Lajmet

Qeveria e Kosovës refuzon të komentojë detajet nga “non-paper”

Published

on

Në Qeverinë e Kosovës, kanë refuzuar të komentojnë informacionet që përmban një “non-paper”, të cilën e kanë publikuar disa media në Kosovë, e që flet për për themelimin e të ashtuquajturit “distriktit autonom të Kosovës së Veriut” dhe për njohjen e integritetit dhe sovranitetit territorial mes Kosovës dhe Serbisë.

Gazeta “Koha Ditore” e publikoi një dokument, i cili u tha se është përgatitur nga Gjermania dhe Franca, si një inciativë e tyre për rinisjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe përmbylljen e këtij procesi me një marrëveshje përfundimtare.

Ambasadat e Gjermanisë dhe Francës në Prishtinë, megjithatë kanë deklaruar që këto dy shtete nuk qëndrojnë prapa këtij dokumenti.

“Edhe Ambasada gjermane dhe Ambasada franceze janë deklaruar për këtë dokument duke e demantuar dhe u distancuar nga ai. Nuk kemi çfarë t’i shtojmë më shumë deklarimeve të tyre”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë “non-paper” i publikuar nga “Koha Ditore” është “fake news”.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Rohde ka thënë se mund të ketë dokument, por se nuk është franko-gjerman, derisa ka shtuar se e përkrahin dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe Miroslav Lajçak.

“I ashtuquajturi ‘non-paper’ franko-gjerman, i publikuar nga Koha Ditore është lajm i rremë. Mund të ketë dokument, por sigurisht që nuk është francezo-gjerman. Ne e përkrahim plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe Miroslav Lajçak, siç e theksoi përsëri ministri i Jashtëm i Gjermanisë, (Heiko) Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Po ashtu në Twitter, Ambasada franceze ka deklaruar se Franca dhe Gjermania nuk janë burimi i atij “non-paper” dhe se dy shtetet mbështesin ndërmjetësimin e dialogut nga Bashkimi Evropian.

“Franca dhe Gjermania nuk janë burimi i të ashtuquajturin ‘non-paper’ franko-gjerman të botuar sot në Koha Ditore. Ne mbështesim plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dhe mirëpresim përpjekjet e bëra në këtë drejtim nga përfaqësuesi special i ngarkuar për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak”, thuhet në reagim.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar më 27 prill se “non-paper” i publikuar nga mediat në Prishtinë, e ka bërë dikush që është “shumë shumë i mençur”.

“Ka gjëra të cilat iu kishin pëlqyer serbëve, por aty është edhe një gjë, të pranohet pavarësia e Kosovës, e që është shumë serbët”, ka deklaruar Vuçiq gjatë një vizitë në jug të Serbisë.

Ai po ashtu shtoi se Beogradit nuk ia ka dorëzuar këtë dokument.

“Po shoh që të gjithë janë duke e demantuar, por më shumë shqetësime kam pasur me ‘non-paper’ të mëhershëm (i publikuar nga Qeveria sllovene) sepse këtë e ka shkruar dikush që është shumë i zgjuar”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha se dyshon në një person si autore, por të cilën nuk e ka emëruar.

“Bëhet fjalë për një grua shumë të mençur sepse askush tjetër nuk do të mund të përpilonte atë”, tha Vuçiq.

Ai po ashtu shtoi se publikimi nuk është bërë pa arsye. Vuçiq tha se do t’i analizojë porositë për palën serbe dhe palën tjetër, por shtoi se për Serbinë është e papranueshme njohja e pavarësisë së Kosovës.

Në këtë dokument thuhet se Kosova e Serbia duhet të pajtohen që të themelohet një i ashtuquajtur “distrikt autonom i Kosovës Veriore”, me kompetenca vetëqeverisëse. Ai do të përfshinte komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Po ashtu thuhet se Kisha Ortodokse Serbe do të këtë “status të privilegjuar”, ndërsa Serbia, pas ratifikimit të Marrëveshjes ligjërisht obliguese, obligohet se “nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe rajonale”.

Lajmet

Përfshihet nga zjarri një fabrikë në Prizren, lëndohet një punëtor

Published

on

By

Polica e Kosovës në raportin e saj njëditor njofton se një fabrikë për prodhimin e stiroporit në fshatin Mushnikovë të Prizrenit është përfshirë nga zjarri në orët e para të mëngjesit të së martës.

Sipas raportit, si pasojë e flakëve janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa një punëtor i fabrikës ka përfunduar në spital për shkak të problemeve me frymëmarrjen nga tymi i lëshuar.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë njësitë policore dhe zjarrfikësit, të cilët kanë arritur ta lokalizojnë dhe ta fikin zjarrin.

Lidhur me shkaqet e incidentit dhe dëmet e shkaktuara, është njoftuar prokurori kompetent i cili po merret me hetimin e rastit.

Continue Reading

Lajmet

Vetëvrasje me armë gjuetie në Prishtinë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar se një rast i rëndë i vetëvrasjes është regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në Prishtinë.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së martës, rreth orës 09:40, ku familjarët kanë gjetur pa shenja jete viktimën burrë.

Sipas raportit zyrtar, dyshohet se personi në fjalë ka marrë jetën e tij duke përdorur një armë zjarri.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar menjëherë njësitë policore dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Gjatë ekzaminimit të vendngjarjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, e cila dyshohet se është përdorur në këtë akt tragjik.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar për hetim të mëtutjeshëm, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Continue Reading

Lajmet

SHBA-Iran: Armëpushim dhe Plan Paqeje

Published

on

By

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka konfirmuar arritjen e një armëpushimi dyjavor me Iranin, një vendim që erdhi pas pranimit të një plani 10 pikësh të propozuar nga Teherani.

Ky dakordësim u bë publik pak para skadimit të afatit të fundit të vendosur nga Washingtoni, ndërsa Trump e ka kushtëzuar paqen e përkohshme me lejimin e qarkullimit të lirë të anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Si pasojë e këtij zhvillimi diplomatik, tregjet botërore kanë reaguar menjëherë, me çmimin e naftës që ka rënë nën nivelin e 100 dollarëve për fuçi.

Në anën tjetër, Izraeli ka deklaruar mbështetjen e tij për pezullimin e sulmeve, ndonëse ka specifikuar se ky armëpushim nuk shtrihet në territorin e Libanit. Rolin e ndërmjetësit në këtë krizë e ka marrë Pakistani, i cili ka ftuar përfaqësuesit e të dyja shteteve për bisedime të mëtejshme në Islamabad këtë të premte.

Plani iranian, të cilin pala amerikane e cilësoi si të realizueshëm, synon një ristrukturim të raporteve në rajon.

Ai kërkon tërheqjen e trupave amerikane, heqjen e sanksioneve ekonomike dhe lirimin e aseteve të ngrira, në këmbim të zotimit të Iranit për të mos prodhuar armë bërthamore.

Po ashtu, propozimi përfshin njohjen e të drejtës për pasurimin e uraniumit, ndërprerjen e armiqësive ndaj grupeve të rezistencës dhe arritjen e traktateve të paqes me vendet fqinje nën kornizën e rezolutave të OKB-së.

10 pikat e planit të armëpushimit:

  1. Tërheqja e trupave amerikane nga rajoni.
  2. Kontroll i Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit (me lëvizje të rregullt të anijeve).
  3. Kompensimi i dëmeve ndaj Iranit.
  4. Tërheqja e të gjitha sanksioneve (primare dhe sekondare).
  5. Lirimi i aseteve të ngrira iraniane.
  6. Zotimi i Iranit për të mos krijuar armë bërthamore.
  7. Pranimi i së drejtës së Iranit për të pasuruar uranium.
  8. Pajtimi i Iranit për traktatet e paqes me vendet e rajonit.
  9. Ndërprerja e armiqësive kundër të gjitha grupeve të rezistencës në rajon.
  10. Miratimi i dispozitave përmes një rezolute të OKB-së për ta bërë marrëveshjen të detyrueshme.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu: Jam e hapur të ndihmoj për çështjen e presidentit

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, tha se është e hapur që të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së presidentit.

“Tashmë takimet po vazhdojnë, ka pasur edhe dje takim për këtë qëllim dhe do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Unë jam shumë e hapur që të ndihmoj, nëse mundem, në këtë drejtim”, tha Haxhiu, gjatë takimit me Avokatin e Popullit të Shqipërisë në zyrën e saj në Kuvend.

Një ditë më parë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua Lumir Abdixhikun, udhëheqësin e partisë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, por në takim nuk u arrit ndonjë marrëveshje për çështjen e presidentit.

Pas takimit pothuajse dyorësh, Kurti tha se “jemi të përcaktuar” që të shmangen zgjedhjet e reja, pasi sipas tij as votimet e reja nuk do të sillnin 80 vota, aq sa kërkohet për votimin e presidentit të ri.

Takimi u zhvillua pas përfundimit të mandatit presidencial të Vjosa Osmanit më 4 prill. Të njëjtën ditë, pozitën e ushtrueses së detyrës e mori Haxhiu, ashtu siç parashihet me Kushtetutë.

Kurti ka paralajmëruar takime edhe me Bedri Hamzën, kryetarin e subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës.

Por, sipas një komunikate të cituar nga mediat lokale në Kosovë, Hamza i ka kthyer përgjigje Kurtit lidhur me ftesën për takim, duke i kërkuar që ta konkretizojë iniciativën e tij të re përmes një letre zyrtare, në mënyrë që për këtë temë të diskutohet në organet e partisë dhe më pas të paraqitet qëndrimi përfundimtar i PDK-së.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha për EkonomiaOnline se nuk kanë pranuar ndonjë ftesë të re për takim. Ajo tha se subjekti i saj politik nuk do të propozojë emra për president pa një marrëveshje politike, duke theksuar se përgjegjësinë për zgjedhjen e presidentit mbetet te Kurti, partia e të cilit ka shumicën në Kuvend.

LVV-ja e Kurtit më 5 mars propozoi dy emra për pozitën e presidentit: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku. Në mungesë kuorumi, procesi ka mbetur në gjysmë.

Të nesërmen, ish-presidentja Vjosa Osmani prezantoi një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.

Dekreti u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria.

Gjykata më pas doli me vendim duke thënë se dekreti i ish-presidentes nuk ka pasur asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit, në të kundërtën shteti shkon në zgjedhje që duhen të mbahen brenda 45 ditësh.

Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar bindshëm zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit dhe gëzon 57 ulëse në Kuvend, por ato janë të pamjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, meqë për të finalizuar këtë proces nevojiten të paktën 80 vota në Kuvendin me 120 deputetë. /REL/

Continue Reading

Të kërkuara