Lajmet

Profesorët e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit publikojnë në revistën e indeksuar në Scopus

Published

on

Profesorët e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, dr. Votim Hanoli dhe dr.Ferid Selimi, së bashku me koautoren Elda Sinani, publikuan punimin “Hedonizmi në epokën digjitale: Një analizë e përdorimit të rrjeteve sociale si burim kënaqësie”, në revistën ndërkombëtare “Architectural Image Studies”, e indeksuar në platformën Scopus.

Ky punim trajton marrëdhënien mes hedonizmit dhe përdorimit të rrjeteve sociale në kontekstin e epokës digjitale. Në një shoqëri gjithnjë e më të ndërvarur nga teknologjia dhe komunikimi virtual, rrjetet sociale janë shndërruar në mjete të fuqishme për përmbushjen e nevojave emocionale dhe psikologjike të individëve, përfshirë kënaqësinë e menjëhershme, vëmendjen dhe vlerësimin social.

Duke u mbështetur në teori të tilla si Teoria e Kultivimit (George Gerbner), dhe Teoria e kornizimit (Framing) e (Goffman), studimi eksploron motivimet hedoniste që qëndrojnë pas sjelljes së përdoruesve në platformat digjitale.

Për të analizuar këtë fenomen, u realizua një studim empirik ku të dhënat tregojnë se shumica e të rinjve e përjetojnë përdorimin e rrjeteve sociale si një burim kënaqësie të menjëhershme, sidomos në lidhje me marrjen e pëlqimeve, ndarjen e përmbajtjeve personale dhe ndërveprimet sociale. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve raportuan gjithashtu ndjenja boshllëku, ulje të vetëbesimit dhe varësi emocionale ndaj këtyre platformave.

Rezultatet sugjerojnë se rrjetet sociale funksionojnë si një mekanizëm i fuqishëm për përmbushjen e nevojave hedoniste, por gjithashtu ngrenë shqetësime lidhur me ndikimet afatgjata në mirëqenien psikologjike. Punimi përfundon me sugjerime për ndërgjegjësim mediatik dhe përdorim më të vetëdijshëm të teknologjisë dhe mediave sociale./UBTNews

Linku i revistës: Architectural Image Studies, 2184-8645

https://journals.ap2.pt/index.php/ais

https://www.scopus.com/sourceid/21101247624

Lajmet

Shpërthim golash në Madrid, barazim dramatik në Manchester City e fitore e rëndësishme për Galatasarayn

Published

on

By

Mbrëmja e djeshme në Ligën e Kampionëve solli gola, kthesa dhe rezultate të rëndësishme në të gjitha fushat. Në kryendeshjen e mbrëmjes, Manchester City dhe Napoli ndanë pikët pas një barazimi 2-2, ndërsa Arsenali dhe Borussia Dortmundi mbyllën sfidën e tyre pa fitues, 1-1.

Real Madridi tregoi forcë në shtëpi duke mposhtur bindshëm PSV Eindhovenin me rezultatin 5-1, teksa fitore të rëndësishme shënoi edhe RB Leipzig, i cili triumfoi 3-1 ndaj Lensit.

Një fitore me peshë e regjistroi edhe Galatasaray, që mposhti Aston Villan me rezultat minimal 1-0. Fitore me të njëjtin rezultat arritën edhe Como kundër AEK Athinës, Bodø/Glimt ndaj LASK-ut, si dhe Porto në fushën e Feyenoordit, ndërsa Real Betisi triumfoi 2-0 në transfertë ndaj Slovan Bratislavës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Prishtina mes kryeqyteteve me ajrin më të ndotur në botë

Published

on

By

Me uljen e temperaturave, në Prishtinë është rikthyer sërish ndotja e lartë e ajrit. Sipas matjeve të platformës ndërkombëtare “IQAir”, Kosova u rendit mbrëmë në vendin e 29-të në botë për ajrin më të ndotur, me nivelin e grimcave të dëmshme PM që arriti në 79 njësi — vlerë kjo e rrezikshme për shëndetin e njeriut. Kryesimin e kësaj liste e mban Lahore i Pakistanit, ndërsa ajrin më të pastër aktualisht e ka Tokio i Japonisë.

Ndotja e ajrit shpesh nuk duket me sy, por rreziku kryesor vjen nga grimcat e imëta PM10 dhe PM2.5. Ndërsa grimcat PM10 futen në sistemin e frymëmarrjes, ato PM2.5 janë aq të vogla sa depërtojnë thellë në mushkëri dhe kalojnë edhe në qarkullimin e gjakut, duke rritur rrezikun për sëmundje të mushkërive, probleme me zemrën dhe vdekje të parakohshme. Udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) përcaktojnë se mesatarja vjetore nuk duhet t’i kalojë 5 mikrogramë për metër kub për PM2.5 dhe 15 mikrogramë për PM10.

 

Pse ndotet ajri në Kosovë?

Tre janë shkaktarët kryesorë të kësaj gjendjeje: prodhimi i rrymës me linjit, ngrohja e shtëpive me dru e qymyr dhe trafiku i rënduar rrugor. Një vlerësim i OBSH-së i publikuar në vitin 2024 gjeti lidhje të drejtpërdrejtë mes djegies së drurit për ngrohje dhe shqetësimeve shëndetësore, duke vënë në pah se ajri është i rënduar edhe brenda vetë banesave. Gjatë dimrit, kur ajri i ftohtë bllokohet pranë tokës, ndotësit nuk shpërndahen dhe përqendrimi i tyre rritet ndjeshëm pikërisht kur nevoja për ngrohje është më e madhe.

 

Bilanci i rëndë në rajon

Kjo situatë prek mbarë Ballkanin Perëndimor. Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, shumica e vendeve të rajonit i kanë tejkaluar kufijtë e BE-së për grimcat PM2.5, për shkak të lëndëve të ngurta djegëse, industrisë dhe makinave të vjetra. Pasojat shëndetësore janë alarmante: një raport i sivjetmë i OECD-së tregon se rajoni ka mesatarisht 126 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë — më shumë se trefishi i mesatares së Bashkimit Evropian (39.5). Maqedonia e Veriut prin me 146 vdekje për 100 mijë banorë, ndërsa Mali i Zi ka shifrën më të ulët në rajon me 89.

Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka kërkuar prej kohësh kontrolle më të rrepta teknike për veturat dhe monitorim të vazhdueshëm të filtrave të termocentraleve.

 

Ku ngec zgjidhja?

Për Avokatin e Popullit, problemi nuk qëndron vetëm te burimet e ndotjes, por te reagimi i dobët institucional, mungesa e inspektorëve dhe moszbatimi i ligjeve. Institucioni rikujton se ajri i pastër nuk është thjesht çështje mjedisore, por detyrim shtetëror për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Ndërsa Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për masat e këtij dimri, në programin qeverisës të prezantuar në shtator, kryeministri Albin Kurti ka premtuar modernizimin e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, zgjerimin e ngrohjes qendrore në Prishtinë dhe tetë komuna të tjera, si dhe 150 milionë euro investime për efiçiencë të energjisë. /Ekonomia Online/

 

Continue Reading

Lajmet

Sulm kibernetik në një sistem të CIA-s, mes një vale shqetësimesh teknologjike në SHBA

Published

on

By

Një sistem i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA) është prekur nga një sulm kibernetik, raporton Associated Press. Sipas një burimi anonim të njohur me rastin, nuk janë prekur të dhëna të klasifikuara dhe situata tashmë është vënë nën kontroll.

Sulmi ka goditur një platformë që shërben për grumbullimin dhe shqyrtimin e informacioneve nga burime të hapura — duke nisur nga interneti, te satelitët komercialë dhe ofruesit privatë. Edhe pse bëhet fjalë kryesisht për të dhëna publike ose pjesërisht publike, ato fitojnë peshë të madhe kur u bashkohen raporteve të fshehta të inteligjencës.

Deri tani nuk është bërë e ditur se cilat të dhëna konkrete janë ekspozuar dhe kush fshihet pas sulmit, për të cilin raportoi fillimisht të martën “The New York Times”.

Rasti vjen në një kohë kur në Shtetet e Bashkuara janë shtuar telashet me sisteme të ndryshme digjitale. Javën e kaluar, një rrjet i brendshëm i NSA-së për komunikime të klasifikuara pësoi një rënie të përkohshme, ndërsa FBI-ja po heton një sulm të dyshuar ndaj një baze kombëtare të të dhënave policore. Gjatë këtij muaji, probleme teknike kanë goditur edhe trafikun ajror amerikan, si dhe gjigantët Apple, JPMorgan Chase dhe Microsoft, duke rikthyer në qendër të vëmendjes brishtësinë e rrjeteve jetike dhe platformave të përditshme.

Nga ana tjetër, administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka mohuar se këto ndërprerje lidhen me ndonjë sulm kibernetik të koordinuar. Sipas saj, shumë prej tyre vijnë nga përpjekjet për të rifreskuar e mbrojtur sistemet përballë hakerëve që tashmë po përdorin inteligjencën artificiale në shkallë të gjerë. /AP/

 

Continue Reading

Lajmet

Berisha: Seanca ndaj Jeton Sylajt u ndërpre, aktakuza nuk e cilëson Arlinda Zekajn si viktimë të ndjeshme

Published

on

Avokati i familjes së Arlinda Zekajt, Besnik Berisha, ka deklaruar se seanca gjyqësore ndaj ish-bashkëshortit të saj, Jeton Sylajt, është ndërprerë pas një kërkese të paraqitur prej tij.

Berisha ka thënë se në aktakuzën e Prokurorisë, Zekaj nuk është cilësuar si “viktimë e ndjeshme”, duke e vlerësuar këtë si një lëshim serioz.

Sipas tij, ky gabim mund të ketë ndodhur për shkak të ngutisë për të dorëzuar aktakuzën pa u analizuar siç duhet.

“Arsyeja e mosmbajtjes së seancës lidhet me një kërkesë timen pas pranimit të aktakuzës, ku e kam vërejtur një lëshim skandaloz të prokurorit që e ka shkruar aktakuzën, duke mos e cilësuar tani të ndjerën si viktimë të ndjeshme”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka bërë të ditur se ka kërkuar tërheqjen e aktakuzës dhe vlerësimin e ligjshmërisë së saj, duke argumentuar se rasti duhet të rikualifikohet. Sipas tij, ky cilësim do të ndikonte edhe në lartësinë e dënimit të paraparë, i cili, sipas deklarimit të tij, mund të arrijë deri në pesë vjet burgim, në vend të një viti.

Duke folur për arrestimin e katër personave të tjerë lidhur me rastin, Berisha ka thënë se familja ka kërkuar që nga fillimi të hetohen edhe personat që dyshohet se kanë ndihmuar në vrasjen e Arlindës, përfshirë ish-vjehrrën dhe ish-kunatin e saj.

“Ky rezultat për ne nuk është rastësi”, ka thënë Berisha, duke shtuar se, sipas tij, vrasja e Arlinda Zekajt nuk ishte aksident apo incident, por rezultat i një plani të konsultuar më herët./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara