Lajmet

​“Proces kompleks”, si do ta iniciojë Kosova padinë për gjenocid?

Published

on

Kryeministri i vendit, Albin Kurti kishte deklaruar se Kosova synon ta padisë Serbinë për gjenocid, por as katër vjet pas mandatit, një padi e tillë nuk është hartuar. Zyrtarë qeveritarë thonë se janë duke punuar në këtë drejtim por që nuk mund të jepen detaje për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. Në anën tjetër, në Kosovë ka skepticizëm se një premtim i tillë do të mund të realizohet.

Mbi 13 mijë civilë të vrarë, mbi 20 mijë të përdhunuar seksualisht, mbi 6 mijë të zhdukur – prej tyre rreth 1.600 vazhdojnë të jenë të pagjetur, e më shumë se 800.000 persona të zhvendosur gjatë luftës së viteve në 1998-1999 në Kosovë. Serbia vazhdon t’i mohojë krimet që i ka kryer në Kosovë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë, se janë duke punuar për padinë për gjenocid dhe se janë në konsultime me ekspertë.

“Adresimin e krimeve të luftës e kemi prioritet në kuadër të programit qeverisës. Dhe nëse shohim se cilat janë veprimet që ne i kemi dhënë si zotime, të gjitha i kemi adresuar përveç se në padinë për gjenocid jemi duke punuar. Por, për këtë të fundit nuk kam mundësi që të jap më shumë informacione, për shkak se është tepër proces i ndjeshëm…Në konsultime me ekspertë, por nuk mund as që t’i përmendi si emra të përveçëm për faktin se çfarëdo dhënie e informacionit në raport me këtë çështje mund të dëmtojë Kosovën, duke pasur parasysh përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të mos dhënë llogari për të gjitha krimet që ka bërë në Kosovë gjatë periudhës së luftës”, thotë ajo.

Por sipas profesorit të së drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami, qeveria e ka kuptuar që ky është një proces kompleks.

“Qeveritë në vazhdimësi kanë premtuar, edhe qeveria aktuale. Ne e dimë në fillim të mandatit e ka pasur një prioritet padinë për gjenocid, por po kalojnë katër vjet të mandatit dhe akoma nuk e kemi atë padi. Mendoj që edhe kryeministri e ka kuptuar që ky është një proces shumë kompleksiv dhe se nuk është një proces për të eksperimentuar, sepse do të mund ta dëmtojmë shumë shtetin në qoftë se e humbim rastin. Humbja eventuale e rastit do ta rehabilitonte komplet Serbinë për atë çfarë ka bërë. Për këtë çështje të padisë ne duhet konsensus mbi partiak, nacional, akademik, shtetëror, shoqëror, që ta bëjmë këtë padi”,deklaron Bajrami.

Paditë për gjenocid ngrihen pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë – institucionit që vendos për mosmarrëveshjet në mes të shteteve. Në GJND mund të iniciojnë procedura vetëm shtetet që janë anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë thotë se sfiduese për institucionet e Kosovës është procedura e inicimit të rastit – duke qenë se vendi nuk është anëtar i OKB-së.

“Ne e kemi parë në fushata zgjedhore se një prej premtimeve ka qenë ngritja e padisë kundër Serbisë pranë Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ajo çfarë është sfiduese fillimisht për organet shtetërore të Kosovës është procedura se, si dhe në çfarë forme do ta iniciojë rastin Kosova pranë kësaj gjykate, duke marrë parasysh se vetëm shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara mund të iniciojnë procedura. Dhe në rastin konkret, Kosova nuk është pjesë e OKB-së. Pastaj këto krimet që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë, nga Tribunali i Hagës, nga prokurorë dhe nga gjyqtarë, kryesisht krimet janë proceduar si krim kundër njerëzimit dhe për këtë kemi edhe personat të cilat janë dënuar për krime lufte. Se si Kosova tani do të rikualifikojë krimet e njëjta në krimet si gjenocid do të jetë e sfiduese për juristët kosovarë”,deklaron ai.

Kosova duhet të padisë Serbinë për gjenocid kur është e sigurt se do ta fitojë rastin, thotë njëri nga hartuesit e Kushtetutës, Arsim Bajrami.

“Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme, shumë e përgatitur dhe duhet ta bëjë këtë padi në momentin kur është e sigurt se do ta fitojë rastin. Për këtë arsye unë i kam sugjeruar udhëheqësve, krerëve të shtetit që të autorizojnë një kompani të fortë ndërkombëtare, me juristë dhe ekspertë kulminant të gjenocidit dhe ata të marrin përsipër, të përgatisin dosjen e gjenocidit. Ndërkohë, institucionet vendore, në radhë të parë Instituti për Dokumentimin e Krimeve të Luftës të sistemojë dhe të dokumentojë komplet dokumentacionin për gjenocid. Më mirë të jemi pak të vonuar se sa të nxituar dhe të humbasim rastin”, deklaron ai.

Bosnje e Hercegovina dhe Kroacia i kanë humbur rastet për gjenocid. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pati konstatuar se Serbia është përgjegjëse për shkeljen e Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të gjenocidit në Srebrenicë, por jo edhe për kryerje të gjenocidit, për çka Bosnja kishte ngritur padi.

Vendimet e GJND-së me seli në Hagë, janë përfundimtare dhe nuk mund të apelohen.

lajme

Kurti takon në Paris emisarin Sorensen: Diskutohet për normalizimin dhe dialogun me Serbinë

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit të Paqes.

Gjatë takimit u diskutua për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me fokus njohjen reciproke, stabilitetin institucional të paszgjedhjeve në Kosovë, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri Kurti.

Edhe emisari evropian Sorensen konfirmoi takimin përmes një njoftimi, duke vlerësuar bisedën si të frytshme për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në dialog dhe procesin e normalizimit në dobi të qytetarëve dhe rajonit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti gjithashtu zhvilloi një bashkëbisedim me studentë, ku theksoi pritjet e tij që udhëheqja e re e Serbisë të njohë Republikën e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 mposhtet nga Belgjika në raundin e dytë kualifikues

Published

on

By

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.

Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/

Continue Reading

lajme

Murati prezanton buxhetin për 2027-ën, opozita kritikon investimet kapitale

Published

on

By

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.

Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.

Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.

Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.

“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.

Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Foda rindërton mbrojtjen pas largimit të Dellovës

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës në futboll është përballur me ndryshime të papritura në repartin defensiv në prag të ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.

Mbrojtësi Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve”, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në vend të tij Betim Fazlijin. Kjo mungesë e ndërlikon edhe më shumë situatën në prapavijë, meqë jashtë fushave vazhdon të jetë edhe Albian Hajdari për shkak të një lëndimi afatgjatë.

Në skemën e tij të zakonshme 3-4-3, tekniku gjerman do të duhet të rindërtojë treshen e mbrojtjes. Lajm pozitiv për skuadrën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit pas lëndimit, i cili pritet të jetë nga minutat e para pranë Ilir Krasniqit dhe Ron Raçit. Si opsione të reja në dispozicion janë edhe dy debutuesit nga Zvicra dhe Suedia, Lindrit Kamberi e Bleon Kurtulus, si dhe Betim Fazliji i cili mbulon disa pozicione në mbrojtje e mesfushë.

“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, u shpreh përzgjedhësi Foda lidhur me zgjedhjet e reja në mbrojtje. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara