Lajmet

Rama paralajmëron uljen e çmimit të naftës me 32 lekë për litër

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar ndryshime në mënyrën e mbledhjes së taksës së qarkullimit, të cilat pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e çmimit të naftës.

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2027, Rama ka bërë të ditur se taksa e qarkullimit do të hiqet nga çmimi i karburantit dhe do të zhvendoset te automjetet. Sipas tij, kjo masë do të mundësonte uljen e çmimit të naftës me 32 lekë për litër, apo rreth 35 centë.

“Do të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do ta ulim automatikisht 32 lekë në pompë. Ndërkohë që taksën do ta vendosim te makina dhe do ta mbledhim nëpërmjet transportit rrugor. Do të vendosim një taksë qarkullimi, siç e ka Europa, për makinat e huaja që hyjnë në Shqipëri”, ka deklaruar Rama.

Projektbuxheti i vitit 2027, i cili sipas raportimeve të mediave shqiptare arrin vlerën e rreth 10 miliardë eurove, është cilësuar si më i larti deri më tani.

Në kuadër të masave të propozuara, Qeveria shqiptare ka paraparë edhe uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për 54 produkte ushqimore bazë, nga 20% në 6%.

Gjithashtu, projektbuxheti parasheh rritjen e bonuseve për kategori të caktuara të pensionistëve, si dhe investime në sektorë të rëndësishëm, përfshirë mbrojtjen, arsimin, shëndetësinë dhe bujqësinë.

Këto ndryshime janë pjesë e politikave të propozuara ekonomike dhe fiskale për vitin 2027, të cilat synojnë lehtësimin e kostos së jetesës dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Caktohet seanca për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar për sot mbajtjen e seancës dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Albert Sylajt, i cili dyshohet për vrasjen e ish-kunatës së tij, Arlinda Zekaj.

I dyshuari Sylaj u arrestua mbrëmjen e së martës në Deçan, pas kërkimeve nga Policia e Kosovës.

Ai akuzohet se e ka privuar nga jeta me sëpatë 49-vjeçaren Arlinda Zekaj. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Nis protesta kombëtare në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Published

on

By

Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në Prishtinë për protestën kombëtare të thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, në shenjë revolte dhe ndërgjegjësimi pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Pjesëmarrësit po bashkohen për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi nga institucionet, si dhe për të ngritur zërin kundër dhunës ndaj grave dhe femicideve.

Organizatorët dhe qytetarët pritet të marshojnë në rrugët kryesore të kryeqytetit me thirrjet për mbrojtjen e jetës së grave dhe ndëshkimin maksimal të kryerësve të veprave të tilla.

Continue Reading

Lajmet

Ndalohen punimet në gjashtë ndërtime për shkak të pasigurisë

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Punës ka pezulluar punimet në gjashtë objekte ndërtimi në Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Gjilan, Skenderaj dhe Ferizaj, pasi gjatë inspektimeve në terren ka konstatuar parregullsi serioze sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë.

Sipas njoftimit zyrtar, ndalimi i punimeve do të mbetet në fuqi deri në eliminimin e të gjitha parregullsive dhe përmbushjen e plotë të kërkesave ligjore. Inspektorati u bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të zbatojnë me përpikëri masat mbrojtëse, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës e shëndetit të punëtorëve.

Continue Reading

Lajmet

Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore në Serbi, kërkon trajtimin e çështjes së shqiptarëve

Published

on

By

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me Listën Studentore pas zgjedhjeve parlamentare, duke theksuar se një bashkëpunim i tillë duhet të mbështetet në dialog serioz dhe në përmbushjen e kërkesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Në një intervistë për Deutsche Welle, Kamberi ka deklaruar se shqiptarët nuk synojnë të marrin poste vetëm për të krijuar përshtypjen e përfshirjes në institucione, por kërkojnë zgjidhje konkrete për problemet me të cilat përballen.

Sipas tij, prioritet mbetet zbatimi i Planit 7-pikësh, si dhe adresimi i çështjeve urgjente, përfshirë pasivizimin e adresave, përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe të drejtat në arsim.

“Mesazhi im për ta do të ishte i thjeshtë: nëse synoni një Serbi demokratike, të përgjegjshme dhe me marrëdhënie më të mira rajonale, atëherë përfshijeni edhe çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në vizionin tuaj për ndryshim”, ka deklaruar Kamberi.

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se Serbia duhet ta trajtojë Kosovën si partnere të barabartë dhe të ndërtojë marrëdhënie mbi bazën e dialogut dhe respektit të ndërsjellë.

Sipas raportimeve për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, Lista Studentore ka siguruar shumicën, duke i dhënë fund pushtetit 12-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit. Megjithatë, përfaqësues të kësaj liste kanë deklaruar se në raport me Kosovën mbështesin Kushtetutën e Serbisë, e cila e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj.

Ndërkohë, partitë shqiptare morën pjesë në zgjedhje përmes një liste të përbashkët, duke siguruar dy ulëse në Kuvendin e Serbisë pas një periudhe të gjatë.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara