Lajmet

Putin paralajmëron pasoja të rënda për vendet evropiane në rast të sulmeve me armë

Published

on

Presioni është në rritje ndaj presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të përdorë armët e furnizuara nga Perëndimi për të goditur territorin rus. Një numër i aleatëve të SHBA-së këtë javë sinjalizuan se ishin të hapur ndaj kësaj mundësie, pas muajsh shqetësimi për përshkallëzimin.

Vladimir Putin i Rusisë ka paralajmëruar “pasoja të rënda”, veçanërisht për ato që ai i quajti “vendet e vogla” në Evropë.

Të mërkurën, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se qëndrimi i Uashingtonit për këtë çështje do të “përshtatet dhe rregullohet” bazuar në ndryshimin e kushteve të fushëbetejës. Ai ndodhet aktualisht në kryeqytetin çek, Pragë, për një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha vonë të mërkurën se edhe pse mbështetja e SHBA për Kievin kishte evoluar, “për momentin, gjithashtu nuk ka asnjë ndryshim në politikën tonë“.

Ukraina ka qenë duke luftuar për të kundërshtuar një ofensivë ruse në lindje të vendit, ndërsa qyteti i Kharkiv ka pësuar javë të tëra sulmesh vdekjeprurëse, shpesh të nisura nga Rusia nga postat ushtarake pranë kufirit ukrainas.

Deklarata e z. Blinken, gjatë një udhëtimi në Evropë, pasoi komentet më të drejtpërdrejta të bëra në fillim të kësaj jave nga presidenti i Francës Emmanuel Macron, i cili tha se Ukraina duhet të “lejohet” të përdorë armët e furnizuara nga Perëndimi kundër vendeve ushtarake në territorin rus – edhe pse rreptësisht jo në objektivat civile.

Macron ka mbrojtur për disa kohë për një ndërhyrje më të drejtpërdrejtë në luftën e Ukrainës – por edhe liderë të tjerë perëndimorë duket se po e zbusin këtë ide.


Kancelari gjerman Olaf Scholz ka mbetur i kujdesshëm në publik, por një zëdhënës në Berlin tha se “veprimi mbrojtës nuk kufizohet në territorin e dikujt, por përfshin edhe territorin e agresorit”.

Javën e kaluar, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg i tha Economist se Perëndimi duhet të lejojë Ukrainën të mbrohet duke goditur bazat ushtarake në Rusi. “Ukraina ka të drejtë të mbrohet. Dhe kjo përfshin objektivat goditëse në territorin rus”, tha ai.

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar Lord Cameron tha në fillim të këtij muaji se i takon Ukrainës të vendosë se si të përdorë armët britanike, ndërsa këtë javë zëvendësministri polak i Mbrojtjes tha se ukrainasit mund të përdorin armë polake “siç e shohin të arsyeshme”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë më parë se ishte “e padrejtë” për vendet perëndimore të vendosin kufizime në përdorimin e armëve të tyre, ndërsa pranoi se Ukraina nuk mund të rrezikonte mbështetjen e partnerëve të saj.


Duke u rritur nën zjarr: Fëmijët e Ukrainës përshtaten për t’i mbijetuar pushtimit të Rusisë

Rusia ka reaguar me zemërim ndaj perspektivës që armët perëndimore të përdoren kundër objektivave në territorin rus.
“Në Evropë, veçanërisht në vendet e vogla, ata duhet të jenë të vetëdijshëm se me çfarë po luajnë,” tha Vladimir Putin, duke vënë në dukje se shumë vende evropiane kishin “territor të vogël” dhe një “popullsi të dendur”.

Udhëheqësi rus shtoi se përgjegjësia për çdo sulm brenda territorit të vendit të tij do të binte tek furnizuesit perëndimorë të armëve, edhe nëse forcat e Ukrainës kryenin sulmet.

Disa vende të NATO-s mbeten nervoze për këtë perspektivë. Të enjten, kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se nuk mendonte se ishte e nevojshme të godiste bazat ushtarake ruse dhe i kërkoi Perëndimit të furnizonte më shumë mbrojtje ajrore për Ukrainën.Megjithatë, mendohet se Ukraina ka përdorur tashmë disa armë të furnizuara nga perëndimi për sulme në territorin rus, megjithëse e ka bërë këtë pa bujë.

Ministri i Jashtëm i Letonisë, Baiba Braze, tha për mediat ukrainase se disa vende tashmë i kishin ofruar armë Ukrainës “pa kushte”, por se “jo gjithçka” u tha me zë të lartë.

Vende të tjera kanë qenë më të gatshme për t’i dhënë Ukrainës lejen për të përdorur armët e tyre brenda Rusisë.
Shtetet e Bashkuara tashmë e kanë furnizuar Ukrainën me mijëra armë mbrojtëse, tanke dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

Që nga prilli, ajo i ka dërguar Ukrainës gjithashtu versionin më të gjatë të raketave ATACMS, të cilat mund të udhëtojnë deri në 190 milje (300 km).

Deri më tani, Ukraina ka përdorur dronë për të sulmuar objektiva gjithnjë e më shumë në territorin rus.

Në fillim të kësaj jave u raportua se dronët ukrainas kishin arritur të godasin një radar të paralajmërimit të hershëm pranë qytetit të Orsk, rreth 1,500 km (932 milje) nga kufiri ukrainas./UBTNews/

Përktheu nga BBC, D.E.

Lajmet

Klarinetisti amerikan Jeremy Reynolds zhvilloi masterklasë me studentët e muzikës në UBT

Published

on

Klarinetisti dhe profesori amerikan Jeremy Reynolds ka zhvilluar një masterklasë me studentët e drejtimit të klarinetës në programin Muzikë Moderne, Prodhim Digjital dhe Menaxhim Muzikor në UBT.

Aktiviteti u organizua me iniciativën e profesorit Blerim Emerllahu, ndërsa u përqendrua në teknikat bashkëkohore të interpretimit në klarinetë dhe zhvillimin teknik e artistik të instrumentistëve.

Gjatë punës së drejtpërdrejtë me studentët, Reynolds prezantoi qasje të ndryshme interpretimi, duke u ndalur te pasurimi i mjeteve shprehëse, kontrolli teknik dhe zgjerimi i potencialit artistik të instrumentit në muzikën bashkëkohore.

Ai prezantoi gjithashtu Lamont School of Music të Universitetit të Denverit, ku është profesor i klarinetës, duke i njoftuar studentët dhe stafin akademik të UBT-së me programet, veprimtarinë dhe mundësitë akademike e artistike të këtij institucioni.

Jeremy Reynolds është zëvendësklarinetist kryesor në Orkestrën Filarmonike të Colorado Springs dhe profesor në Lamont School of Music të Universitetit të Denverit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë karrierës së tij ka interpretuar në gjashtë kontinente si solist dhe muzikant i muzikës kamertale, ndërsa në vitin 2015 debutoi në Carnegie Hall me ansamblin Waldland.

Përvoja e tij pedagogjike përfshin institucione të njohura ndërkombëtare, përfshirë Akademinë e Muzikës dhe Teatrit në Estoni, Akademinë e Muzikës Grieg, Akademinë e Arteve Performuese në Pragë, Universitetin Kombëtar të Seulit, Konservatorin e Versajës dhe Konservatorin e Muzikës në Sidnei.

Sipas UBT-së, organizimi i këtij masterklasi synon të krijojë mundësi bashkëpunimi me artistë dhe pedagogë ndërkombëtarë, duke pasuruar përvojën akademike dhe profesionale të studentëve përmes shkëmbimit të njohurive dhe praktikave bashkëkohore në fushën e muzikës./A.K/

 

Continue Reading

Lajmet

Irani kërkon 290 miliardë dollarë dëmshpërblim nga SHBA-ja

Published

on

Gjykatat iraniane kanë vendosur që Shtetet e Bashkuara t’i paguajnë Iranit 290 miliardë dollarë dëmshpërblim, ka deklaruar të hënën një zyrtar i sistemit gjyqësor iranian.

“Kemi siguruar vendime nga gjykatat vendase, të cilat kanë caktuar një dëmshpërblim prej 290 miliardë dollarësh kundër amerikanëve”, ka thënë Hassan Abdolianpour, kreu i qendrës për avokatët pranë sistemit gjyqësor, sipas televizionit shtetëror.

Sipas këtij televizioni, kërkesa për dëmshpërblim lidhet me veprime të Shteteve të Bashkuara që datojnë disa dekada më parë, raportojnë mediat e huaja.

Ndërkohë, tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar pas nisjes së luftës në Lindjen e Mesme më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën një valë sulmesh ndaj Iranit, gjatë të cilave u vra udhëheqësi suprem i vendit, Ali Khamenei.

Irani u kundërpërgjigj me sulme me raketa dhe dronë drejt disa vendeve të rajonit, duke deklaruar se shënjestronte bazat dhe asetet amerikane e izraelite.

Në qershor, memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar në Islamabad mes SHBA-së dhe Iranit, i cili synonte hapjen e rrugës drejt një marrëveshjeje paqeje, përfshinte edhe një klauzolë për hartimin e një plani me vlerë të paktën 300 miliardë dollarë për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Iranit.

Irani gjithashtu është përballur prej dekadash me sanksione të rënda amerikane, kryesisht për shkak të programit të tij bërthamor./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Babai i Endrit Azemit kërkon falje për mashtrimin: Familja nuk kishte dijeni për mbledhjen e parave

Published

on

Xhemajl Azemi, babai i Endrit Azemit, i cili dyshohet se mblodhi mbi 189 mijë euro duke pretenduar se vuante nga leukemia, ka deklaruar se familja nuk kishte dijeni për mashtrimet e të birit.

Në një deklaratë për Tëvë1, ai u ka kërkuar falje të gjithë qytetarëve që kanë dhënë para për shërimin e pretenduar të djalit të tij, duke thënë se familja nuk ishte në dijeni të asaj që po ndodhte.

Azemi ka shprehur dyshimin se i biri nuk mund ta ketë organizuar i vetëm këtë skemë, duke përmendur edhe përfshirjen e personave të tjerë që, sipas tij, janë shoqëruar me Endritin.

Ai ka deklaruar se paratë e mbledhura përmes platformës “GoFundMe” dhe në sheshin e qytetit ndodhen në bankë dhe se, sipas tij, Policia ka dijeni për to. Babai i të dyshuarit ka thënë gjithashtu se familja nuk ka përfituar asnjë shumë nga këto mjete.

Xhemajl Azemi ka treguar se për herë të fundit e kishte parë të birin në gjendje të dobët fizike, ndërsa më 31 të muajit ai ishte nisur për në Turqi. Sipas tij, familja kishte menduar se Endriti ishte i sëmurë.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke i caktuar Endrit Azemit një muaj paraburgim, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të mashtrimit.

Sipas dosjes së prokurorisë, i dyshuari dyshohet se përmes platformës “GoFundMe” dhe thirrjeve për ndihmë të organizuara në qytet ka mashtruar qytetarët, duke pretenduar se vuante nga leukemia akute dhe duke përfituar 189 mijë e 208 euro e 80 centë.

Prokuroria dyshon se mashtrimi ishte organizuar për rreth dy javë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror./A.K/

 

Continue Reading

Lajmet

Hakeri shqiptar që vodhi 90 video nga GTA 6 dënohet me shtatë vjet burg

Published

on

Arion Kurtaj, 21-vjeçari shqiptar i përfshirë në vjedhjen e 90 videove nga loja “Grand Theft Auto VI” (GTA 6), është dënuar me shtatë vjet burg nga Gjykata e Woolwich në Londër.

Sipas vendimit, Kurtaj u lirua menjëherë, pasi koha e kaluar në paraburgim iu llogarit në dënim.

Ai ishte pjesëtar i grupit të njohur të krimit kibernetik Lapsus$ dhe kishte pranuar fajësinë për një seri sulmesh ndaj kompanive Rockstar Games, Uber, BT/EE dhe Revolut.

Sipas hetimeve, Kurtaj kishte kryer sulme kibernetike edhe gjatë kohës kur qëndronte në një hotel nën mbikëqyrje, duke përdorur një telefon, rrjetin Wi-Fi të televizorit dhe një pajisje Fire Stick.

Ai arriti të depërtonte në sistemet e Rockstar Games, prej nga vodhi kodin burimor dhe pamje nga GTA 6, përpara publikimit të lojës. Më pas, publikoi disa prej videove në internet dhe kërcënoi kompaninë se do të publikonte edhe kodin burimor nëse përfaqësuesit e saj nuk e kontaktonin.

Gjatë shpalljes së vendimit, gjykatësi Turner e cilësoi Kurtajn si një të ri me talent të veçantë, duke e paralajmëruar që të mos i shpërdorojë aftësitë e tij në aktivitete kriminale.

Në dhjetor të vitit 2023, Kurtaj ishte urdhëruar të mbahej për një periudhë të pacaktuar në një institucion spitalor, pasi ekspertët kishin vlerësuar se nuk ishte në gjendje të përballej me procesin gjyqësor. Megjithatë, një vlerësim i ri në vitin 2025 konstatoi se ai ishte i aftë të merrte pjesë në gjykim.

Hetimet ndaj tij u zhvilluan nga Policia e Londrës, me mbështetjen e autoriteteve amerikane./A.K/

 

Continue Reading

Të kërkuara