Lajmet

Qeveria e Kosovës: Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë

Qeveria e Kosovës thotë se iniciativa e ‘mini-Shengenit’ është nismë pa vizion për rajonin.

Published

on

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk ka marrë pjesë në Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që po mbahet në Maqedoninë e Veriut, që deri tani njihej si “mini-Shengeni” Ballkanik.

Nga ky forum, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i kanë ftuar edhe vendet tjera në rajon që t’i bashkohen nismës “mini-Shengenit”, si mundësi e vetme për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe lëvizjes.

Përmes një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, zyra për media e Qeverisë së Kosovës tha se “qëndrimet për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘mini-Shengen’, tashmë janë të njohura”.

“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në përgjigje.

Ideja e “mini-Shengenit” ballkanik, u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, si nikoqir i këtij takimi, u ka bërë thirrje të gjithë liderëve të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen kësaj nisme.

“Nisma është e hapur për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, andaj i ftojmë dhe i inkurajojmë kolegët tanë që të bashkohen për shkak të popujve tanë. Ne të gjithë jemi Ballkan Perëndimor dhe evropian. Ta krijojmë një vizion për zhvillim real për të përfituar të gjithë qytetarët tanë”, tha Zaev.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vazhdimësi ka kundërshtuar nismën e “mini-Shengenit”, pasi sipas tij, rajoni duhet t’i kthehet agjendës së integrimit në Bashkimin Evropian dhe jo nismave që sipas kryeministrit të Kosovës, janë të dëmshme për shqiptarët.

Mesazhi i Ramës për kryeministrin Kurti

Mesazhe nga Shkupi në drejtim të kryeministrit Kurti, ka dërguar homologu i tij shqiptar, Edi Rama.

Ai tha se kush thotë që kjo është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë, jeton në një botë tjetër.

“E para, jeton në një botë paralele. E dyta, jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe për forcimin e urave mes njerëzve dhe e treta, harron se po të nisemi kështu, atëherë duhet të themi se edhe Bashkimi Evropian është një Jugosllavi e madhe. Nëse Bashkimi Evropian është Jugosllavi e madhe, kjo është Jugosllavi e vogël”tha Rama.

Përveç kryeministrit Kurti, kundër kësaj iniciative është shprehur edhe drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

Ai tha për Radion Evropa e Lirë se asnjë iniciativë rajonale që nuk i përfshin të gjithë, nuk mund të ketë sukses.

“Ajo që vendet e rajonit duhet të gjejnë në këtë rast, është një konsensues që brenda procesit të Berlinit apo brenda ndonjë iniciative tjetër, të arrijnë atë që po synojnë që të ketë një rajon ekonomik që është atraktiv për tregti dhe për investime. Në këtë situatë, kur janë vetëm tri vende, unë nuk besoj që kjo iniciativë do të ketë sukses”, tha Rukiqi.

Qeveria e Republikës së Kosovës, u bën thirrje qeverive të rajonit që të mbeten të përkushtuara ndaj agjendës së Bashkimit Evropian dhe marrëdhënieve transatlantike.

Continue Reading

Lajmet

Të shtëna me armë në Shkodër, një i kërkuar me rrezikshmëri të lartë qëllon gjatë operacionit për kapjen e tij

Published

on

By

Një incident me armë zjarri është shënuar në lagjen Kiras në Shkodër, gjatë një operacioni të policisë për kapjen e një personi të konsideruar me rrezikshmëri të lartë, raporton Euronews Albania.

Në momentin kur efektivët ndodheshin në ndjekje dhe në një perimetër të afërt me objektivin e operacionit, një shtetas ka qëlluar në ajër me armë zjarri dhe më pas është larguar në drejtim të paditur.

Policia bënë me dije se personi i dyshuar është shtetasi me inicialet B.B., i cili rezulton në kërkim edhe për vepra të tjera penale.

Menjëherë pas incidentit, në zonë kanë mbërritur dhjetëra forca policore, të cilat kanë rrethuar perimetrin dhe kanë vendosur masa të shtuara sigurie.

Operacioni për kapjen e personit vijon, ndërsa zona mbetet e blinduar nga efektivët e policisë. /Euronews/

 

Continue Reading

Lajmet

Jep dorëheqje deputeti Haxhi Avdyli, reagon Partia Guxo

Published

on

By

Deputeti Haxhi Avdyli ka njoftuar dorëheqjen e tij të parevokueshme nga të gjitha pozitat në Partinë Guxo, si shenjë proteste ndaj asaj që ai e quajti fushatë të ulët dhe linçuese ndaj Presidentes Vjosa Osmani.

Avdyli deklaroi se mospajtimet e tij politike me orientimin e fundit të grupit parlamentar u pasuan nga sulme dhe shpifje të rënda, të cilat sipas tij kanë përfshirë edhe përdorimin e inteligjencës artificiale për të nxitur urrejtje.

Ai theksoi se nuk mund të jetë pjesë e një politike që denigron figurën e Presidentes dhe rrezikon funksionimin demokratik të institucioneve.

“Në shenjë proteste, dhe për të mos identifikuar veten me këtë fushatë të ulët, kam vendosur të jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat në Partinë Guxo,” deklaroi Avdyli.

Në anën tjetër, Kryesia e Partisë Guxo ka njoftuar se e pranon dorëheqjen e tij, duke e parë atë si një zgjedhje të vullnetshme të deputetit. Përmes një komunikate, partia e ka falënderuar Avdylin për kontributin e deritanishëm, por ka hedhur poshtë pretendimet e tij për motivet e largimit.

Guxo konfirmoi se asnjë anëtar i saj nuk është përfshirë në linçime publike, duke insistuar se qëndrimi i tyre mbetet strikt në mbrojtje të rendit dhe kushtetueshmërisë në vend.

“Askush nga Partia Guxo nuk është përfshirë dhe nuk përfshihet as në debate të ulëta dhe as në linçime publike të askujt e aq më pak të Presidentes së Republikës,” thuhet në reagimin e partisë.

Continue Reading

Lajmet

LVV dërgon dekretin e Presidentes në Kushtetuese

Published

on

By

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se sot është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesa e nënshkruar nga 30 deputetë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.

Përmes kësaj lënde, deputetët kanë kërkuar zyrtarisht nga Gjykata që të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e këtij dekreti deri në nxjerrjen e një aktgjykimi përfundimtar.

Sipas Nagavcit, Presidentja nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ apo për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e tij jashtë rrethanave kushtetuese.

“Është e qartë se Presidentja e Republikës nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ, e aq më pak për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit,” thuhet në njoftimin e bërë nga Nagavci.

Në argumentimin e dorëzuar në Gjykatë, theksohet se çdo veprim që tejkalon kufijtë e sanksionuar në Kushtetutë përbën cenim serioz të parimit të ndarjes së pushteteve.

Grupi Parlamentar i VV-së vlerëson se roli i Presidentit në këtë proces është strikt i kushtëzuar dhe nuk mund të ushtrohet jashtë kritereve të qarta ligjore. Nagavci ka thënë se në një shtet demokratik asnjë bartës i funksionit publik nuk mund të veprojë mbi aktin më të lartë juridik të vendit.

“Në një shtet demokratik, asnjë institucion dhe asnjë bartës i funksionit publik nuk mund të veprojë mbi Kushtetutën apo jashtë saj. Përpjekjet për të ushtruar kompetenca që nuk janë të përcaktuara dëmtojnë rendin kushtetues,” ka theksuar ajo.

Në fund të njoftimit, Nagavci ka bërë thirrje që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë këtë çështje me prioritet të lartë dhe të japë një vendim sa më të shpejtë.

 

Continue Reading

Lajmet

Monitorim i rreptë i çmimeve të naftës, inspektorët në terren gjatë fundjavës

Published

on

By

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Mimoza Kusari Lila ka njoftuar se gjatë gjithë fundjavës inspektorët e tregut kanë qenë në terren për të monitoruar zbatimin e vendimit për rregullimin e çmimeve të derivateve.

Ky angazhim vjen pas nënshkrimit të vendimit për përcaktimin e marzhës tregtare me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës.

Sipas të dhënave, marzha maksimale është caktuar 2 centë për shitjen me shumicë dhe 12 centë për atë me pakicë.

Nga të dhënat e siguruara prej Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për naftë ka qenë 1.40 euro për litër, ndërsa për benzinë 1.14 euro.

Ndërkohë, monitorimi në terren tregon se çmimet në pikat e karburanteve aktualisht sillen nga 1.39 deri në 1.55 euro për naftën dhe 1.27 deri në 1.32 euro për benzinën. Ministrja theksoi se po bashkëpunojnë ngushtë me Administratën Tatimore dhe Autoritetin e Konkurrencës për të analizuar çdo lëvizje të çmimeve.

Kusari-Lila njofton se Inspektorati do të vazhdojë monitorimin e tregut edhe në ditët në vijim për të parandaluar çdo abuzim të mundshëm. Gjithashtu ministrja ka bërë të ditur se për çdo shkelje të evidentuar do të ndërmerren masa të rrepta ndaj operatorëve ekonomikë.

Sipas saj, prioritet mbetet transparenca dhe parandalimi i rritjes së paarsyeshme të çmimeve për qytetarët.

 

Continue Reading

Të kërkuara