Lajmet

Qyteti që duan ta ndërtojnë miliarderët

Në këtë qark, aktualisht jetojnë 450.000 banorë.

Published

on

Miliarderët e Luginës së Silikonit, që qëndrojnë prapa blerjes sekrete të tokave në Kaliforninë Veriore në vlerë prej 800 milionë dollarësh, më në fund kanë bërë publike disa detaje të planeve të tyre për ndërtimin e një qyteti të ri të gjelbër. Por për të finalizuar këto plane, ata do të duhet të bindin votuesit skeptikë dhe liderët lokalë.

Pasi për vite të tëra kishte shmangur kritikat, Jan Sramek, ish-tregtar në bankën investuese Goldman Sachs i cili është në krye të kësaj përpjekjeje, së fundi lansoi ueb-faqen lidhur me projektin, California Forever. Aty thuhet se projekti ofron “një shans për një komunitet të ri, vende pune me pagë të mirë, ferma diellore dhe hapësirë” në Solano, një qark rural që gjendet midis San Franciskos dhe Sakramentos. Në këtë qark, aktualisht jetojnë 450.000 banorë.

Ai po ashtu ka nisur të takohet me politikanë kyçë që përfaqësojnë zonën, të cilët kanë tentuar për vite të tëra, por nuk kanë pasur sukses, që të zbulojnë se kush qëndron pas kompanisë misterioze Flannery Associates LLC, që ka blerë sipërfaqe të mëdha toke, duke u shndërruar në pronarin më të madh të tokës në këtë qark.

Një listë e sipërmarrësve dhe kapitalistëve të shquar të Luginës së Silikonit po mbështesin projektin, përfshirë filantropisten Laurene Powell Jobs, bashkëthemeluesin e LinkedIn Reid Hoffman, dhe sipërmarrësin kapitalist, Marc Andressen. The New York Times fillimisht kishte raportuar për grupin e investitorëve dhe për planet e tyre.

California Forever, që është kompania amë e Flannery, ka blerë mbi 202 kilometra katrorë tokë bujqësore në Qarkun Solano që nga viti 2018, kryesisht në pjesën juglindore të qarkut. Parcelat e blera shtrihen nga Feirfilld deri në Rio Vista. Sipas ueb-faqes, Sramek u dashurua me zonën kur shkonte për peshkim atje dhe ai me bashkëshorten e tij së fundi ka blerë një shtëpi në këtë qark për familjen e tyre.

Një sondazh që banorët pranuan së fundi sugjeroi se krijimi i komuniteti me dhjetëra mijëra shtëpi dhe hapësira për ecje do të funksiononte me energji të gjelbër dhe është i financuar krejtësisht nga sektori privat.

Por, për të ndërtuar diçka që i ngjan një qyteti në zonën që tani është tokë bujqësore, grupi i investitorëve fillimisht duhet të bindë votuesit e Qarkut Solano, të cilët duhet të miratojnë nismën përmes votimit, në mënyrë ajo tokë të përdoret për urbanizim. Kjo hapësirë ka qenë e mbrojtur si tokë bujqësore që nga viti 1984 . Zyrtarët lokalë dhe federalë ende kanë mëdyshje me qëllimet që ka grupi.

Dy kongresistë nga kjo zonë për vite të tëra kanë tentuar të zbulojnë nëse armiqtë e huaj apo investitorët qëndronin pas blerjeve në masë të tokës rreth një baze ajrore të forcave amerikane, që është vitale për sigurinë kombëtare, dhe ekonomia lokale është e zemëruar që Flennary ka mbajtur të fshehur identitetin për kaq gjatë. Në ueb-faqe u tha se projekti do të financohet 97 për qind nga investitorët amerikanë dhe pjesa tjetër janë nga Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda.

Grupi investues tha se mbajtja sekret e identitetit ishte e nevojshme derisa u ble tokë e mjaftueshme, në mënyrë që të shmangeshin spekulimet, por tani grupi është i gatshëm të dëgjojë mendimet e banorëve të Solanos, përmes sondazhit të dërguar me email dhe të krijojë një bord këshillues për komunitetin. Sondazhet e kaluara kanë treguar se prindërit ishin të shqetësuar më së shumti për të ardhmen e fëmijëve të tyre, u tha në ueb-faqe.

Kalifornia ka shumë nevojë për strehim, veçmas për shtëpi të përballueshme për mësuesit, zjarrfikësit dhe punëtorët e sektorit të shërbimeve. Por, qytetet dhe qarqet nuk po e dinë se ku të ndërtojnë, pasi banorët e lagjeve ekzistuese janë shprehur kundër shtëpive të reja, pasi kanë argumentuar se do të bllokonin rrugët e tyre dhe të prishnin mënyrën e jetës së tyre të qetë.

Në shumë mënyra, Qarku Solano është ideal për ndërtim. Ky qark gjendet 97 kilometra në verilindje të Sanfranciskos dhe 56 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit kalifornian, Sakramento. Shtëpitë në Solano janë në mesin e shtëpive më të përballueshme në zonën e Bregut të San Franciskos dhe sipas të dhënave të muajit të kaluar, çmimi mesatar për një shtëpi në këtë zonë ishte 600.000 dollarë.

Por, Princess Washington, kryetare e Qytetit Suisun, tha se banorët me qëllim kanë vendosur të mbronin hapësirat e hapura dhe të mbajnë të pacenueshme zonën përreth bazës ajrore Travis, duke pasur parasysh rëndësinë që ka baza.

Ajo tha se dyshon se qëllimi i vërtetë i grupit ishte “krijimi i një qyteti për elitën”, duke u fshehur pas nevojës për më shumë strehim.

Hoffman dhe Andreessen nuk u përgjigjën për koment, sikurse Jobs përmes biznesit të saj, Emerson Collective.

Zhvilluesit e projektit thanë se do të mbrojnë bazën ushtarake dhe fermerët, të cilët mund të vazhdojnë të punojnë në tokën e tyre.

Flannery ka blerë pothuajse të gjithë tokën përreth qytetit të vogël, Rio Vista, tha kryetari i qytetit, Ron Kott.

Ai tha se dyshon që njerëzit më në moshë, që përbëjnë gjysmën e 10.000 banorëve të qytetit, janë në favor të projektit për shkak të zhurmës, por tha se të tjerët ndoshta do të pëlqenin të kishin kujdes më të mirë shëndetësor, jetë nate dhe për të bërë pazar, që qyteti më i sofistikuar fqinj mund t’i ofrojë.

“Nëse bëhet siç duhet, mendoj se ka shumë mundësi për qarkun. Të ardhurat e tyre nga taksat do të rriten shumë. Vlera e pronave me gjasë do të rritet edhe në zonën përreth. Prandaj, duke u nisur nga këto unë mendoj që është gjë e mirë”, tha Kott.

“Por, sërish, mendoj se heqja dorë nga kualiteti i mënyrës së jetesës është unike për këtë zonë”./AP

Vendi

Me akreditim nga Cambridge, UBT International Smart Schools sjell modelin modern të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët

Published

on

By

UBT International Smart Schools po vazhdon të udhëheqë në transformimin e arsimit parauniversitar, duke ofruar për nxënësit e klasave 1-9 një model arsimor të fokusuar në teknologji, inovacion dhe zhvillimin e kompetencave për të ardhmen.

Përmes konceptit Classroom 4.0, përdorimit të teknologjisë së avancuar dhe integrimit të inteligjencës artificiale (AI) në procesin e të nxënit, Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët u krijon fëmijëve mjedisin ideal për zhvillim akademik dhe praktik në laboratorë modernë.

Cilësia e lartë dhe përputhshmëria me standardet më të larta globale mbështetet edhe nga akreditimi i plotë nga Cambridge International Education.

Përmes këtij ekosistemi inovativ, nxënësit e niveleve primare zhvillojnë që në hapat e parë njohuri akademike, mendim kritik dhe kompetenca digjitale të nevojshme për të përballuar me sukses sfidat e profesioneve të së ardhmes.

Aplikimet për vitin shkollor 2026/2027 për Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët (klasat 1-9) janë ende të hapura.

Siguroni vendin e fëmijës suaj duke plotësuar formularin zyrtar në Udhëzuesin e Aplikimit në UBT.

Continue Reading

Vendi

REL: KFOR-i nis “tranzicionin gradual” të pranisë nga ura mbi Ibër, Lista Serbe kundërshton

Published

on

By

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka njoftuar se ka nisur “tranzicionin gradual të pranisë” së tij të përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, KFOR-i tha se ky hap po ndërmerret në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

“Misioni KFOR, i udhëhequr nga NATO-ja, ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë. Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Sipas KFOR-it, ky proces “do të jetë gradual, në varësi të kushteve dhe po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe me përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”.

KFOR-i tha se edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviq, është informuar rregullisht për këtë proces.

Në përgjigjen e tij, KFOR-i siguroi se personeli i tij “është i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant, në përputhje me mandatin e kahershëm të KFOR-it nga OKB-ja”.

“KFOR-i do të mbajë një prani të dukshme në jug dhe në veri të Mitrovicës dhe në veri të Kosovës, duke vazhduar kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet”, thuhet tutje në përgjigjen e dhënë REL-it.

Më herët gjatë ditës, KFOR-i njoftoi se ka filluar “integrimin gradual të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit”.

Policia e Kosovës deri më tani nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, nëse pjesëtarë të saj janë vendosur mbi urën e Ibrit dhe nëse do të vazhdojnë të jenë të pranishëm atje pas largimit të trupave të KFOR-it.

Ura kryesore, që që lidh Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare me Mitrovicën e Veriut me shumicë serbe, ka qenë në vazhdimësi vatër e tensioneve etnike.

Që nga përfundimi i luftës më 1999, ajo është ruajtur vazhdimisht nga trupat e KFOR-it.

Ndërkohë, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka kundërshtuar tërheqjen apo çfarëdo zvogëlimi të pranisë së pjesëtarëve të KFOR-it në urën kryesore mbi lumin Ibër.

Në një komunikatë për media, kjo parti tha se ka kërkuar takim urgjent me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, për t’ia përcjellë shqetësimet e komunitetit serb në veri dhe për të kërkuar ndaljen e kësaj mase.

Lista Serbe argumentoi se, për shkak të situatës politike dhe të sigurisë, si dhe tensioneve që në të kaluarën kanë shoqëruar zonën e urës, “çdo vendim për praninë e forcave të sigurisë aty duhet të merret me kujdes”.

Ajo gjithashtu pretendoi se Policia e Kosovës nuk e ka fituar besimin e serbëve në veri dhe tha se prania e KFOR-it në urë përbën “një faktor të rëndësishëm stabiliteti”.

Lista Serbe i bëri thirrje KFOR-it që të ruajë një prani adekuate në urën kryesore dhe të vazhdojë të kontribuojë në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit.

Ura kryesore mbi lumin Ibër aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë, ndërsa Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar hapjen e saj për qarkullimin e automjeteve në korrik të vitit 2024, gjë që kishte nxitur tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për hapjen e urës për trafik në vitin 2014, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Marrëveshja parashihte revitalizimin e urës dhe largimin e të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë.

Për të tejkaluar mospajtimet rreth interpretimit të marrëveshjeve të mëparshme, në vitin 2016 u dakordua një plan i ri zbatimi, sipas të cilit ura duhej të hapej për trafik në janar të vitit 2017.

Punimet për revitalizimin përfunduan në qershor të vitit 2018. Megjithëse në projekt u investuan rreth 1.5 milion euro, ura nuk u hap asnjëherë për automjete dhe vazhdoi të përdorej vetëm nga këmbësorët.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka ndërtuar edhe dy ura të tjera pranë urës kryesore – një për këmbësorë dhe një për automjete – me synimin për të lidhur Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut, në një qytet që mbetet i ndarë etnikisht që nga lufta. /REL/

 

Continue Reading

lajme

AIP dhe ATK memorandum bashkëpunimi për mbikëqyrjen e aktivitetit ekonomik në mjedisin digjital

Published

on

By

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me qëllim fuqizimin e kontrollit dhe rritjen e transparencës ndaj subjekteve që zhvillojnë aktivitet ekonomik në hapësirën digjitale.

Përmes kësaj marrëveshjeje, të dyja institucionet do të zhvillojnë inspektime të përbashkëta dhe të koordinuara ndaj bizneseve online, faqeve në rrjete sociale, portaleve mediale dhe platformave të tjera digjitale, secila në përputhje me mandatin e saj ligjor.

Kjo iniciativë vjen si përgjigje ndaj rritjes së hovshme të tregtisë online dhe rasteve të evidentuara gjatë monitorimeve, ku janë vërejtur shkelje në mbrojtjen e të dhënave personale si dhe vështirësi në identifikimin e subjekteve ekonomike.

Në kuadër të inspektimeve: AIP do të mbikëqyrë ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale, politikat e privatësisë, përdorimin e “cookies” dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

ATK do të verifikojë përmbushjen e detyrimeve tatimore dhe regjistrimin e rregullt të veprimtarisë ekonomike.

Përmes këtij bashkëpunimi, AIP dhe ATK synojnë të ndërtojnë një mjedis digjital më të sigurt, ku zhvillimi i biznesit bëhet në respektim të plotë të ligjit dhe të drejtave të konsumatorëve. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

KFOR-i nis integrimin e Policisë së Kosovës në sigurinë e Manastirit të Deçanit

Published

on

By

Misioni i KFOR-it ka njoftuar se ka nisur procesin e integrimit të personelit të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë përveç mbrojtjes së Manastirit të Deçanit. Përmes një komunikate zyrtare, KFOR-i bëri të ditur se ky hap vjen në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë dhe është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të misionit në terren.

Sipas njoftimit, ky proces do të realizohet në mënyrë graduale dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore e ndërkombëtare.

“Ky proces do të jetë gradual dhe i bazuar në kushte, si dhe po koordinohet ngushtë me një sërë aktorësh, përfshirë përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe dhe të institucioneve të Kosovës, si dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).”

Pavarësisht këtij riorganizimi, KFOR-i njoftoi se mbetet reaguesi i parë për sigurinë e këtij monumenti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore e fetare.

“Personeli ynë është i pozicionuar për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi, në përputhje me mandatin e KFOR-it të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara. KFOR-i mbetet reaguesi i parë për sigurinë e Manastirit të Deçanit”, sipas reagimit të KFOR-it.

Po ashtu, misioni i udhëhequr nga NATO nënvizoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me të gjitha palët e përfshira, përfshirë edhe Forcat e Armatosura të Serbisë, për të ruajtur transparencën dhe për të shmangur keqkuptimet, duke i bërë thirrje të gjithëve për angazhim konstruktiv në dialog.

Në përmbyllje, KFOR-i rikonfirmoi përkushtimin për përmbushjen e mandatit të tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara