Lajmet

Gjykata cakton një muaj paraburgim për policin e dyshuar për spiunazh

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masë paraburgimi prej një muaji për policin e ndaluar një ditë më parë, Bojan Jevtiq, nën dyshimet për kryerje të veprave penale si spiunazhi dhe armëmbajtja pa leje.

“Gjykata vlerësoi se nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë si dhe mund të përsërisë veprën e njëjtë penale, ose mund të kryejë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda” është thënë në njoftimin e gjykatës.

Prokuroria ka thënë se Jevtiq ka qenë i angazhuar në pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikëkalimin kufitar “Dheu i Bardhë”.

Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu ka thënë para mediave se pas aksionit të kryer një ditë më parë në Komunën e Kamenicës, në shtëpinë e Jevtiqit dhe objekte tjera, janë gjetur prova materiale dhe personale, çka vërtetojnë se i dyshuari është duke u marrë me aktivitet të kundërligjshëm.

Përmes një komunikate të lëshuar nga Prokuroria më 17 korrik, është thënë se janë sekuestruar këto prova materiale: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtër pa autorizin, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë dinarë serbë [17.072 euro], 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore.

Millosh Nikolliq, mbrojtësi i Jevtiqit, ka thënë pas përfundimit të seancës që ka kërkuar mbrojtje në liri të klientit të tij dhe ka ofruar garanci financiare.

“Bojan Jevtiq është pjesëtar i Policisë së Kosovës, është në shërbim që nga viti 2002. Sot i kemi paraqitur argumentet në favor të tij sa i përket kërkesës për caktimin e paraburgimit. Kjo ka të bëjë me faktin se ai do të jetë i qasshëm për organet deri në përfundim të procedurës, dhe se do t’i përgjigjet çdo thirrjeje. Dhe në këtë qëllim kemi ofruar masën e garancisë në shumën prej 15.000 eurosh. Pra, ai do të bashkëpunojë me organet. Vendimi për paraburgimin ende nuk është marrë. Do të merret për dy orë, për çka do t’ju njoftojmë”, ka thënë ai për mediat pas mbajtjes së seancës.

Më herët, pothuajse të gjithë personat e arrestuar për sulmin ndaj KFOR-it, në fund të majit të vitit 2023, janë liruar për t’u mbrojtur në liri, pas pranimit të fajësisë dhe pagesës financiare si garanci.

Lubisha Jevtiq, vëllai i policit të ndaluar, ka thënë të premten para gjykatës se ai është ndaluar “pa asnjë bazë ligjore”.

“Është njeri i ndershëm dhe e ka kryer punën e tij me përkushtim. Është baba i tre fëmijëve të mitur, të cilët i ka mbajtur me atë pagë. Ka punuar në Policinë e Kosovës për 23 vjet pa asnjë njollë në karrierën e tij, pa asnjë shkelje. Besoj se ndaj tij nuk do të zhvillohet fare procedurë dhe se do të lirohet”, ka thënë ai pas seancës.

Pas aksionit të 17 korrikut, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se “po çmontohen me sukses rrjetet e spiunazhit në Kosovë”.

Sipas tij, “ky është i arrestuari i gjashtë me radhë për rastet e spiunazhit në Kosovë”.

Së voni, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

Në qershor, gjykata në Prishtinë dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).

Momentalisht, dy të dyshuar, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, po gjykohen për spiunazh për Serbinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat se kishin dhënë informacione tek BIA serbe për disa institucione të sigurisë në Kosovë, për UÇK-në dhe masakrën e Reçakut.

Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor.

Ekspertët kanë thënë se spiunazhi është kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm sa nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm.

Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin brendapërbrenda, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare./REL

 

Lajmet

Trashëgimia kulturore e Kosovës pasurohet me 13 asete të reja nën mbrojtje të përkohshme

Published

on

By

Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme në Kosovë është pasuruar me 13 asete të reja, pas një njoftimi të bërë nga Ministria e Kulturës dhe Turizimit. Kjo listë përfshin një gamë të gjerë lokacionesh, nga lokalitetet arkeologjike dhe kalatë, deri te kullat, shtëpitë historike si dhe komplekset industriale e familjare që dëshmojnë periudha të ndryshme historike në vend.

Në mesin e objekteve dhe lokaliteteve të reja të përfshira në mbrojtje janë kompleksi industrial i Tulltores në Prishtinë, Gjyteti i Gjyrgjedellit në Kaçanik, Kalaja e Dafinës në Rahovec, Kulla e Asllanit në Tërdec të Drenasit, shtëpia muze e Latif Berishës në Mitrovicë të Veriut, si dhe kompleksi i familjes Çollaku në Zym të Prizrenit.

Sipas Ministrisë së Kulturës, ky proces do të vazhdojë me identifikimin dhe vlerësimin e mëtutjeshëm të aseteve që bartin vlera të rëndësishme historike e kulturore, me synim përfshirjen e tyre në mekanizmat përkatës të mbrojtjes shtetërore. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Vrasja e Tupac Shakur: Duane “Keffe D” Davis pritet të dëgjojë sot dënimin

Published

on

Duane “Keffe D” Davis pritet të dëgjojë sot në Las Vegas dënimin për vrasjen e reperit të njohur Tupac Shakur, i cili u qëllua për vdekje në vitin 1996, në moshën 25-vjeçare.

Davis, 63 vjeç, u shpall fajtor për vrasje të shkallës së parë në gusht dhe përballet me mundësinë e burgimit të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht.

Tupac u qëllua më 7 shtator 1996, teksa ndodhej në një veturë BMW të zezë së bashku me producentin muzikor Marion “Suge” Knight. Një Cadillac i bardhë u ndal pranë tyre në një semafor, nga i cili u hap zjarr. Reperi ndërroi jetë gjashtë ditë më vonë, ndërsa Knight mbijetoi.

Vrasja mbeti e pazbardhur për shumë vite, derisa Davis, ish-udhëheqës i grupit South Side Compton Crips, foli publikisht për përfshirjen e tij në ngjarje.

Ai pretendoi se gjithçka kishte nisur pas një përleshjeje në Las Vegas, ku Tupac dhe shoqëruesit e tij kishin sulmuar nipin e tij. Davis pranoi se kishte qenë në sediljen e pasagjerit të Cadillac-ut dhe se kishte siguruar armën e përdorur në sulm.

Prokuroria u mbështet në deklaratat e tij të mëparshme, duke argumentuar se ai kishte organizuar vrasjen dhe kishte siguruar armën. Ndërkaq, mbrojtja kundërshtoi akuzat, duke vënë në pah mungesën e provave fizike dhe duke pretenduar se Davis kishte dhënë deklarata të rreme për përfitime financiare.

Pas shpalljes fajtor, Davis deklaroi se do ta apelonte vendimin.

Ai mbetet personi i vetëm i akuzuar dhe i dënuar për vrasjen e reperit. Në seancën e dënimit pritet të flasin edhe anëtarë të familjes së Tupac-ut, duke kujtuar reperin jo vetëm si artist me famë botërore, por edhe si djalë, vëlla dhe familjar të dashur./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Etiketat “shkruar nga njeriu”, nisma për të dalluar librat e krijuar pa inteligjencë artificiale

Published

on

Nismat për certifikimin e librave të shkruar nga njerëzit, pa përdorimin e inteligjencës artificiale (IA), po fitojnë gjithnjë e më shumë mbështetje, pas disa rasteve të bujshme ku autorë janë dyshuar se kanë përdorur këtë teknologji pa e deklaruar.

Disa sisteme certifikimi nga Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania u prezantuan këtë javë në Panairin e Librit në Frankfurt, një nga ngjarjet më të mëdha të industrisë botërore të librit, ku ndikimi i inteligjencës artificiale ishte ndër temat kryesore të diskutimit.

Një nga rastet që ka nxitur debat është ai i shkrimtarit haitiano-kanadez Thelyson Orelien, i akuzuar se kishte përdorur inteligjencën artificiale për të shkruar romanin e tij të parë, “It Was Either That or Die”. Ai i ka mohuar këto pretendime.

Charlotte Allibert, bashkëthemeluese e kompanisë franceze “Librinova”, e cila ofron shërbime për vetëbotimin e librave, e ka cilësuar rastin si një tronditje të madhe për industrinë franceze të librit.

“Librinova” u mundëson autorëve të paraqesin veprat e tyre për vlerësim dhe, kundrejt një tarife, të marrin etiketën “krijim njerëzor”. Deri më tani, rreth 200 vepra kanë marrë këtë certifikim. Procesi përfshin përdorimin e programeve për zbulimin e përmbajtjeve të krijuara nga IA-ja, si dhe një intervistë me auditorin, i cili e shqyrton veprën.

Në Britaninë e Madhe, kompania “Books By People” ka prezantuar certifikimin “letërsi organike”. Ky standard kërkon që teksti të jetë shkruar nga vetë autori, duke lejuar përdorim të kufizuar të inteligjencës artificiale për kontrolle drejtshkrimore dhe gramatikore.

Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, organizata “Authors Guild” ka krijuar një sistem vetëcertifikimi me etiketën “shkruar nga njeriu”, të cilën deri më tani e kanë marrë rreth 6 mijë e 500 tituj.

Shqetësimet për përdorimin e IA-së në letërsi janë shtuar edhe pas rastit të romanit horror “Shy Girl”, të autores Mia Ballard. Shtëpia botuese “Hachette” anuloi publikimin e tij në Shtetet e Bashkuara dhe e tërhoqi nga shitja në Britaninë e Madhe. Ballard mohoi se e kishte përdorur vetë këtë teknologji, por pranoi se një person i angazhuar për redaktimin e librit kishte përdorur inteligjencën artificiale.

Raste të tilla kanë shtuar shqetësimet në mesin e autorëve, veçanërisht të atyre që i botojnë vetë veprat, se mund të përballen me dyshime të padrejta për përdorimin e IA-së. Nismat e certifikimit synojnë të rrisin transparencën dhe të krijojnë standarde më të qarta për autorët, botuesit dhe lexuesit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Imazhe Migruese”, ekspozita personale e Bora Baboçit hapet në Prishtinë

Published

on

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës QAFA është hapur ekspozita personale e artistes Bora Baboçi, me titull “Imazhe Migruese”, e kuruar nga Erëmirë Krasniqi.

Përmes veprave të saj, ekspozita trajton mënyrën se si imazhet kalojnë nga një material në tjetrin, duke ndryshuar formën, kuptimin dhe mënyrën se si perceptohen. Ajo sjell në vëmendje rrugëtimin e motiveve ikonografike dhe kompozimeve artistike mes periudhave dhe konteksteve të ndryshme kulturore.

Ekspozita synon të nxisë reflektimin mbi transformimin e imazheve dhe kuptimet e reja që ato marrin gjatë këtij procesi.

“Imazhe Migruese” mund të vizitohet në Galerinë Kombëtare të Kosovës QAFA deri më 11 dhjetor 2026./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara