Lajmet

Pse nuk duhet ta përdorni limonin për çdo pastrim?

Published

on

Lëngu i limonit shpesh konsiderohet një pastrues natyral: heq yndyrën, freskon dhe lë aromë të këndshme.

Ekspertët paralajmërojnë se acidi mund të shkaktojë dëme serioze në disa materiale dhe riparimi kushton shumë më tepër sesa mendoni.

Ja sipërfaqet që nuk duhet t’i pastroni kurrë me limon dhe çfarë mund të përdorni në vend:

Guri natyral (mermeri, graniti)

Acidi gërryen kalciumin, duke lënë njolla të matta dhe dëmtime të përhershme.
Zgjidhje: pastrues pH-neutral ose detergjent i butë i holluar me ujë të ngrohtë.

Ekranet e elektronikës

Kombinimi i lagështisë dhe acidit dëmton shtresën mbrojtëse.
Zgjidhje: leckë mikrofibër e thatë ose pastrues i rekomanduar nga prodhuesi.

Sipërfaqet e lyer me bojë

Përbërësi limonen mund ta zbehë ose ta heqë bojën.
✅ Zgjidhje: sapun i butë me ujë të ngrohtë, ose për njolla – sodë buke me pak ujë.

Pajisjet prej çeliku inox

Acidi shkakton njolla dhe korrozion nëse nuk shpëlahen menjëherë.
Zgjidhje: ujë me sapun të butë dhe leckë mikrofibër, ose pastrues special për inoks.

Sipërfaqet prej bronzi dhe bakri

Limoni heq patinën, por më vonë shkakton njolla të errëta.
Zgjidhje: preparate speciale ose pastë nga sodë buke dhe ujë.

Dyshemetë prej druri (parketi)

Limoni dëmton shtresën mbrojtëse dhe mund të shkaktojë fryrje ose ndryshim ngjyre.
Zgjidhje: pastrues i posaçëm për dru dhe leckë mikrofibër.

Enët prej alumini

Reagimi i acidit me aluminin krijon njolla dhe gropëza.
Zgjidhje: detergjent i butë me ujë të ngrohtë; për njolla të forta, sodë buke.

Pëlhura me ngjyra

Limoni vepron si zbardhues dhe mund të çngjyrosë materialin.
Zgjidhje: pastrues i butë për pëlhura ose sapun i holluar.

Karroceria e makinës

Acidi dëmton shtresën mbrojtëse të llakut dhe nxit oksidimin.
Zgjidhje: shampo pH-balancuar për makina.

Edhe pse është natyral, nuk do të thotë se është gjithmonë i sigurt. Zgjidhni produktin e duhur për materialin që po pastroni – për të shmangur dëmtimet e përhershme dhe shpenzimet e panevojshme. /A.Z/UBT News/

Lajmet

U përmbyll me sukses Akademia Verore “Karrierë, Inovacion dhe Punësim” në kuadër të Global UBT Fest 2026

Published

on

By

Qendra e Karrierës në UBT përmbylli me sukses Akademinë Verore “Karrierë, Inovacion dhe Punësim”, një aktivitet i organizuar në kuadër të Global UBT Fest 2026, i cili solli së bashku studentë, ekspertë dhe përfaqësues të kompanive për të diskutuar mbi zhvillimin profesional dhe mundësitë që ofron tregu modern i punës.

Përgjatë akademisë, studentët morën pjesë në ligjërata, prezantime dhe diskutime interaktive, ku u trajtuan tema të rëndësishme që lidhen me ndërtimin e karrierës, zhvillimin e aftësive profesionale, trendet bashkëkohore të punësimit, si dhe mundësitë për praktikë profesionale dhe punësim në kompani vendore e ndërkombëtare.

Një vlerë e veçantë e këtij aktiviteti ishte pjesëmarrja e kompanive partnere LinkPlus IT, Foleja Group, PwC Kosova dhe Coca-Cola HBC Kosova, të cilat prezantuan përvojat e tyre, ndanë praktikat më të mira të industrisë dhe informuan studentët për kërkesat e tregut të punës, kompetencat më të kërkuara dhe mundësitë konkrete për zhvillim profesional.

Akademia Verore shërbeu si një platformë e rëndësishme për lidhjen e studentëve me industrinë, duke krijuar mundësi për rrjetëzim, shkëmbim përvojash dhe orientim profesional. Përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e sektorit privat, UBT vazhdon të fuqizojë urën ndërmjet arsimit dhe tregut të punës, duke i përgatitur studentët për sfidat dhe mundësitë e ekonomisë moderne.

Continue Reading

Lajmet

KMDLNj: 32 punëtorë humbën jetën në Kosovë gjatë vitit të kaluar, kërkohet më shumë siguri në punë

Published

on

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka ngritur shqetësimin për sigurinë e punëtorëve në Kosovë, duke thënë se mungesa e masave mbrojtëse dhe mbikëqyrja e pamjaftueshme institucionale po vazhdojnë të shkaktojnë aksidente me pasoja fatale.

Sipas KMDLNj-së, gjatë vitit të kaluar në Kosovë kanë humbur jetën 32 punëtorë, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë.

Organizata thekson se edhe gjatë vitit 2026 situata mbetet shqetësuese, ndërsa si shkaqe kryesore të aksidenteve përmend mungesën e pajisjeve mbrojtëse, kushtet e pafavorshme atmosferike, mungesën e kualifikimit profesional, si dhe mbikëqyrjen e dobët nga institucionet përgjegjëse.

KMDLNj ka ngritur shqetësimin edhe për numrin e madh të punëtorëve që vazhdojnë të punojnë pa kontrata, duke ua vështirësuar realizimin e të drejtave të tyre në rast aksidenti apo humbjeje të jetës.

Këshilli ka kërkuar shtim të inspektimeve në terren dhe ka propozuar që gjobat ndaj punëdhënësve që shkelin rregullat e sigurisë të përdoren për krijimin e një fondi për mbështetjen e familjeve të viktimave dhe punëtorëve me pasoja të përhershme shëndetësore.

Sipas KMDLNj-së, gjendja ekonomike shpesh i detyron punëtorët të pranojnë kushte të pasigurta pune, ndërsa institucionet duhet të marrin masa më të fuqishme për garantimin e sigurisë në vendet e punës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Shtatë të lënduar në një aksident në autostradën “Ibrahim Rugova”

Published

on

Shtatë persona kanë pësuar lëndime si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur pasditen e së mërkurës në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Policia ka njoftuar se rreth orës 17:50 ka pranuar informatën për aksidentin, në të cilin janë përfshirë një kamion dhe dy vetura.

Si pasojë e aksidentit, shtatë persona kanë mbetur të lënduar, por sipas informacioneve fillestare ata janë jashtë rrezikut për jetë.

“Rreth orës 17:54 kemi pranuar informatë për një aksident trafiku në autostradën “Ibrahim Rugova” saktësisht në Duhël – drejtimi për Prishtinë. Të përfshirë në aksident janë një kamion dhe dy vetura, ndërsa raportohet për 7 persona të lënduar, për momentin jashtë rrezikut për jetë”, ka njoftuar policia. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Google Street View mbërrin në Kosovë, publikohet pamja 360-gradëshe e vendit

Published

on

Kosova është bërë territori më i ri në Ballkan që është përfshirë në shërbimin Google Street View, duke sjellë pamje 360-gradëshe të rrugëve, qyteteve dhe destinacioneve turistike në mbarë vendin.

Pas rreth dy vjetësh fotografime, Google ka publikuar pamjet e realizuara nga korriku 2025 deri në maj 2026, duke mbuluar pjesën më të madhe të territorit të Kosovës.

Pamjet përfshijnë qytetet kryesore si Prishtina, Prizreni, Peja, Gjakova, Mitrovica, Gjilani dhe Ferizaj, si dhe shumë zona të tjera urbane e rurale.

Përdoruesit e Google Maps tashmë mund të eksplorojnë edhe destinacione turistike si Gryka e Rugovës, Parku Kombëtar i Sharrit dhe Bjeshkët e Nemuna, si edhe zona pranë kufijve me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas raportimeve, Google ka përdorur kamera të gjeneratës së katërt dhe, në disa raste, kamera portative për të realizuar fotografimet edhe në kushte të vështira atmosferike.

Publikimi i Google Street View konsiderohet një hap i rëndësishëm për promovimin e Kosovës në platformat digjitale dhe për rritjen e vizibilitetit të saj turistik dhe ekonomik./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara