Lajmet

Profesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku, publikon studim shkencor mbi vlerësimin e cilësisë së ujërave në Kosovë

Published

on

Profesori i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrasktrukturës në UBT, Prof. Dr. Hazir S. Çadraku, në bashkëpunim me Prof. Dr. Arjan Beqiraj nga Polytechnic University of Tirana – Faculty of Geology and Mining, Department of Earth Sciences, ka publikuar punimin shkencor me titull “Application of Water Quality Index Methods for the Assessment of Water Quality in Kosovo, Review” në revistën ndërkombëtare Italian Journal of Engineering Geology and Environment.

Punimi paraqet një analizë gjithëpërfshirëse të metodave të përdorura për vlerësimin e cilësisë së ujërave sipërfaqësore në Kosovë, duke u bazuar në konceptin e Water Quality Index (WQI), një nga metodat më të përdorura në nivel botëror për monitorimin dhe klasifikimin e cilësisë së ujit.

Studimi ofron një përmbledhje sistematike të literaturës shkencore dhe analizon aplikimin e metodave të ndryshme të WQI-së në rrjetin hidrografik të Kosovës. Rezultatet tregojnë se faktorët natyrorë dhe aktivitetet njerëzore kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e ujërave sipërfaqësore, ndërsa vlerësimet e realizuara evidentojnë se ujërat me cilësinë më të ulët gjenden në pellgun e lumit Lepenc, ndërsa cilësia më e mirë është regjistruar në pellgun e lumit Ibër.

Punimi thekson gjithashtu rëndësinë e zbatimit të metodave të standardizuara për monitorimin e cilësisë së ujërave, në përputhje me kërkesat e Direktivës Evropiane për Ujërat (Water Framework Directive 2000/60/EC), duke ofruar një bazë të rëndësishme shkencore për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ky publikim përfaqëson një kontribut të vlefshëm në fushën e inxhinierisë mjedisore, hidrologjisë dhe menaxhimit të burimeve ujore, duke dëshmuar angazhimin e vazhdueshëm të studiuesve të UBT-së në kërkimin shkencor me ndikim ndërkombëtar dhe në zhvillimin e zgjidhjeve që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Punimi është publikuar në numrin e parë të vitit 2026 të revistës Italian Journal of Engineering Geology and Environment dhe është i qasshëm në linkun: PUNIMI

Lajmet

Bllokohet përkohësisht magjistralja Prishtinë–Podujevë, kamionit i bien arkat me pije në rrugë

Published

on

Magjistralja Prishtinë–Podujevë është bllokuar përkohësisht pasi një kamioni që transportonte pije në shishe qelqi i janë rrëzuar një pjesë e ngarkesës në rrugë.

Si pasojë, në këtë segment janë krijuar kolona të gjata automjetesh, ndërsa qarkullimi është vështirësuar për drejtuesit e mjeteve.

Pamjet e siguruara nga RTK tregojnë arkat me pije të shpërndara në rrugë, duke penguar lëvizjen e automjeteve.

Ekipet përgjegjëse janë angazhuar në largimin e pengesave dhe pastrimin e rrugës, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të qarkullimit normal.

Deri në normalizimin e situatës, shoferëve u rekomandohet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kalimit në këtë aks rrugor./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohen dy shtetas të Serbisë dhe një kosovar në Fushë Kosovë – përfshihen në një rast me një të mitur nën 16 vjeç

Published

on

Policia ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “Bashkësi jashtëmartesore me personin nën moshën 16 vjeç”.

Sipas njoftimit policor, në lidhje me rastin janë arrestuar dy meshkuj serbë, shtetas të Serbisë, si dhe një mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Rasti po trajtohet nga organet kompetente/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë për keqpërdorim në projektin e lapidarit në Suharekë, dy persona përfundojnë në gjykatë

Published

on

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave nën dyshimin për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi apo mashtrimi në prokurim publik”.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri B.B., drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Suharekës, dyshohet se gjatë zbatimit të projektit “Ndërtimi i lapidarit për viktimat e viteve (1912-1945)” në fshatin Samadraxhë, ka tejkaluar kompetencat zyrtare për t’i mundësuar përfitim operatorit ekonomik “A.G.” Sh.P.K.

Në aktakuzë thuhet se, në kuadër të kontratës me vlerë 28 mijë e 650 euro, ai ka miratuar pagesën prej 5 mijë eurosh, duke konstatuar se punimet ishin realizuar, ndonëse ato nuk ishin kryer sipas kontratës.

Si pasojë, Komunës së Suharekës dyshohet se i është shkaktuar dëm material prej 5 mijë eurosh, fakt i mbështetur edhe nga ekspertiza e ndërtimtarisë.

Ndërkaq, A.M., si person përgjegjës i operatorit ekonomik “A.G.” Sh.P.K., dyshohet se ka pranuar pagesën prej 5 mijë eurosh, megjithëse punimet e parapara nuk ishin realizuar sipas kontratës dhe specifikimeve teknike.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas administrimit të provave, të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

UNESCO shpall malin Olimp Trashëgimi Botërore

Published

on

UNESCO vendosi këtë të diel, 26 korrik, në Korenë e Jugut, që mali ikonik grek, ai i Olimpit, të shtohet në Listën e Trashëgimisë Botërore

UNESCO vendosi këtë të diel, 26 korrik, në Korenë e Jugut, që mali ikonik grek, ai i Olimpit, të shtohet në Listën e Trashëgimisë Botërore.

Pjesë e kësaj liste u bënë gjithashtu kryeqytetet e lashta japoneze, Asuka dhe Fujiwara, Peizazhi Migrator Boma-Badingilo i Sudanit Jugor, si dhe plazhet e zbarkimit të Luftës së Dytë Botërore në Francën Veriore.

Përpjekjet e Greqisë për Olimpin që prej vitit 2014

Me një lartësi prej 2.918 metrash, Olimpi konsiderohet në mitologjinë greke si froni i Zeusit, mbretit të perëndive, teksa njëkohësisht është një nga zonat me biodiversitetin më të pasur në Evropë.

Prej vitesh, Greqia i ka kërkuar UNESCO-s përfshirjen e Malit të Olimpit në Listën e Trashëgimisë Botërore. Aplikimi i parë u dorëzua në vitin 2014, duke u mbështetur si në rëndësinë e tij kulturore dhe mitologjike, ashtu edhe në vlerat e jashtëzakonshme natyrore.

Zona u shpall Parku i parë Kombëtar i Greqisë në vitin 1938, për shkak të peizazhit unik, që përfshin pyje të dendura, livadhe alpine, gryka, kanione dhe burime ujore, të gjitha shumë pranë bregdetit. Sipas Homerit, maja e Olimpit ishte “selia e të pavdekshmëve”, vendi ku Zeusi ushtronte pushtetin e tij.

Qyteti më i afërt me malin është Litochoro, vetëm pesë kilometra larg plazheve të Egjeut. Në vitin 1981, UNESCO e shpalli Olimpin Rezervë të Biosferës, ndërsa në vitin 2021 zona fitoi mbrojtje shtesë, duke u shpallur park kombëtar.

Vetëm vitin e kaluar, zona u vizitua nga rreth 500 mijë turistë, e tashmë autoritetet greke presin rritje të numrit të vizitorëve. Shkak për këtë rritje, nuk është vetëm futja e malit në Listën e Trashëgimisë Botërore, por dhe nga filmi “The Odyssey”, i regjisorit Christopher Nolan, një pjesë e së cilit u xhirua në shtetin fqinj.

Autoritetet greke kanë theksuar rëndësinë fetare të kësaj zone, për shkak të një shenjtëroreje në një nga majat më të ulëta të malit. Besohet se kjo është shenjtërorja e përshkruar nga Plutarku në shekullin II pas Krishtit, ku kryheshin flijime në nder të Zeusit.

Në malin Olimp ndodhet edhe kapela ortodokse e krishterë në lartësinë më të madhe në botë, ndërsa në shpatet e tij gjenden manastire bizantine dhe objekte të tjera kulti./ RTM//A.K/

Continue Reading

Të kërkuara