Lajmet

Pse finlandezët janë njerëzit më të lumtur në botë?

Nga Debbie Peterson.

Published

on

Nga Debbie Peterson

Studimi i Kombeve të Bashkuara mbi Lumturinë Botërore, u kërkon qytetarëve të vlerësojnë nivelin e tyre të lumturisë, dhe i rendit vendet bazuar në përgjigjet e tyre. Ajo ngre pyetjen: Cilat janë karakteristikat e një vendi të lumtur?

E kush më mirë mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje sesa një filozof dhe studiues i psikologjisë nga një vend, qytetarët e të cilit, pavarësisht ditëve të gjata të të ftohtit dhe errësirës së dimrit, regjistrojnë vazhdimisht disa nga nivelet më të larta të lumturisë në botë?

Profesor Frenk Martela studion bazat e lumturisë dhe jep leksione në Universitetin Alto në Finlandë. Martela dhe kolegët përshkruajnë faktorët që ka të ngjarë të nxisin ndjenjën finlandeze të mirëqenies. Më të bien dakord edhe studimet e fundit. Lumturia e tyre mund të jetë për shkak të gjërave që nuk bëjnë:

1. Nuk shqetësohen ta krahasojnë veten apo të kenë gjithçka që kanë të tjerët

Finlandezët nuk janë të dhënë pas shfaqjeve të hapura të pasurisë së tyre materiale. Madje edhe njerëzit më të suksesshëm në Finlandë duken si gjithë të tjerët. Finlandezët duket se e kanë kuptuar atë që tregojnë shumë studime psikologjike tani:është e pashëndetshme mania për t’u krahasuar me të tjerët.

2. Nuk e neglizhojnë rëndësinë e të shëtiturit rregullisht në natyrë

Edhe akti i thjeshtë i daljes nga ambientet e mbyllura e rrit cilësinë e jetës së tyre. Një studim i publikuar më 5 gusht 2022 në revistën “Science Advances”, konfirmon se ka edhe më shumë përfitime të kalimit të kohës në natyrë sesa mendohej më parë.

Aleksandros Gasparatos, profesori i asociuar i shkencës së qëndrueshmërisë në Universitetin e Tokios, dhe bashkë–autor i studimit, shpjegon se humori, qëndrimi, sjelljet dhe vlerat mund të ndryshojnë menjëherë ose për një kohë të shkurtër pas ndërveprimit me natyrën. Po ashtu një studim në Tokio, zbuloi se ndërveprimet me natyrën e çojnë më tej zhvillimin e marrëdhënieve njerëzore kuptimplota.

3. Nuk e thyejnë rrethin e besimit të komunitetit

Finlandezët priren që t’i besojnë njëri-tjetrit dhe të vlerësojnë ndershmërinë. Një eksperiment i “portofolit të humbur” në vitin 2022, testoi ndershmërinë e qytetarëve duke hedhur 192 kuleta në 16 qytete në mbarë botën. Në Helsinki, 11 nga 12 kuletat iu kthyen pronarit. Njerëzit mund të rrisin besimin e komunitetit duke pyetur veten:“Si mund të sillem që komuniteti im të krijojë më shumë besim tek unë? Si mund të mbështes politikat që ndërtohen mbi këtë besim?”. Besim krijojnë edhe akte mirësjellje shumë të thjeshta, siç ështëhapja e dyerve për të huajt apo lirimi i vendit në tren për dikë që është më i moshuar apo që ka fëmijë. / “Psychology Today” – Bota.al

Lajmet

Ndalohet një person në Prishtinë për keqpërdorim detyre, ryshfet dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se pas hetimeve disamujore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar për 48 orë personin me inicialet N.A., i dyshuar për disa vepra të rënda penale.

Arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. Sipas të dhënave fillestare të hetimit, i ndaluari dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka zbuluar informacione zyrtare për prona të caktuara te persona të paautorizuar në këmbim të ryshfetit, me qëllim tjetërsimin e tyre.

Nga organet e ndjekjes bëjnë të ditur se pronat e përfshira në këtë skemë dyshohet se kapin vlera mjaft të mëdha financiare.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, dhe do të vazhdojë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në komunikaten e Prokuroris Speciale

Continue Reading

Lajmet

Tensione dhe përplasje me policinë në protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë

Published

on

By

Studentë, gjimnazistë dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur këtë të martë para ambienteve të Ministrisë së Arsimit në Tiranë, në një protestë të njoftuar prej ditësh për të ngritur zërin kundër problematikave që prekin arsimin dhe të rinjtë.

Protesta e nisur rreth orës 14:00 ka përshkallëzuar me shpejtësi në tensione. Protestuesit kanë gjuajtur godinën e ministrisë me vezë, bojë të kuqe, gurë, sende të forta dhe kapsolla. Gjatë përplasjeve, disa prej tyre kanë shkulur kangjellat mbrojtëse të rrugës dhe kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e brendshme të institucionit.

Për të shpërndarë turmën, forcat e policisë kanë ndërhyrë me ujë dhe gaz lotësjellës, ndërsa gjatë përplasjeve fizike disa nga protestuesit janë shoqëruar në komisariat. Në terren janë angazhuar dhjetëra efektivë shtesë për të marrë nën kontroll situatën.

Tubimi i organizuar përmes rrjeteve sociale vjen me kërkesën për plotësimin e gjashtë pikave që lidhen me ngritjen e cilësisë në arsim dhe përmirësimin e kushteve për studentët. Përveç kërkesave arsimore, protestuesit kanë bërë thirrje politike duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, si dhe të kryeministrit Edi Rama.

Continue Reading

Lajmet

Prof. Dr. Bekim Marmullaku takohet me profesorin nga Universiteti i Norvegjisë Juglindore, Glenn Agung Hole, për mundësitë e bashkëpunimit akademik

Published

on

By

Udhëheqësi i Departamentit për Bashkëpunim në UBT, Prof. Dr. Bekim Marmullaku, priti në takim profesorin Glenn Agung Hole nga Universiteti i Norvegjisë Juglindore (University of South-Eastern Norway – USN), me të cilin diskutoi mundësitë e zhvillimit të bashkëpunimit akademik dhe kërkimor ndërmjet dy institucioneve.

Gjatë takimit u diskutua për potencialin e bashkëpunimit në fushat e sipërmarrësisë, ekonomisë institucionale, zhvillimit rajonal dhe sigurisë kombëtare, me theks të veçantë në rolin e universiteteve në zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Continue Reading

Lajmet

Inspektorati i Tregut mbyll një biznes në Zubin Potok dhe shqipton gjobë 6,000 euro

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndërmarrë masa ndaj disa subjekteve ekonomike gjatë inspektimeve të fundit në Komunën e Zubin Potokut, me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit dhe sigurisë në treg.

Gjatë këtij aksioni, inspektorët kanë mbyllur një biznes që ushtronte veprimtarinë pa u regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, si dhe kanë sekuestruar produkte që nuk kishin deklaracion të prejardhjes. Po ashtu, ndaj një subjekti tjetër ekonomik është shqiptuar gjobë prej 6,000 eurosh pasi u ka shërbyer pije alkoolike personave të mitur.

Nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut kanë bërë të ditur se këto masa janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe respektimin e legjislacionit në fuqi.

“IQMT u bën thirrje të gjitha subjekteve ekonomike që të sigurojnë regjistrimin e rregullt të veprimtarisë së tyre në ARBK, të tregtojnë vetëm produkte me dokumentacionin përkatës dhe të respektojnë të gjitha dispozitat ligjore që rregullojnë ushtrimin e veprimtarisë ekonomike. IQMT do të vazhdojë me inspektime dhe mbikëqyrje të rregullta në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe trajtimit të çdo shkeljeje që cenon të drejtat e konsumatorëve dhe sigurinë e tregut”, thuhet në njoftimin e ministrisë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara