë e nevojshme policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Lidhur me rastin, deri më tani është identifikuar një person i dyshuar, gjithashtu mashkull i moshës madhore. Në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin dhe arrestimin e të dyshuarit”, thuhet në përgjigjjen e Elezajt./KP

Continue Reading

Të kërkuara