Lajmet

Pse njerëzit po heqin dorë nga doza e dytë e vaksinës kundër COVID-19?

Published

on

Deri më 5 maj, 249 milionë doza të vaksinës kundër COVID-19 u administruan në Shtetet e Bashkuara. Sipas të dhënave zyrtare, 107 milionë persona janë vaksinuar plotësisht (me dy doza të vaksinave të Pfizerit dhe Modernas ose me një dozë të vaksinës së kompanisë Johnson & Johnson), që përbën 32.3 për qind të popullsisë së përgjithshme të SHBA-së.

Megjithatë, Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjes (CDC), kohët e fundit kanë raportuar se afërsisht 8 për qind e personave që marrin dozën e parë në SHBA, nuk e marrin dozën e dytë të vaksinës. Kjo ka ngritur shqetësimin se shmangia e marrjes së dozës së dytë do të pamundësojë që SHBA-ja të arrijë imunitetin e tufës. Përse?

Për të dy vaksinat që përdoren në SHBA, ajo e Pfizer/BioNTech dhe Moderna, është e nevojshme që të merren dy doza me qëllim që të arrihet imunizimi dhe mbrojtja maksimale kundër koronavirusit.

Brenda fabrikës ku prodhohet vaksina e Pfizer/BioNTech

Anthony Fauci, drejtor i Institutit kombëtar në SHBA për Alergji dhe Sëmundje Infektive, kohëve të fundit ka lënë të kuptohet se një dozë e vetme e vaksinës mund të mos sigurojnë imunitetin e kërkuar për mbrojtje nga COVID-19, në krahasim me vaksinimin e plotë, përmes dy dozave.

“Kur shikoni nivelin e mbrojtjes pas një doze mund të thoni se është 80 për qind, por disi një 80 përqindësh i dobët”, deklaroi Fauci në fund të prillit. “Kur merrni vetëm një dozë, ngrihet pyetja se sa do të zgjasë imuniteti?”.

Për shkak se variantet e reja të koronavirusit po dalin të jenë më problematikë edhe për personat që janë vaksinuar plotësisht, Fauci shtoi se një dozë e vetme e vaksinës, mund të ofrojë më pak mbrojtje ndaj varianteve të reja të sëmundjes COVID-19.

“Ju jeni në një situatë të dobët nëse nuk keni efekt të plotë të vaksinës”, shtoi Fauci.

Pse po shmanget doza e dytë?

Nuk është e pazakontë që njerëzit të mos e marrin dozën e dytë të vaksinës, thonë ekspertët shëndetësorë. Ata kanë dhënë disa shembuj nga vaksinimet në të kaluarën – shkalla e shmangies së dozës së dytë për infeksionin herpes zoster, ishte rreth 26 për qind në mesin e përdoruesve të Medicare (sigurimi shëndetësor në SHBA), thuhet në një analizë të kryer nga Fondacioni Kaiser Family, shkruan CNN.

“Unë shqetësohem për çdo person që nuk vjen ta marrë dozën e dytë, dhe realisht unë kam menduar se do të ketë më shumë njerëz që do ta shmangnin marrjen e dozës së dytë”, tha për CCN, doktoresha Leana Wen.

“Bazuar në atë që dimë për vaksinat, shmangia e dozës së dytë mund të bëhet për shumë arsye”, shtoi ajo.

Një nga arsyet që mund të çojë që një numër relativisht i madh i njerëzve në SHBA të mos e marrin dozën e dytë të vaksinës, mund të jetë e natyrës administrative, pasi autoritetet ende nuk i kanë përpunuar të dhënat për vaksinimet dhe nuk kanë krijuar një sistem të unifikuar për këtë çështje.

CDC-ja shprehet se numri i njerëzve që nuk e morën dozën e dytë është rreth pesë milionë (nga numri i përgjithshëm i vaksinave të administruara në SHBA deri më 5 maj, që është 249 milionë doza). Sidoqoftë, tani për tani, shifra e saktë e kësaj nuk mund të dihet sepse mund të ndodhë që një person të marrë dy dozat e vaksinës në vende të ndryshme – shembull, dozën e parë ta marrë në një klinikë shtetërore e dozën e dytë në një klinikë lokale – dhe të dhënat për marrjen e të dy dozave mund të mos regjistrohen në një bazë të të dhënave, tha një zëdhënëse e CDC-së.

Ka arsye të ndryshme se pse njerëzit anashkalojnë marrjen e dozës së dytë të vaksinës. Në një sondazh të New York Time, disa thanë se kanë frikë nga efektet anësore të vaksinës, ku mund të shkaktohen simptoma të ngjashme me gripin. Të tjerët thanë se pas marrjes së dozës së parë, ndjehen mjaftueshëm të mbrojtur kundër koronavirusit.

Po ashtu është shfaqur një pengesë e cila nuk varet direkt nga njerëzit, të cilët duhet të vaksinohen, thotë New York Times. Një numër i qendrave të vaksinimit kanë anuluar terminin e dytë për vaksinimit, për shkak të mungesës së vaksinave. Për këtë arsye, disa njerëz thjesht kanë hequr dorë nga vaksinimi.

Rezultatet e një studimi të pavarur, që u botua në New England Journal of Medicine, tregojnë se shumica e njerëzve që nuk e marrin dozën e dytë të vaksinës, mund të jenë keqinformuar për efektivitetin e vaksinimit të plotë. Më pak se gjysma e të anketuarve nga studiuesit e Universitetit Cornell dhe Fakultetit të Mjekësisë së Harvardit, thanë se ata besonin se vaksinat me dy doza sigurojnë mbrojtje kundër koronavirusit dy javë pas marrjes së dozës së parë, pavarësisht se në udhëzimet e CDC-së thuhet se vaksinat kanë përfitim të menjëhershëm.

Që nga fillimi i fushatës së vaksinimit masiv, ekspertët e shëndetit publik në SHBA, por edhe në gjithë botën, kanë ngritur shqetësime se do të jetë e vështirë që njerëzit të kthehen në qendra të vaksinimit për të marrë dozën e dytë, tre ose katër javë pas marrjes së dozës së parë.

Gjithashtu, nuk është për t’u habitur që derisa vaksinimi kundër koronavirusit po rritet gjithnjë e më tepër, po ashtu numri i atyre që po e shmangin dozën e dytë është duke u rritur.

Pse duhen dy doza?

Ka një numër arsyesh pse doza e dytë e vaksinës kundër COVID-19 është e rëndësishme. Ekzistojnë dy arsye kryesore: e para, është e rëndësishme që ta mbroni veten nga infektimi me virus, por gjithashtu është e rëndësishme që ta parandaloni përhapjen e virusit.

Studimet e kryera gjatë provave klinike për secilën vaksinë që administrohet përmes dy dozave, kanë treguar se pas një periudhe kohore, imuniteti ndaj COVID-19 pas marrjes së dozës së parë zbut kurbën e infeksionit, por doza e dytë ndihmon që mbrojtja nga COVID-19 të jetë në një nivel të lartë.

Edhe nëse një person, për arsye të ndryshme, nuk merr me kohë dozën e dytë, është e rëndësishme që ta merr atë.

“Antitrupat mund të rriten për dhjetë herë pas dozës së dytë”, shpjegon Nicholas Kman, nga Universiteti i Ohajos.

“Doza e dytë është jashtëzakonisht e rëndësishme për njerëzit që kanë sistem të kompromentuar imunitar, e të cilët konsiderohen se janë në rrezik të lartë për zhvillimin e simptomave të rënda dhe komplikimeve”, shton Kman, raporton portali GH.

Pilulat anti-COVID mund të jenë gati deri në fund të vitit


Sipas studimeve të CDC-së, të dhënat tregojnë se efektiviteti i një doze të vetme të vaksinës së kompanisë Pfizer është 60 deri në 70 për qind, thuhet në një publikim në ueb-faqen e Cleavland Clinic. Një studim i ri i CDC-së tha se marrja e një doze të vaksinës së Pfizerit ofron 80 për qind efikasitet, por nëse merren të dy dozat e vaksinës, atëherë efikasiteti arrin deri në 90 për qind.

Kompania Pfizer ka konfirmuar se vaksina ofron 91 për qind efikasitet pas marrjes së dy dozave dhe ofron nivel të lartë të parandalimit të simptomave të rënda të sëmundjes COVID-19.

Shifrat flasin vet, mbrojtja më e madhe ndaj COVID-19 krijohet pas marrjes së dy dozave të vaksinës.

Continue Reading

Vendi

Fatlume Bunjaku nderohet me çmimin “European Shooting Star” në Berlinale

Published

on

By

Aktorja shqiptare nga Kosova, Fatlume Bunjaku, është shpallur fituese e çmimit prestigjioz European Shooting Stars në kuadër të Berlinale, duke shënuar një arritje të jashtëzakonshme për kinematografinë shqiptare dhe atë ballkanike në skenën ndërkombëtare. Ky program, i organizuar çdo vit nga European Film Promotion në bashkëpunim me Berlinalen, konsiderohet një nga platformat më prestigjioze për promovimin e aktorëve evropianë me potencial për një karrierë ndërkombëtare të suksesshme.

Juria e këtij edicioni përbëhej nga emra të njohur të botës së filmit, përfshirë regjisorin fitues të Oscar-it, Danis Tanović, aktoren Danica Ćurčić, kritiken e filmit Leila Latif, regjisoren Jo Monteiro dhe producentin Jacques-Henri Bronckart. Sipas vlerësimit të tyre, Bunjaku lë një gjurmë të pashlyeshme te shikuesi, duke shfaqur një prezencë të fuqishme në ekran dhe një thellësi emocionale mbresëlënëse. Juria theksoi se talenti dhe angazhimi i saj e bëjnë atë një aktore me potencial të jashtëzakonshëm.

Përveç suksesit në film, Fatlume Bunjaku njihet edhe si profesoreshë në Fakultetin e Arteve Dramatike në UBT, ku ndan eksperiencën dhe pasionin e saj me studentët, duke i frymëzuar ata drejt karrierave në art dhe aktrim. Prania e saj si “Shooting Star” në Berlinale u cilësua si një moment historik jo vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Gjatë ceremonisë, Bunjaku tërhoqi vëmendjen e agjentëve dhe regjisorëve ndërkombëtarë, jo vetëm për interpretimin e saj bindës, por edhe për qasjen modeste dhe të ngrohtë. Në fjalimin e saj, ajo bëri thirrje që industria globale e filmit të vlerësojë kineastët e Ballkanit, duke theksuar potencialin e madh të rajonit dhe nevojën për më shumë mundësi dhe bashkëpunime ndërkombëtare.

Aktorja u nominua në këtë program për filmin Hana, me regji nga Ujkan Hysaj, ku interpreton rolin suportues të Mrikës. Ky vlerësim i hap rrugë prezantimit të saj në një nga skenat më të rëndësishme të kinematografisë botërore dhe shënon një kapitull të ri krenarie për artin shqiptar në nivel evropian dhe global.

Continue Reading

Aktualitet

Studentja dhe kampionia olimpike Nora Gjakova publikon studimin shkencor mbi rikuperimin e shpejtë pas lëndimit të hamstringut

Published

on

By

Studentja e Fakultetit Shkencat e Sportit dhe të Lëvizjes në UBT dhe kampionia olimpike Nora Gjakova, së bashku me profesorin Milaim Berisha dhe bashkëautorë ndërkombëtarë, ka publikuar një punim shkencor të rëndësishëm mbi rikuperimin e lëndimeve komplekse të pjesës proksimale të hamstringut në sportistët elitarë.

Studimi është botuar në revistën prestigjioze evropiane Retos (Q2) dhe mund të gjendet këtu: Retos – Article Punimi trajton rastin unik të rikuperimit 5-mujor të Nora Gjakovës pas këputjes së pjesshme të hamstringut, një periudhë që konsiderohet shumë e shkurtër për rikuperim të plotë, sidomos kur objektivi ishte pjesëmarrja në Lojërat Olimpike të Parisit 2024. Ky studim sjell një kontribut të rëndësishëm në literaturën shkencore, duke analizuar kufijtë klinikë që ndajnë rastet që kërkojnë ndërhyrje kirurgjike nga ato që mund të menaxhohen me trajtim konservativ.

Rezultatet tregojnë se një qasje e strukturuar, e bazuar në terapi fizike, stërvitje progresive dhe drill-e specifike për sportin e xhudos, mund të mundësojë rikuperim të shpejtë dhe kthim në garë pa ndërhyrje kirurgjike.

Rasti i Nora Gjakovës demonstron se sportistët elitarë jo vetëm që arrijnë rezultate të jashtëzakonshme në garë, por edhe mund të kontribuojnë në avancimin e praktikave rehabilituese dhe të njohurive shkencore në fushën e Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes, një program i zhvilluar fuqishëm në UBT, që ofron mundësi të avancuara për studentët dhe sportistët e rinj për t’u trajnuar dhe për të mësuar mbi bazat shkencore të performancës dhe rikuperimit.

Ky rast është një shembull i qartë se si bashkëpunimi ndërkombëtar mes sportistëve dhe akademikëve mund të sjellë njohuri të reja, duke rritur standardet e rehabilitimit sportiv dhe duke fuqizuar studentët e UBT që të jenë pjesë e projekteve shkencore me ndikim global.

Continue Reading

Vendi

Zëvendës Shefi i Misionit të Ambasadës Gjermane dhe OEGJK vizitojnë Qytetin e Mençur të UBT-së

Published

on

By

Zëvendës Shefi i Misionit të Ambasada Gjermane në Kosovë, Christian Böttcher, vizitoi Qytetin e Mençur të UBT-së, ku u mirëprit nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi.

Gjatë takimit u theksua roli i UBT-së si institucion i arsimit të lartë që po vendos standarde të reja në ndërlidhjen e arsimit me sipërmarrjen dhe industrinë. Modeli i zhvillimit të UBT-së, i bazuar në integrimin strategjik të arsimit, kërkimit shkencor, inovacionit dhe zhvillimit të biznesit, u vlerësua si një qasje vizionare që sjell rezultate të matshme.

Rektori Hajrizi prezantoi para delegacionit ekosistemin unik të UBT-së, ku përmes Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik në Lipjan ndërthuren laboratorët e avancuar, teknologjitë e sofistikuara dhe bashkëpunimi i drejtpërdrejtë me industrinë. Ky mjedis krijon ura konkrete mes akademisë dhe sektorit privat, duke përgatitur studentët për tregun global të punës.

U theksua se UBT, si anëtar Premium i OEGJK-së, luan rol kyç në lidhjen e Kosovës me universitete dhe institucione të arsimit të lartë në Gjermani, Austri dhe më gjerë. Partneritetet e forta ndërkombëtare dhe orientimi praktik e bëjnë UBT-në një pikë natyrore takimi ndërmjet dijes akademike dhe zhvillimit ekonomik.

Diskutimet u përqendruan në zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit, me theks në zhvillimin e qëndrueshëm, fuqizimin e inovacionit dhe thellimin e bashkëpunimit akademik ndërkufitar. Shkalla e zhvillimit të UBT-së, qartësia strategjike dhe fryma sipërmarrëse lanë përshtypje të veçantë te përfaqësuesit gjermanë, të cilët shprehën gatishmërinë për ta ndërtuar këtë momentum të përbashkët edhe në të ardhmen.

Continue Reading

Lajmet

Siemens Healthineers viziton UBT-në, theksohet potenciali për bashkëpunim në mjekësinë digjitale

Published

on

By

Një delegacion nga kompania globale Siemens Healthineers, e njohur për lidershipin në teknologjitë mjekësore, digjitalizimin klinik dhe zgjidhjet e avancuara të e-Health, ka vizituar Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT në Lipjan.

Delegacioni i Siemens Healthineers u mirëprit nga Rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, së bashku me stafin akademik. Me këtë rast, Rektori Hajrizi prezantoi zhvillimin strategjik të UBT-së, programet në shkencat shëndetësore, teknologji dhe inxhinieri, si dhe kapacitetet infrastrukturore që ofron Parku Shkencor për kërkim, inovacion dhe ndërlidhje të drejtpërdrejtë me industrinë.

Gjatë vizitës në laboratorë, qendra simulimi dhe hapësira kërkimore, u diskutua konkretisht mbi rëndësinë e sistemeve të menaxhimit spitalor dhe ndërtimit të një sistemi të integruar shëndetësor.

Në këtë kontekst, ekosistemi i Qytetit të Mençur të UBT-së u vlerësua si hapësira e përshtatshme për zhvillimin e projekteve pilot në shëndetësi digjitale, trajnime profesionale për stafin mjekësor, si dhe partneritete strategjike që mund të kontribuojnë në modernizimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.

Continue Reading

Të kërkuara