Gjykata Speciale nuk është dashur të themelohej, andaj është mirë që po protestohet, thotë ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, pak orë para se në Prishtinë të mblidhen veteranë e qytetarë të tjerë për të shprehur kundërshtimet e tyre për mënyrën se si po punojnë Dhomat e Specializuara në Hagë. Në një intervistë për KosovaPress, nga Haga, Bosch thekson se protesta duhet të jetë e qetë dhe dinjitoze.
Specialja, e cila i heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, ka seli në Holandë dhe funksionon me staf ndërkombëtar, edhe pse e themeluar me ligje të Kosovës në vitin 2015. Atje po gjykohen ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka vënë mbi ta. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023, por ata ndodhen në paraburgim që prej nëntorit të vitit 2020.
Së fundmi, është raportuar se Gjykata Speciale ka pranuar dokumente si prova nga Serbia e kjo vetëm sa ka rritur reagimin në Kosovë për një gjykatë që vazhdimisht kritikohej për njëanshmëri dhe jo transparencë.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së mbledh sot në orën 17:00 ish-luftëtarë e qytetarë të tjerë në një protestë në Prishtinë të cilën ka thënë se po e organizon kundër padrejtësisë që vlerëson se po i bën Gjykata Speciale në Hagë.
Për ish-ambasadorin holandez në Kosovë, protesta të tilla duhet të mbahen.
“Para së gjithash, mendoj se është mirë të bëhet një protestë, për sa kohë që bëhet me dinjitet, pa dhunë dhe pa slogane të këqija. Por fakti që ka një protestë është, sigurisht, diçka e pranueshme, sepse ajo që po ndodh ngadalë por sigurt është bërë qesharake. Kjo gjykatë është totalisht jotransparente. Askush nuk e di çfarë po bën. Supozohet të jetë një gjykatë e Kosovës, dhe nuk lejohen asnjë kosovar të jetë aty, përveç të akuzuarve. Pra është pak e çuditshme për një gjykatë të Kosovës. Kushton një sasi të jashtëzakonshme parash”, thotë ish-diplomati holandez.
Bosch thekson se procesi i themelimit të kësaj gjykate është dashur të ndalet që në fillim kur u rrëzuan pretendimet për trafikim organesh.
“Dhe, po, nuk është dashur të themelohej fare, sepse u themelua për shkak të këtij trafikimi të organeve. Por kur Williamson, pas hetimeve, vendosi dhe pa që nuk kishte fare trafikim organesh, se ishte një histori e trilluar nga serbët, atëherë sigurisht është dashur të ndalej, sepse kjo ishte arsyeja e vetme pse u krijua kjo gjykatë. Pra është shumë e çuditshme që vazhdoi megjithatë. Dhe tani këta njerëz po qëndrojnë në burg, nuk e di sa vite janë bërë tashmë. Është, sigurisht, qesharake. Është dashur të ndalej atëherë. Dhe nëse ka ndonjë gjë, njerëzit është dashur të gjykohen në Kosovë”, thotë ai.
Ai që njihet si gjyqi i madh në Hagë – procesi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, është drejt fundit. Prokuroria e ka mbyllur çështjen e saj, ndërkaq dëshmitarët e mbrojtjes pritet të dëgjohen nga mesi i shtatorit.
ZPS-ja e cila i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës, ka thënë se ish-eprorët e UÇK-së kanë qenë pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”. Avokatët hodhën poshtë të gjitha akuzat dhe argumentuan se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
“Gjithsesi, nuk është dashur të themelohej [Gjykata Speiale]. Dhe për këtë arsye, sigurisht, është mirë të protestohet. Është gjithashtu shumë e gabuar ta quash UÇK-në një organizatë kriminale, sepse, sigurisht, nuk është ashtu. Por unë isha gjithashtu i përfshirë personalisht gjatë luftës së Kosovës. Dhe në atë kohë, UÇK-ja ishin këmbët tona në terren, sepse ne nuk kishim njerëz në terren. Ata punonin për ne, për NATO-n. Dhe unë e di këtë, sepse isha i përfshirë. Pra të thuash tani që ata janë një organizatë kriminale, atëherë ne kemi punuar me një organizatë kriminale, [ne] NATO. Gjithsesi, shpresoj që protesta të jetë, sërish, dinjitoze, paqësore, por që njerëzit duhet, sigurisht, të shohin që kjo çështje duhet të marrë fund”, thotë ish-ambasadori Bosch.
Dhomat e Specializuara, që në publik njihen si Gjykata Speciale, financohen prej Bashkimit Evropian por me kontribute edhe nga shtete të tjera, në mesin e tyre edhe Shtetet e Bashkuara, Norvegjia, Zvicra, Kanadaja e Turqia.
“Ndërkombëtarët kanë vendosur diçka. Dhe, po, kanë marrë një vendim të gabuar. Dhe nuk do ta pranojnë lehtë që kanë marrë një vendim të gabuar. Mënyra e vetme që kjo mund të ketë ndikim është nëse z. Trump thotë diçka, sepse kam dëgjuar që edhe z. Grenell e ka thënë njëherë që kjo gjykatë është qesharake. Pra ata janë të vetmit që mund të thonë me të vërtetë që kjo gjykatë duhet ndalur. Dhe për këtë arsye, sigurisht, protesta mund të jetë e mirë. Por duhet të jenë amerikanët që e marrin këtë çështje seriozisht”, shton Bosch.
Përveç Thaçit dhe të tjerëve, në Hagë janë zhvilluar edhe raste të tjera për krime të pretenduara të luftës dhe janë shpallur aktgjykime fajësie ndaj Salih Mustafës e Pjetër Shalës. Specialja ka trajtuar raste edhe për pengim të drejtësisë. Madje, ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi është ngritur edhe një aktakuzë e re me pretendimet se ka tentuar të pengojë drejtësinë.