Kulturë

Pse muzika që dëgjojmë në adoleshencë qëndron me ne përgjithmonë?

Por pse muzika që na ka shoqëruar gjatë adoleshencës qëndron me ne gjatë gjithë jetës sonë?

Published

on

Nga Sahar Arshad

Javën e kaluar, këngëtarja amerikane Taylor Swift publikoi ​​versione të ripërpunuara të albumeve të saj të mëparshme muzikore, mbi një dekadë nga dalja e tyre fillestare në treg. Ky akt shkaktoi jo pak nostalgji te të gjithë fansat e saj.

Veprimi i këngëtares së njohur më nxiti të pyes veten mbi lidhjen time emocionale me muzikën, përmes ngjarjeve më të rëndësishme të jetës sime. Ajo më bëri të mendoj se si kur flasim me të rriturit në të 30-at, 40-at ose 50-at, i dëgjon shpesh ata të rekomandojnë muzikë që daton në kohën e adoleshencës së tyre.

Kur dëgjojnë një këngë nga rinia e tyre, sytë u shkëlqejnë ndërsa kthehen pas në të shkuarën. Por pse muzika që na ka shoqëruar gjatë adoleshencës qëndron me ne gjatë gjithë jetës sonë? Kjo mund të ndodhë për shkak të aftësisë së muzikës për të zgjuar kujtime nga e kaluara jonë.

Njerëzit kanë tendencën që kur janë në moshë mesatare ose më të vjetër të kenë qasje në kujtimet personale të ngjarjeve që kanë ndodhur midis moshës 10-30 vjeç. Psikologët e kanë quajtur këtë dukuri si “thirrje e kujtesës”, e cila i referohet aftësisë sonë për të kujtuar kujtime të rëndësishme nga vitet tona më formuese.

Por në lojë mund të jetë edhe amnezia e fëmijërisë. Kjo është një dukuri misterioze, që përshkruan pamundësinë për të kujtuar përvojat e jetës para një moshe të caktuar – e cila gjithashtu mund të shpjegojë pjesërisht faktin pse kujtesa rikthehen për ngjarje nga mosha 10 vjeç e lart.

Një studim i vitit 2014 mbi amnezinë e fëmijërisë, arriti në përfundimin se “harresa e përshpejtuar gjatë gjithë fëmijërisë,prodhon një grup gjithnjë e më të vogël kujtimesh nga fillimi i jetës”. Kjo do të thotë që teksa fëmijët rriten dhe piqen, kujtesa e tyre fillon të shfaqë të njëjtin nivel zhvillimi që shihet edhe tek të rriturit.

Pra thënë më thjesht, harrimi i gjërave që ndodhin është më i përhapur në trurin e të rriturve, pasi kujtimet mund mos fiksohen dot – gjë që i bën ata edhe më të prekshëm nga humbja e tyre. Kjo mund të jetë arsyeja pse muzika që kemi dëgjuar në adoleshencë, një periudhë kohore gjatë së cilës ne kemi një aftësi më të fortë për të kujtuar, ka kaq shumë domethënie për ne.

Përtej kësaj, një studim i vitit 2008 zbuloi se “dëgjimi i muzikës i lidhur me të kaluarën tonë, shpesh shkakton një “ndjenjë të fortë njohjeje”. Pra, thjesht duke dëgjuar muzikë apo edhe duke folur shpesh për të, mund të zgjojë kujtime për gjëra që na kanë ndodhur në të kaluarën.

Një eksperiment tjetër zbuloi se këngët e vjetra kishin tendencë të ngjallnin emocione të forta dhe të ndryshme – veçanërisht ato pozitive siç është nostalgjia. Lidhja midis muzikës dhe viteve tona formuese është mbase më e fortë nga sa mendojmë.

Siç e shpjegon Sara Heilbronner, neuroshkencëtare në Shkollën Mjekësore të Universitetit të Minesotës, “truri kalon nëpër disa ‘periudha të ndjeshme’, gjatë të cilave është veçanërisht elastik ose i ndryshueshëm”.

“Periudhat më të famshme të kësaj ndjeshmërie janë gjatë foshnjërisë së hershme dhe fëmijërisë. Ne po kuptojmë gjithnjë e më shumëse ka edhe periudha të ndjeshme më vonë gjatë zhvillimit, si për shembull gjatë adoleshencës. Ne shohim një numër procesesh të  maturimit të trurit, që i pasojnë këto periudha të mëvonshme të ndjeshmërisë”, thekson ajo.

Heilbronner thekson se një mundësi, është ekzistenca e një periudhe të ndjeshme për kujtesën, që i mbivendoset rikthimit të kujtesës. Kjo do ta bënte trurin të përgatitur neuralisht për të kodifikuar kujtimet e reja afatgjata. Ajo shton se ka ndërkohë prova se adoleshenca është një periudhë e ndjeshme për shumë faktorë që lidhen me zhvillimin e personalitetit, si njohja shoqërore dhe motivimi./“Discover Magazine” – Bota.al

Kulturë

Filmi shqiptar “Burri i shtëpisë” vlerësohet me çmim special në Festivalin e Barit

Published

on

By

Filmi shqiptar “Burri i Shtëpisë”, me regji nga Andamion Murataj, është shpërblyer me çmim special në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Bari (BIF&ST).

Juria vlerësoi në mënyrë të veçantë interpretimin e Drita Kaba Karagës, duke e cilësuar atë si të thellë dhe mbresëlënës. Filmi u vlerësua në seksionin “Meridiana”, duke u renditur ndër projektet më të spikatura të këtij edicioni.

Gjatë marrjes së çmimit, regjisori Andamion Murataj u shpreh i emocionuar për rikthimin në Bari pas shumë vitesh, duke theksuar se filmi nuk është vetëm shqiptar, por një bashkëprodhim shqiptaro-italian. Ai falënderoi bashkëpunëtorët dhe institucionet që mbështetën realizimin e projektit që në fazat e para.

Juria ndërkombëtare, e përbërë nga emra të njohur të kinematografisë, vlerësoi interpretimin e Karagës si një portretizim të fuqishëm dhe kompleks të një personazhi që sfidon normat, duke trajtuar tema si identiteti dhe amësia.

“Burri i shtëpisë” sjell në qendër historinë e një burrneshe në një shoqëri moderne shqiptare në ndryshim të vazhdueshëm. Performanca e Drita Kaba Karagës u konsiderua si një nga pikat më të forta të festivalit, duke u vlerësuar për mënyrën e natyrshme dhe të fuqishme të interpretimit të një personazhi kompleks.

Continue Reading

Kulturë

Filharmonia e Kosovës drejt debutimit në Berlin, mbahen provat e përbashkëta me korin gjerman

Published

on

Kori i Filharmonisë së Kosovës ka zhvilluar provat e përbashkëta me Konzertchor Münster për koncertin që mbahet sot.

Dy koret do të interpretojnë veprat “Requiem für Mignon” nga Robert Schumann dhe “Ballin Lartë!” nga Valton Beqiri.

Ky koncert shënon një moment të rëndësishëm për Filharmoninë e Kosovës, pasi për herë të parë Orkestra dhe Kori i saj do të performojnë në sallën prestigjioze të Filarmonisë së Berlinit në Berlin.

Continue Reading

Kulturë

Përmbyllet programi GENESIS, mbështetje për të rinjtë në animacion në Kosovë

Published

on

Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të programit GENESIS, i cili synon fuqizimin profesional të të rinjve në fushën e animacionit dhe zhvillimin e këtij sektori në Kosovë.

Programi u realizua nga Anibar në bashkëpunim me Institut français du Kosovo dhe me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, duke përfshirë trajnime, masterclass-e, mentorim dhe prezantime projektesh me mundësi edhe për promovim ndërkombëtar.

Gjatë ceremonisë përmbyllëse u prezantuan projektet e pjesëmarrësve dhe u shpërndanë certifikatat, ndërsa ministrja Bogujevci theksoi rëndësinë e këtij programi për zhvillimin e industrisë kreative dhe përkrahjen e të rinjve.

Ndërkohë, Anibar vazhdon të mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit me një program trevjeçar, duke dëshmuar rolin e saj të rëndësishëm në skenën kulturore dhe kreative në vend.

Continue Reading

Kulturë

Premierë e suksesshme në Ditën Botërore të Teatrit: “Bidermani dhe Zjarrvënësit” në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Published

on

Në Ditën Botërore të Teatrit, Teatri Kombëtar i Kosovës prezantoi premierën e shfaqjes “Bidermani dhe Zjarrvënësit”, duke i dhënë publikut një mbrëmje të veçantë artistike.

Nën regjinë e Agon Myftarit, vepra e Max Frisch-it u interpretua me mjeshtëri nga aktorët, duke trajtuar dilema të thella morale dhe ekzistenciale, dhe duke reflektuar mbi përgjegjësinë individuale dhe shoqërore përmes simbolikës së zjarrvënësve.

Shfaqjen e ndoqën ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja e Kulturës, Nora Arapi Krasniqi, zëvendësministrja e Kulturës, Tijana Veljković, si dhe kryesuesja e Këshillit të Teatrit Kombëtar, Visare Aliu.

Kjo premierë është edhe një dëshmi e energjisë krijuese dhe përkushtimit të aktorëve dhe të gjithë profesionistëve të teatrit, që vazhdojnë të sjellin vepra që nxisin reflektim dhe dialog.

Continue Reading

Të kërkuara