Emoji-t janë padyshim një gjuhë universale, ku 6 miliardë të tilla dërgohen çdo ditë. Megjithatë, shumica e përdoruesve thonë se përfaqësimi duhet të jetë më gjithëpërfshirës.
Raporti i fundit, i titulluar “Global Emoji Diversity & Inclusion”, ka në qendër diversitetin dhe përfshirjen dhe zbuloi se 83% e përdoruesve globalë të emoji-ve duan që krijuesit e imazheve të vogla dixhitale të kenë një përfaqësim më gjithëpërfshirës.
Sondazhi i 7,000 përdoruesve të shpeshtë të emoji-ve nga shtatë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Japoninë, Francën, Australinë dhe Korenë e Jugut, zbuloi se 54% e të anketuarve mendonin se identiteti i tyre reflektohej në mënyrë të përshtatshme në opsionet aktuale të emoji-ve. Vetëm 37% e përdoruesve me nevoja të veçanta thanë se ndiheshin të përfaqësuar nga emoji-t aktualë.
Kultura ishte kategoria më e përmendur për të cilën përdoruesit kërkuan më shumë gjithëpërfshirje, e ndjekur nga raca dhe etnia. Ngjyra ose modeli i flokëve, aksesorët e veshjeve, lloji i trupit dhe ngjyra e syve ishin opsionet më të njohura mbi personalizimin që përdoruesit e emoji-ve thanë se do të pasqyronin më mirë pamjen personale.
Studiuest zbuluan gjithashtu se dëshira për emoji të tjerë ndryshon shumë në varësi të moshës, ku 74% e gjeneratës Z duan më shumë ikona që përfaqësojnë identitetin e tyre.
Adobe po bashkëpunon me grupin advokues për emoji-t, Emojination, për të nxitur krijimin e ikonave më përfaqësuese në të gjithë botën. Më parë, Emojination ka bindur dizajnerët të krijojnë më shumë se 100 emoji, duke përfshirë ikona që përfaqësojnë çifte ndërracore, hixhab dhe veshjet sari.
Para disa ditësh u shënua përvjetori i lindjes së piktorit të njohur holandez Vincent Willem van Gogh, një nga figurat më të rëndësishme të artit modern botëror.
Van Gogh lindi më 30 mars 1853 në Groot-Zundert të Holandës, në një familje me prapavijë fetare, ku i ati ishte pastor. Që në moshë të re ai nisi të merrej me art, duke punuar fillimisht si shitës veprash artistike, ndërsa më vonë iu përkushtua plotësisht pikturës.
Gjatë jetës së tij, Van Gogh kaloi periudha të vështira emocionale dhe ekonomike. Veprat e tij fillimisht karakterizoheshin nga tone të errëta, por pas kontaktit me piktorët impresionistë si Claude Monet, Camille Pissarro dhe Paul Gauguin, ai ndryshoi stilin duke përdorur ngjyra më të çelura dhe më të guximshme.
Jeta e tij personale u shoqërua me sfida të mëdha psikologjike. Një nga episodet më të njohura mbetet ai i vitit 1888, kur, sipas biografëve, ai preu një pjesë të veshit pas një konflikti të fortë. Gjendja e tij mendore u përkeqësua me kalimin e viteve.
Më 27 korrik 1890, Van Gogh qëlloi veten dhe ndërroi jetë dy ditë më pas, në moshën 37-vjeçare, në Francë.
Edhe pse gjatë jetës nuk arriti të shesë shumë piktura, sot ai konsiderohet një nga artistët më të mëdhenj në histori. Veprat e tij, si “Kafja e natës”, mbeten dëshmi e një talenti të jashtëzakonshëm që lëkundej mes gjenialitetit dhe vuajtjes së thellë njerëzore.
Teatri “Migjeni” nga Shkodra do të vijë në Kosovë me shfaqjen mysafire “Pesë fytyrat e heshtjes”, e cila do të prezantohet në Teatrin “Adriana” në Ferizaj më 3 prill, duke filluar nga ora 20:00.
Shfaqja, me regji nga Ilir Bokshi, sjell në skenë aktorët Adrian Morina, Albulena Bokshi, Ina Morinaj, Uratë Shabani, Nikolin Ferketa dhe Fritz Selmani.
“Pesë fytyrat e heshtjes” trajton dimensionet e brendshme të njeriut – heshtjen, dhimbjen dhe kujtimet, përmes pesë tregimeve të ndërlidhura që ftojnë publikun në reflektim dhe dialog mbi të vërtetat personale dhe kolektive.
Mbrëmë në Berlin, Filharmonia e Kosovës realizoi një koncert të jashtëzakonshëm, duke shënuar një moment të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare.
Nën drejtimin e dirigjentes Marion Wood, orkestra së bashku me kore ndërkombëtare sollën një eksperiencë unike korale 360°, e cila u prit me entuziazëm nga publiku gjerman.
Në këtë mbrëmje performuan edhe solistët Kaltrina Miftari, Elona Sadiku, Flaka Goranci, André Khamasmie dhe Simon Robinson, me interpretime të nivelit të lartë artistik.
Ky koncert shënon debutimin e Filharmonisë së Kosovës në kryeqytetin gjerman, një hap i rëndësishëm në prezantimin e artit kosovar në arenën ndërkombëtare.
Filmi shqiptar “Burri i Shtëpisë”, me regji nga Andamion Murataj, është shpërblyer me çmim special në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Bari (BIF&ST).
Juria vlerësoi në mënyrë të veçantë interpretimin e Drita Kaba Karagës, duke e cilësuar atë si të thellë dhe mbresëlënës. Filmi u vlerësua në seksionin “Meridiana”, duke u renditur ndër projektet më të spikatura të këtij edicioni.
Gjatë marrjes së çmimit, regjisori Andamion Murataj u shpreh i emocionuar për rikthimin në Bari pas shumë vitesh, duke theksuar se filmi nuk është vetëm shqiptar, por një bashkëprodhim shqiptaro-italian. Ai falënderoi bashkëpunëtorët dhe institucionet që mbështetën realizimin e projektit që në fazat e para.
Juria ndërkombëtare, e përbërë nga emra të njohur të kinematografisë, vlerësoi interpretimin e Karagës si një portretizim të fuqishëm dhe kompleks të një personazhi që sfidon normat, duke trajtuar tema si identiteti dhe amësia.
“Burri i shtëpisë” sjell në qendër historinë e një burrneshe në një shoqëri moderne shqiptare në ndryshim të vazhdueshëm. Performanca e Drita Kaba Karagës u konsiderua si një nga pikat më të forta të festivalit, duke u vlerësuar për mënyrën e natyrshme dhe të fuqishme të interpretimit të një personazhi kompleks.