Lajmet

Punëtorët e Lotarisë përmes protestës kërkojnë ndryshimin e ligjit dhe pagat

Ata kërkuan që të rikthehen në punë meqë tash e sa kohë janë të papunë.

Published

on

60 punëtorë të Lotarisë së Kosovës kanë protestuar edhe këtë të hënë para objektit të Qeverisë së Kosovës. Punëtorët po kërkojnë ndryshimin e Ligjit për Lotarinë e Kosovës dhe marrjen e pagave. Ata po ashtu kërkuan që të rikthehen në punë meqë tash e sa kohë janë të papunë.

Kryetari i Sindikatës së Lotarisë, Shkumbin Goçi i cili tregoi për arsyen e protestës, theksoi edhe se kanë kërkuar takime me përfaqësuesit e institucioneve shtetërore por që kjo kërkesë nuk është marrë parasysh. Ai ka shtuar se nuk do t’i ndalin protestat derisa kërkesat e tyre të gjejnë zbatim.

“Kemi shumë probleme punëtorët janë shumë në gjendje të keqe financiare. Kemi kërkuar takime edhe prej protestës së fundit që kemi pas të premten, askush nuk na është përgjigjur, madje kemi dërgu edhe e-mali, atëherë njëjtë as këtu nuk është përgjigj askush. Edhe sot do të vazhdojmë edhe ditëve të tjera do të protestojmë deri sa të plotësohen kërkesat tona sa i përket ligjit edhe pagave obligimet që i ka Qeveria ndaj neve. Punëtorë aktivë jemi 60 punëtorë që jemi në marrëdhënie pune të rregullt, është gjendja financiare shumë e keqe e këtyre punëtorëve, janë 60 familje nuk janë 60 punëtorë asnjë nuk merr kurrfarë përgjegjësie për neve. Kërkesat konkrete premtimet që na kanë dhënë që ligji është i gatshëm në ministrinë e financave mu procesu sa më shpejtë në kuvend me fillu punën edhe mu përmbush obligimet që i kanë ndaj punëtorëve për paga”, ka thënë ai.

Zijadin Ramadani, përfaqësues i sindikatës së lotarisë në Ferizaj, tha se që 30 muaj janë të neglizhuar nga shteti. Edhe kërkesa e tij është kthimi në punë dhe pagat të cilat nuk i kanë marrë tash e një kohë.

“Kemi dal se që 30 muaj jemi pa pagë, pa mbikëqyrje[…]shteti na ka lënë në rrugë nuk ka mbikëqyrje ndaj neve, edhe gjashtë muaj dal në pension por unë deri në fund kom me qëndru këtu. Kërkesat e tona janë me na kthy ligjin e punës, me na kthy në punë edhe me na jep pagat se jemi të pafajshëm, nuk kemi kurrgjë. Kemi provu që s’ disa herë por nuk na u kanë përgjigje”, ka shtuar Ramadani.

Ibadete Hasani-Berisha tregoi edhe për premtimin që ishte bërë për një takim me Ministrin e Financave, Hekuran Murati, por që ky takim nuk ndodhi asnjëherë.

“Kemi dal për të vetmen arsye miratimin e ligjit edhe pagat, kështu që nuk kemi has në mirëkuptim me Qeverinë çdo herë neglizhencë pas neglizhence edhe jemi detyruar e jo nga dëshira me protestu. Na secilën herë kemi dal me vullnet të mirë edhe kemi prit që dikush ka me dalë ka mu taku me neve, por asnjëherë nuk kemi has në mirëkuptim. Janë dërgu e-mail, normal diçka që është krejt e ligjshme dhe zyrtare dhe as nuk i kanë hap dhe nuk kemi prit kurrfarë përgjigje kështu që jemi detyru edhe fizikisht kemi ardh disa herë ne Qeveri mu taku më dikë por nuk na kanë prit. Herën e kaluar ka dy muaj na kanë premtu një takim me ministrin e financave pasi aty kas blloku ligji jonë, edhe atë takim nuk e kanë arrit as nuk na kanë lajmëruar që u kry edhe prapë kemi dal me protestua”, ka potencuar ajo.

Para dy viteve Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin për mbylljen e të lojërave të fatit në Kosovë, ligj ky i cili hyri në fuqi më 10 maj të vitit 2019.

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara