Mes lotëve dhe një heshtjeje që peshonte rëndë, salla e Kuvendit të Kosovës u pushtua nga dhimbja dhe guximi i Vasfije Krasniqit.
Në seancën solemne për nder të 14 Prillit, Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale, Krasniqi ndau një dëshmi që preku thellë të pranishmit, duke e shndërruar foltoren në një tribunë të të vërtetës që nuk mund të heshtet më.
Nën dritën simbolike të qirinjve, ky fjalim shënoi një moment reflektimi mbi rrugëtimin drejt drejtësisë dhe thyerjes së stigmës.
Vasfije Krasniqi, e cila është bërë simbol i guximit mbarëkombëtar, hapi fjalimin e saj duke kujtuar se kjo datë nuk është thjesht një shënim në kalendar, por dita që i ndau jetën përgjithmonë. Ajo kërkoi që institucionet dhe shoqëria të jenë krahu i fortë i të gjithë atyre që ende vuajnë në heshtje.
“Sot qëndroj para jush si një e mbijetuar, por mbi të gjitha si një zë që nuk zgjodhi heshtjen kurrë. 14 prilli nuk është vetëm një datë për mua, është data që ndryshoi jetën time përgjithmonë. Sot ky Kuvend bëhet një vend i veçantë i kujtesës, një vend ku dhimbja nuk fshihet, por ndriçon.” tha Krasniqi.
Krasniqi theksoi se errësira që ka mbuluar këto viktima për dekada po largohet, duke u zëvendësuar me respekt dhe prani institucionale.
“Për shumë vite drita ka munguar në jetën e shumë të mbijetuarve; heshtja, stigma dhe mungesa e mbështetjes ka bërë që shumë histori të mbesin të heshtura. Çdo qiri që ndezëm sot është një mesazh i qartë që të mbijetuarat nuk janë vetëm – zëri ynë ka rëndësi dhe dinjiteti ynë duhet të mbrohet e të respektohet.” u shpreh nën emocione Vasfije Krasniqi.
U.D. Presidentja dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, vuri në dukje se dhuna seksuale nuk ishte rastësi, por një mjet brutal lufte i planifikuar nga Serbia për të goditur bërthamën e shoqërisë kosovare.
“Në Kosovë ky mjet brutal u ushtrua nga aparati shtetëror serb dhe kjo dhunë kishte për qëllim poshtërimin, nënçmimin dhe lëkundjen e themeleve të shtetit tonë. Autorët e këtyre krimeve mbeten të lirë jashtë juridiksionit tonë dhe nën mbrojtjen e Serbisë, por përkushtimi ynë nuk do të mungojë as me vepra e as me përpjekje”, tha Haxhiu.
Kryeministri Albin Kurti u zotua se shteti nuk do të lejojë që harresa të mbulojë krimet e forcave okupuese, duke bërë thirrje që shoqëria të marrë mbi supe detyrën e thyerjes së heshtjes.
“Kjo ditë është thirrje për drejtësi. Heshtja dhe stigma që ende rëndojnë mbi mijëra viktima vazhdojnë të peshojnë, por kjo heshtje nuk duhet të jetë barrë juaja – është detyrë e jona që ta thyejmë këtë heshtje. Serbia vazhdon të shërbejë si strehë ndaj kriminelëve që kryen këto krime.”, u shpeh Kurti.
Kurti kritikoi ashpër edhe tentativat e fundit të Beogradit për falsifikimin e së vërtetës historike, duke rikonfirmuar se sakrifica e të mbijetuarve do të nderohet gjithmonë me krenari shtetërore.