Lajmet

Pushtimi rus në Ukrainë errëson perspektivat e vendeve të rajonit të BE-së

Kështu thuhet në përditësimin ekonomik të Bankës Botërore për rajonin.

Published

on

Aktiviteti ekonomik në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore pritet të mbetet nën nivelet e pritshme këtë vit si rezultat i pasojave të vazhdueshme nga invazioni rus i Ukrainës, inflacioni i lartë dhe kushtet më të ngushta financiare, sipas përditësimit ekonomik të Bankës Botërore për rajonin, i publikuar të enjten.

Banka Botërore njofton se rritja rajonale pritet të rritet në një mesatare prej 2.7% në periudhën 2024-2025, ndërsa inflacioni do të zvogëlohet, kërkesa e brendshme do të rikthehet dhe mjedisi ndërkombëtar do të përmirësohet.

Sipas këtij raporti, parashikimet për të ardhmen mbeten shumë të paqarta.

“Parashikimet për të ardhmen mbeten shumë të paqarta. Rritja në vitin 2023 mund të jetë më e dobët nëse lufta, pasojë e invazionit rus në Ukrainë do të përshkallëzohet më tej, nëse çmimet e ushqimeve dhe energjisë vazhdojnë të rriten, nëse rriten normat e interesit në mbarë botën ose në rajon, ose nëse ka një kthim të papritur të rrjedhës së kapitalit në rajon. Zhvillimet aktuale bankare në disa ekonomi të zhvilluara mund të ndikojnë rritjen ekonomike”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

BB njofton se po ashtu se ekonomia e Ukrainës pritet të rritet me 0.5 për qind këtë vit, pas një renie të thellë prej 29.2% në vitin 2022, vitin e invazionit rus në vend.

“Ndërsa dëmi ekonomik që ka pësuar Ukraina si rezultat i invazionit është i madh, rihapja e porteve të Ukrainës në Detin e Zi dhe rifillimi i tregtisë së grurit, si dhe mbështetja e konsiderueshme nga donatorët po ndihmojnë në mbështetjen e aktivitetit ekonomik këtë vit. Sipas vlerësimeve të fundit të Bankës Botërore, kostoja e rindërtimit dhe rimëkëmbjes së Ukrainë tani ka shkuar në $ 411 miliardë, ose 2 herë më shumë se ekonomia para-luftë në Ukrainë në vitin 2021”, thuhet në raport.

Siç njofton Banka Botërore, Turqia ka përjetuar dy tërmete shkatërruese më 6 shkurt 2023, të cilat sipas vlerësimeve të Bankës Botërore kanë shkaktuar dëme direkte me kosto rreth 34.2 miliardë dollarë, ose 4% të PBB-së së vendit në vitin 2021.

“Kostot reale për të plotësuar nevojat për rindërtim dhe rimëkëmbje mund të jenë dyfishi i kostos së dëmeve direkte. Duke përfshirë ndikimin e tërmeteve të fundit, pritet që rritja në 2023 të jetë 3.2%, me një rritje mesatare prej 4.2% në vitet 2024-25, duke përfshirë edhe mbështetjen e qeverisë për banesat dhe investimet në kuadër të përpjekjeve për rindërtim”, thuhet në komunikatën e BB-së.

Një kapitull i veçantë në raport përqendrohet në krizën e kostos së jetesës, duke shqyrtuar ndikimin e inflacionit të lartë në standardet e jetesës së njerëzve në rajon, në sfondin e rritjes ekonomike të ngadaltë dhe inflacionit të lartë.

“Inflacioni zvogëlon të ardhurat reale të njerëzve dhe inflacioni i lartë prek segmentet më të varfëra të popullsisë shumë më tepër se ato më të pasura”, tha Ivailo Izvorski, kryeekonomisti i Bankës Botërore për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore.

“Për të mbrojtur më mirë grupet e cenueshme dhe nxitur rritjen ekonomike, politikat duhet të marrin në konsideratë ndikimin e ndryshëm të inflacionit për nivele të ndryshme të të ardhurave dhe të përdorin tregues më të saktë për të matur koston reale të çmimeve të larta te personat më të varfër”.

Më tej në raport thuhet se qeveritë në të gjithë rajonin kanë reaguar ndaj krizës së kostos së jetesës me mbështetje sociale dhe subvencione, të cilat përfshijnë moratoriume për rritjen e çmimeve të energjisë, uljen e tarifave të transportit publik, si dhe kufizime të çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit natyror për familjet dhe bizneset.

“Megjithatë, raporti analizon peshën e pabarabartë të krizës së kostos së jetesës. Ajo ve në dukje se inflacioni ishte 2 pikë pëqindje më i lartë për 10% të popullsisë më të varfër krahasuar me 10% më të pasurit. Ky dallim i kaloi 5 pikë përqindje në disa vende të rajonit, duke përfshirë Moldavinë, Malinë e Zi dhe Maqedoninë e Veriut”, thekson raporti.

BB rekomandon të shkohet përtej indeksimit standard të çmimeve të konsumatorit për të matur inflacionin, për të përcaktuar më saktë koston reale të jetesës së personave më të varfër.

“Kjo është e thelbësore për të hartuar politika më të mira për rritjen ekonomike dhe uljen e varfërisë”, thuhet në raport. 

Lajmet

Schuebel uron presidenten e re, mbështetja e BE-së do të mbetet e palëkundur

Published

on

By

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Schuebel ka shprehur shpresën për rikthimin e stabilitetit politik dhe institucional në vend, duke theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidenten e re, institucionet e Kosovës dhe spektrin politik.

“Me shpresën për ripërtëritjen e stabilitetit politik dhe institucional, pres me kënaqësi të punoj me Presidenten Shiroka-Pula, institucionet e Kosovës dhe spektrin e gjerë politik për ta afruar vendin më pranë Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Schuebel.

Ai ka theksuar gjithashtu se mbështetja e Bashkimit Evropian për Kosovën do të vazhdojë të jetë e palëkundur.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Kosovës në raundin e parë të votimit, duke marrë 81 vota në seancën e Kuvendit që kishte nisur më 6 tetor. Votimi përfundoi pak pas mesnate, ndërsa numërimi i votave përfundoi rreth 15 minuta më vonë.

Me zgjedhjen e Shiroka-Pulës, Kosova tashmë ka presidenten e re, ndërsa mesazhi i BE-së vjen me theks të veçantë te stabiliteti institucional dhe vazhdimi i rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian.

D.L

Continue Reading

Lajmet

15 milionë euro për subvencionimin e faturave të energjisë për familjet në nevojë

Published

on

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka bërë të ditur se janë ndarë 15 milionë euro për mbështetjen e familjeve për faturat e energjisë elektrike, përmes Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2026–2027.

Hoti ka njoftuar se programi është miratuar në mbledhjen e pestë të Qeverisë dhe synon subvencionimin e faturave për familjet që plotësojnë kriteret për përfitim.

Ai ka thënë se në ditët në vijim do të nënshkruajë vendimin që përcakton kushtet dhe kriteret për përfituesit, pas së cilës pritet të hapet thirrja për aplikim.

Sipas Hotit, programi lidhet edhe me obligimet e Kosovës në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për identifikimin dhe mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm.

“15 milionë euro mbështetje. Drejtpërdrejt në faturat e familjeve”, ka shkruar Hoti./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kosova synon zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, Maqedonci takon Odën Ekonomike Amerikane

Published

on

Kosova po ndërmerr hapa për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, ndërsa bashkëpunimi ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, me mbështetjen e partnerëve strategjikë, synon ta bëjë këtë proces më të qëndrueshëm.

Kështu u tha në një takim ndërmjet anëtarëve të Odës Ekonomike Amerikane dhe ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Maqedonci prezantoi vizionin për zhvillimin e kapaciteteve industriale në fushën e mbrojtjes dhe foli për përpjekjet për hartimin e legjislacionit që rregullon këtë industri.

Ai falënderoi Odën Ekonomike Amerikane për bashkëpunimin me Ministrinë e Mbrojtjes gjatë dy viteve të fundit, përfshirë organizimin e garës së parë për drona “Sharkathon”, të mbajtur vitin e kaluar.

Sipas Maqedoncit, disa ndërmarrje të reja tashmë kanë filluar të sjellin produktet e para të prodhuara në Kosovë, duke treguar potencialin për zhvillim dhe inovacion teknologjik në këtë fushë.

Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me institucione të tjera, përfshirë Ministrinë e Arsimit dhe ofruesit e shërbimeve arsimore, për përgatitjen e kuadrove të nevojshme për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në vend./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Policia sekuestron rreth 11 kilogramë kokainë në Austri: Tre shqiptarë në mesin e gjashtë të arrestuarve

Published

on

Policia austriake ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar për trafikim të narkotikëve gjatë një operacioni pranë Schwechat, në Austrinë e Poshtme.

Në mesin e të arrestuarve janë tre shtetas shqiptarë, të moshave 46, 42 dhe 38 vjeç, si dhe tre shtetas italianë, të moshave 72, 53 dhe 23 vjeç.

Hetimet ndaj grupit të dyshuar kishin nisur në fillim të qershorit nga Zyra e Policisë Kriminale Shtetërore të Vjenës. Më 1 tetor, pas veprimeve hetimore, policia identifikoi një lokacion dhe e vendosi nën vëzhgim me mbështetjen e njësisë speciale WEGA.

Gjatë operacionit, gjashtë personat u arrestuan. Hetuesit kishin siguruar edhe një kartë çelësi për një dhomë hoteli në Austrinë e Poshtme, ku gjatë kontrollit u gjetën rreth 11 kilogramë kokainë, para të gatshme dhe disa telefona celularë.

Tre shtetasit shqiptarë dhe tre shtetasit italianë janë dërguar në paraburgim.

Autoritetet austriake nuk kanë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me identitetin e të arrestuarve apo rolin e tyre të dyshuar në trafikimin e drogës./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara