Komisionerja për zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka thënë se Evropa nuk është e sigurt pa vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kos në samitin rajonal për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian, që po mbahet të premten në Tiranë, tha se BE-ja po i pret gjashtë vendet e rajonit të kryejnë reformat për anëtarësim.
“Evropa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor. Ky është një gabim që kemi bërë në të shkuarën dhe duhet ta korrigjojmë dhe rregullojmë këtë punë. Jam e kënaqur se këto takime që po bëjmë në kuadër të Planit të Rritjes po hapin gjithmonë dyer. Edhe shumë dyer të tjera do të hapen dhe shtëpia juaj, Evropa, po ju pret. Ju jeni pjesë e Evropës dhe thjesht ne duhet të bëjmë edhe në formë institucionale që ju të bëheni shtet anëtar i Bashkimit Evropian”, tha ajo.
Duke folur për Planin e Rritjes, ajo tha se dy nga gjashtë vendet e rajonit ende nuk kanë filluar të miratojnë reformat.
“Dy nga gjashtë vendet e rajonit ende nuk kanë filluar të miratojnë reformat apo zbatimin. Dy performuesit më të mirë kanë miratuar rreth 50 për qind të reformave të dakorduara. Këtu shikojmë një lidhje të mirë mes avancimit të procesit të anëtarësimit dhe reformave. Sa i përket fondeve të disbursuara, jemi ende nën dhjetë për qind të shumës totale: 400 milionë euro nga një paketë prej gjashtë miliardë eurosh për rajonin. Ne mund të bëjmë më shumë”, shtoi ajo.
Disbursimi i mjeteve të para-financimit për Kosovën është i ndërlidhur me miratimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, por të cilat, për shkak të krizës politike në Kosovë, nuk u miratuan në legjislativ.
Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese. Me zbatimin e këtyre reformave, Kosova do të përfitojë deri në 882,6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253,3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629.3 milionë eurosh janë hua afatgjata./KP