Lajmet

Pse po pakësohet numri i vrasësve serialë?

Nga Emmanuel Pietrobon.

Published

on

Nga Emmanuel Pietrobon

Vrasësit serialë kanë qenë për shumë kohë muza e frymëzimit për shkrimtarët dhe skenaristët. Ata kanë zhytur në zi familje të tëra. Dhe gjatë viteve 1990 ata i dhanë shumë sukses kinemasë së zhanreve horror dhe thriller, duke frymëzuar saga të frikshme por të suksesshme si “E premtja e datës 13”, “Halloween” dhe “Scream”.

Vrasësit serialë janë të paktë në numër. Por kanë vranë dhjetëra mijëra njerëz në mbarë botën. Kështu 10 vrasësit serialë kryesore në histori, vranë së bashku 898 njerëz. Shkenca e kriminologjia i ndan në të organizuar dhe të ç’organizuar, por edhe në “misionarë” dhe “vejusha të zeza”, në hedonistë dhe në njerëz me mendje të trazuara.

Disa nuk e arrijnë pragun minimal të pranueshëm të Koefiçentit të Inteligjencës (IQ), të tjerë kanë një inteligjencë mbi mesataren. Vrasësit serialë, makth i njerëzve të zakonshëm, obsesioni i profilistëve dhe kurioziteti i sociologëve. Qofshin metodikë apo të çrregullt, pre e halucinacioneve apo tejet të kthjellët në veprime, është e sigurt që për fat të mirë kjo lloj specie është në prag të zhdukjes.

“Epoka e Artë” e vrasësve serialë zgjati rreth 40 vite, nga vitet 1950 deri në vitet 1990, dhe pati një ndikim të thellë në imagjinatën kolektive të perëndimorëve por edhe pjesës tjetër të botës. Edhe sot, dekada më vonë, filmat dhe serialet mbi protagonistët e mëdhenj të kësaj epoke janë në gjendje të tronditin publikun siç e tregon edhe seriali mbi vrasësin serial Xhefri Dahmer në Netflix.

Amerika Puritane e interpretoi fenomenin e vrasësve serialë në terma eskatologjikë, pra duke e lexuar atë si një sinjal të “fundit të afërt të botës”. Për Bashkimin Sovjetik, kjo dukuri ishte një nga shenjat e shumta të rënies së qytetërimit të degjeneruar perëndimor. Prandaj hezitoi që të lidhte zhdukjen e rreth 50 njerëzve me një njeri të vetëm: Andrej Çikatilo.

Për Japoninë, dukuria e vrasësit seriale, ishte një pasojë e paqëllimshme e perëndimorizimit të shoqërisë japoneze. Gjithsesi u duk si një tendencë e destinuar të zgjaste shumë. Por nuk ndodhi kështu. Sipas vlerësimeve zyrtare, numri i vrasësve serialë aktivë në SHBA ka ardhur duke u zvogëluar në mënyrë drastike nga fundi i shekullit XX.

Ata ishin 770 në vitet 1980, 670 në vitet 1990, dhe më pas numri ra nga 400 në fund të shekullit XX, dhe ishte në pak më shumë se 100 në periudhën 2010-2020. 189 vrasje iu atribuan vrasësve serialë vetëm në vitin 1987. Kjo shifër ishte vetëm 30 në vitin 2015.

Por cilat janë arsyet e mundshme të kësaj rënieje? Për kriminologët arsyeja kryesore është progresi teknologjik. Përparimet, zhvillimet dhe zbulimet e reja në fushën e mjekësisë ligjore, nga teknologjia e informacionit tek leximi i ADN-së, kanë e përmirësuar ndjeshëm efektivitetin e departamenteve hetimore, të cilat ndërmjet analizës së materialit biologjik dhe të dhënave të tjera, janë në gjendje të ngadalësojnë vazhdimin e vrasjeve zinxhir dhe madje të zgjidhin krimet misterioze të së kaluarës së largët.

Nga ana tjetër videokamerizimi i hapësirave urbane dhe jo urbane, si rrugët dhe autostradat, ua ka vështirësuar aktivitetin kriminal këtyre njerëzve. Për shembull sot në në Shtetet e Bashkuara, ka 1 kamerë për çdo 4.6 persona. Po ashtu, në krahasim me të kaluarën, sot komisariatet dhe departamentet dialogojnë, shkëmbejnë të dhëna dhe tendenca drejt bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet forcave policore të vendeve të ndryshme.

Ndryshime të rëndësishme kanë ndodhur edhe tek vetë shoqëria. Në vendet e zhvilluara është zhdukur fenomeni i “autostopit”, që historikisht ka qenë një burim i rëndësishëm viktimash për vrasësit serialë. Sot telefonat janë të pajisur me gjeolokacionin dhe alarmin e kërkimit të ndihmës.

Gjithsesi përparimi teknologjik dhe ndryshimet sociale mund të shpjegojnë vetëm pjesërisht pakësimin e madh të vrasësve serialë. Sepse nëse është e vërtetë që vrasjet në seri janë bërë më të vështira, i tillë është edhe fakti që të paktën në kontekste të caktuara, duket se ka ndryshuar mënyra e “idealizimit” të vrasjes.

Dhuna duket se ka ndryshuar, ajo është më pak e përpunuar dhe më spektakolare. Disa sociologë dhe kriminologë, veçanërisht midis Shteteve të Bashkuara dhe Japoni, besojnë në ekzistencën e një lidhje midis uljes (të jashtëzakonshme) të vrasjeve serike dhe rritjes (të jashtëzakonshme) të dy dukurive të tjera kriminale: vrasjeve të dhunshme dhe masakrave.

Pra rrëmbimeve që përfundojnë me vrasje, tragjedi familjare dhe masakrat famëkeqe nëpër shkolla.

Nëse masakrat mizantropike, mini-vrasësit serialë dhe vrasësit e egër të viteve 2000 janë ekuivalenti bashkëkohor i vrasësve serialë të shekullit XXI, apo nëse këto janë fenomene krejtësisht të palidhura, e vetmja gjë e sigurt është një: po perëndon epoka e vrasësve serialëtradicionale, e nisur dikur nga Xhek Rrjepësi. / “Il Giornale” – Bota.al

Lajmet

52 vjet burgim për pesë të akuzuarit në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë verdiktin dënues për pesë persona të përfshirë në rastin e dhunimit të 11-vjeçares. Trupi gjykues e dënoi të akuzuarin B.Rr. me 12 vite burgim, kurse katër të akuzuarit e tjerë, D.Rr., F.S., M.S. dhe M.R., morën nga 10 vite burgim secili. Koha e qëndrimit në paraburgim dhe në arrest shtëpiak do t’iu llogaritet të gjithëve si pjesë e dënimit final.

Përveç dënimit me burg, të dënuarit janë të detyruar të paguajnë nga 500 euro për shpenzimet e procesit gjyqësor dhe nga 50 euro shtesë për Fondin e Kompensimit të Viktimave.

Sa i përket dëmshpërblimit, pala e dëmtuar është udhëzuar që kërkesën pasurore-juridike ta kërkojë përmes një kontesti të rregullt civil. Ky vendim nuk është përfundimtar, pasi palët kanë të drejtën e ankimimit në Gjykatën e Apelit.

Ky proces gjyqësor rrodhi nga aktakuza e ngritur në fund të vitit 2022 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila fillimisht shënjestroi tetë persona për ngjarjen e qershorit të po atij viti. Në këtë grup, B.Rr. u ngarkua me veprën penale të dhunimit, ndërsa mbi të pandehurin D.Rr. rëndojnë akuzat për dhunim si dhe për trafikim me njerëz.

 

Continue Reading

Lajmet

Inspektorati vazhdon mbikëqyrjen intensive të çmimeve të naftës

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka njoftuar se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka nisur një aksion intensiv monitorimi në pikat e shitjes së derivateve.

Ky vendim, i cili u nënshkrua para pak dite nga ministrja Mimoza Kusari Lila, synon mbrojtjen e konsumatorit dhe parandalimin e çrregullimeve në treg përmes rregullimit të përkohshëm të çmimeve.

Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për ditën e hënë ka qenë 1.44 € për litër naftë dhe 1.17 € për litër benzinë.

Ndërkohë, në tregun vendor, nafta po shitet nga 1.44 € deri në 1.55 €, ndërsa benzina nga 1.26 € deri në 1.31 €. Për të kontrolluar këto diferenca, ministria ka vendosur që marzha maksimale e fitimit të jetë 2 centë për litër për shitjen me shumicë dhe 12 centë për litër për shitjen me pakicë.

Inspektorati, në bashkëpunim me ATK-në dhe Doganën, po analizon me kujdes çmimet e importit përkundrejt atyre që u ekspozohen qytetarëve.

Autoritetet kanë paralajmëruar masa rigoroze ndaj të gjithë operatorëve që nuk respektojnë marzhën e lejuar apo që dëmtojnë konkurrencën e ndershme, duke siguruar publikun se monitorimi do të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë.

Continue Reading

Lajmet

Osmani takon ambasadorin britanik: Diskutohet për partneritetin dhe diskursin publik

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit politike në vend.

Gjatë takimit, Presidentja vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme britanike për popullin e Kosovës dhe konfirmoi përkushtimin për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi që forcojnë objektivat e përbashkëta mes dy vendeve.

Një fokus i veçantë gjatë bisedës iu kushtua ruajtjes së mjedisit demokratik dhe rëndësisë së debatit publik të përgjegjshëm.

Osmani dhe Hargreaves theksuan se gjuha kërcënuese dhe bullizuese është tërësisht e papranueshme, duke bërë thirrje që praktika të tilla të mos kenë vend në diskursin publik në Kosovë.

 

Continue Reading

Lajmet

Suharekë: Katër policë të lënduar gjatë arrestimit të një 45-vjeçari

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar sot në fshatin Samadrexhë të Suharekës një 45-vjeçar me inicialet B.K., pasi I njejti kishte bllokuar rrugën “Ramush Kotori” me shufra metalike dhe tela, duke penguar qarkullimin e banorëve.

Gjatë ndërhyrjes së policisë rreth orës 08:30, i dyshuari ka sulmuar zyrtarët me thikë dhe u ka bërë rezistencë të dhunshme.

Si pasojë e kësaj përleshjeje, katër policë kanë pësuar lëndime trupore, ndonëse policia sqaroi se lëndimet nuk erdhën nga goditjet me thikë, por gjatë procesit të neutralizimit të sulmuesit.

Personi i arrestuar është dërguar në stacionin policor në Suharekë, ku po priten hapat e mëtejshëm ligjorë në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit.

Continue Reading

Të kërkuara