Lajmet
Pse ndodhi tragjedia e Titanikut?
Janë disa fakte që nuk i keni ditur rreth anijes legjendare.
Published
4 years agoon
By
UBT newsFalë filmit me të njëjtin titull ne dimë gjithçka mbi momentet më dramatike të fundosjes së “Titanikut”, përplasjen e ngadaltë të anijes me ajsbergun, rrëmujën me varkat e pakta të shpëtimit etj.
Në fakt ngjarja reale, ka më shumë detaje që ndoshta mund të mos i keni ditur.
Anija ishte e vogël sipas standardeve të sotme
“Titanik” mund të ketë qenë vërtet një gjigant për kohën. Por do të lihej në hije nga anijet e sotme të lundrimit, të cilat janë rreth 20 për qind më të gjata dhe gati 2 herë më të larta.
Një oxhak ishte vetëm për dukje
Të gjithë janë të njohur me imazhet e “Titanik” me filmin e vitit 1997, me 4 oxhaqet e tij të lartë. Në fakt anija e vërtetë që u fundos kishte vetëm 3 të tillë funksionalë. Por dizajneri mendoi se do të dukej me mirë me një oxhak fals që nuk kryente asnjë funksion. Tymi i vetëm që ai nxirrte ishte vetëm nga cigaret që konsumoheshin në sallën e posaçme për duhanpirësit.
U anulua stërvitja me varkat e shpëtimit
Kur anija nisi udhëtimin e saj, askush nuk u shqetësua për të kryer ndonjë stërvitje me varkat e shpëtimit. Edhe pse një e tillë ishte planifikuar pikërisht mëngjesin e ditës kur u fundos, por u anulua për arsye të panjohura nga kapiteni. Në vend të stërvitjes, ai drejtoi një meshë në kishëzën e vogël që ndodhej në bord.
Një zjarr e kishte dëmtuar disa javë më parë
Mbytja e “Titanik” nuk pati si shkak vetëm një rastësi fatkeqe (ajsbergun). Dëshmitë fotografike sugjerojnë shpërthimin e një zjarri në bord disa javë përpara nisjes së anijes. Ai e dëmtoi anijen pikërisht aty ku e goditi ajsbergu.
Ndikuan edhe baticat e forta për shkak të afërsisë së madhe të Hënës me Tokën
Katër muaj para tragjedisë, Hëna iu afrua Tokës më shumë se sa kishte ndodhur ndonjëherë në 1000 vitet e fundit, duke shkaktuar batica shumë të mëdha dhe të pazakonta, që dërguan drejt jugut shumë ajsbergë, pikërisht në kohën e udhëtimit të parë të Titanik.
Në momentin më kritik munguan çelësat e dollapit ku ndodheshin dylbitë e vëzhgimit
Çelësat e dollapit ku ndodheshin dylbitë e vëzhgimit u larguan nga anija me një anëtar të ekuipazhit, i cili u zëvendësua në minutën e fundit nga dikush me më shumë përvojë. Ai harroi t’i kthente, duke i detyruar kolegët e tij që të mbështeteshin vetëm tek shikimi me sy të lirë.
Për pak humbën jetën disa figura të famshme për kohën
Të gjithë mund t`i mbajmë mend milionerët e famshëm Gugenhajm dhe Astor që humbën jetën në atë ngjarje. Por disa figura të tjera publike si Milton Hershej, Guglielmo Markoni dhe Xh.P.Morgan, nuk ishin në atë udhëtim për disa arsye rrethanore.
Disa nga pasagjerët mbijetuan në mënyra shumë të çuditshme
Krye-bukëpjekësi i anijes, Çarls Xhauglin, piu 2 shishe uiski në ato 2 orë dramatike. Sasia e madhe e alkoolit në trupin e tij, ka të ngjarë të jetë një nga arsyet pse mbijetoi.
Një anije ishte shumë pranë vendit të ngjarjes
Anija “SS Carpathia” ishte më shumë se 2 herë më larg nga “Titaniku” sesa “SS Californian”. Por kapiteni i kësaj të fundit nuk i besoi në fillim alarmit që lëshoi “Titanik” dhe u kthye në shtratin e tij. Ekuipazhi e kishte paralajmëruar më herët “Titanikun” për ajsbergët e shumtë në zonë, por drejtuesit e kësaj të fundit i shpërfillën.
Shumica e trupave nuk u gjetën
Vetëm rreth 300 trupa u gjetën në vendin e katastrofës. Kjo do të thotë se shumica e 1500 viktimave ndodhen ende sot nën det.
Violina
Violina që përdori drejtuesi i bandës muzikore deri në momentet e fundit, u gjet në një papafingo në vitin 2006. Shtatë vjet më vonë, ajo u shit për 1.7 milionë dollarë.
Në fillim, gazetat nuk raportuan për viktima
Për shkak të nxitimit për të shkruar diçka mbi këtë ngjarje për numrin e nesërm, shumë gazeta raportuan se “fatmirësisht nuk kishte të vdekur”. Një nga shkrimet titullohej “Fundoset Titaniku, por ndoshta nuk ka asnjë jetë të humbur”.
Propaganda naziste
Në vitin 1943, nazistët e Hitlerit xhiruan një film mbi mënyrën sesi “britanikë idiotë fundosën Titanikun”, pavarësisht përpjekjeve heroike (të rreme) të gjermanëve. Me një buxhet të barabartë me 180 milionë dollarë me paratë e sotme, ai mbetet filmi propagandistik më i shtrenjtë i realizuar ndonjëherë.
Tragjedia ishte parashikuar nga një roman
14 vjet përpara mbytjes së Titanikut, një shkrimtar amerikan botoi një roman, ku fliste mbi një anije shumë të madhe që po udhëtonte nga Anglia në Nju Jork në muajin prill. Ajo përplasej me një ajsberg duke vrarë shumicën e pasagjerëve të saj, për shkak të mungesës së varkave të shpëtimit. Anija quhej “Titan”.
Kush ishin Xheku dhe Roza e vërtetë
Në bordin e “Titanik” ka pasur vërtet një histori dashurie të ndaluar. Kejt Filips po udhëtonte për në SHBA për të nisur një jetë të re me bashkëshortin e saj që i kishte shitur të gjitha bizneset e tij për t’ia dhënë paratë gruas dhe fëmijës së tij, dhe natyrisht për t’i blerë zonjës së tij një gjerdan diamanti dhe safiri. Ai nuk mbijetoi, por la si trashëgimi gjerdanin e shtrenjtë dhe fëmijën e tyre që me sa duket e ngjizën në anije. Vajza e tyre e shiti gjerdanin në ankand në vitin 1990. / Bota.al
Lajmet
Përplasje në Kuvend për naftën: LDK kërkon uljen e akcizës, LVV e cilëson propozim populist
Published
2 hours agoon
April 3, 2026By
UBTNews
Seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës këtë të premte është shoqëruar me një debate të ashpra mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me çmimin e naftës. Përmes një rezolute, opozita ka kërkuar ndërhyrje emergjente në politika fiskale për të lehtësuar barrën e qytetarëve, ndërsa pushteti e ka refuzuar këtë nismë.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka paralajmëruar se rritja e kostos së karburanteve po rrezikon të thellojë krizën sociale në vend. Ajo theksoi se nafta është çmim bazë që dikton zinxhirin e shtrenjtimeve në çdo sektor.
“Nafta është çmim bazë i ekonomisë dhe çdo rritje e saj përkthehet automatikisht në rritje të çmimeve të produkteve bazike, shërbimeve, transportit dhe ndërtimit. Qeveria nuk duhet të qëndrojë si spektatore në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës,” deklaroi Lushaku-Sadriu.
Rezoluta e LDK-së propozon tri masa konkrete: Uljen e akcizës nga 36 në 20 centë për litër; Uljen e TVSH-së për karburante nga 18% në 8%; Subvencionimin e naftës për bujqit, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.
Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Rozeta Hajdari, e ka kundërshtuar ashpër këtë kërkesë, duke argumentuar se ulja e të hyrave publike do të dëmtonte buxhetin e shtetit dhe financimin e sektorëve kyç si arsimi dhe shëndetësia.
“Ne si Grup Parlamentar me qeverisjen tonë kemi ndërhyrë aty ku duhet, kemi formalizuar tregun e naftës, kemi evituar kostot e panevojshme dhe kemi rritur transparencën. Këto masa janë efekt real dhe afatgjatë,” tha Hajdari, duke e quajtur propozimin e opozitës si ekonomikisht të papërgjegjshëm.
Hajdari shtoi se rritja e çmimeve është pasojë e krizave gjeopolitike globale dhe se masat e propozuara nga LDK-ja nuk garantojnë një ulje reale të çmimit në pompë për konsumatorët fundorë. Debati po vazhdon me akuza të ndërsjella, ku opozita kërkon veprim të menjëhershëm, ndërsa pozita mbron stabilitetin buxhetor.
Lajmet
Prokuroria nis hetimet ndaj KEDS-it për njehsorët elektrikë: Dyshime për mashtrim me faturat
Published
4 hours agoon
April 3, 2026By
UBTNews
Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se ka nisur zyrtarisht grumbullimin e informatave lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të kompanisë KEDS.
Sipas organit të akuzës, ekziston një dyshim i bazuar se këto pajisje nuk po bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar nga konsumatorët.
Në këtë drejtim, Prokuroria dyshon se është kryer vepra penale “Mashtrimi”, sipas nenit 323 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për të zbardhur rastin, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim sigurimin dhe grumbullimin e provave shtesë.
“Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të sigurimit dhe grumbullimit të provave shtesë lidhur me këtë rast, përfshirë edhe veprimet ndaj zyrtarëve të KEDS-it”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Hetimet vijnë pas shqetësimeve se njehsorët nuk pasqyrojnë realisht shpenzimet, duke dëmtuar kështu qytetarët. Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ushtrimin e kompetencave ligjore për të garantuar zbatimin e ligjit.
“Lidhur me rastin e parregullsive të dyshuara në njehësorët elektrikë të KEDS-it, ekziston dyshimi se këta njehësorë nuk bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar… Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në ushtrimin e kompetencave ligjore, duke garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik”, përfundon njoftimi i Prokurorisë.
Lajmet
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 3 prill, në vitet nëntëdhjetë
Published
4 hours agoon
April 3, 2026By
UBTNews
3 prill 1993
Lajm i plotë: Tre gazetarët ferizajas sërish në polici
Dje, në qendrën e sigurimit serb në Prishtinë, u morën përsëri tre gazetarët ferizajas, Rrahim Sadiku, Haki Braha dhe Avni Shabani. Ata u mbajtën në polici tri orë dhe u morën në pyetje për përmbajtjen e revistës “Zgjimi”, e cila u konfiskua para disa ditësh.
Këtyre gazetarëve iu tha që përsëri të paraqiten të hënën, në qendrën e policisë në Ferizaj.
Lajme të tjera:
“Bujku” edhe sot nuk u botua
Vazhdon aksioni “Ta mbrojmë ambientin”
U promovua romani “Udhëtimi arbdhetar” i Zejnullah Rrahmanit
Në Ferizaj tubime përkujtimore për të vrarët
Manifestim kushtuar 90-vjetorit të vdekjes së De Radës
Tubim proteste i studentëve ferizajas kundër burgosjes së rektorit dr.Ejup Statovci
Ahmet Gajtani u ftua në polici
Në Prishtinë bombat u gjetën në kontejnerë të mbeturinave
Në Prishtinë u plaçkitën 60 tonë miell
Policia maqedonase gjobit vozitësit shqiptarë
Kosova e përfaqësuar në kampionatin evropian në “full-kontakt”
Në Podujevë arritën pesëdhjetë policë financiarë nga Serbia
Në komunë të Pejës – keqtrajtime të përditshme
NATO bën kontrollin mbi qiellin e Bosnjës
Mas-mediumet serbe i japin publicitet “Traktit” të shpërndarë në Kosovë
3 prill 1995
Lajm i plotë: Dhuna e përditshme në Kosovë
Kamenicë: – Më 25 mars, policia serbe mori në rrugë të fshatit Rogaçicë, Samet Baxhakun të cilin e dërgoi në stacionin e policisë në Gjilan, nën prtetekst të dorëzimit të armës. Njoftohet se nga inspektorët Ramadan Sermaxhaj dhe njëfarë Sërgjani ai u keqtrajtua fizikisht për disa orë.
Më 20 mars, policia nën preteskt të kërkimit të armëve mori Hevzi Hotin nga Muçivërci, i cili dorëzoi një revole, ndërsa pas kësaj atij policia po i kërkon edhe një automatik.
Më 27 mars, policia mori Vehbi Klaiqin, sekretar i SHHB “Nënë Tereza” në Kamenicë, i cili u dërgua në stacionin e policisë në Gjilan dhe u pyet për kinse vizitën e një delegacioni të jashtëm humanitar.
Më 30 mars policët ndalën në rrugë veprimtarët Isa Kallubën, Skënder Canën dhe mjekun Naser Fetahu, të cilët i dërguan në stacionin e policisë në Kamenicë. Në polici ata u mbajtën rreth dy orë dhe u pyetën për angazhimin e tyre në ambulancën e SHBH “Nëna Terezë” në Kamenicë. Policët u interesuan edhe për mënyrën e sigurimit të barnave për këtë ambulancë dhe për çështje të tjera të aktivitetit politik shqiptar në Kamenicë.
Më 30 mars policia serbe, me pretekst të kërkimit të armëve, mori në shtëpitë e tyre Mehdi M.Morinën dhe Hamëz A.Morinën nga fshati Topanicë. Ata u dërguan në stacionin e policisë ku policët i urdhëruan që të dorëzojnë nga një revole.
Vushtrri: – Më 1 prill, në stacionin e policisë në Vushtrri u malretua rëndë fizikisht Ragip Krasniqi nga Vushtrria. Për shkak të lëndimeve që pësoi nga rrahja ai u detyrua të kërkojë ndihmë mjekësore.
Gjilan:- Më 3 mars, rreth orës 12:30 minuta, policia serbe ndërpreu një turnir futbolli në Gjilan. Turniri ishte organizuar në kuadër të aksionit “Vullneti 95” nga FR i LDK-së, Dega në Gjilan. Policët morën me vete delegatin e ndeshjes Shemsedin Mustafën dhe një refer.
Lajme të tjera:
Tubim i madh i shqiptarëve në Bruksel
U nënshkruan dy marrëveshje mes Shqipërisë dhe Suedisë
Beogradi po përgatit “institucionalizimin” e dominimit serb mbi shqiptarët në Kosovë
Intensifikohen planet dhe aksionet e spastrimit etnik të Kosovës
Një program serb për kolonizimin e Kosovës
Kanali TV turk HBB: Pse nuk njihet Kosova?
U ndihmuan 42 familje
Rudina Hatipi kampione e Suedisë në vallëzim
Kërkohet Shpejtim Thaçi
3 prill 1997
Lajm i plotë: U kthyen rreth 100 azilkërkuesit e parë nga Gjermania në Kosovë
Paralajmërimet e palës gjermane për kthimin e azilkërkuesve shqiptarë nga ky vend, mbrëmë filluan të zbatohen me kthimin e organizuar të tyre në Kosovë. Në orën 19. 15 minuta, në aeroportin e Prishtinës arriti fluturakja e parë nga Gjermania me afro 100 azilkërkues shqiptarë. Ky është kontigjenti i parë që kthehet nga Gjermania në mënyrë të organizuar, njofton gazeta “Bujku”.
Reporteri i kësaj gazete arriti të mësojë nga disa azilkërkues të kthyer se ky kontigjent është nga rethina e Shtutgarit. Në mesin e të kthyerve kishte edhe shumë fëmijë e gra, por kryesiht ishin të rinj. Një azikërkues nga rethi i Suharekës tha se gruaja dhe fëmijët kishin mbetur në Gjermani dhe nuk dinin asgjë për fatin e tij. Po ashtu, të kthyerit thanë ata ishin kapur nga policët gjermanë në rastësi dhe ishin mbajtur në aeroportin e Shtutgardit që nga mëngjesi i ditës së martë. Shumica prej tyre nuk kishin asgjë me vete.
Në aeroportin e Prishtinës nuk pati keqtrajtime të të kthyerve. Ata vazhduan rrugën për në shtëpit e tyre.
Lajme të tjera:
Ushtria e Shqipërisë krijon “forcën speciale” për bashkëveprim me forcën ndërkombëtare
Parlamenti shqiptar rishqyrtoi dhe miratoi projektligjin për një amnisti të gjerë
BE konfirmon dërgimin e ndihmave për Shqipërinë
Leka I kthehet në Shqipëri
Merren në pyetje aktivistë të LDK-së në Baran
3 prill 1997
Lajmet kryesore:
Kryetari Rugova priti ambasadorin e Spanjës
Pala shqiptare e përjashtuar plotësisht nga kthimi i refugjatëve të Kosovës
Demaçi priti diplomatë amerikanë
Në Pacaj të Gjakovës policia bastisi një familje dhe keqtrajtoi katër të rinj
Ndihmuan Shkollën Fillore të Vidishiqit me 550 DM
Edicioni i parë (Ora 11:30)
Lajmet kryesore:
Konferencë për gazetarë e kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova
Një anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Shtime u keqtrajtua nga policia
Hungarezët e Vojvodinës nuk duan të shërbejnë në forcat serbe në Kosovë
Serbia shprehet me referendum për (mos)pjesëmarrjen e përfaqësuesve të huaj në zgjidhjen e problemeve në Kosovë
Kaçanik: Policia konfiskon armët me leje
Istog: Tri familje u bastisën për armë
Lipjan: Të mos bihet nën ndikimin e dezinformatave
Nga Lipjani u larguan 20 refugjatë serbë
Edicioni i dytë (Ora 15:30)
Lajm i plotë: Ia vizatuan me thikë kryqin në këmbë
Dje rreth orës 11, dy policë serbë arrestuan në rrugë Driton Hazir Brahimin (18), nga Korrotica e Ulët, nxënës i vitit IV të shkollës së mesme teknike në Gllogoc.
KI i Degës së LDK-së në Gllogoc njofton se policët e ndaluan Dritonin, që po shkonte në shkollë, dhe e dërguan në postbllokun e Komoranit ku e keqtrajtuan rëndë fizikisht. Policët gjithashtu, duke e gërvishur me thikë, ia “vizatuan” atij kryqin mbi gjurin e këmbës së majtë.
Më pas Dritoni u lirua.
Lajme të tjera:
Idriz Rrecaj: Nevojitet ndërhyrje ndërkombëtare me qëllim të largimit të njësive speciale serbe nga Skenderaj
U arrestua Kryetari i Degës së LDK-së në Gllogoc
Medlin Ollbrajt: “Territori i Kosovës mbahet i okupuar nga një forcë armiqësore”
Shqipëria përshëndet Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për vendosjen e embargos së armëve ndaj Beogradit
Bërns: “Autoritetet serbe menjëherë duhet të fillojnë bisedimet me shqiptarët e Kosovës”
Kofi Anan i shkruan presidentit Meidani lidhur me Kosovë
Shtypi amerikan për zhvillimet e fundit në Kosovë
U lirua objekti i gjimnazit në Podujevë
Për një koordinim sa më të mirë në grumbullimin dhe shpërndarjen deri në destinacion të ndihmave për Drednicën
Një kontigjent me ndihma u nis nga Gjakova për Drenicë
Vazhdojnë të arrijnë ndihmat për Drenicën
Në Australi vazhdon muaji i solidaritetit për Kosovën
Shqiptarët në Mal të Zi pa të drejta në shumë fusha
Edhe një gazetë e re shqipe në Maqedoni
Doli nga shtypi revista “Theatri”
Edicioni i tretë (Ora 16:00)
Lajm i plotë: Nuk është hequr asnjë postbllok i policisë
Duke filluar nga shkurti i këtij viti, policia serbe ka vendosur në komuna të shumta të Kosovës postblloqe të reja policore, krahas postblloqeve të vendosura që nga pushtimi i Kosovës. Në këto postblloqe, të gjithë kalimtarët ndalohen, kontrollohen rreptësisht dhe shpesh keqtrajtohen fizikisht.
Sipas shënimeve të grumbulluara nga degët e LDK-së në Kosovë, postblloqe policore janë vendosur në këto komuna:
Skënderaj – Në Klinë të Epërme, në Runik, në Tërnoc dhe në Skënderaj. Në komunën e Skënderajt koncentrime të përhershme të forcave të reja serbe ka mbi kodrën mbi fshatin Llaushë, në Tërnoc, në Skënderaj, në Fabrikën e Municionit të Gjuetisë, në Kopiliq të Ulët, në Brojë e tjerë;
Mitrovicë – postblloqe janë vendosur në të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe në Shipol në rrugën Mitrovicë-Skënderaj. Koncentrime të forcave serbe ka edhe në ndërtesën e Shoqatës së Zjarrfikësve, në garnizonin e ushtrisë serbe, në hotelin “Tre” në Zveçan dhe në fshatin Frashër;
Vushtrri – postblloku është i vendosur në fshatin Nedakoc në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë;
Prizren – postblloku policor në fillim të shkurtit u vendos në Lubizhdë afër Prizrenit, ndërsa postblloqet të herëpashershme policore vendosen në Landovicë, Dushanovë, në Gjonaj e tjerë;
Junik – vendoset herë pas herësh një postbllok policor në vendin e quajtur “Kulla e Malokut” në afërsi të vendbanimit të refugjatëve, ndërsa koncentrime të forcave policore ka pasur në tërë teritorin e Junikut dhe në fshatrat që shtrihen në zonën kufitare;
Çabër – postblloku policor është i vendosur tash sa vite në Gazivodë, ndërsa koncentrime të herëpashershme të forcave policore ka në poligonin rezervë ushtarak po në Gazivodë.
Klinë – pos dy postblloqeve në lagjen “Përlika” të Klinës dhe në rrugën Klinë-Skënderaj, postblloqe policore janë vendosur pas shkurtit edhe në rrugën Pogragjë-Jashanicë, në magjistralën Pejë-Prishtinë – në Dollc, si dhe në Kijevë. Koncentrime të forcave ka në Pogragjë, në objektin e Kombinatit Bujqsor “Malishgani” – rreth 1000 sish;
Suharekë – postbllok është vendosur te stacioni i policisë;
Gllogoc – postblloqe ka në Komoran e Morinë, ndërsa koncentrime të forcave policore ka në Komoran dhe në Gllogoc;
Kamenicë – postbllok ka në vendin e quajtur “Crepane”, në trekëndëshin rrugor Kamenicë-Bujanoc-Gjilan, ndërsa postblloqe të reja janë vendosur pas shkurtit, në vendin e quajtur “Dheu i bardhë”, në Katushnicë, midis fshatrave Hodonoc, Rogaçicë dhe Novosellë, dhe në Koretin, te Fabrika e Pllakave, midis Berivojcës dhe Koretinit. Koncentrime të forcave serbe ka në fshatrat e banuara me serbë në Ranillugë, Rapotovë, Bozhec, Rajnoc etj. Fshati Bozhevc ruhet me pizgauerë e autoblinda. Ndërkohë janë hequr postblloqet te “Dheu i bardhë” dhe në Koretin;
Kaçanik – postblloku policor është i vendosur në rrugën Ferizaj-Kaçanik në fshatin Gërlicë;
Zhur – pos postblloqeve në Vlashnjë, Zhur e Vërnicë, pas shkurtit të sivjemë është vendosur edhe një postbllok në rrugën për Biluzhë, Vlashnjë, Zhur, Shkozë e Vërmicë, ndërsa ka koncentrime të forcave serbe si dhe lëvizje të forcave ushtarake në brezin kufitar me Shqipërinë;
Fushë-Kosovë – ndonëse nuk është vendosur ndonjë postbllok policor, vërehet prani e shpeshtë e policisë në Sllatinë në rrugën për në aeroport;
Podujevë – postblloku policor është vendosur para disa vitesh në magjistralen Prishtinë-Nish në hyrje të Podujevës;
Leposaviq – postbllok ka në lokalitetin e quajtur “Ballaban”. Ky postbblok qe vendosur në tetor të vitit të kaluar, u hoq në dhjetor dhe u vendos sërish në shkurt të këtij viti. Forca ushtarako-policore janë të stacionuara në fabrikën e këmishave në Banjskë. Vazhdon kontrolli i rreptë policorë ndërsa banorëve të fshatit Koshtovë u është tërheuqr vërjejtja që të mos kalojnë kodrave përballë vendit ku janë vendosur forcat serbe;
Dragash – që nga viti 1989 postblloku policor është vendosur në fshatin Zym. Vërehet koncentrim i një numri më të madh ushtarësh në karakollin në fshatin Bresanë;
Istog – postblloku policor është vendosur në Gurrakoc në rrugën Pejë-Mitrovicë-Klinë;
Njëkohësisht burime të degëve të LDK-së në komunat e Kosovës njoftojnë se, përkundër kërkesave të Grupit të Kontaktit për tërheqjen e forcave të policisë speciale nga Kosova, ditëve të fundit është shtuar numri i postblloqeve si dhe numri i këtyre forcave, ndërsa ato nuk janë tërhequr nga asnjë postbllok.
Lajme të tjera:
Gjendje e rëndë në komunën e Deçanit
Klinë: Një qytetar u keqtrajtua brutalisht
U themelua Këshilli Organizativ i Protestave në nivel republikan
Policia serbe keqtrajton shqiptarët me pretekst të pjesëmarrjes në protesta
Foto: Ballina e gazetës “Bujku”
Lajmet
Miratohet projektligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, hapet rruga për organizimin e ngjarjes madhore
Published
4 hours agoon
April 3, 2026By
UBTNews
Qeveria e Kosova ka miratuar projektligjin për organizimin e Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit sportiv dhe afirmimit ndërkombëtar të vendit.
Institucionet e kanë cilësuar këtë nismë si projekt me interes të lartë publik dhe kombëtar, që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe rritjen e imazhit të shtetit në arenën ndërkombëtare.
Kryeministri Albin Kurti theksoi rëndësinë strategjike të projektligjit, duke nënvizuar standardet që synohen me organizimin e kësaj ngjarjeje:
“Ky projektligj, i bazuar në marrëveshjen për organizimin e Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’, është projekt me interes të lartë publik dhe kombëtar. Ai garanton që organizimi i kësaj ngjarjeje madhore të bëhet me përgjegjësi të plotë institucionale, me standarde të larta transparence, integriteti dhe menaxhimi efikas të fondeve publike. Ky është një investim në rininë tonë, në sportin tonë dhe në imazhin ndërkombëtar të shtetit”.
Nga ana tjetër, ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, dha detaje mbi aspektin financiar dhe organizativ të projektit:
“Përmes këtij ligji, qeveria do të miratojë shfrytëzimin e fondeve publike në shumën prej të paktën 253 milionë euro. Burimi kryesor i financimit do të jetë buxheti i shtetit, ndërsa projektligji rregullon edhe kompetencat e institucioneve përkatëse, përfshirë Komitetin Olimpik të Kosovës dhe komunat që do të përfshihen në organizim”.
Projektligji përcakton qartë rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve shtetërore, duke krijuar një kornizë të plotë ligjore për organizimin e kësaj ngjarjeje të madhe sportive.
Pas votimit në Kuvend, pritet të nisin përgatitjet konkrete për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, me synimin që Kosova të radhitet ndër organizatorët e rëndësishëm të eventeve sportive ndërkombëtare.
Artemis II nis rrugën drejt Hënës pas ndezjes së motorit final
Ukraina shpreh gatishmëri t’i mbështesë përpjekjet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit
Arijanet Muric: “Kemi rikthyer shpresën, koha jonë do të vijë”
45 vjet nga demonstratat e vitit 1981, përkujtohet roli i tyre në rrugën drejt lirisë së Kosovës
Përplasje në Kuvend për naftën: LDK kërkon uljen e akcizës, LVV e cilëson propozim populist
Prokuroria nis hetimet ndaj KEDS-it për njehsorët elektrikë: Dyshime për mashtrim me faturat
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 3 prill, në vitet nëntëdhjetë
Miratohet projektligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, hapet rruga për organizimin e ngjarjes madhore
Qeveria miraton Projektligjin për Çmimet Tavan
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Vendi2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
