Lajmet

Pse trëndafilat janë kaq të rëndësishëm në ditën e Shën Valentinit?

Tradita e dhënies së trëndafilave në ditën e Shën Valentinit daton që nga Perandoria Romake.

Published

on

Trëndafilat janë lidhur prej kohësh me dashurinë dhe pasionin, duke i bërë ata dhuratën perfekte për ditën e Shën Valentinit.

Qoftë si një trëndafil i vetëm apo një buqetë, trëndafilat janë një simbol i përjetshëm i dashurisë dhe admirimit, duke i bërë ata një nga dhuratat më të njohura për këtë festë të veçantë.

Por çfarë kanë trëndafilat që i bëjnë ata një pjesë kaq të rëndësishme të Ditës së Shën Valentinit dhe pse zgjedhim t’ua dhurojmë atyre njerëzve që duam?

Tradita e dhënies së trëndafilave në ditën e Shën Valentinit daton që nga Perandoria Romake kur lulja përdorej si simbol i dashurisë dhe pasionit. Trëndafilat shpesh jepeshin si dhurata midis të dashuruarve dhe besohej se kishin veti magjike që mund të ngjallnin ndjenja dashurie dhe dëshirë. Gjatë shekujve, kjo traditë ka vazhduar dhe trëndafilat janë bërë pjesë integrale e festimeve të Ditës së Shën Valentinit në mbarë botën.

Një arsye tjetër pse trëndafilat janë një dhuratë kaq popullore në ditën e Shën Valentinit është se ato vijnë në një larmi ngjyrash, secila me kuptimin e vet unik. Trëndafilat e kuq, për shembull, janë një simbol klasik i dashurisë dhe pasionit, duke i bërë ata një zgjedhje ideale për çiftet. Trëndafilat rozë, nga ana tjetër, përfaqësojnë mirënjohje dhe vlerësim, duke i bërë ata një opsion të shkëlqyeshëm për dikë për të cilin jeni mirënjohës. Trëndafilat e verdhë shpesh jepen si simbol i miqësisë, ndërsa trëndafilat e bardhë lidhen me pastërtinë dhe pafajësinë.

Përveç kuptimit të tyre simbolik, trëndafilat janë gjithashtu të bukur dhe aromatik, duke i bërë ata një shtesë të këndshme për çdo shtëpi apo zyrë.

Trëndafilat janë një pjesë e rëndësishme e Ditës së Shën Valentinit, dhe padyshim se një dhuratë e tillë do t’i bëjë të dashurit tuaj të ndihen të veçantë e të vlerësuar./UBTNews/

Lajmet

Nagavci kërkon mbikëqyrje të shtuar të çmimeve

Published

on

By

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, i ka bërë thirrje Qeverisë që të nisë menjëherë mbikëqyrjen e shtuar të tregut për të parandaluar shtrenjtimet abuzive të produkteve bazë gjatë muajve në vijim.

Gjatë fjalës së saj në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, Nagavci bëri të ditur se puna për funksionalizimin e Ligjit për çmime tavan ka filluar dhe se institucionet duhet të jenë të gatshme të veprojnë me kohë ndaj çdo shkeljeje nga tregtarët.

“Ligji për çmime tavan është miratuar, puna për funksionalizimin e tij ka filluar. Mbikëqyrja e tregut tash duhet të forcohet menjëherë në mënyrë që institucionet të mund të veprojnë me kohë kur paraqiten shkelje ose kushte për masa të përkohshme. Me Ligjin kemi krijuar edhe mundësinë që në rast të destabilizimit të tregut, të ndërhyhet për mbrojtjen e qytetarëve nga shtrenjtimet abuzive të produkteve themelore nga buka, mielli, vaji, qumështi, vezët, mishi, pemët e perimet deri te ushqimet për fëmijë, produktet e higjienës personale dhe lëndët me burim nga druri për ngrohje”, ka deklaruar Nagavci.

Ajo theksoi se rritja e të ardhurave të qytetarëve duhet të mbrohet përmes kontrollit të marzhave tregtare nga importi deri te shitja me pakicë, si dhe duke hetuar dyshimet për marrëveshje të fshehta mes tregtarëve që dëmtojnë konkurrencën.

Duke folur për ndikimin e konflikteve globale në ekonominë e vendit, Nagavci vlerësoi se krizat ndërkombëtare po rëndojnë koston e jetesës, por shtoi se ato nuk guxojnë të keqpërdoren nga tregtarët.

“Krizat ndërkombëtare ndikojnë edhe në ekonominë tonë, madje shumë, por ato nuk mund të përdoren si arsyetim për çdo shtrenjtim. Duhet të dihet cilat çmime rriten për shkak të kostos së furnizimit dhe cilat çmime rriten në mënyrë abuzive. Shtrenjtimi i jetesës i prek të gjithë, por jo të gjitha familjet i rëndon njësoj”, përfundoi ajo. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë për trafikim me njerëz në Gjakovë

Published

on

Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka shpallur fajtor të pandehurin me inicialet A.P. për veprën penale “Trafikimi me njerëz”, duke e dënuar me gjashtë vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë.

Aktgjykimi është shpallur nga gjyqtari Samedin Cena, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor.

Sipas aktakuzës, A.P. dyshohet se nga marsi i vitit 2021 deri më 30 janar 2024, në Gjakovë dhe në disa qytete të tjera, ka trafikuar një grua me inicialet A.V. nga Prishtina, përmes kanosjes, përdorimit të forcës, punës së detyruar dhe formave të tjera të kontrollit e dhunës fizike dhe psikike.

Sipas përshkrimit të rastit, i pandehuri fillimisht kishte krijuar kontakt me të dëmtuarën përmes rrjeteve sociale dhe më pas e kishte punësuar në lokalet e tij në Deçan, Gjakovë, Pejë dhe Klinë.

Gjatë kësaj periudhe, e dëmtuara dyshohet se ishte detyruar të punonte kundër vullnetit të saj, ndërsa të ardhurat nga puna i merrte i pandehuri. Po ashtu, sipas aktakuzës, ajo ishte detyruar të mbulonte edhe obligimet financiare të tij, përfshirë qiranë e lokaleve, pagat e punëtorëve dhe këstet e kredive.

Dënimi me gjobë prej 3 mijë eurosh do të ekzekutohet 30 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve nga pranimi i vendimit në formë të shkruar.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nën masa të larta sigurie, nis gjykimi ndaj ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt

Published

on

Në Gjykatën Themelore në Pejë po mbahet shqyrtimi fillestar ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, i akuzuar për kanosje ndaj saj.

Seanca, e caktuar për orën 11:00, po zhvillohet pa praninë e publikut, bazuar në vendimin e gjykatës të datës 10 nëntor 2026.

Mediumi Arbresh.info ka publikuar pamje të momentit kur Njësia Speciale Intervenuese e ka sjellë Sylajn në gjykatë, nën masa të larta sigurie.

Sylaj akuzohet për kanosje ndaj Arlinda Zekajt, e cila tashmë ka ndërruar jetë.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ligji për Specialen futet në rend dite me 79 vota për

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot futjen në rend të ditës të Projektligjit për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, si pikë e fundit e seancës së sotme plenare. Nga 84 deputetë të pranishëm në sallë, 79 votuan pro këtij propozimi.

Kërkesa erdhi përmes një mocioni procedural nga ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e cila bëri të ditur se pavarësisht mospajtimeve procedurale, PDK-ja ka arritur pajtim me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket përmbajtjes së ndryshimeve ligjore.

“Na janë dhënë disa këshilla dhe rekomandime, të cilat ne besojmë që ligjin do ta bëjnë edhe më të fuqishëm e të qëndrueshëm juridikisht”, deklaroi Çitaku para deputetëve. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara