Live

PZAP – 96 orë afat për shqyrtimin e ankesave

Published

on

Me përfundimin e afatit për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, është bërë e ditur se janë dorëzuar 7 sosh lidhur me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa do të ketë 96 orë në dispozicion për t’i shqyrtuar 7 ankesa, që i janë adresuar këtij institucioni, mbi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit. Në një përgjigje me shkrim, nënvizohet se pesë ankesa janë nga subjektet politike dhe dy të tjera nga një kandidat për deputet të Kuvendit, për legjislaturën e ardhshme.

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Bekim Haxhiu, ka deponuar dy ankesa. Njëra prej tyre ka të bëjë me shpërndarjen e ulëseve në Kuvend, ndërsa tjetra lidhet me parregullsi të pretenduara gjatë numërimit të votave me postë.

Ndërkohë që 5 ankesa të tjera vijnë nga subjekte politike në radhët e pakicave. Dy ankesa i ka parashtruar Lidhja e Re Demokratike që ndërlidhen me pretendime për parregullsi me vota, konkretisht me fletëvotimet.

Një ankesë për parregullsi në votim kanë paraqitur edhe Koalicioni PAI, PDAK, LPB, si dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.

E Lista Serbe ka dorëzuar ankesë ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për mosmiratimin e listës së kandidatëve të saj.

Në mbledhjen e fundjavës, kur KQZ-ja shpalli rezultatet e zgjedhjeve, anëtarët e Vetëvendosjes votuan kundër e ata të Partisë Demokratike abstenuan.

“Lufta politike, beteja politike është legjitime, por a duhet në proceset të cilat janë edhe emergjente, të veprohet kështu, është çështje që duhet adresuar pikërisht këtyre subjekteve politike, në këtë rast atyre që votuan kundër dhe atyre që abstenuan. Pra, nuk duhet as dramatizuar, por as minimizuar, por thjeshtë është një betejë politike që subjektet politike e bëjnë në momente të caktuara, për qëllimet e tyre politike”, ka thënë Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve juridike.

Në Vetëvendosje folën për votimin kundër, ndërsa anëtarët e PDK-së që abstenuan, nuk u deklaruan.

Edhe Misioni i OSBE-së në vend, në reagimin e vet ka nënvizuar se po i monitoron nga afër zhvillimet, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i shpalli të shtunën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të dhjetorit, duke miratuar listat përbërëse të të gjitha partive, përveç asaj të Listës Serbe.

Misioni thekson nevojën për respektim të plotë të standardeve ndërkombëtare zgjedhore, në veçanti publikimin transparent dhe gjithëpërfshirës të rezultateve zgjedhore, si një mjet për të siguruar siguri juridike dhe trajtim të barabartë për të gjithë garuesit zgjedhorë. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Live

Kriza e zjarreve në Francë e Spanjë: Ushtria në terren, mbi 300 mijë banorë lënë shtëpitë

Published

on

By

Zjarret masive vazhdojnë të shkaktojnë kërdi në Evropën Jugore, ku mbi 300,000 banorë në Francë dhe Spanjë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. Kushtet e vështira atmosferike, me temperatura të larta dhe erëra të forta, po pengojnë ndjeshëm punën e ekipeve të emergjencës.

Në jugperëndim të Francës, situata mbetet kritike teksa flakët po i afrohen qytetit të Bordosë. Vetëm të shtunën mbrëma u urdhërua evakuimi i 55,000 personave të tjerë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të zhvendosurve në rreth 250,000 në rajonet Gironde dhe Landes. Për të përballuar krizën, autoritetet franceze kanë mobilizuar ushtrinë, e cila po ndihmon zjarrfikësit në hapjen e brezave mbrojtës dhe pastrimin e shkurreve për të ndaluar përparimin e zjarrit.

Presidenti Emmanuel Macron premtoi se shteti do të qëndrojë pranë qytetarëve dhe se çdo zonë e dëmtuar do të rindërtohet, ndërsa pushuesit e larguar nga zona e Bordosë i kanë përshkruar përmasat e flakëve si “të frikshme”.

Në Spanjë, ku është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, zjarret vazhdojnë të kërcënojnë zonat përreth Madridit. Ndonëse një përmirësim i lehtë i motit ndihmoi përkohësisht zjarrfikësit, Ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska, e cilësoi situatën si “komplekse” dhe u shpreh më pesimist për shkak të erërave që pritet t’i shtyjnë flakët drejt jugut. Kryeministri Pedro Sanchez paralajmëroi se vendin e presin “ditë të vështira”. Ndërkohë, në Valencia është konfirmuar viktima e parë: një burrë i moshuar u gjet i pajetë brenda makinës së tij në Manises, teksa po i ikte zjarrit.

Alarmante paraqitet situata edhe në Itali, ku në ishullin e Sicilisë janë regjistruar më shumë se 350 vatra zjarri — 10 prej të cilave masive — duke detyruar Mbrojtjen Civile të ndërmarrë evakuime të menjëhershme.

Foto: Associated Press

Continue Reading

Live

SHBA vendos tarifa ndaj 60 vendeve për punën e detyruar

Published

on

By

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tarifa të reja ndaj 60 partnerëve tregtarë — të cilët mbulojnë shumicën dërrmuese të importit amerikan — me pretendimin se ata nuk kanë ndaluar siç duhet punën e detyruar, raporton BBC.

Taksat, që variojnë nga 10% deri në 12.5%, synojnë partnerë kyçë ekonomikë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Kinën, Bashkimin Evropian, Kanadanë, Japoninë dhe Indinë. Ato hyrën në fuqi të premten, sapo skadoi taksa e përkohshme prej 10% mbi mallrat e huaja e vendosur më herët këtë vit.

Lëvizja është përshkallëzimi më i fundit në luftën tregtare globale të rindezur nga Presidenti Donald Trump që prej rikthimit të tij në detyrë vitin e kaluar.

Gjykata e Lartë e SHBA-së vendosi muaj më parë se shumë nga tarifat e vendosura globalisht nën kompetencat e emergjencës u miratuan në mënyrë të paligjshme. Më pas, presidenti ka kërkuar rrugë të tjera për të vazhduar politikën e tij kryesore tregtare.

Muajin e kaluar, Shtëpia e Bardhë propozoi tarifa prej 10% deri në 12.5% mbi importet nga dhjetëra vende për shkak të shqetësimeve se ato nuk po bënin mjaftueshëm për të luftuar punën e detyruar.

Të enjten, Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së, Jamieson Greer, duke vepruar nën udhëzimet e Trump, deklaroi se këto tarifa tashmë hyjnë në fuqi.

“Veprimi i sotëm do të fillojë të korrigjojë atë që përbën si një shkelje të të drejtave të njeriut, ashtu edhe një praktikë tregtare të deformuar, me qëllim përmirësimin e mirëqenies së punëtorëve kudo në botë,” thuhej në deklaratën e tij.

Greer u mbështet në Nenin 301 të Ligjit të Tregtisë të vitit 1974 (Section 301 of the Trade Act of 1974), i cili rregullon zbatimin e masave tregtare të SHBA-së ndaj praktikave që rëndojnë apo kufizojnë tregtinë amerikane.

Më herët gjatë kësaj jave, administrata Trump përdori një statut tjetër, Nenin 338 të Ligjit të Tarifave të vitit 1930, për të vendosur tarifa prej 50% mbi produktet nga Kanada.

Të enjten, Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë të SHBA-së tha se tarifat e fundit po u vendoseshin partnerëve “për shkak të moszbatimit efektiv të ndalimit të importit të mallrave të prodhuara me punë të detyruar”.

Taksat e reja zbatohen për 60 partnerët kryesorë tregtarë të SHBA-së, të cilët mbulojnë 99.4% të importeve amerikane. Zyra shtoi se Trump e ka bërë miratimin e ndalimit të importeve me punë të detyruar një pjesë “kritike” të marrëveshjeve tregtare reciproke me kombet e tjera.

Sipas zyrës, deri më tani 10 partnerë tregtarë kanë rënë dakord të miratojnë një ndalim të tillë në këto marrëveshje, ndërsa vendet e tjera kanë zbatuar ndalime si reagim ndaj hetimit të SHBA-së në javët e fundit.

Partnerët tregtarë që kanë marrë angazhime për të miratuar dhe zbatuar efektivisht ndalimet ndaj punës së detyruar do t’i nënshtrohen një tarife prej 10%, ndërsa ata që nuk e kanë bërë këtë do të përballen me shkallën më të lartë prej 12.5%.

Greer u shpreh se ishte “i inkurajuar nga partnerët tregtarë që kanë lëvizur shpejt për të miratuar ndalimet e importit për punën e detyruar” dhe se priste me padurim “të siguronte zbatimin e tyre efektiv”.

Masat e reja tregojnë se administrata Trump është “e vendosur” të çojë përpara strategjinë e saj tarifore, tha ekspertja e politikave tregtare Deborah Elms nga Hinrich Foundation. Ajo deklaroi për BBC-në se ka pak gjasa që vendet e goditura me tarifa të mund të provojnë se kanë masa të mjaftueshme për të parandaluar importet e prodhuara me punë të detyruar.

Ekspertja e sigurisë ekonomike Wendy Cutler nga Asia Society Policy Institute vërejti se tarifat ka të ngjarë të rrisin kostot për bizneset dhe konsumatorët, megjithëse ndikimi mund të zbutet për shkak të numrit të mallrave që janë përjashtuar. Shuma më e madhe e partnerëve tregtarë do të jenë të zhgënjyer dhe pritet të fokusohen në mënyra për “të reduktuar varësinë e tyre nga tregu amerikan” përmes marrëveshjeve me vende të tjera, shtoi Cutler.

Çfarë kanë thënë vendet e tjera?

Disa vende kanë reaguar tashmë ndaj njoftimit, përfshirë Brazilin. Qeveria braziliane e quajti këtë lëvizje “të pajustifikuar” dhe “arbitrare”. Uashingtoni ka zgjedhur të “manipulojë një çështje me rëndësi të madhe” për të drejtat e punëtorëve për të mbështetur politikën e tij tregtare mbrojtëse (proteksioniste), tha qeveria e Brazilit në një deklaratë.

Brazili, i cili u godit me tarifën e re prej 12.5%, shtoi se do të përgjigjet me masa sipas “ligjit të tij të reciprocitetit” dhe do të marrë në konsideratë partnerë të tjerë tregtarë.

 

Continue Reading

Live

Trumpi paralajmëron Houthit pas sulmit ndaj anijeve saudite

Published

on

By

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lëshuar të enjten një paralajmërim për Houthit, grupin jemen të mbështetur nga Irani, pas sulmit të tyre ndaj dy anijeve saudite të naftës në Detin e Kuq.

Në një postim në Truth Social, Trumpi ka thënë se do ta mbajë përgjegjës Iranin për çdo veprim të Houthive.

“Nëse ata e përsërisin këtë veprim, SHBA-ja do ta mbajë Iranin përgjegjës, duke qenë se Houthitë janë një forcë përfaqësuese e Iranit, dhe do të ushtrohet një ndëshkim i rëndë ushtarak ndaj Iranit dhe, natyrisht, ndaj vetë Houthive. Këta më kanë zhgënjyer thellë, pasi deri më tani kishin vepruar në mënyrë shumë profesionale dhe të mençur”, ka shkruar Trumpi.

Sulmi i cisternave të naftës ka ardhur vetëm tri ditë pasi rebelët Houthi kishin shpallur bllokadë ndaj anijeve saudite në Detin e Kuq.

Kërcënimi i tyre ndaj anijeve në atë pjesë rrezikon të hapë një front të ri në luftën e rikthyer SHBA-Iran, pas marrëveshjes së arritur në qershor.  /Reuters/

Continue Reading

Aktualitet

SHBA-ja dhe Arabia Saudite nënshkruajnë marrëveshje historike bërthamore

Published

on

By

Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite kanë nënshkruar një marrëveshje historike, e cila raportohet se do t’i lejojë mbretërisë së Gjirit të zhvillojë një program bërthamor civil.

Marrëveshja përshkruhet si një “marrëveshje bashkëpunimi paqësor bërthamor” që do t’u sigurojë “qasje të madhe kompanive amerikane në programin saudit të energjisë bërthamore”, sipas Departamentit amerikan të Energjisë.

Teksti i marrëveshjes nuk është bërë publik, por mediat amerikane kanë raportuar se ajo mund t’i lejojë Arabisë Saudite të pasurojë uranium në të ardhmen — i cili mund të përdoret si lëndë djegëse për centralet elektrike, por edhe për prodhimin e bombave bërthamore.

Ekspertët thonë se kjo do të shënonte një precedent të parë për SHBA-në dhe mund të bartë rrezikun e përhapjes së ardhshme bërthamore në një rajon që tashmë është i paqëndrueshëm.

Departamenti i Energjisë i SHBA-së vuri në dukje se së bashku me marrëveshjen e bashkëpunimit, u nënshkrua gjithashtu një “marrëveshje dypalëshe e garancive”.

“Së bashku, këto dy marrëveshje vendosin bazën ligjore për një partneritet dekadash, me vlerë miliarda dollarësh, i cili çon përpara disa objektiva kryesore ekonomike dhe strategjike, përfshirë mospërhapjen e armëve bërthamore,” thuhet në deklaratë.

Qeveria saudite po ashtu lëshoi një deklaratë, ku tha se marrëveshja “përfaqëson një vazhdimësi të bashkëpunimit ekzistues mes dy vendeve në sektorin e energjisë”, si dhe vuri në dukje se ajo vjen pasi udhëheqësi saudit vizitoi Uashingtonin në nëntorin e kaluar.

Njoftimi vjen në një kohë kur luftimet mes SHBA-së dhe Iranit po përshkallëzohen. Arabia Saudite, një aleate e kahershme e SHBA-së, strehon disa baza amerikane, të cilat kanë qenë shënjestër e sulmeve iraniane. Gjithashtu, ky vendim vjen dy ditë pasi aleatët e Iranit në Jemen, Huthit, njoftuan një “bllokadë detare” kundër mbretërisë saudite.

Detaje specifike të marrëveshjes bërthamore nuk janë dhënë, por raportimet e mëparshme mediatike sugjeronin se, pas kryerjes së një studimi të përbashkët me SHBA-në, Arabisë Saudite mund t’i lejohet të pasurojë uranium në territorin e saj për të prodhuar lëndë djegëse në një impiant të ndërtuar nga SHBA-ja, në vend që të mbështetet në karburant të importuar.

Kjo mund të vlejë miliarda dollarë për SHBA-në, kompanitë e së cilës mund të përfshihen në ndërtimin e një impianti për prodhimin e uraniumit të pasuruar, i cili mund të përdoret si lëndë djegëse për centralet elektrike, por edhe për prodhimin e bombave bërthamore.

“Jini të sigurt se këto marrëveshje ruajnë standardet më të larta të sigurisë bërthamore dhe mospërhapjes së armëve, ndërsa mbështeten në teknologjinë dhe shkencëtarët më të mirë bërthamorë në botë, të projektuar pikërisht këtu në Shtetet e Bashkuara,” tha në një deklaratë Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright. /BBC/

 

Continue Reading

Të kërkuara