Lajmet

Protestojnë infermierët që ishin punësuar për nevoja të pandemisë, MSh-ja nuk ua vazhdon kontratat

Kjo sepse atyre nuk do t’iu vazhdohet kontrata nga Ministria e Shëndetësisë.

Published

on

Rreth 360 infermierë që ishin punësuar për nevoja të pandemisë, kanë protestuar para Klinikës Infektive. Atyre nuk do t’iu vazhdohet kontrata nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministria vitin e kaluar kishte punësuar rreth 360 infermierë për stafin mjekësor të spitaleve dhe klinikave Covid.

Infermierja Arlinda Hadri, tha se nuk ka qenë e drejtë mosvazhdimi i kontratës pasi sipas saj, kanë qenë pranë pacientëve në ditët më të vështira.

“Nuk kemi marrë shtesa asnjëherë duke pasur parasysh se kjo ishte një situatë e vështirë dhe kurrë nuk ju kemi bërë presion, ne nuk kërkojmë asgjë përveç vazhdimit të kontratave ashtu siç patën nevojë për neve”.

“Na erdh një e-mail që nuk ka fonde për me ju vazhduar kontrata. 422 infermierë të rijnë janë punësuar e si ka mundësi që për ata pat fonde e për neve jo, qysh munden me na siguruar që kanë me na punësuar. Nuk mu ka dok mënyra e drejtë e lajmërimit”, tha ajo.

Tutje ajo tha se me këto paga  kanë ushqyer familjarët e tyre, duke shtuar se protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave.

Fitim Havolli, nga Sindikata e Infermierëve tha se ka dalë në përkrahje të këtyre infermierëve pasi sipas tij, është e padrejtë ajo që po u bëhet këtyre punëtorëve shëndetësorë, raporton EO.

“Këta kanë qenë një ndihmë e madhe për të gjithë klinikat sidomos me gjendjen pandemike, këta në moshë shumë të re qëndruan afër dhe na ndihmuan”, tha Havolli.

Në këtë protestë u.d i drejtorit të Klinikës Infektive Arben Vishaj, shkurtimisht u tha infermierëve që të mos bien pre e interesave personale, por që të mbrojnë drejtat e tyre, pasi sipas tij, puna e tyre ka qenë e shenjtë dhe shumë me vlerë.

Infermierët ishin financuar përmes një kredie të Bankës Botërore, si pjesë e projektit emergjent për menaxhimin e pandemisë në Kosovë.

Infermierët ishin punësuar me kontrata për gjashtë muaj.

Lajmet

Ligjvënës amerikanë nuk e duan Beogradin si mikpritës të sesionit të OSBE-së

Published

on

Një grup dypartiak ligjvënësish amerikanë nisën të martën një iniciativë për të zhvendosur sesionin vjetor të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për vitin 2027 nga Beogradi në Charleston, Karolinën e Jugut.

Ligjvënësi republikan Joe Wilson do të paraqesë një rezolutë të përbashkët në Kongres, të mbështetur nga 40 bashkënënshkrues, duke bërë thirrje që Charleston të jetë pritës i sesionit. Megjithatë, oferta e Beogradit për këtë pozicion mbështetet nga disa republikanë me ndikim.

Charleston dhe Beogradi janë kandidatë për të pritur sesionin vjetor të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, e cila bashkon delegatë parlamentarë nga 57 shtete anëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe disa vende të Azisë Qendrore. Organizata ka qenë kryesisht e shqetësuar vitet e fundit me pasojat e pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Ndërsa të dyja palët përmendin arsye logjistike dhe organizative për mbështetjen e kandidatit të tyre, mosmarrëveshja është në fakt një pasqyrim i një debati më të gjerë në Uashington mbi marrëdhëniet me Serbinë, e cila mban lidhje të ngushta si me Moskën ashtu edhe me administratën e presidentit Donald Trump, raporton Reuters.

Disa nga anëtarët e Kongresit Amerikan besojnë se Uashingtoni duhet të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj Beogradit për shkak të lidhjeve të forta ekonomike dhe energjetike të Serbisë me Rusinë dhe refuzimit të saj për t’u bashkuar me sanksionet perëndimore kundër Moskës.

Të tjerë, nga ana tjetër, theksojnë se bashkëpunimi me qeverinë serbe duhet të vazhdojë në mënyrë që vendi, i cili dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, të harmonizohet gradualisht me Perëndimin.

Wilson, i cili është bashkëkryetar i Komisionit të Helsinkit të Kongresit Amerikan, tha se mbajtja e seancës në Charleston do të tregonte angazhimin e SHBA-së ndaj OSBE-së dhe anëtarëve të saj.

Ai gjithashtu kritikoi Serbinë për qëndrimin e saj ndaj Kosovës, pavarësia e së cilës u njoh nga Uashingtoni, ndërsa Beogradi ende e ka bërë një gjë të tillë.

Midis bashkë-nënshkruesve të rezolutës është William Keating, demokrati kryesor në nënkomisionin evropian të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

Keating tha se seanca vjetore duhet të mbahet në SHBA në mënyrë që të theksohet roli i rëndësishëm i Uashingtonit në institucionet shumëpalëshe.

Wilson vuri në dukje se oferta e Charleston kundërshtohet nga senatori republikan Roger Wicker, kryetar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit dhe senatori kryesor në Komisionin e Helsinkit.

Sipas Wilson, Wicker besonte se Kongresi mund të mos miratonte paratë për të mbajtur tubimin në Charleston, por Wilson e hodhi poshtë këtë vlerësim.

Nuk është e qartë nëse Kongresi do ta diskutojë fare rezolutën, sepse pas pak ditësh përfaqësuesit do të shkojnë në pushime verore që do të zgjasin deri në shtator./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti: Zgjedhja e presidentit tejkalon një parti të vetme, përgjegjësi e të gjitha subjekteve

Published

on

By

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se përgjegjësia për formimin e institucioneve të reja dhe zgjedhjen e presidentit u takon të gjitha subjekteve politike, sipas besimit që u ka dhënë populli.

Kurti e ka mirëpritur caktimin e datës 6 gusht për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit, duke theksuar se tashmë ka mbetur një periudhë e shkurtër deri te fillimi i procesit të konstituimit dhe më pas formimit të Qeverisë së re.

Ai nërmend se ndërsa për legjislaturën e re mjafton një shumicë e thjeshtë, zgjedhja e kreut të shtetit kërkon një pjesëmarrje më të gjerë parlamentare.

“Për presidentin ose presidenten, në dy raundet e para, për shkak të një aktgjykimi të Kushtetueses kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve, andaj edhe përgjegjësia për zgjedhjen e tij ose saj e tejkalon një parti politike”, ka potencuar Kurti. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Shpend Ahmeti dënohet me dy vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ish-kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, lidhur me akuzat për mosdeklarim të saktë të pasurisë, duke e dënuar me dy vjet burgim dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh.

Siç raporton Betimi për Drejtësi, aktgjykimi u shpall të premten nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Leon Perllaska. Sipas vendimit, dënimi me burgim do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë, ndërsa gjoba financiare duhet të shlyhet brenda një afati prej tre muajsh nga plotfuqishmëria e tij.

Përveç dënimit kryesor, Ahmeti është obliguar të mbulojë edhe shpenzimet e procedurës gjyqësore prej 100 eurosh për paushallin gjyqësor, si dhe 100 euro të tjera për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Nga ana tjetër, trupi gjykues ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Speciale për konfiskimin e pasurisë së padeklaruar, e cila kapte vlerën e 172 mijë e 600 eurove. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Merz riorganizon kabinetin para zgjedhjeve rajonale në Gjermani

Published

on

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka njoftuar një riorganizim të madh të kabinetit qeveritar, përpara një serie zgjedhjesh të rëndësishme rajonale në Gjermani.

Ky veprim vjen në një kohë kur qeveria e tij po përballet me rënie të mbështetjes në sondazhe dhe rritje të përkrahjes për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), ndërsa vendi i afrohet zgjedhjeve në Berlin, Saksoni-Anhalt dhe Mecklenburg-Vorpommern.

Sipas ndryshimeve të paralajmëruara, Carsten Linnemann do të marrë detyrën e ministrit të Shëndetësisë, duke zëvendësuar Nina Warken, e cila do të emërohet shefe e Kancelarisë në vend të Thorsten Frei.

Ndërkohë, Frei ishte emëruar si kreu i ardhshëm i grupit parlamentar të Unionit pas dorëheqjes së Jens Spahn, i cili u përfshi në polemika pasi ai dhe bashkëshorti i tij u bënë prindër përmes një nëne zëvendësuese në Shtetet e Bashkuara, praktikë që është e ndaluar në Gjermani.

Sipas raportimeve të gazetës gjermane Bild, ministri i Transportit, Patrick Schnieder, pritet gjithashtu të largohet nga detyra, ndërsa deputeti Fritz Güntzler po konsiderohet si pasardhësi i tij.

Merz pritet të paraqesë detaje të tjera mbi riorganizimin e kabinetit gjatë ditës së nesërme, ndërsa nuk përjashtohen edhe ndryshime të tjera në përbërjen e qeverisë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara