Lajmet

Putin thotë se ka arritur “dakordim” me Trump për përfundimin e luftës në Ukrainë

Published

on

Presidenti rus Vladimir Putin tha se kishte arritur mirëkuptime me presidentin amerikan Donald Trump për përfundimin e luftës në Ukrainë, gjatë takimit të tyre muajin e kaluar në Alaskë, sipas BBC.

Por ai nuk tha nëse do të pranonte bisedime paqeje me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky të ndërmjetësuara nga Trump, i cili duket se kishte caktuar të hënën si afat për përgjigjen e Putinit.

Duke folur gjatë një samiti në Kinë, Putin vazhdoi të mbronte vendimin e tij për të pushtuar Ukrainën, duke fajësuar sërish perëndimin për luftën.

Pas takimit në Alaskë, i dërguari special amerikan Steve Ëitkoff tha se Putin kishte rënë dakord për garanci sigurie për Ukrainën, edhe pse Moska ende nuk e ka konfirmuar. Putin foli në Tianjin gjatë samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, ku falënderoi Kinën dhe Indinë për mbështetjen e tyre dhe për përpjekjet për të zgjidhur krizën ukrainase.

Putin theksoi se dakordimi me Trumpin mund të hap rrugën për paqe, por përsëriti se lufta është rezultat i një grushtshteti të mbështetur nga perëndimi dhe përpjekjeve për të futur Ukrainën në NATO. Ai ka kundërshtuar gjithmonë anëtarësimin e Ukrainës në aleancën perëndimore.

Macron të premten tha se Putin përballej me një afat të Trump për të pranuar bisedime paqeje me Zelenskyn, ndërsa Trump vetë i dha disa javë për një përgjigje. Trump propozoi një marrëveshje të përhershme paqeje, pa hyrje të Ukrainës në NATO, por me garanci sigurie nga SHBA dhe Evropa, pa dërguar trupa.

Zelensky priste një kornizë të shkruar për garancitë e sigurisë këtë javë, por Rusia kritikoi propozimet perëndimore si “njëanshme” dhe vazhdoi sulmet ajrore, duke vrarë 23 persona në sulmin më të madh deri tani.

Gjermania dhe Franca kanë premtuar presion mbi Rusinë për të arritur marrëveshje.

Zelensky refuzoi një zonë tampon dhe akuzoi Rusinë se nuk është gati për diplomaci.

Lajmet

IKShPK: Në Kosovë janë regjistruar 203 raste me fruth, mbi 95% e të prekurve të pavaksinuar

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se gjatë periudhës 16 prill – 11 tetor 2026 janë konfirmuar 203 raste me fruth, prej të cilave 17 raste u regjistruan gjatë javës së fundit.

Sipas të dhënave zyrtare, mbi 95 për qind e personave të prekur janë të pavaksinuar me vaksinën MMR. Për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, IKShPK ka intensifikuar fushatën e vaksinimit të vonuar (catch-up), me ç’rast gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 3,265 fëmijë të grupmoshës 2 deri në 5 vjeç.

Instituti u ka bërë thirrje prindërve të vazhdojnë vaksinimin e rregullt të fëmijëve sipas kalendarit kombëtar, duke e vlerësuar vaksinimin si masën më të sigurt dhe më efikase për mbrojtjen e shëndetit publik. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Gjendet vetura e të dyshuarit për vrasjen e 29-vjeçarit në Pogragjë të Gjilanit

Published

on

By

Policia e Kosovës ka gjetur veturën e të dyshuarit për vrasjen e 29-vjeçarit që ndodhi të dielën në fshatin Pogragjë të Gjilanit.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Ndërkaq, i dyshuari për kryerjen e kësaj vrasjeje gjendet ende në arrati, teksa njësitë hetimore po vazhdojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Continue Reading

Lajmet

Maqedonci merr pjesë në Forumin e Sigurisë në Varshavë

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, po merr pjesë në “Warsaw Security Forum 2026”, që po mbahet më 12 dhe 13 tetor në Poloni, ku do të diskutohet për të ardhmen e NATO-s, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse evropiane dhe luftën në Ukrainë.

Gjatë këtij forumi ndërkombëtar të sigurisë, i cili bashkon liderë ushtarakë, diplomatë e përfaqësues shtetërorë, Maqedonci pritet të zhvillojë takime me homologë e partnerë ndërkombëtarë për fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi mblidhet të enjten: Në rend dite zgjedhja e anëtarëve të BQK-së dhe Bordit të RTK-së

Published

on

By

Seanca e radhës plenare e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të enjten, më 15 tetor, me fillim nga ora 10:00.

Vendimi u mor gjatë mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetarja Albulena Haxhiu.

Në rend të ditës të kësaj seance, përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, përfshihen një sërë pikash me rëndësi:

  • Bordi i BQK-së: Zgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.
  • Bordi i RTK-së: Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet tjera joshumicë).
  • Projektligje dhe komisione: Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, si dhe propozimi i Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.

Përveç caktimit të seancës, Kryesia mori vendim edhe për shpalljen e konkursit për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).

 

Continue Reading

Të kërkuara