Kuriozitete

Pse e kemi kaq të vështirë të shkojmë në Hënë, kur ne ishim atje 60 vjet më parë?

Misioni Apollo 4 rezultoi i suksesshëm më 1967.

Publikuar

Dy përpjekjet e para të lëshimit të anijes hapësinore “Artemis” dështuan. Dhe pas defektit më të fundit, një humbje e madhe e sasisë hidrogjenit të lëngshëm nga linja e furnizimit në pjesën qendrore të raketës, pritja për nisjen e këtij misioni mund të bëhet edhe më e gjatë.

Për shumë njerëz, duket e pashmangshme një pyetje: Pse sot ka kaq shumë probleme, nëse dikur shkuam në Hënë, me teknologji më primitive, dhe me një mision të ngritur në vetëm 9 vjet? E vërteta? Edhe në atë kohë pati probleme, sepse dërgimi i një anije kozmike në Hënë është shumë më i vështirë nga sa mund ta imagjinojmë.

Por në atë rast, dështimi (apo edhe vetëm vonesa) nuk ishte një opsion. Për të kuptuar klimën në të cilën u organizua misioni i parë amerikan për udhëtimi në Hënë, duhet të kujtojmë periudhën historike nga e cila lindi.

Ishte viti 1961, mesi i Luftës së Ftohtë, kur gara hapësinore kishte marrë një rëndësi simbolike strategjike. Presidenti Xhon Kenedi doli përpara Kongresit për të njoftuar se SHBA do të dërgonte njerëz në Hënë deri në fund të asaj dekade.

Sovjetikët e kishin fituar garën në 2 fazat e para të aventurës njerëzore në hapësirë. Ata kishin arritur të lëshonin satelitin e parë, Sputnik 1, në orbitën e Tokës në  vitin 1957. Po në prill të atij viti dërguan atje edhe astronautin e parë, Juri Gagarini.

Prandaj Shtetet e Bashkuara kishin nevojë për sukses të madh që të ishin në gjendje të  rikonfirmonin supremacinë e tyre teknologjike dhe ushtarake në sytë e botës, si ndaj rivalëve  sovjetikë po ashtu edhe para popullit amerikan. Prandaj, qëllimi i shpallur nga presidenti amerikan ishte i paprecedentë: të dërgonte një njeri në Hënë me një agjenci hapësinore të sapo-krijuar, dhe pa pasur ende gati teknologjitë për të dërguar astronautë në hapësirë.

Për të pasur sukses, NASA-s iu dha një fond prej 100 miliardë dollarësh me kursin e sotëm. Ai nisi zbatimin e njëkohshëm të 2 programeve. Misionin Binjakët, që do të zhvillonte aftësinë për fluturimin në hapësirë, dhe Misionin Apollo, që do të synonte të dërgonte  amerikanët në Hënë. Të dyja do të ishin të suksesshme, por jo pa probleme apo aksidente të mundshme.

Falë investimeve të mëdha NASA arriti të ndërtojë brenda 6 vitesh, pra në vitin 1967, moduli hënor Apollo. Ndërkohë ishte gati për t’u testuar raketa më e fuqishme e ndërtuar ndonjëherë, Saturn V. Por optimizmi i amerikanëve u zbeh shumë shpejt pas një incidenti që ndodhi gjatë testimi të modulit në orbitën e Tokës në shkurtin e vitit 1967.

Një muaj para nisjes, astronautët Virxhil Grizom, Eduard Uajt dhe Roxher Shafi hynë në kabinë për të kontrolluar procedurat e nisjes. Sapo mbyllën derën njëri prej tyre dha alarmin “Kemi zjarr në kabinë!”. Zjarri u ndez nga një shkëndijë e dalë nga një kabllo me defekt.

I ushqyer nga oksigjeni i pranishëm në kabinë, ai nuk u la asnjë rrugë shpëtimi 3 astronautëve, që mbetën të bllokuar brenda kabinës nga një derë e cila nuk ishte projektuar të hapej me shpejtësi në rast aksidenti. Por ai aksident tragjik i “Apollo 1” nuk e ndaloi programin hapësinor amerikan.

Moduli u ri–projektua e para për të ofruar më shumë siguri për astronautët. Edhe testet e mëvonshme pësuan vonesa të mëdha. Por ato synonin që të shmangin incidentet serioze.

Në fakt, testi i parë i Saturn V, ose misioni Apollo 4, rezultoi i suksesshëm.

Lëshimi pa pilot ndodhi në nëntor 1967, gati 1 vit pas datës së planifikuar në fillim, dhe vetëm pasi inxhinierët e NASA-s arritën të zgjidhnin mbi 1400 probleme të ndryshme teknike që lindën gjatë një inspektimi të urdhëruar nga agjencia pas aksidentit të Misionit Apollo 1.

Pavarësisht problemeve, brenda 6 vjetësh NASA ia doli të projektojë dhe ndërtojë nga e para raketën Saturn V, anija kozmike më e fuqishme e zhvilluar ndonjëherë përpara Sistemit të ri të Udhëtimit në Hapësirë, që do të testohet në misionin Artemis 1, dhe për të cilin u deshën 10 vjet punë.

Një arritje historike, që ndodhi në një periudhë kur eksplorimi i hapësirës ishte ende një aktivitet shumë pionier, dhe kur jetët e astronautëve (dhe të tjerëve) vareshin vazhdimisht në fije të perit. Mos harroni numrin e aksidenteve që ndodhën gjatë fluturimit historik të Apollo 11.

Astronautët Armstrong dhe Aldrin u ulën në Hënë me një sinjal gabimi që pulsonte vazhdimisht (sinjalizonte një mbingarkesë të sistemit kompjuterit) dhe që kërcënonte të ri–formatonte kompjuterin në bordin e modulit hënor. Po ashtu ulja u bë në një zonë të ndryshme nga ajo e parashikuar në stërvitje, teksa furnizimet me karburant po mbaronin rrezikshëm.

Një aventurë që sot nuk do të ishte më e imagjinueshme. Prandaj lëshimi i Artemis 1, duket se do të zgjasë shumë më gjatë sesa duhet. Në këtë mision do të testohet pasardhësi i Saturn V, Sistemi i Nisjes Hapësinore, me një kapacitet shtytës 15 për qind më të madh, dhe që është projektuar për t’u përdorur edhe në misionet e ardhshme për në planetin e kuq, Mars. / Wired – Bota.al

Kuriozitete

Si ndodhi klonimi i qengjit Dolly?

Shkenca e paraqiti Dollyn si arritjen të vitit.

Publikuar

nga

Shkencëtarët skocezë më 22 shkurt të vitit 1997, njoftuan klonimin e suksesshëm të një qengji, Dolly, me kontributin e tre deleve nëna, një me vezë , tjetra me ADN-në, dhe e treta kishte mbajtur në fetus embrionin e klonuar.

Shkenca e paraqiti Dollyn si arritjen të vitit. Dolly jetoi në Institutin Roslin në Edinburg, Skoci, madje lindi edhe gjashtë qengja.

Dolly u prek nga artriti dhe më 14 shkurt 2003 u vu në gjumë për vdekje për shkak të sëmundjes progresive të mushkërive. Klonimi i gjitarëve (grupim qeniesh ku bën pjesë edhe njeriu) është provuar tejet joefikas. Dolly ishte e vetmja mes 277 përpjekjeve që mbijetoi dhe arriti deri në atë moshë 6 vjeç, edhe pse në vitin 2014 shkencëtarët kinezë raportuan sukses në klonimin e derrave.

Shkencëtarët që klonuan Dollyn, shpallën në vitin 2007 se teknika e përdorur në rastin e Dollyt nuk mund të jetë e efektshme për klonimin e njeriut.

Vazhdo të lexosh

Kuriozitete

Pesë fakte interesante rreth Diellit

Dielli ka një moshë mesatare, astronomët besojnë të jetë formuar 4.59 miliardë vjet më parë. Në pesë miliardë vjet do të hyjë në fazën e Gjigantit të Kuq.

Publikuar

nga

Dielli është afro 25 mijë vite dritë larg nga qendra e galaktikës tonë “Udha e Qumështit”.

Dielli ka një moshë mesatare, astronomët besojnë të jetë formuar 4.59 miliardë vjet më parë. Në pesë miliardë vjet do të hyjë në fazën e Gjigantit të Kuq.

Dielli prodhon një sasi enorme të energjisë për të nxehur sistemin tonë diellor. Çdo sekondë rreth 700 milionë ton të Hidrogjenit shndërrohen në Helium, me procesin kimik të Fusionit Nuklear.

Dielli përbëhet nga 72% hidrogjen dhe 26% helium, dhe disa elemente të tjera në gjurmë. Kjo masë e dendur përbën rreth 99% të tërë masës në sistemin tonë diellor.

Nëse dielli do të shuhej, brenda një jave temperatura e tokës do të bëhej -18  ̊C. Për një vjet do të bëhej -73  ̊C, ndërsa brenda disa milionë viteve do të stabilizohej në -240  ̊C./UBTNews/

 

Vazhdo të lexosh

Kuriozitete

Një nga fenomenet më të mahnitshme të natyrës

Shkaku i kësaj shfaqje të pabesueshme është një proces kimik që ndodhë në ujë.

Publikuar

nga

“Vala luminoze” në Maldive është një nga fenomenet më të mahnitshme të natyrës. Oqeani shndritë me një hije të pastër kaltër dhe gjelbër. Ky fenomen i mahnitshëm njihet si “vala luminoze”.

Shkaku i kësaj shfaqje të pabesueshme është një proces kimik që ndodhë në ujë. Organizmat mikroskopikë, si planktoni dhe bakteret, shkaktojnë një reaksion kimik kur lëvizin në ujë. Këto organizma shkaktojnë një efekt bioluminescent, duke shkaktuar dritë në ujë kur janë të shqetësuar ose të përzier me ujin.

Për vizitorët që kanë fatin të shohin këtë shfaqje të mrekullueshme, ajo ofron një përvojë të pazakontë dhe të mahnitshme. Në këtë spektakël të natyrës, oqeani bëhet si një qiell me yje, duke e bërë atë një destinacion të veçantë për të eksploruar bukuritë dhe misteret e botës nën ujë./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Kuriozitete

Sahara – shkretëtira më e madhe dhe e nxehtë në botë

Studimet thonë se është e vjetër mbi 4 milionë e 600 mijë vjet.

Publikuar

nga

Sahara një shkretëtirë unike në botë, si për nga madhësia e saj ashtu edhe për ekosistemin që është krijuar në të. Ajo llogaritet të jetë 9 milionë e 200 mijë kilometra katrorë, që nënkupton përafërsisht sa sipërfaqja e Kinës.

Shtrihet në dhjetë shtete Algjeri, Çadi, Egjipt, Libi, Mali, Mauritani, Marok, Nigeri, Sudan dhe Tunizi. Studimet thonë se është e vjetër mbi 4 milionë e 600 mijë vjet. Temperaturat shkojnë mbi 55  ̊c, madje në raste edhe më shumë.

Sahara është nje nga shkretëtirat më të thata në botë dhe ka një numër të ulët të rreshjeve vjetore. Rreshjet në këtë shkretëtirë gjithashtu janë të parregullta. Në disa pjesë të shkretëtires dhe kryesisht në pjesën e Libisë,Egjiptit dhe Sudanit ka dekada qe nuk jane parë me rreshje të shumta shiu dhe këto vende mbajnë rekord kryesor për sasinë më të ulët shiu në botë rreth 10 mm shi. Disa herë dhe për shkak të nxehtësise së madhe në shkretëtirë shiu avullon dhe para se të bjeri. Mesatarisht bie shi rreth 10 ose 15 ditë në vite por ka edhe vende në të cilat bie vetëm 5 ditë në vit./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara