Muzikologjia dhe etnomuzikologjia tashmë kanë një vepër të re, pas promovimit të librit: “200 Këngë nga Opusi Muzikor i Kantautorit Ilir Shaqiri”, nga autori dhe profesori i UBT-së, Prof. Ass. Dr. Korab Shaqiri.
Në këtë promovim, pjesëmarrës të së cilit ishin figura publike, kompozitorë dhe autorë, profesorë, studentë, si dhe pjesëmarrës të tjerë, u prezantua libri i cili me vete sjell tekstet dhe kreativitetin e kompozitorëve dhe autorëve që punuan së bashku me Ilir Shaqirin, një kolos të këngës së mirëfilltë shqipe.
Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi ka thënë se përmes kësaj vepre, autori i librit, Korab Shaqiri, ka dhënë një kontribut të çmuar në aspektin akademik dhe profesional, duke iu ndihmuar shumë studiuesve të muzikës për të ardhmen.
“Është kënaqësi që sot promovojmë një libër të profesorit tonë, Korab Shaqiri, një libër i cili përmbledh një veprimtari të gjerë të të nderuarit Ilir Shaqiri. Është kënaqësi se ne këtë promovim po e bëjmë në qendrën tonë të dijes, qendër kjo me konceptin e menaxhimit të dijes, pra me idenë që të përmblidhen veprat, të përpunohen, të kurohen, të menaxhohen dhe të ruhen me vite të tëra, sepse mendoj se ka shumë vlera, kontribute, por që shpesh nuk i kemi të dukshme”, ka thënë rektori Hajrizi.
Redaktori letrar i librit “200 Këngë nga Opusi Muzikor i Kantautorit Ilir Shaqiri”, Arben Veselaj, ka vlerësuar lartë këtë libër, duke thënë se autori i këtij libri me përmbledhjen e 200 këngëve brenda një opusi ka ofruar një antologji të veçantë të poezisë.
“Kur e kam lexuar për herë të parë materialin e përzgjedhur nga Korab Shaqiri me 200 tekste të këngëve të Ilir Shaqirit vetëm atëherë e kam kuptuar se sa e thellë dhe sa e gjerë është krijimtaria e artistit tonë. I përmbushur çdo herë me anën muzikore të artit të tij, më duhet ta pranoj se jo shumë shpesh kisha vrarë mendjen se duhet bërë një analizë tekstuale të kësaj krijimtarie”, ka thënë Veselaj.
Profesoresha në Fakultetin e Muzikës Moderne, Prodhim Digjital dhe Menaxhment në UBT, Kristina Përkola, ka vlerësuar lartë librin e autorit Korab Shaqiri, duke thënë se një libër i tillë i ka munguar muzikologjisë.
“Muzikologjisë dhe etnomuzikologjisë tonë si drejtime relativisht të reja tek ne i kanë munguar dhe vazhdojnë ti mungojnë botimet, monografitë, apo edhe përmbledhjet e veprave muzikore të klasifikuara, qoftë sipas zhanreve, formave, përmbajtjes apo autorëve. Prandaj dalja në dritë e librit ‘200 Këngë nga Opusi Muzikor i Kantautorit Ilir Shaqiri’, paraqet disa momente të rëndësishme për muzikologjinë shqiptare, veçanërisht atë të Kosovës”, ka thënë profesoresha Përkola.
Përgjegjësi për botime i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Sevdail Demiri, para të pranishmëve tha se kjo vepër është një thesar i çmuar i trashëgimisë shqiptare, të përmbledhura në librin me tekst dhe nota muzikore që janë vet historia e shqiptarit ndër shekuj.
“Padyshim kjo vepër përbën një nga thesaret më të çmuara të trashëgimisë tonë kulturore-artistike në rrafsh kombëtar e cila sublimohet në veprimtarinë e bujshme prej disa dekadave të mjeshtrit të madh të këngës shqipe, Ilir Shaqiri”, ka thënë përgjegjësi për botime i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Sevdail Demiri.
E nën emocion, autori i librit, njëherit profesori i UBT-së, Prof. Ass. Dr. Korab Shaqiri, ka thënë se ky libër do t’iu shërbejë muzikantëve jo vetëm vendorë por edhe ndërkombëtarë, për të njohur këtë lloj krijimtarie letrare e muzikore që është krijuar në një kohë shumë të rëndësishme për vendin tonë.
“Duke punuar në këtë libër, kujtesa më kthente në vitet e mia të fëmijërisë, kur babai im më merrte në prehër, pranë një pianoje të vjetër në banesën tonë të ngushtë në Prishtinë. Idetë dhe motivet e atyre këngëve së pari tingëllonin aty, për t’u shpërndarë më vonë gjithandej audiencës ku jetojnë shqiptarët. Dhe s’kisha si ta imagjinoja, nuk mund ta dija unë, se pas shumë vitesh ato krijime do të bëheshin subjekt i admirueshëm studimi për mua. Ky ritual domethënës, do të praktikohej shpesh në banesën tonë, deri atëherë kur këmbët e mia të vogla u zgjatën për të arritur pedalet e pianos”, ka thënë autori i librit “200 Këngë nga Opusi Muzikor i Kantautorit Ilir Shaqiri”, Korab Shaqiri.
Kantautori Ilir Shaqiri, ka thënë se ndihet i nderuar me rastin e promovimit të këtij libri, dhe se me këtë libër përpos këngëve po vihen në pah edhe ata që i kanë krijuar ato, duke përfshirë autorët e poezisë, muzikës, e orkestracionit.
“Të gjitha këngët në këtë libër kanë autorët e tyre, të poezisë, të muzikës, të orkestracionit, si dhe vitin se kur janë realizuar ato. Brenda gjithë këtyre viteve, që nga viti 1983 deri në ditët e sotme, duke u evidentuar të gjithë këto, autorët dhe viti se kur janë realizuar këto këngë, përmes tekstit dhe melodisë ne do të arrijmë të njohim atë periudhë jo të lehtë për vendin tonë, por që sot na jepet mundësia që shumë gjëra të asaj kohe dhe asaj periudhe t’i kemi t’i trajtojmë dhe t’i përurojmë sot, siç po përurojmë në universitetin tuaj”, ka thënë kantautori, Ilir Shaqiri.
Me këtë libër, autori Korab Shaqiri, përmbajtjen e këngëve të kantautorit Ilir Shaqiri, në një tregim të gjatë me vëmendje rreth ideve dhe idealeve të këngëve të realizuara asokohe, në një krijimtari unike me gjuhë universale muzikore.
Në kuadër të EOQ Congress 2026, në Kosovë u mbajt gala mbramja, e cila shënoi tri përvjetorë të rëndësishëm: 70-vjetorin e European Organization for Quality (EOQ), 25-vjetorin e UBT-së dhe 20-vjetorin e Quality Kosova. Mbrëmja mblodhi përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar të cilësisë, liderë akademikë dhe partnerë institucionalë, duke vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit, inovacionit dhe zhvillimit të kulturës së cilësisë.
Fjalën e rastit e mbajti fillimisht Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Rektor i UBT-së, President i Quality Kosova dhe Zëvendëspresident i EOQ-së, i cili theksoi rëndësinë e rrugëtimit 25-vjeçar të UBT-së dhe kontributin 20-vjeçar të Quality Kosova në zhvillimin e sistemeve të cilësisë, krijimin e vlerës dhe ndërtimin e së ardhmes.
Më pas, të pranishmëve iu drejtua Prof. Dr. Paulo Sampaio, President i European Organization for Quality (EOQ), i cili vuri në pah rëndësinë e shënimit të 70-vjetorit të organizatës dhe rolin e saj në zhvillimin e komunitetit global të cilësisë.
Programi festiv vijoi me një performancë të valleve tradicionale shqiptare, duke sjellë para të ftuarve kulturën, traditat dhe identitetin e Kosovës. Kjo pjesë i dha mbrëmjes një dimension të veçantë kulturor, duke ndërthurur rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar me pasurinë e trashëgimisë kulturore vendore.
Një nga momentet e rëndësishme të mbrëmjes ishte ndarja e çmimeve dhe mirënjohjeve për liderët evropianë të cilësisë, si dhe vlerësimi i partnerëve strategjikë të UBT-së dhe EOQ-së për kontributin e tyre në avancimin e cilësisë dhe forcimin e bashkëpunimit institucional.
Punimet e ditës së dytë të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), që po mbahet për herë të parë në Kosovë, kanë nisur me prezantimin kryesor të Prof. Dr. Edmond Hajrizit, themelues dhe Rektor i UBT-së, President i Quality Kosova dhe Zëvendëspresident i EOQ-së.
Rektori Hajrizi po sjell në vëmendje një perspektivë strategjike mbi të ardhmen e cilësisë, duke e trajtuar atë përtej standardeve tradicionale dhe certifikimit, si një element thelbësor për zhvillimin e sistemeve moderne, inovacionin dhe transformimin institucional.
Në një kohë kur Inteligjenca Artificiale dhe teknologjitë e reja po ndryshojnë mënyrën se si funksionojnë organizatat dhe institucionet, prezantimi i Rektorit Hajrizi vë në pah rëndësinë e ndërlidhjes së teknologjisë me besimin, përgjegjësinë dhe vlerat njerëzore, si parakushte për një zhvillim të qëndrueshëm.
Përmes këtij prezantimi, Kongresi i 67-të i EOQ-së vazhdon të krijojë hapësirë për shkëmbimin e ideve dhe përvojave ndërkombëtare, duke vendosur në qendër sfidat dhe mundësitë që përcaktojnë të ardhmen e cilësisë në epokën e Inteligjencës Artificiale.
Kongresi po mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, duke bashkuar ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë për të diskutuar mbi cilësinë, inovacionin, qëndrueshmërinë dhe besimin në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar.
Për herë të parë, Kosova është bërë qendra e komunitetit evropian të cilësisë, duke mirëpritur në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së Kongresin e 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi. Ky organizim madhor shënon një moment historik për vendin dhe dëshmon angazhimin e UBT-së në fuqizimin e bashkëpunimit evropian dhe zhvillimin e inovacionit.
Në kuadër të këtij kongresi prestigjioz, punimet kanë vazhduar me sesione të rëndësishme në sallën e koncerteve, ku u zhvilluan prezantime kyçe përmes lidhjeve online me ekspertë të njohur ndërkombëtarisht.
Një nga pikat më kulmore të këtij sesioni ishte kontributi i znj. Fatema Z. Sumar, nga Qendra për Zhvillim Ndërkombëtar në Universitetin e Harvardit (Harvard Center for International Development).
Në fjalën e saj me titull “Institucionet cilësore, zhvillimi ekonomik dhe prosperiteti i qëndrueshëm”, znj. Sumar solli një analizë të thelluar mbi rolin e pazëvendësueshëm që luajnë strukturat e besueshme institucionale në nxitjen e rritjes ekonomike afatgjatë. Ajo shtjelloi se si standardet e larta të cilësisë dhe qeverisja e mirë janë çelësi për të krijuar një ekonomi të qëndrueshme, duke ofruar shembuj dhe praktika ndërkombëtare të zbatuara në vendet në zhvillim.
Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ Congress 2026), në UBT u mbajt sesioni “Inteligjenca Artificiale, Transformimi Digjital dhe Cilësia 5.0”, i moderuar nga Prof. Dr. Blerton Abazi.
Ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të akademisë e industrisë diskutuan mbi ndikimin e inteligjencës artificiale, sistemeve inteligjente dhe transformimit digjital në zhvillimin e modeleve të reja të menaxhimit të cilësisë, duke trajtuar gjithashtu rëndësinë e qëndrueshmërisë, inovacionit dhe besueshmërisë së të dhënave.
Gjatë sesionit, u prezantuan këto tema:
Prof. Dr. Galia Marinova, Universiteti Teknik i Sofjes – “Transformimi digjital, sistemet inteligjente dhe Cilësia 5.0”.
Prof. Henriqueta Sampaio da Novoa dhe Fatima Carneiro – “Integrimi i strategjisë ESG me përsosmërinë operacionale: Një kornizë e integruar për menaxhimin e cilësisë të qëndrueshëm, rezistent dhe të fuqizuar nga inteligjenca artificiale”.
Mina Gavrilova, menaxhere e lartë e cilësisë në Huvepharma, dhe David Isaacson, nënkryetar i marketingut të produkteve në Octave – “Avancimi i menaxhimit të cilësisë në organizatë: Si ka nxitur Huvepharma cilësinë dhe inovacionin për ndikim më të madh në biznes”.
Prof. Dr. Bertan Karahoda, UBT – “Cilësia në shkallë globale: Inteligjenca artificiale, aftësitë dhe e ardhmja e të nxënit global”.
Prof. Dr. Blerton Abazi, UBT – “Sigurimi i cilësisë së inteligjencës artificiale, cilësia e të dhënave dhe sistemet inteligjente të besueshme”.
Përmes këtyre kontributeve, sesioni vuri në pah rëndësinë e ndërthurjes së inteligjencës artificiale me standardet e cilësisë, zhvillimin e aftësive dhe inovacionin organizativ.
Diskutimet theksuan se transformimi digjital dhe qasja e Cilësisë 5.0 krijojnë mundësi të reja për ndërtimin e sistemeve më efikase, të qëndrueshme dhe të besueshme në arsim, industri dhe sektorë të tjerë të ekonomisë.